ARTI DHE JETA ARTISTIKE NË SHQIPËRINË MODERNE

Udhëpërshkrim për Shqipërinë në gazetën “PRAVDA” të vitit 1934

Në Shqipërinë e dhjetëvjeçarit të fundit kanë ndodhur shumë ndryshime të jashtme. Derisa duken ndryshimet e jashtme, nuk shihen shumë ndryshimet e brendshme, pra në jetën artistike, shpirtërore e arsimore, ndonëse ekzistojnë. Shqipëria, nga ky këndvështrim, është rast interesant dhe i vetëm. Nga një provincë e braktisur orientale, e vogël dhe e varfër, ajo përgjatë dhjetëvjeçarit është bërë një vend modern, ku ka rend dhe lëviz drejt Perëndimit në të gjithë drejtimet. Rrënjët e kulturës perëndimore ngado përhapen në Shqipëri,kurse shpirti i ri, shpirti i kulturës klasike – asaj të krishterë, e ka përfshirë vendin. Kjo vërehet qartazi. Mbreti Zog, gjatë një fjalimi,ka thënë: – Modernizimi shpirtëror i Shqipërisë do të ecë vështirë, më vështirë se sa qytetërimi i atdheut tonë. Por, s’duhet harruar se gjatë katërqind vjetëve të pushtimit turk përherë ka ekzistuar lidhja e hollë, por e artë, me Romën e me Greqinë, pra me kulturën e vjetër klasike. Shqipëria asnjëherë nuk i ka tradhtuar traditat e vjetra. Pikërisht rilindja shpirtërore e Shqipërisë duhej bërë në përputhje me klasicizmin romak dhe grek. Ky klasicizëm, në të vërtetë, u kombinua me notat e modernizmit perëndimor, që i jep ngjyrë të re dhe origjinale kulturës shqiptare– jetës shpirtërore. 

Shkenca dhe arti po zhvillohen në paqe

Që të bëhen reforma të mëdha e të guximshme në sferën shpirtërore, sikurse i ka ndërmarrë i riu dhe ambiciozi monarku shqiptar, duhet të njihet mirë psikologjia e popullit shqiptar. Mbreti Zog, gjatë epokës së tij, ka bërë shumëçka që Shqipëria ta siguronte paqen e çmuar. Ai e mbron mendimin se shkenca, arti dhe jeta kulturore mund të zhvillohen vetëm në shteti nuk është siguruar paqja e brendshme dhe e jashtme. Kjo i ka shkuar plotësisht përdore Mbretit të ri shqiptar. Puna shkencore në Shqipëri ka arritur shkallë të lakmueshme. Kujdesi madh i është kushtuar gjurmimeve arkeologjike, sepse është mënyra më e mirë që të dëshmohet e kaluara shqiptare. Shumë përmendore të harruara të së kaluarës do të nxirren në dritë. 

Nga viti 1927 filluan gërmimet arkeologjike në Butrint. Aty janë bërë punime sistematike nën mbikëqyrjen e ekspertëve ndërkombëtarë. Dhjetë metra nën dhé janë gjetur gjurmë mahnitëse të së kaluarës shqiptare, nga periudha e lashtësisë romake. Pranë Sarandës është zbuluar tempulli i Asklepit, i ruajtur shumë mirë, që daton nga shekulli i pestë para Krishtit. Këto janë dëshmi bindëse se shqiptarët e vjetër ishin banorë të këtushëm që në kohën e lashtë. Gërmimet tjera arkeologjike mundësuan zbulimin e shumë pllakave të vjetra, mbishkrimeve dhe gjësendeve të lashta, ku si në një libër të hapur mund të lexohet lashtësia shqiptare. Në periudhën romake kishte në territorin e Shqipërisë së sotme teatro, shkolla, spitale dhe institucione kulturore e shëndetësore dhe vetëm barbaria turke mundi barbarisht t’i fshinte gjurmët kaq të ndritshme të lashtësisë. Gjithashtu edhe pranë Fierit është zbuluar një muze i tërë me eksponate. Mbreti Ahmet Zogu ka ndarë shuma të mëdha parash që në vendin e muzeut të vjetër romak, pranë Fierit, të ngritët një muze i madh modern, ku do të grumbullohen të gjitha eksponatet e lashta të Shqipërisë.

Piktura dhe muzika 

Përveç hulumtimeve shkencore e gërmimeve sistematike arkeologjike, qeveria shqiptare tregon shumë kujdes edhe ndaj artit. Çdo talenti ri në Shqipëri, edhe kur jeton në skajet më të largëta të Shqipërisë, ndihmohet shumë nga qeveria. Shumë të rinjve me talent dhe dashuri për pikturën, skulpturën dhe muzikën u është mundësuar studimi jashtë shtetit. Ata marrin bursa nga qeveria shqiptare, për të cilat mund t’ua kenë zili bursistët tjerë, sepse qeveria është shumë dorëlëshuar ndaj njerëzve të aftë e të talentuar.
Piktura në Shqipëri sot është në hapat e parë, por shfaqen shenjat e para të një pikture të pavarur dhe origjinale të artit pamor shqiptar. Në Tiranë, Durrës dhe në rajonet tjera janë çelur disa ekspozita të suksesshme. Aty kanë qenë të pranishëm princeshat dhe Mbreti. Aty u është mundësuar artistëve të rinj ta shprehin talentin e tyre. Përveç disa peizazheve të suksesshme përshkruese, që paraqesin viset e ndryshme të Shqipërisë, nëpër ekspozita theksohen edhe portrete piktorësh të rinj. Piktorët më shumë i adhurojnë portretet e fshatarit dhe fshatares shqiptare, që paraqiten me veshje të bukura. Piktorët, kështu, e kanë përjetësuar në krijimet e tyre një pjesë të jetës së tanishme të Shqipërisë.
As nuk mund të flitet për art të zhvilluar skulpture në Shqipëri. Mbreti Zog angazhohet që të rinjtë e talentuar t’i kryejnë sa më shpejtë studimet jashtë shtetit dhe të krijojnë art të veçantë kombëtar në skulpturë. I gjithë populli shqiptar shpreh shumë interesim për muzikën. E kam theksuar se shqiptarët adhurojnë radion. Kjo është gjë e rrallë për popujt që me shekuj kanë jetuar në atmosferë orientale. Për shembull, në Turqi radioja ende nuk pëlqehet nga masa.
Populli në Shqipëri e adhuron këngën dhe muzikën instrumentale, kurse koncertet janë të shpeshta në qarqe të ndryshme. Princeshat, motrat e Mbretit, që angazhohen aq shumë për gjallërimin e jetës shoqërore dhe kulturore, japin kontribut të madh edhe në sferën e muzikës. Përpjekjet e tyre përcillen me suksese.

Të huajt në Shqipëri

Shqipëria është vendi europian që kudo ofron mundësi për ditë të qeta e të bukura. Në planin shpirtëror e politik ajo e përjetoi fatin më të keq dhe gjatë dhjetëvjeçarit të fundit ka shënuar përparim të vërtetë .Sot Shqipëria hapëron rrugës së zhvillimit të fuqishëm, në të gjithë drejtimet, duke e zgjuar interesimin e Europës. Të huaj po e vizitojnë Shqipërinë gjithnjë e më shumë. Ata interesohen për rregullimin e saj, për të kaluarën dhe punët që bëhen për ripërtëritjen e vendit. Pasi Shqipëria është plot me përmendore të pazbuluara nga e kaluara e largët, shumë studiues të huaj, veçanërisht arkeologët, vijnë shpesh në Shqipëri për të bërë me muaj hulumtime shkencore. Mund të thuhet, pa tepri,gjatë viteve të fundit Shqipëria është bërë një qendër studimesh arkeologjike jo vetëm në Europë, por edhe në botë. Sepse oferta e Shqipërisë, në këtë drejtim,çmohet më shumë se hulumtimet arkeologjike në Egjipt.

Përktheu Salajdin SALIHU

Leave a Reply

Your email address will not be published.