Në këtë antologji poetike janë përfshirë këta autorë: – Bekim Gaçe (një poezi), – Adil Zeka (dy poezi), – Arif Gjyli (katër poezi), – Ramadan Pasmaçiu (katër poezi), – Spiro Çomora (dy poezi), – Teufik Gjyli (një poezi), – Selman Vaqari (një poezi), – Xhevat Beqaraj (dy poezi), -Bedri Dedja (një poezi)
Xhahid BUSHATI
Libri më titullin përrallor “Anija e çuditshme” u botua në vitin 1962 (N. B. BOTIMEVE “Naim Frashëri” Tiranë, 1962). Kjo antologji, megjithë ndikimin aty-këtu të dogmës soc-realiste të kohës ekzistuese, në thelb vjen si një parafytyrë e re, e shumëpritur, e bukur poetike dhe në një masë të konsiderueshme e çlirët estetikisht. Antologjia vjen si frymëmarrje për t’i dhënë frymëmarrje të mëtejshme letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj si proces e rrugë zhvillimi, krahas librave-autorialë që po botoheshin atëherë dhe njëkohësisht si një premtim e përpjekje serioze dhe pozitive për të bërë një “mur ndarës” veçanërisht nga poezia për fëmijë që u lëvrua gjatë viteve ’50, ku kishte të theksuar formatin e moralizimit të tepruar. Kjo antologji, si paraprijëse, vjen edhe për një arsye tjetër: shkrimtarët, veçanërisht poetët që po vinin, dhe ata ishin të viteve ’60, u shfaqën në letërsi me risi: si në tematikë, këndvështrim, formë e përmbajtje, strukturë e figuracion, gjetje e befasi, ndryshe nga brezi i më mëparshëm. Nga ato risi: disa rrezatime e xixëllima bukurezash, u pane edhe në këtë libër poetik të natyrës antologjike.
Realisht, pa mohuar etrit përkushtues ndaj letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj; krijuesit e viteve ’60 që në krijimet e para shfaqën talentin e tyre do ta fisnikëronin letërsinë shqipe për fëmijë e të rinj në ditët që do të vinin përmes librave që do të botonin. Duke rilexuar ato libra të botuar atëhere, nuk e ke të vështirë të kuptosh kërkesat dhe rrugëtimin e tyre kapjes së temave të reja, më të përditësuara, më “intime e personale”, “më foshnjërake” në psikologji… Këto tema nga pamja e jashtme dukeshin “të vogla”, por në të vërtetë flisnin për njohje të botës fëmijërore, dhe për fëmijë që ngjasonin si gonxhe që rriteshin dita-ditës së bashku me lule-vargje erëkandshme. Mbase kjo ishte arsyeja që poezitë kishin tjetër substance, të tjera ngjyra e tjetër aromë parapëlqimi. Disa prej krijuesve po lëvronin lirikën për fëmijë, si poeti Xhevat Beqaraj për t’i mbetur asaj “motër jete” e individualiteti në të gjitha librat e tij poetikë. Kjo lirikë ishte si një ëmbëlsirë për fëmijët e asaj kohe, duke iu larguar entuziazmit shpesh të shfrenuar të kohës ekzistuese. Por poezia e Xhevatit, edhe në vazhdim, edhe sot mbetet një ëmbëlsirë.
Në këtë antologji poetike janë përfshirë këta autorë: – Bekim Gaçe (një poezi), – Adil Zeka (dy poezi), – Arif Gjyli (katër poezi), – Ramadan Pasmaçiu (katër poezi), – Spiro Çomora (dy poezi), – Teufik Gjyli (një poezi), – Selman Vaqari (një poezi), – Xhevat Beqaraj (dy poezi), -Bedri Dedja (një poezi).
***
Libri “Anija e çuditshme” ka edhe imazhe të tjera që nuk fshihen nga kujtesa. Kjo tubëz poezish i takojnë moshës së fëmijëve të ciklit të ulët shkollor. Ka hapësira frymëzimi, ka hapësira dashurie ndaj botës së fëmijëve, ëndrrave, dëshirave, lodrave, imagjinatës… Bisedohet bukur e në mënyrë të thjeshtë por poetike. Bisedohet përmes gjuhës së fëmijës me plot figura gjallëruese e lodërzime, plot muzikalitet, me struktura vargjesh të rregullta, me theksa logjikë e melodikë. Ndaj disa janë modele poezish që nuk u ka ikë koha dhe lexohen sot me ëndje. Ndaj, janë Kujtesë. Kujtesë dashurie nga poetët që u dhuruan fëmijëve këtë antologji duke iu shtuar buzëqeshjet fëmijërore aq shumë të dëshiruara, të cilat vijnë nga një letërsi e mirë, letërsi që duhet të nderohet, respektohet, të vlerësohet dhe të mos harrohet.