Intervistë: Gersa Rrudha, studiuese
Letërsia të jep shijen dhe bukurinë estetike dhe shpirtërore, kurse filozofia është i vetmi instrument i sigurt i formimit më të shëndoshë mendor, për të cilin ka aq shumë nevojë realiteti shqiptar
Intervistoi: Shkëlzen HALIMI
Gersa Rrudha është një emër që premton shumë dhe që është duke depërtuar me hapa të sigurt në letrat shqipe. Ajo është lindur në 1 shkurt 1999, në Lushnjë. Në vitin 2021 është diplomuar me rezultat të shkëlqyeshëm në Universitetin e Bukureshtit për filologji në gjuhë të huaj, gjermane dhe angleze. Aktualisht vazhdon studimet e masterit për “Strategji komunikacionale interkulturore-letrare dhe linguistike gjermane”. Ajo veç fushës së studimeve letrare e filozofike, është fokusuar edhe në fushën e përkthimeve. Gersa është një ambasadore e vlerave më të mira ndërkulturore, në përpjekjen misionare të zhvillimit të marrëdhënieve midis popujve tanë miq, Shqipëri- Rumani. Dhe jo vetëm kaq…
HEJZA: Cila është Gersa Rrudha?
RRUDHA: Jam vajzë e një familje fisnike lushnjarësh. Letërsinë e kam dashuruar që e vogël dhe kam nisur të shkruaj që në bankat e shkollës së mesme, por studimet në Katedrën e gjuhës dhe letërsisë së huaj në Universitetin e Bukureshtit më rrënjosën edhe dëshirën që t’i futesha botës studimore të autorëve, studiuesve dhe filozofëve për të cilët mësoja. Po kështu, formimi i spikatur filologjik e solli të natyrshëm kalimin në fushën e përkthimeve, duke më bërë kështu të fokusohem kryesisht në drejtimin filozofik dhe në zhanrin e letërsisë filozofike. Gjuhësia, letërsia dhe filozofia besoj se janë shtyllat e angazhimit tim të tashëm dhe të ardhshëm si filologe, studiuese dhe përkthyese.
HEJZA: Edhe pse e re, ju keni botuar tashmë, në një vëllim dy-gjuhësh, studimin letraro-filozofik me titull “Vreshti i Shopenhauerit në mushtin e valleve të Lasgush Poradecit”, i cili ishte vazhdim i temës së diplomës së mbrojtur në gjermanisht dhe të vlerësuar shkëlqyeshëm në Universitetin e Bukureshtit. Cila është tema kryesore që ju trajtoni dhe pse ky titull?
RRUDHA: Pyetja kryesore e punimit tim është nëse filozofia natyrore e filozofit të madh gjerman, Shopenhauer, ka arritur të ndikojë në poetikën e poetit shqiptar Poradeci dhe nëse po, në çfarë mase dhe i cilit lloj ka qenë ky ndikim ?! Duke perifrazuar një citim nga vepra më e famshme e filozofit, “Bota si vullnet dhe si përfaqësim”, teza kryesore kërkon të provojë që “mushti ose vera magjike e poetikës së Poradecit, si një burim i rëndësishëm mes burimeve të tjera të formimit të tij, u kultivua dhe prodhua nga vreshti i mendimeve të Shopenhauerit mbi thelbin e artit, gjeniut dhe metafizikës, filozofinë natyrore, të shoqërizuara këto me themelin e doktrinës së tij të botës. Pas pohimit të kësaj valence të llojit të parë, atë të filozofisë së natyrës së “Botës” shopenhaueriane, në mënyre diakronike, pra, në të gjitha grupet tematike ku mund të ndahet poezia e autorit, mund të pohohet edhe valenca e dytë e rëndësishme e ndikimit të filozofit, ajo e përfaqësimit estetik të botës, si formë e re e shprehjes artistike që ka lidhje me theksin te estetika e poezisë dhe thelbit të artit që parashtron Shopenhaueri gjerësisht në suplementet e veprës së tij, të trajtuara për herë të parë dhe të pabotuara ende në shqip.
HEJZA: Cila është metoda e hulumtimit që keni përdorur për të ekzaminuar korpusin letrar të veprave lasgushiane dhe në ç’përfundime keni arritur?
RRUDHA: Teza ime është e ndarë në tre pjesë. Në pjesën e parë trajtoj raportin e filozofisë së Shopenhauerit me ambientin shqiptar, në lëmin e mendimit dhe letërsisë, duke përdorur kryesisht metodën e reception history. Pjesa e dytë e punës sime, që mund të përmblidhet në perifrazimin e madh „Mikrokozmos“, shqyrton raportin filozofi e Shoponhauerit/korpusi i veprës së Lasgush Poradecit, bazuar kryesisht në metodën hermeneutike dhe në atë të raportimit dhe interpretimit të tekstit. Kështu, nëpërmjet një përzgjidhje citimesh dhe parimesh nga Shopenhaueri, si prizëm studimor, dhe nëpërmjet ilustrimesh të përzgjedhura nga poezitë e Lasgushit, për shembull, në poezitë e natyrës dhe liqenit arrij në përfundimin se ato frymëzohen vërtet nga filozofia e natyrës së Shopenhauerit, por nëpërmjet interpretimit të tekstit, Poradeci aty arrin edhe në një anima mundi krejtësisht personale, që ka si pikënisje mjaft elementë të përbashkët me konceptimin që Shopenhaueri mendon se poeti është mbartësi i idesë së njerëzimit.Pjesa e tretë, që mund të përmblidhet në perifrazimin „Makrokozmos“ shqyrton raportin filozofi e Shopenhauerit/jetës, ambienti personal ku u rrit, u formua dhe zhvilloi jetën e vet private dhe artistike autori, bazuar kryesisht në një gërshetim të këtyre dy metodave të përmendura më sipër. Nëpërmjet një ilustrimi të nocioneve dhe koncepteve të Shopenhauerit për gjeniun, për asketizmin dhe etikën transcendentale kam gjetur mjaft paralele dhe ngjashmëri mes tyre dhe rrëfimet autobiografike prej miqve, shokëve dhe fëmijëve të autorit për jetën, formimin dhe mënyrën e ushtrimit të poetit.
HEJZA: Ky libër është quajtur nga kritika si një risi në studimet lasgushiane. Pse Shopenhauer dhe Poradeci? Cilët janë argumentet kryesore që e bëjnë atë të ndryshëm nga gjithë kritika qindvjeçare e veprës së Lasgushit?
RRUDHA: Në fillim doktrinën e Shopenhauerit e kam përmbledhur në një prizëm konceptesh themelore të filozofisë. Pastaj, përgjatë studimit tim, është arritur të trajtohet dhe të ilustrohet në një masë të konsiderueshme, i gjithë ndikimi i saj në të katër grupimet më të mëdha, në të cilat mund të ndahet poetika e Poradecit. Pikërisht prerja diakronike dhe në poezitë më përfaqësuese të çdo grupi, dhe jo në mënyrë rastësore nga njëra anë, dhe përputhja jo e koncepteve dytësore, por atyre me kryesoret të doktrinës së filozofit nga ana tjetër, është demonstrimi kryesor i vërtetësisë së tezes.Gjithashtu, profili i formimit në shkollë dhe universitet, i formimit letrar e artistik përgjatë jetës, i forma mentis të studiuar të autorit dhe qëndrimit përgjatë jetës dhe zakoneve më të spikatura të poetit, përputhet shumë me filozofinë dhe doktrinën e Shopenhauerit, të jetës dhe vdekjes, nga njëra anë dhe të kulturës e disiplinës gjermane nga ana tjetër, simbolizuar parësisht në idhullin e tij për veprën e Gëtes, e plotëson parimin se botëkuptimi në mikrokozmosin e krijimit dhe formimit poetik dhe në makrokozmosin e jetës së Poradecit, është i ndikuar shumë nga Shopenhaueri dhe kultura gjermane. Edhe teoria Shopenhauerit për artin, kryesisht në parimin e rëndësishëm të përfaqësimit estetik të botës, si një formë e re e shprehjes artistike që ka të bëjë me theksimin e estetikës së poezisë dhe thelbit të artit, gjen mjaft analogji dhe paralelizma në artin magjik të Lasgushit që e ka lartë vlerën estetike.
HEJZA: Po kaq befasues për moshën e re është edhe një tjetër botimi juaj, përkthimi i njërës prej kryeveprave të Hegelit, “Shkencës së tij të logjikës” ? Cilat kanë qenë vështirësitë kryesore të këtij përkthimi?
RRUDHA: Përkthimi në vetvete është i vështirë,sepse përkthimi i vërtetë i reziston kohës dhe nuk është gjë tjetër veçse ribërja e letërsisë me dashuri e përkushtim në gjuhën e lexuesit, për të cilin ajo përkthehet. Letërsia,filozofia apo çfarëdo forme tjetër arti në gjuhë të huaj, duhet të përsërisë suksesin në gjuhën origjinale. Me këto kritere, përkthimi është një mision i cili kërkon një disiplinë që duhet respektuar dhe trajtuar me kujdes, po njëlloj në formimin filozofik të përkthyesit, ashtu dhe në aftësitë e tij filologjike, që shkojnë përtej njohjes shumë të mirë të gjuhës. Prirja ime e përgjithshme ndaj filozofisë dhe veçanërisht ato të nevojshme për të hulumtuar sa më thellë dhe gjerësisht doktrinën e Shopenhauerit, përgjatë vitit kur pata mundësinë të trajtoja subjektin e temës sime të diplomës, që më vonë solli librin tim të parë kërkimor, m’i forcoi mjaftueshëm njohuritë dhe pjekurinë filozofike, për të kaluar edhe te një autor që është i lidhur ngushtë me të, edhe pse në kahun e kundërt. Filozofia e Shopenhauerit shquhet si anti-hegeliane. Për këtë arsye, meqë qe dhe e pabotuar ndonjëherë në shqip, ia propozova Shtëpisë botuese “Plejad” që kishte botuar edhe Shopenhauerin në shqip nga po i njëjti botim dygjuhësh ( gjermanisht-italisht), edhe projektin e veprës kryesore të Hegelit “Enciklopedia e shkencave filozofike”. Kjo enciklopedi përbëhet nga tri vepra që mund të qëndrojnë shumë mirë edhe më vete. Bashkë me ta përzgjodhëm këtë vepër, jo vetëm për vlerën, por edhe si pikënisje në shkallën e vështirësisë që paraqisnin dy pjesët e tjera. Filluam me “Logjikën” e do vazhdojmë me pjesën tjetër, “Filozofia e shpirtit”. Për ta rritur cilësinë e përkthimit konsultova gjerësisht botimin dy-gjuhësh që është goxha shpjegues dhe me aparat ndihmues. Kurse për terminologjinë kam diskutuar gjatë me botuesit që janë të specializuar në këto botime, të cilët më kanë ndihmuar të kapërcej vështirësitë e karakterit historik estetik dhe filozofik. Por kryesorja, në cilësinë e përkthimit të një vepre filozofike ndikon formimi i përshtatshëm i përkthyesit.
HEJZA: Mos vallë kjo ka qenë edhe shtysa për të vazhduar në rrugën e përkthimit, dhe a është e vështirë të marrësh përsipër një mision të tillë?
RRUDHA: Ishte kjo prirje e brendshme qe gjeti provën e parë te përkthimi i Hegelit, ajo që më drejtoi të vazhdoja më pas me letërsinë rumune, relativisht pak të njohur në Shqipëri. Dëshira për këtë letërsi lindi si pasojë e lidhjes sime të fortë emocionale me Bukureshtin dhe Rumaninë gjatë qëndrimit tim si studente këtu për pesë vite rresht. I detyrohesha moralisht gjuhës rumune të studiuar gjatë këtyre viteve, për të dhënë edhe unë kontributin tim si përkthyese e veprave të një plejade kolosësh të letrave rumune. Ky fakt më motivoi që të përpiqesha t’i bëja të njohur lexuesit shqiptar një vepër të rëndësishme të Mirçea Eliades, shkrimtar ky shumë i njohur me prirje filozofike, një novelë të të cilit, e kam përkthyer kohët e fundit dhe që është gati për botim. Ndërsa në bashkëpunim me «Traduki» kam përfunduar dhe pritet të botohet së shpejti vepra e njohur “Për dy mijë vjet” nga Mihail Sebastian, një shkrimtar ky që botohet për herë të parë në shqip. Përveç kolanës së përkthimeve jam angazhuar edhe në disa studime të tjera në fushën e historisë dhe filologjisë. Si pjesë e stafit të Tricolor.al, një portal i cili ka për qëllim kryesor bashkimin e dashamirësve të Rumanisë në Shqipëri, por edhe anasjelltas, jam munduar të nxjerr në dritë dhe të pasqyroja jo vetëm vlerat tradicionale të bashkëpunimit të dy vendeve mike,por edhe të njihja lexuesin shqiptar me vlerat kulturore dhe shpirtërore arumune, fushat e bashkëpunimit midis Rumanisë dhe Shqipërisë në vazhdën e historisë sonë së ndërsjellë, por edhe disa kërkime dhe studime të miat rreth çështjes së arumunëve, me tema të tilla si: “Dora d’Istria midis Lindjes dhe Perëndimit”, “Voskopoja: qendra më e zhvilluar kulturore e arumunëve dhe shpalosja më e madhe e kulturës në të gjithë Ballkanin”, “Naum Veqilharxhi dhe rrugëtimi i shqipes në epokën e Lindjes së kombeve”, etj. Në tërësinë e kësaj veprimtarie, jam munduar të promovoj në çdo hap timin, idenë e ndërtimit të një ure profesionale, kulturore dhe akademike midis Shqipërisë dhe Rumanisë, si një ambasadore e vlerave më të mira ndërkulturore, në përpjekjen misionare të zhvillimit të marrëdhënieve midis popujve tanë miq.
HEJZA: Çfarë prioritetesh i keni vënë vetes në vijim, cilat janë disa nga projektet tuaja në të ardhmen e afërt në fushën e krijimtarisë dhe të studimeve?
RRUDHA: Në punën time për përgatitjen e temës së masterit në filologji, në lidhje me Ndërkulturalitetin albanologjik gjermano-arbëresh deri në vitet ‘800, duke filluar që nga Lajbnizi dhe Nikolle Keta deri te Kamarda dhe Majeri, kam gjetur dhe studiuar thellësisht historinë e zhvillimit të dialekteve të gjuhës shqipe, historinë e shkollave të para shqipe dhe të alfabeteve të shqipes, e në përgjithësi për raportet e gjuhës shqipe dhe historisë me shkollën albanologjike të arbëreshëve në vitet ‘800, për të cilat kam shkruar disa artikuj, të cilët i kam paraqitur përjashtimisht për “Hejzën”. Ndërkaq, kam nisur edhe një studim të veçantë dhe goxha angazhues nga ana akademike në lidhje me marrëdhëniet e shqipes dhe rumanishtes në kuadrin e studimeve të gjuhësisë ballkanike, për të cilat do të përpiqem të jap edhe disa konsiderata përfundimtare.Por, ajo që do të doja të paraqisja në mënyrë përfundimtare është projekti i një libri me sprova filozofike me titull “Shpresa filozofike”, sprova këto që po njëlloj kanë gjetur zanafillën e botimit të tyre në faqet e “Hejzës”. Në të përmblidhen ide, shqyrtime dhe sugjerime të shkencave filozofike e sociale për themel-hedhjen e një kohe të re të gjithë sistemit-vend shqiptar, një stinë që t’i përgjigjet ndryshimit të kohëve dhe kushteve shoqërore, e që t’i shkojë më shumë përshtati domosdoshmërisë sonë historike dhe premisave të sotme gjeopolitike, në përputhje me shpirtin dhe evoluimin e ndërgjegjes social-politike të qytetarëve tanë gjatë gjithë këtyre 30 viteve të tranzicionit.
HEJZA: Si e shihni qasjen e të rinjve drejt filozofisë sot.A është një kontakt që po bëhet gjithnjë e më i largët?
RRUDHA: Kam bindjen dhe besimin e plotë se përqendrimi në përkthimet e veprave filozofike, po njëlloj si dhe studimet e klasikëve, do t’i shërbejë shumë të rinjve që studiojnë jo vetëm në degën e filozofisë, por edhe në fushat e tjera të studimit. E shoh si një mundësi të madhe formimi për brezin tonë të ri. Letërsia të jep shijen dhe bukurinë estetike dhe shpirtërore, kurse filozofia është i vetmi instrument i sigurt i formimit më të shëndoshë mendor, për të cilin ka aq shumë nevojë realiteti shqiptar. Formimi im jashtë Shqipërisë ma ka diktuar një gjë të tillë. Në këtë këndvështrim shkolla jonë është krejtësisht e paplotë dhe e papërgatitur për këtë prioritet.Por, unë kam besim se të rinjtë shqiptarë kanë dëshirën e mirë të studiojnë e po ecin përpara drejt të ardhmes për të ndriçuar mendjet e tyre, duke lexuar vepra të një kalibri të tillë. Filozofia duhet të vihet në qendër të vëmendjes së gjithë strukturës sonë kurrikulare….jo të hiqet prej saj. Ideja e botimit të klasikëve pajtohet pikërisht me këtë prioritet. Që të shtrojmë edhe një problem të madh edhe demokratik. Formimi filozofik ndikon direkt me edukimin demokratik.
HEJZA: Pas përfundimit të studimeve, do të kthehesh në Shqipëri, pasi shumica e të rinjve që studiojnë jashtë dhe kanë arritje të shkëlqyera nuk e gjejnë më veten në atdhe?
RRUDHA: Ky është një trend i dhimbshëm, dëshpërues që duhet të ndryshojë menjëherë. Është e vërtetë që Shqipëria ka shumë problematika në këtë drejtim, por nga ana tjetër nuk mund të mungojë kurrë dëshira për të kontribuar për vendin tënd dhe për njerëzit e tu. Do të doja që edhe në jetën time studimore të ndërtoja një urë midis botës shqiptare dhe asaj jashtë Shqipërisë. Tek e fundit, ndërtimi i urave është zanati më fisnik i njeriut.