ARTI I RRUGËS

Argjentinë, Peru, Brazil dhe Shtetet e Bashkuara. Në Meksikë, teknika murale u njoh si arti zyrtar i revolucionit, si dëshmi e suksesit dhe rëndësisë së kësaj lëvizjeje

Nermin SHURDHA


Duke ecur rrugëve periferike të qytetit dalloni që ka mjaft hapësira të braktisura. Mbi të gjitha, ato janë struktura të vjetra që nuk përdoren më nga njerëzit dhe janë lënë aty: të braktisura. Duke parë këto ndërtesa të rrënuara ose mure gri, një njeri si unë do të donte të shihte pak ngjyra. Murale që mund t’u japin një shans të ri këtyre zonave tashmë të braktisura..

ORIGJINA E MURALEVE

Murali është një pikturë e realizuar në një mur, një tavan ose thjesht një sipërfaqe të madhe të përhershme në murature. Prej këtu vjen fjala murales, në spanjisht mural dhe në shumës murales.

Termi përdoret gjithashtu për të identifikuar zhanrin e pikturës që u bë i famshëm për lëvizjen meksikane të quajtur muralismo. Muralizmi është një lëvizje pikture qëlindi në Meksikë pas revolucionit historik meksikan të vitit 1910.

Artistët e vendit, si Diego Rivera (bashkëshorti i Frida Kahlo-s), José Clemente Orozco dhe David Alfaro Siquerios, braktisën teknikat tradicionale të pikturës dhe mjetet konvencionale si kavaletat dhe bojërat e vajit, për të filluar përdorimin e pigmenteve të reja me ngjyra të njohura me termin Akrilik.

Veprat u realizuan në mure të mëdha të destinuara për popullin, ku u pikturuan luftat e klasave, aspektet e historisë popullore dhe ndjenjat nacionaliste. Piktura murale gjithashtu u zhvillua dhe u përsos në fushën e ndërtesave publike dhe arkitekturës qeveritare.

Rreth vitit 1930 muralizmi u bë një lëvizje ndërkombëtare, duke u zhvilluar gjithashtu në Argjentinë, Peru, Brazil dhe Shtetet e Bashkuara. Në Meksikë, teknika murale u njoh si arti zyrtar i revolucionit, si dëshmi e suksesit dhe rëndësisë së kësaj lëvizjeje. Në fakt, subjektet e muraleve shpesh mund të jenë paraqitje alegorike të frymëzuara nga motive dhe ideale politike.

MURALET DHE GRAFFITI

Muralet nuk duhet të ngatërrohen me Graffitet (mbishkrimet). Këto të fundit, siç sugjeron edhe vetëtermi, burojnë nga shkrime kryesisht në formën e firmës/nënshkrimit të skicuar fillimisht, të cilat zhvillohen më pas duke u zmadhuar dhe paraqitur në realizime të ndryshme.

Nuk ka datë në të cilën ka lindur graffiti, është pak sikur të kishte ekzistuar gjithmonë. Dëshmi për këtë është fakti se Koloseu është i mbuluar me shkrime të lëna nga njerëz të panjohur ndër shekuj.

Në vitet ’60, shfaqja e bomboles spray të aerosolit u ofroi të rinjve të viteve ’70 dhe ’80 një mjet veçanërisht efektiv për të lënë mbishkrime në muret e qytetit. Prandaj ishte spray ai që i dha shtysë lëvizjes Graffiti, e dominuar nga kultura hip-hop në Amerikë dhe kultura punk-rock në Evropë.

MURALET DHE ARTI I RRUGËS

Aktualisht krahasimi dhe përshkrimet e ndryshme bëhen gjithmonë mes Artit të Rrugës dhe Grafitit, pa përmendur asnjëherë emrin Murales.

Përkufizimi i Artit të Rrugës shprehet kështu në Wikipedia: “Ato forma të artit që manifestohen në vende publike, shpesh në mënyrë të paligjshme (pa leje të qartë), në teknikat më të ndryshme: bombola spray, ngjitëse artistike, art normografik, videoprojeksione, skulptura, etj.”

Pra, a mund të përfshijmë edhe Muralet në Artin e Rrugës?

Muralet– janë teknika më e përdorur në fushën e artistëve të rrugës: të pajisura me penela, ngjyra, spatula dhe teknika të ndryshme të shpikura për momentin, artistët pikturojnë piktura të vërteta moderne ndonjëherë me përmasa vërtet befasuese, por jo në pëlhurë pambuku siç jemi mësuar të mendojmë, por në mure, ndërtesa apo gjithçka që është pjesë e arredimit urban.

Për të qenë në gjendje të punojnë në lartësi të mëdha, këta artistët shpesh duhet të pajisen me skela, kova ose shufra teleskopike që të mund të punojnë në siguri të plotë në sipërfaqe të mëdha. Vetëkuptohet se për krijimin e veprave monumentale në shkallë të gjerë, kërkohet aftësi artistike dhe një ndjenjë proporcioni i nivelit më të lartë.

Disa nga këto vepra janë realizuar me një teknikë shumë të afërt me teknikën trompe l’oeil dhe përfaqësojnë kryevepra të vërteta të artit. Shumë murale të cilat fillimisht duhej të ishin thjesht jashtë normës, janë bërë të famshme dhe të tjera kanë pasur edhe funksionin e rizhvillimit urban të zonave të degraduara.

Leave a Reply

Your email address will not be published.