Njëzet vjeç, pra, hoqi dorë nga poezia. Pastaj iu drejtua vetëshkatërrimit. Thamë, braktisi çka kishte arritur poetikisht dhe preferoi të bënte atë “udhëtimin” e madh… Ashtu si Marko Polo, u bë pastaj udhëtar i botës
Grigor JOVANI
Zhan Nikola Artur Rembo, siç është emri i tij i plotë, rregjistruar së pari në gjendjen civile të qytezës periferike Sarvil, mes pyjeve të famshme të Sardenjës në perëndim të Francës, kufi me Belgjikën, arriti një rekord të papërsëritshëm në botën e poetëve: Iu deshën vetëm 20 vitet e para të jetës për të arritur në panteonin e mbretëreshës së letrave, Poezisë. Pastaj heshti. Thonë se heshtja është pjesë e mitit (dhe e veprës) së tij. E cilësuan “heshtja e tij shurdhuese”.
Dhe jo vetëm kaq, nuk u bë thjesht “kryqtar” legjendar i saj, por udhëheqës. Përfaqësuesi i parë dhe i përhershëm i simbolizmit në poezinë frënge, është njëkohësisht një nga themeltarët e poezisë moderne në botë.
Do të kërkoni më kot një mal veprash nëpër biblioteka, kur do të doni të ndriçoheni me veprën e tij. Dy janë ato, të vetme, dy llambushka të vogla vargjesh kryengritëse, por që patën shkëlqimin e një dielli të madh, atij talenti të jashtëzakonshëm poetik me emrin Rembo.
Nga dy vëllimet e tij poetike, “Shkëndijime” (Illuminations,1873-75) dhe “Një Epokë në Skëterrë” (Une Saison en Enfer, 1873) vetëm i dyti është një libër i tij i ndërgjegjshëm, që u botua me vullnetin e poetit të ri.
Libra të tjerë të pastajmë, të cilat panë dhe vazhdojnë të shikojnë edhe sot dritën e botimit, sa qe gjallë por edhe kur u amëshua, ishin dhe janë vullneti i të tjerëve. U botuan pa dijeni të autorit. Thjesht ngaqë ai ishte larguar nga kjo jetë tepër herët, për të gëzuar atë të përjetshmen, poezinë. Askush nuk protestoi për këtë. E drejta e tij dhe e drejta e tyre. Arti, sikundër dielli dhe yjet përreth tij, ndrijnë gjithë botën dhe të gjithë të ndriçuarit prej tyre… “kanë njësoj të drejta mbi to”.
Njëzet vjeç, pra, hoqi dorë nga poezia. Pastaj iu drejtua vetëshkatërrimit. Thamë, braktisi çka kishte arritur poetikisht dhe preferoi të bënte atë “udhëtimin” e madh… Ashtu si Marko Polo, u bë pastaj udhëtar i botës. Shëtiti dhe jetoi qytetet më të zhurmshme evropiane, njohu kontinente të tjerë, u ngul më së shumti në veri të Afrikës, punoi në gjithfarë punërash. Pa e ditur as vetë, Poezia e ndiqte besnikërisht nga pas. Poezia nuk i harron kurrë dishepujt e saj të mëdhenj. Nuk e shoi kurrë yllin e tij poetik në qiellin e saj të përbotshëm dhe të përjetshëm.
Dhe atëhere kur Parisi, në mungesë të poetit udhëtar, po i përkulej gjithë habi dhe admirim veprës së tij të jashtëzakonshme, ai… i inoroi të gjitha ddhe u largua i heshtur nga jeta. Kishte kohë që nuk i nevojitej më.
Rezymeja: 20 vjet jetë poetike dhe dy libra të përjetshëm – ose 1 libër i plotë dhe tjetri me… “korrespondencë”.
Kaq i mjaftoi ARTUR REMBO-së për të hyrë si poet te përjetësia.