A PO SHUHET SHKOLLA E KRITIKËS!

Diku njëzet-tridhjetë vite më parë, gjithandej viseve shqiptare “gumëzhinin” shkollat e kritikës, ato shkolla që i kishim e ku kultivohej vlerësimi mbi të bukurën në art, sidomos në krijimtarinë letrare. Atëbotë lexohej shumë, studiohej libri dhe veçohej çdo botim që sillte diçka të re, diçka origjinale që dallohej nga përmbajtja, nga stili i të shkruarit, nga mënyra e shtjellimit të temës, nga mjeshtëria e ndërtimit të personazheve, nga përfshirja e pasur e figurave stilistike. Sot kemi shumë profesorë që ligjërojnë mbi letërsinë, estetikën, artin, emri i të cilëve përdoret edhe si recensentë nëpër botime, por, me gjasë, e kanë problem të paraqiten me një recension, me një studim, me një kritikë e vlerësim mbi një vepër artistike, sepse vepra ja që duhet të lexohet e të studiohet.

Nga ana tjetër, kemi plotë “evente” artistike ku ndahen mirënjohje, dekorata, diploma (!) për vepra të mira, për krijues që premtojnë, që janë garanci se e ardhmja e letërsisë sonë është e ndritshme! Dhe, këta vlerësues sikundër edhe krijuesit e tyre, janë tërësisht anonimë.

Vlerësimi i “kritikëve” të tillë jo që nuk është profesional, por as i sinqertë! Sepse, vlerësimi i tyre synon diçka tjetër, dhe jo për ta kapur të bukurën në veprën artistike, atë vlerë që prek e që ngjallë emocione të thella te lexuesi. Këta vlerësues nuk e kuptojnë se vlerësimi i tyre është fare i parëndësishëm nëse vepra nuk ka stil e gjuhë të pasur e të pastër, nëse nuk është e saktë, e figurshme, nëse nuk është e mirëstrukturuar dhe koherente.

“Vlerësuesit bashkëkohorë” që po ndajnë madje edhe diploma “për vepër më të mirë të manifestimit”, apo “për vepër jetësore të autorit” (!!!) nuk po ia përtojnë që t’i “dekodifikojnë” shqetësimet dhe fshehtësitë erotike të krijuesit, ndërsa nuk e thonë asnjë fjalë mbi ritmin, ndërtimin logjik të argumenteve, mbi mesazhin apo reflektimin e autorit mbi problemin që e trajton në krijimtarinë e vet. Sepse, këto krijime, në fakt nuk ofrojnë asgjë përveç fatit të keq, vuajtjeve në dashuri, dëshirën e zjarrtë për të qenë e/i dashuruar, apo, aty-këtu, ndonjë monotoni “patriotik” e “politik”!

Këta “vlerësues” donzhuanë nuk e dinë se e bukura nuk lidhet vetëm me mesazhin, por edhe me mënyrën se si ai shprehet. Përveç mesazhit, në përmbajtjen e një vepre përfshihen edhe idetë, tematikat, stili si ato shtjellohen. Pa dyshim, edhe  temat e ndjeshme dhe komplekse, si dashuria, vdekja, koha, apo ndonjë çështje ekzistenciale, shtojnë dimensionin estetik të përmbajtjes së veprës, porse tërë kjo duhet të trajtohet në mënyrë më të sofistikuar dhe më mjeshtërisht, duke i dhënë një vlerë të lartë estetike përmbajtjes. Po, përveç në përmbajtje vepra duhet të ketë vlera estetike edhe në formë, gjegjësisht në mënyrën se si është strukturuar dhe shkruar vepra. Për “vlerësuesit” që dorëlirë po ndajnë diploma për “krijuesit e përvuajtur” mjafton gjuha “e krijuesit” që është ashiqare e kuptueshme në shpërfaqjen e vuajtjeve si temë kryesore e shqetësimit krijues, dhe për të tillët, një gjuhë e sofistikuar, e pasur me figura letrare (metafora, alegori, ironi) të cilat veprës i japin bukuri të veçantë, do të ishte një vepër që nuk komunikon lehtë me lexuesin, ndaj si e tillë as që do të gjendej “nën llupën” e vlerësimit të tij diletantesk.

Tërë këtë cirkuziadë, fatkeqësisht, po e heshtin edhe ata që janë më të thirrur për ta luftuar këtë dukuri që para syve tona po tallet me estetikën, me vlerësimin kritik, me shkollat tona tradicionale të kritikës. Po heshtin akademikët përkatës, po heshtin kritikët e mirëfilltë, po heshtin shkrimtarët e dëshmuar. Së këndejmi, jo hapësira për veprim e pseudovlerësuesve, por pikërisht kjo heshtje po e shuan shkollën e kritikës prej nga ka kohë që nuk na ka dalë një Ramadan Musli, një Sabri Hamit, një Ali Ali, një Agim Vincë, një Nehas Sopaj, një Agron Tufë, një Sali Bashotë etj. Nuk duhet harruar që një vepër që vlerësohet nga kritikët letrarë dhe analizohet gjerësisht në qarqet akademike do të mbetet e lexueshme për një kohë të gjatë. Me këtë do të ndahej shapi prej sheqerit! Gjithsesi, edhe përfshirja e veprave në kurrikula shkollore dhe universitare ose rekomandimi i tyre nga kritikë të njohur letrarë, do të ndihmonte në ruajtjen e statusit të tyre si vlera të paarritshme nga shkrimtarët e pandërgjegjshëm të cilët binden se me diploma e dekorata matrapazësh nuk do t’ia dalin që të futen në radhën e atyre që pa dyshim do të ngelin të lexueshëm ndër breza të ndryshëm. /HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published.