ARTI DRITHËRUES DHE I MREKULLUESHËM I MIRA MEKSIT

(Rreth librit monografik “Venera del nga deti” i Shpendi Topollaj)

Agim BAJRAMI

Të shkruash për krijimtarinë e Mira Meksit, kësaj përkthyese dhe shkrimtare me një profil të qartë dhe të dallueshëm krijues në letrat tona, është padyshim një kënaqësi, por edhe një punë e vështirë. Është kënaqësi sepse të jepet rasti të depërtosh në procesin krijues të autores dhe stilistikën e saj të spikatur dhe të veçantë, të njohësh dhjetëra bota personazhesh, njëri me interesante se tjetri, si Amazonat, Frosinat dhe Teutën e Ilirisë vendosur në një klimë dhe ambiente tipike shqiptare, është punë e vështirë, sepse të analizosh një individualitet letrar të spikatur si ajo, me veçoritë e së cilës janë marrë dhe vazhdojnë të merren penat më të mira të kritikës dhe studimeve tona. Si një autore që e ka tejkaluar rrëfimin tradicional sipas mendimit të kritikës, romanet e saj krahas forcës pasqyruese, krijojnë për lexuesit tanë një befasi interpretimesh dhe një klimë të re leximi. Ndoshta janë këto veçanti që e kanë shtyrë autorin Shpend Topollaj, t’i futej me zell librit monografik “Venera del nga deti” me analiza kritike dhe ese kushtuar krijimtarisë në rrjedhë të saj. Duke qenë një ndjekës i vëmendshëm i prurjeve të shpeshta letrare të kësaj autoreje, Topallaj evidenton me hollësi disa nga tiparet esenciale të kësaj krijimtarisë si gjuhën e veçantë të shenjave, enigmat, misterin dhe të fshehtat e pafund të prozës së saj, të cilat kjo autore po i stilizon dhe i përsos nga vepra në vepër.

Mira Meksin mund të konsiderojmë si një dhuratë të vyer për letërsinë tonë, thotë me plot gojën autori, ngaqë ajo nuk hyri në oborrin tonë letrar me pretendimin për të shtuar në të ndonjë pemë apo lule, por për ta pasuruar atë me freskinë e saj krijuese, me koncepte të reja dhe me frymë bashkëkohësie. Parametrat e larta artistike që ju përmbahet ajo në krijimtari dhe një stilistikë novatore, e kanë bërë lexuesin të kthejë herë pas here vëmendjen nga ajo, ndërsa kritikën pesimiste të ndryshojë mendimin e gabuar për gjoja stanjacionin e letërsisë sonë në këto dekada. Nisur nga kjo, autori i përmbahet bindjes se çdo libër i saj është një enciklopedi më vete, ku nuk e kupton dot se ku mbaron realiteti dhe ku fillon fantazia, duke e bërë veprën e saj një vepër të gjithëkohshme. Për raportet mes fantazisë dhe realitetit, ai ndalet gjatë në disa nga romanet e saj, veçanërisht në romanin “Diktatori në kryq”, një roman me një strukturë dhe kompozim mjaft dinamik, ngjarjet e të cilit edhe pse zhvillohen në kohën e diktaturës, në një fshat karakteristik të Shqipërisë, kanë një jehonë dhe rezonancë universal. Duke analizuar personazhet e këtij romani, autorit i bën përshtypje saktësia matematikore në morinë e veprimeve apo fjalëve të njerëzve, psikologjitë dhe sensi i gjallë i realitetit, si dhe sfondet kohore në të cilin autorja vendos personazhe të famshëm si Apiani, Pouqueville, Von Hahni, Stalini, Xha Mihali etj. Pesha e prozës së kësaj autoreje shtohet edhe më shumë nga trajtimi i suksesshëm i temës së lashtësisë dhe gjuhës sonë amtare, të cilat për një komb i rrezikuar si yni, kanë qenë dhe mbeten më të çmuar se besimi në Zot. Shpend Topollajn, si një vëzhgues i thellë dhe i palodhur i letërsisë sonë, e tërheqin vazhdimisht autorët që tentojnë të sjellin risi në krijimi, ose të ashtuquajturin trajtim tjetër-lloj, që konsiston te zbulimi i së padukshmes dhe evidentimin e përroit psikik në botën e brendshme të personazheve të tyre. Edhe pse ky është një proces që do kohë dhe shumë talent, autorja vazhdon të këmbëngulë dhe të japi rezultate të kënaqshme. Paralelet që heq ajo mes heroit të saj real, Ismail Kadare dhe shkrimtarit të shquar rus, Boris Pasternakun, përthyerjet dhe kthesat e mëdha që ndodhin në ndërgjegjen e tyre, të shqetësuara, në çastin kur mësojnë të vërtetat e mëdha, janë më shumë se epike. Shpendi Topollaj është një studiues me një kulturë të gjerë letrare dhe historike, dhe këtë erudicion ka ditur ta vendosë në shërbim të studimeve të tij kritike. Është rast i rrallë, për të mos thënë e pamundur, që gjatë interpretimit dhe zbërthimit të një vepre letrare dhe artistike, të mos e kundrojë atë në një shumësi planesh dhe mos t’i ilustrojë pohimet e tij me postulate filozofësh, shkrimtarësh apo njerëzish të shquar të kohëve. Mbështetur mbi to, ai sikur gjen më shumë hapësirë për t’u shprehur, por edhe me shumë siguri.

Kjo veçori e kritikës së tij spikat edhe gjatë interpretimit të librit tjetër të autores “Mallkimi i princeshave te Ilirisë”, i cili, sipas opinionit të autorit, mbush një boshllëk të madh në romanin tonë me këtë temë. Është një vepër që depërton përtej shekujve, që i ka mbuluar si mallkim mjegulla e mospasjes sa duhet të dokumenteve autentike, apo pluhurit të pamëshirshëm të harresës. Me shkrimin e kësaj vepre, Mira Meksi ka vënë në lëvizje trillin, fantazinë dhe imagjinatën e vet të jashtëzakonshme. Dhe, duke mos u mjaftuar me kaq, autorja si askush para saj, ka ditur t’iu hedh ngjarjeve dhe personazheve të saj tunikën e purpurt të mitologjisë. Është entuziazmues fakti i shndërrimit të anës historike në anë artistike guximi për të shkuar larg në kohë, si dhe arti me të cilën është shkruar kjo vepër. Kjo e ka shtyrë autorin të bëjë edhe pohimin e guximshëm, se nuk ka në gjithë historinë e letërsisë sonë një rast tjetër identik, që si me magji ta largojë lexuesin nga realiteti ku vegjeton dhe ta fusë atë në një botë që edhe pse aluzive t’i duket e vërtetë, sikur ka jetuar dhe vazhdon të jetojë edhe vetë në të.

Për të shkruar një libër të tillë, supozon ai, autores Mira Meksi i është dashur të shfletojë një bibliotekë të tërë, të futej në kohë dhe hapësirë të panjohur, të fliste me njerëzit dhe besëtytnitë, të alternonte sjelljet e njerëzve me ato të perëndive te të cilat ju faleshin, si dhe të pikturonte sfondin ku zhvilloheshin ambiciet, dëshirat dhe synimet e heroinës kryesore të kësaj vepre, Teutës së Ilirisë, pas vdekjes së të shoqit Agronit. Autorja e ka vizatuar mbretëreshën si një njeri prej mishi dhe gjaku portretin, duke nënvizuar ndërkaq edhe bindjen e paepur të saj, se ajo kishte lindur për të bërë vepra të mëdha. Depërtimi nën lëkurën e këtij personazhi kaq interesant, por dhe kaq të koklavitur, natyrisht që është një punë e vështirë, të cilat Mira ka ditur ta kalojë me sukses. Duke shfletuar ditë për ditë në tryezën e tij të punës listën e gjatë të veprave të kësaj autoreje të spikatur, Shpendin e tërheq së tepërmi aftësia e saj si përsa i përket përzgjedhjes së temave, ashtu edhe kompozimet e tyre interesante brenda logjikës së ngjarjeve, fantazia e shpenguar në vizatimin e personazheve, bukuria e frazës, por, mbi të gjitha, kultura e gjerë e saj në fushën e historisë dhe miteve. Reflektim të kësaj kulture ndeshen më së miri në romanin “Puthja e Amazonës”, një vepër kjo që shënon një kulmi artistik në artin e saj të prozës së gjatë. Është një krijim që e ka shndërruar këtë autore në apologjete të botës së grave në kohë. Për ta bërë më të spikatur këtë pohim, autori gjen rast ta karakterizoja atë me fjalët që Tolstoi i madh kishte thënë dikur për shkrimtarin e madh francez, Gi de Mopasan. Zor të gjesh një shkrimtar tjetër, që të ketë pohuar aq sinqerisht se të gjitha të mirat që ka jeta dhe i gjithë kuptimi i tyre të përqendrohet te gruaja dhe dashuria për të. Në këtë roman nënvizon studiuesi, autorja ka bashkuar në një historitë e dy vajzave, që ndonëse në dukje nuk i bashkon asgjë (largësia në kohë dhe diferenca mes fantazisë dhe së vërtetës), plotësojnë më së miri njëra-tjetrën. Ndaj nuk befasohem, thotë autori kur “mes mjegullnajave të pafundme dhe botëve të reja që i parakalonin, syri i amazonës pikasi krijesën që i lutej për ndihmë. E vështroi thellë dhe e njohu. Ajo ishte shëmbëlltyra e saj, kohërave të pafundme që pritej të vinin. Ishte krijesa që e kishte pranuar dashurinë pa iu nënshtruar. Gaukia ndjeu se ortekët e pambarimtë, që do të rrokulliseshin mbi botën e saj, të puqeshin në një çast vetëtime. Edhe në këtë vepër autori vëren kujdesin e Mirës, që çdo imtësi të vërë në funksion të idesë së saj, duke i mëshuar fort mesazhit se dashuria është zjarr që shkrumbon gjithçka, është përbindësh që kërkon çdo ditë të ushqehet me gjakun dhe mishin e dashnorëve, që magjeps, shkel mbi çdo gjë dhe çdo kund, që rreket ta ndalë në rrugën e saj. Autori i mëshon mendimit që vepra me një forcë të tillë artistike dhe me subjekte kaq intrigues janë të vyera dhe të gjithëkohshme, ndaj duhet të vihen sa më shpejt në duart e lexuesit. Të njëjtën gjykim ka ai edhe për romanet e tjerë “Frosina e Janines”, “Kutia e Agatha Kristie”, kushtuar anës njerëzore të patriotit të madh atdhetar Mid’hat Frashëri, Parisi vret, “Buzëqeshja e fundit e Beatriçes” , “Dashuri e fajshme” (novelë) etj. Libri “Venera del nga deti” ashtu sikurse të gjithë romanet e Mira Meksit dallojnë për një larmi metaforash, shumësi subjektesh dhe ngjarjesh të larmishme, ata i bashkon njëri me tjetrin thënia lapidar e Virgjilit “Dashuria fiton mbi gjithçka” dhe kjo i shpjegon të gjitha.

Portreti i Mira Meksit nuk mund të merret kurrë i veçuar nga puna e saj e gjatë si përkthyese e suksesshme e disa prej korifejve botërore të letrave, si Gabriel Garsia Markez, Pablo Neruda, Vargas Llosa, Horge Luis Borges, Ernesto Sabato, Margarret Duras etj. Ndoshta është edhe hija e madhështisë së tyre që e bën këtë portret t’i ngjajë me plot kuptimin e fjalës, një Venere moderne në letërsinë tonë të çliruar nga censura dhe totalitarizmi i dikurshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published.