A JANË TË DOMOSDOSHËM KLUBET DHE SHOQATAT E SHKRIMTARËVE?

Askush të mos e konsiderojë klubin si strehë për t’u prehur kryetari dhe kryesia, por si një vend ku të gjithë japin ide dhe gjenerojnë energji pozitive

Agim BAJRAMI

Mbas shembjes së diktaturës komuniste në Shqipëri, të ashtuquajturat degë të Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve, i humbën subvencionet ekonomike dhe benefitet nga shteti, duke humbur kështu edhe peshën dhe rëndësinë e tyre praktike në sytë e krijuesve. Për këtë shkak një pjesë e mirë e krijuesve, nuk u kujtuan më për to, duke u mbyllur në vetvete, ndërsa të tjerë nxituan që në vend te tyre të krijonin klube dhe unione shkrimtarësh dhe poetësh, pothuajse në çdo qytet të madh.

Por, edhe pse me projekte dhe dëshira të mira, një pjesë e mirë e tyre u shuan pa filluar ende nga puna, një pjesë tjetër vazhdojnë të ekzistojnë sa për inerci, pa bërë gjë prej gjëje, ose shumë shumë, duke organizuar me njëmijë peripeci një herë në vit, ndonjë të ashtuquajtur festival poetik rajonal, ku grumbullojnë miq dhe dashamirë të letërsisë, pa ndonjë nivel artistik të dukshëm. Janë aktivitete, të cilët nuk të lënë ndonjë mbresë, por në rrethanat e krijuara, është e pamundur të bëjmë gjëra më të mira, është argumenti i tyre justifikues. Pa dashur të replikoj me ta, mendoj se justifikime të tilla duhen marrë me rezerva. Unë dhe shumë njerëz si unë, kemi besuar dhe vazhdojmë të besojmë se klube të tillë, duhet të shërbenin si një strehë, ku krijuesit të kishin mundësi të takoheshin me miq dhe kolegë të tyre, për të ndarë me njeri tjetrin opinione dhe vlera krijuese të shpërfaqin pjesë të krijimtarisë së tyre, pse jo duke pritur edhe vërejtje dhe sugjerime të sinqerta, sepse dihet nga të gjithë që gjithkush nga ne, e ka jetike dhe mjaft të nevojshme paraqitjen dhe promovimin e veprës së tij letrare para një auditori sa më serioz dhe profesional. Pavarësisht të metave dhe niveleve të ulëta të analizave letrare, përsëri auditorë të tillë janë ku e ku më lart se recencat dhe aftësitë e kufizuara letrare të lexuesve të zakonshëm. Dhe për më tepër, një klub shkrimtarësh dhe poetësh, përbën në vetvete një pasuri kulturore për çdo qytet dhe komunitet artistik, si dhe një pikë orientimi për nxënësit e talentuar të shkollave të mesme dhe ato tetëvjeçare, të cilët i kanë ëndrra takimet me krijuesit. Të gjithë i mbajmë mend nga e shkuara jonë se ç’inkurajim na jepte ne fillimet tona të para, prania dhe fjala e një poeti dhe shkrimtari me vlera. Emrat e dikurshëm të rretheve dhe grupeve letrare, që nxorën disa krijues të spikatur të letrave tona janë të njohur. Por, gjendja në të cilën janë katandisur sot shumica e këtyre klubeve letrare që vijojnë ta konsiderojnë veten ende si të tillë, të bën me dhimbje koke. Pa projekte veprimtarish dhe pa ambiente ku mund të mblidhen anëtarët, pa të ardhura ekonomike dhe pa asnjë sponsor, emrat e tyre tashmë të kujtojnë hanet me dy porta, ku mund te hyjë kushdo që ka orekse dhe dëshirë për t’u promovuar, pavarësisht kontributeve dhe vlerave letrare të mangëta që zotëron. E rëndësishme është të dijë të gjejë gjuhën e përbashkët me shefin dhe kryesinë e klubit dhe gjithçka rregullohet.

Siç e kam theksuar edhe në një vëzhgim të mëparshëm, presioni i këtyre njerëzve është kaq i madh dhe këmbëngulës, sa çdo përpjekje për t’i shmangur ata mund të konsiderohet si një mision i pamundur. Ata vijnë në këto klube, jo për të dhënë kontribute (se s’kanë “kontribute” të japin ,por për t’i përmbytur ato me luzmën dhe mediokritetin e tyre. Fodull dhe agresiv herë herë, atyre iu pëlqen vetëm të hapin trastën e mburrjeve personale, duke iu shmangur debatit dhe ballafaqimit me vlerat e vërteta dhe të qenësishme letrare. Natyrisht që me ta nëpër këmbë penat e njohura e kanë të vështirë bashkëjetesën dhe janë tërhequr në heshtje, duke iu lënë këtyre të fundit shesh të lirë veprimi. Kjo e ka dëmtuar dhe po vazhdon ta dëmtojë në një masë të madhe klimën letrare në vend, duke sjellë hutim dhe çoroditje. Në klube të tilla, pa derë dhe dritare, mund të hyjë kushdo që ka dëshirë. Mjafton t’i bëjë një kërkesë me gojë ose shkrim pranë kryetarit të klubit dhe sallën e promovimeve dhe njerëzit i ka gati. Edhe pse shumica e tyre nuk kanë lexuar asnjë rresht nga vepra e te interesuarit, kjo nuk i prish punë askujt. Autorit jo që jo. Atij i intereson zhurma në publik, ndërsa kryetarit realizimi i një aktiviteti më shumë në planin e veprimtarive të klubit. Sa për dobinë e kësaj veprimtarie, as që e vë njeri ujët në zjarr. E njëjta gjë ndodh edhe me të ashtuquajturat tubime poetike ose festivalet nëpër rrethe. Shumica e tyre duket se kanë të njëjtën skeme dhe të njëjtën regji. Mediokrit huazojnë nga njëri tjetri skema te gatshme, ku mungon fantazia krijuese dhe risitë. Në to nuk bëhet fjalë për analiza të mirëfillta letrare apo simpoziume për autorë dhe vepra të spikatura. Ose edhe kur është tentuar ndonjëherë, përsëri kanë munguar vështrimet profesionale, aq sa duket sikur pjesa më e madhe e referuesve, sapo i kanë marrë nga rruga dhe i kanë ngjitur si me zor në podium. Edhe në këtë rast të gjithë e kanë në majë të gjuhës justifikimin e mungesës së financave dhe vështirësisë për të gjetur njerëzit e duhur. Po atëherë përse një pjesë e mirë e drejtuesve të këtyre shoqatave dhe klubeve bëjnë gati të pamundurën, për t’i mbajtur në këmbë ato? Ku qëndron interesi dhe vlera e tyre për komunitetin? Përgjigja dihet. Te tendenca e unit. Një pjesë e mirë e drejtuesve të tyre dikur kanë qenë me poste në administratën shtetërore dhe e kanë të pamundur të bëjnë larg podiumeve dhe funksioneve komanduese. Qenia e tyre në krye të këtyre shoqatave ose klubeve të letrave, përveçse iu siguron këtë lloj komoditeti krenarie, shërben për t’i mbajtur ata edhe në lidhje me të shkuarën. Është e sigurt se me këta njerëz dhe logjikë perspektiva e klubeve që drejtojnë ata duket e zymtë. Atëherë si mund t’i shpëtojmë ato nga kjo lloj perspektive? A ka ndonjë ilaç për t’i shëruar? Unë mendoj që ka një zgjidhje dhe klubet e letrave nuk duhet lënë që të mbyllen. Pavarësisht kushteve dhe indiferencës skandaloze të shtetit dhe shoqërisë shqiptare ndaj tyre, pavarësisht faktit që krijuesi është një qenie e mbyllur dhe krijimi është një akt më tepër individual, gjëja e parë që duhet bërë në këtë rast, është ndryshimi i mentalitetit dhe koncepteve për vënien në efiçencë dhe funksionimin sa më mirë të tyre.

Askush të mos e konsiderojë klubin si strehë për t’u prehur kryetari dhe kryesia, por si një vend ku të gjithë japin ide dhe gjenerojnë energji pozitive. Ndryshimi duhet të nisë edhe me vendosjen në krye, jo të miqve dhe shokëve, por të personaliteteve dhe njerëzve me kulturë dhe vlera tê mirëfillta letrare, të atyre që gëzojnë respektin dhe simpatinë e të gjithëve, pa prirje bajraktarizmi dhe egoizmi të sëmurë provincial. Ata që duhet të marrin përsipër mbarëvajtjen e klubeve të tilla duhet të jenë të tillë, që të jetojnë me anëtarësinë dhe problematikat e saj, që kanë përvojë dhe fantazi krijuese dhe që aplikojnë në një masë të madhe punën në grup. Shembujt e mirë të Klubit të shkrimtarëve dhe poetëve “Beqir Musliu” në Gjilan, Klubit të shkrimtarëve dhe poetëve në Kërçovë, atij të Tetovës, Prizrenit, Klubit të shkrimtarëve dhe poetëve Jonianë në Sarandë dhe atë të shkrimtarëve dhe poetëve “Bota e re, në Korçë, në kohën kur atë e drejtonte poeti i shquar Skënder Rusi, Klubi “Petro Marko” në Vlorë etj. janë sinjifikativë. Mjafton të kthejnë kokën dhe t’i shohin. Ajo që bie në sy tek ta është serioziteti i punës dhe numri i shumtë i veprimtarive letrare artistike të shtrira në kohë dhe hapësirë, aftësia publikuese nëpërmjet revistave “Agmia”,”Antologjia e poezisë joniane”, “Netët poetike korçare. Karakteristikë e klubeve të porsapërmendur është uniteti, pasioni, fryma e seriozitetit dhe këmbëngulja për t’i çuar punët e tyre krijuese gjer në fund. Kjo ka sjellë që veprimtaritë e tyre të jenë të larmishme, interesante dhe me vlerë për komunitetet e krijuesve respektive. Është kjo arsyeja që organet e pushtetit lokal dhe ato qendror, hera herës janë treguar mirëkuptues dhe të gatshëm për t’iu ndenjur pranë dhe sponsorizuar. Prania ime e disahershme në këto aktivitete dhe impresionet pozitive që kam përftuar, më bëjnë të replikoj me të gjithë ata, që nuk besojnë më te efikasiteti i këtyre organizimeve dhe vijojnë t’i shohin me indiferentizëm dhe përbuzje me pa të drejtë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.