ATJE KU NUK KËNDON BILBILI, KËNDON QYQJA

Me Primo Shllakun, shkrimtar

Shoqnia shqiptare asht rikthye në nji stad foshnjor recidiv dhe po përsërit nji vete të harrueme, madje krejt të panjoftun. Në sistemin shkollor këta përsëritës quhen të mbetun në klasë

Shkëlzen HALIMI

Primo Lec Shllaku është poet, shkrimtar, shqipërues, pedagog, themelues i “Institutit për promovim të vlerave në Gjuhë Shqipe”, njeri i mendimit të lirë dhe i këmbënguljes për të drejtën e të vërtetën e Tij. Primo Shllaku u lind në Shkodër më 16.12.1947. Studimet e larta i kreu në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Studimet doktorale i kreu po në Tiranë, për t`i përmbyll në vitin 2011, kur merr edhe gradën Doktor. Njohës i disa gjuhëve të huaja. Ka përkthyer letërsi, teori letërsie, antropologji etj.

Është autor i këtyre veprave: Lule nate (poezi), 1994, Hana e njelmët e ditës (poezi), 1995, Edhe fjalët shkojnë në ferr (poezi), 2005, Lule nate (poezi), bot. II. 2008, Kosova – Saga e Ballkanit (refleksione, me bashkautor), 2002, Nji Uliks që s’mbrriti kurr në Itakë (Martin Camaj), 2006, Lule nate (ribotim i zgjeruar me shënime), 2008, Fleurs de nuit (2009), botim në Francë nga shtëpia botuese Bien-être, Muzikantët, proza të shkurta, 2017, Aktorë pa kujtesë (tri drama), 2018, Lule nate (poezi), bot. III. 2020, Nji letërsi tjetër, (eseistikë), 2021, Pesha e padurueshme e pafajësisë – roman, 2023.

Ka përkthyer këto vepra: Charles Baudelaire, Lulet e së keqes, 2019, Jean-Paul Sartre, Baudelaire (monografi sprovë për një psikologji ekzistencialiste), Gotthold Ephraim Lessing, Laokoon (Mbi kufijtë mes pikturës e poezisë), André Gide, L’immoraliste, roman, Omar Khaiam, Rubairat (nga frëngjishtja me konsulent persian), Jean-Paul Sartre, Zaret u hodhën (Les jeux sont faits), skenar filmi, Diomed Vllahu, Far stuhie (poema) nga greqishtja e re, Tzvetan Todorov, Konkuista e Amerikës, 2009, Franz Kafka, Metamorfoza, 2018, Jean-Paul Sartre, Nekrassov, 2018, René François de Chateaubriand, Kujtime të përtejvarrit I-V, 2018, Honoré de Balzac, Xha Gorio, 2019, Viktor Hygo, Katedralja e Parisit, 2020, Mansarda, Danillo Kish, 2021, Zonja Bovari, Flober, 2022, Refleksione mbi kinemanë, Rene Clair, 2022, Simfonia pastorale, Andre Gide, 2022.

Me zotin Primo Shllaku në vazhdim bisedojmë për shumë çështje që kanë të bëjnë me letërsinë, gjuhën, shoqërinë shqiptare, librin etj.

HEJZA: Si krijues shqiptar, jeni ndër të paktët prej atyre që mbi kurriz e përjetuan “Peshën e padurueshme të pafajësisë”! Kjo peshë a mund të jetë po aq sa pajtesa sindromatike për të qenë përjetë i nënshtruar?

P. SHLLAKU: Fromm-i e ka përshkrue skicën e njeriut të vetmuem në shoqnitë postindustriale dhe ka spjegue me të ikjen e tij prej lirisë, si dhe adherencën e popujve kulturalisht prijës në strukturat diktatoriale, e marrë kjo si antidot i vetmisë. Romani im vjen për të zbulue nji tjetër ikje të njeriut, atë prej pafajësisë në nji proces të kjartë dhe të fortë në kërkim të lirisë. Ky binom ikje prej lirisë dhe ikje prej pafajësisë ndoshta zbulon natyrën thellësisht kundërthanëse të njeriut – sidomos atij modern – prej kah edhe bahet i lehtë deduktimi se ekuilibrat vijnë prej njisish të ndryshme, por që kanë për bosht qytetnimin e njeriut. Këto njisi nuk janë simetrike dhe shfaqen në epoka me modalitete gjithnji të ndryshueshme, por ikja nga pafajësia na duket po aq me karakter historik sa edhe ikja nga liria, por ajo e para ndodh dhe shfaqet sa herë njeriu don me i zgjanue kufijtë e moralit, me “ia hjekë qoshet atij”, kurse kjo e fundit na shfaqet me karakter ma shum historik dhe si nji praktikë fort e damshme dhe e dënueshme. Kurse lëshimi i pafajësisë na vjen si zgjidhje e rrokjes së nji lirie praktike dhe pragmatike që njeriu të mos humbë kohë e breza në përpjekjet e tij drejt përparimit material e shpirtnor. Dhe ashtu sikurse e keni formulue edhe ju në pyetjen tuej, pafajësia si qëllim në vete ose si kulturë e mospërfshimjes në gigneshte-n shoqnore e ka nji antipod prodhues sindromash dhe morboziteti, i cili njifet dhe asht po aq i kritikueshëm sa ikja nga liria e pasojat e saj. Por, gjithsesi ikja nga liria dhe kanonizimi i pafajësisë kanë kontakte të dukshme sinonimike.

HEJZA: Keni përjetuar pamundësinë e lodhshme për ta penguar një sistem që me aq afsh përpiqej për t’u kapur për antivlerën! Sot po e përjetoni gatishmërinë e tmerrshme të shoqërisë shqiptare për ta shndërruar në sistem antivlerën! Ç’po ndodhë me shqiptarët: e kanë të papërballueshme jetën sipas “sistemit periodik” të vlerave estetike, apo shkurt – ky është çmimi i para-lirisë për të gjithë ata që kohën e pas-robërisë e kalojnë duke eksperimentuar “qytetari e kulturë”, deri sa të kuptojnë se liria është luftë për vlera!

P. SHLLAKU: Kur isha i vogël dhe vllaznit e motrat e mia rriteshin e mbëkambeshin para syve të mi, mbaj mend si tashti që nana ime i kishte shum kujdes në periudhën kur ata si fëmijë ishin në fazën e ngritjes dhe të hedhjes së hapave të parë, me nji fjalë kur mësonin me ecë. Ajo përpiqej që foshnja që ngrihej ashtu i dridhun në kambë, të mos rrëzohej e, sidomos, të mos vritej. Po u rrëzue dhe po u vra, ka për t’u trembë dhe mandej ka për të vonue me e marrë veten e me u çue në kambë e me ecë normalisht, na thoshte ajo. Më duket se mund të gjejmë nji paralelizëm mes kësaj që tregova dhe shoqnisë shqiptare, e cila mbas krijimit të shtetit shqiptar filloi rrugën e mvehtësisë e pame kjo si kategori politike, por ajo, shoqnia shqiptare, njikohësisht filloi edhe njifare shkëputje prej sistemit të pakjartë ekonomik të perandorisë dhe zuni rrugën e nji kapitalizmi parak e dikensian. Ky kapitalizmi i tashëm asht i përziem, sepse projektohet mbi nji terren të rrënuem prej suferinës marksiste dhe konkurenca bahet mes ma të fortëve darvinianë dhe jo mes ma të zotëve kulturorë. Pra, këtu po e thyejnë qafën vlerat, pikërisht tek mbizotnimi natyror dhe jo ai kulturor. Pra, na po instalojmë nji kapitalizëm natyror, parak e të babëzitun, sepse klasa që po merret me kapitalizmin e përcepton atë si primat dhe jo si sekondat, pra si diçka që po vjen për herë të parë e jo për të dytën. Pra shoqnia shqiptare asht rikthye në nji stad foshnjor recidiv dhe po përsërit nji vete të harrueme, madje krejt të panjoftun. Në sistemin shkollor këta përsëritës quhen të mbetun në klasë.

HEJZA: Dikur shqiptarët e Shqipërisë detyroheshin të dinë madje edhe sa kub ujë rrjedh për sekondë në lumin Ural të Rusisë, ndërsa nuk detyroheshin për t’i njohur shkrimtarët e intelektualët e Kosovës. Sot, ndonëse “nuk ka” detyrime të tilla politike, vazhdon po i njëjti mentalitet: nga masa e rëndomtë nuk njihen shkrimtarët (veprat) përtej Shqipërisë, ndërsa ky “infeksion” i ka kapluar, fatkeqësisht, edhe krijuesit, prodhuesit e librit! Pse kjo akullnajë, të paktën, në mesin e krijuesve gjeografikë të botës sonë letrare?

P. SHLLAKU: Unë vazhdoj me u çuditë me ju që vazhdoni ende me u çuditë. Me ardhjen e komunistëve në pushtet, çeshtja e shqiptarëve jashtë kufijve të Shqipnisë londineze u pranue si fakt i kryem dhe i parevokueshëm. Zaten mbas asaj ringjallje të nacionalizmit shqiptar në mesin e Luftës së Dytë Botnore, komunistat e morën pushtetin me kushtin që ta vorrosnin pa afat çeshtjen e Kosovës dhe të shqiptarëve jashtë Shqipnie. Kur u prishën me jugosllavët, u prishën se jugosllavët ua pinë langun dhe kërkonin ndërrimin e udhëheqjes për lëshime dhe garanci të reja. Por, udhëheqja shqiptare kishte vra njerëz pa hesap dhe ajo i druhej hakmarrjes dhe përmbysjes. Luftën për vetëmbrojtje ajo e paraqiti si luftë parimore ideologjike dhe u hodh në kërkim aleatësh të rij. Dhe kështu në nji përsëritje të hatashme ciklike ajo prishej me dikë dhe kërkonte aleatë të rij, gjithnji ma të largët e gjithnji ma neutralë lidhë me nevojën për një ndërrim të udhëheqjes shqiptare. Dhe kur e panë se bota kishte hy në rrugën e globalizimit, atëherë udhëheqja shqiptare adoptoi izolimin nga bota si formulë universale e shpëtimit nga “anmiqtë”.

Gjeneralët e vetëshpallun të jugut shqiptar, të mbështetun në reparte ushtarake që ngritën maleve të Shqipnisë ishin kundër bashkimit të trojeve shqiptare, përkatësisht të Kosovës me Shqipninë. Me synimin e kjartë të ruejtjes së pushtetit dhe të atij avantazhi që u dha lufta, ata, ku haptas e ku në heshtje, e përdorën atë luftë që banë si kriter dominimi politik dhe madje edhe kulturor mbi pjesët e tjera mbrenda e jashtë Shqipnisë. Për të sigurue mbështetjen e jugosllavëve fill mbas mbarimit të luftës së Dytë Botnore, ata e dënuen egërsisht nacionalizmin, i cili me kohë erdhi e u reduktue në njifarë mosinteresimi për të mos i rilidhë kurr ma territoret shqiptare. Kjo doktrinë, e gjallë edhe sot, duket se asht e kënaqun që Kosova asht shtet më vete, por po përpiqet të mos e përfshijë në zhvillimet aktuale si pjesë e së njajtës substance etnokulturore.

Unë kam bindjen se na nuk kemi forca me marrë vendime për bashkime të tilla. Por jam po aq i bindun se ata që i kanë mundësitë për nji gja të tillë, nji ditë do të na bashkojnë patjetër dhe pa na pyetë ne fare. Mandej të shofim se si kanë me reague ata që i urojnë vetes me vdekë në nji Shqipni 28 mijëkilometërshe katrorë.

Komunizmi shqiptar i instaluem më 1944 në Shqipninë londineze nën maskën e nji propaganda agresive dhe tejet trimoshe, i ruejti me kujdes premtimet dhe interesat e jugosllavëve që i sollën në pushtet këta të fundit. Njifej gjeografia e Uraleve dhe madje edhe ajo e Mongolisë si shenj besnikrie dhe dashunie ndaj BRSS, por njikohësisht ky interes kulturor e arsimor i çuem kaq larg vriste dy zogj me nji gur: i servilosej Rusisë bolshevike për t’i zhvatë ndonji favor dhe, nga ana tjetër, lente të qetë e të pashqetësueme Jugosllavinë që e donte Kosovën të veten.

HEJZA: Këto ditë u nënshkrua një peticion prej qindra intelektualëve kundër pseudogjuhëtarëve e pseudoshkencëtarëve, të cilëve televizionet tona po u kushtojnë vëmendje gjithnjë e më shumë. Nga Kosova në atë peticion ishte përfshirë vetëm Profesor Rexhep Qosja! Nga viset etnike nuk pati asnjë intelektual, sikundër edhe nga diaspora! Në listë pati plotë nënshkrues intelektualë të diskutueshëm! Kjo iniciativë ishte një përpjekje për “defilim intelektualësh”, apo një shqetësim intelektual i shprehur para pasqyrës copë-copë? A është me shqetësuese hapësira televizive për pseudointelektualët apo ky injorimi i intelektualëve kombëtarë përmes një “superioriteti tradicional” prej flluskash sapuni?

P. SHLLAKU: Vëzhgimi asht i drejtë. Mesa po duket kjartë intelektualët e Tiranës këso here kanë në mangë nji kartë divorci për punën e gjuhës me shqiptarët jashtë kufijve të Republikës së Shqipnisë. Peticioni asht me shtab dhe paraqet dy anë të shqetësimit të firmatarëve të vetëdijshëm. Ana e parë asht se niveli i zhvillimeve të shkencave albanologjike ka ra ndjeshëm dhe se e vetmja veprimtari me të cilën merren katedrat dhe institucionet akademike të pavaruna në këto pesë dhjetëvjeçarë qysh nga kongresi i drejtshkrimit asht mblaçkitja e pafund e argumentologjisë se standardi asht funksional, se po prodhon letërsi (edhe pse ai u krijue për me ndërtue letërsinë e realizmit socialist, sot tanësisht e ndjerë). Punimet në ndihmë të standardit, marrja me çikërrimtari e me probleme fillestare të këtij shestimi tregojnë se ai standard ishte prematur, ishte aprioristik dhe se përvoja e ka tregue qysh më 1990 se ajo krijesë nuk asht dhe nuk mund të jetë gjuha e të gjithë shqiptarëve.

Ana e dytë asht se ai grupi i atyne që merren me gjuhësi të përgjithshme dhe me etimologji vulgare e që peticioni i quen me emnin e padenjë “sharlatan” ose edhe “fashistë”, janë thjesht nji grup romantikësh me frymë të shfaqun rilindase që ua kanë vjedhë shfaqjen katedrave dhe institucioneve të pavaruna dhe kur ata merren me çikërrima, ata mendojnë se së paku po merren me variante temash të mëdha, sikurse janë etimologjitë, gjenezat, metamorfozat historike dhe faktorët që i ngjizën këto metamorfoza. Pra, të ashtuquejtunit “sharlatanë” gjetën nji vakum shkencor dhe po e mbushin ose e kanë mbushë me tezat e interpretimet e tyne që, për hir të së vërtetës, nuk janë as të reja e as të shpikuna prej tyne. Mesa di unë në spjegimet e tyne ka shum hiperpatriotizëm, ka shum punë “me vesh” dhe shum pak “me partiturë”, por nuk janë fajtorë se në heshtjen shurdhuese të organizmave që paguhen mirë për të krijue shkencë, po ndigjohet zani i këtyne zellnikëve që mendojnë se kanë të drejtë. Pra, reagimi intelektual i peticionit nuk i shpëton vërejtjes se establishmenti zyrtar albanologjik po punon pak dhe nuk po e zotnon tregun e mendimit albanologjik këtu e shum dhjetëvjeçarë. Populli thotë: atje ku nuk këndon bilbili, këndon qyqja. Grupi në fjalë i etimologëve vulgarë, në mos po jep kontribute në ndriçimeve të reja, për mue po jep nji kontribut të vlefshëm e mjaft të vlefshëm madje: ka shpërthye krizën e studimeve albanologjike dhe kjo krizë ndodhet në tryezat e të të gjithëve, të pushtetarëve dhe deri tek ajo e njerëzve që merren amatorisht me këto punë.

Por unë personalisht jam kundër cilësimeve fyese dhe denigruese të kujdo që ban aq sa mundet dhe bërtet aq sa mundet. Nuk asht hera e parë që shkenca gabon me njerëzit e saj. Dikur mendohej se toka ishte e sheshtë si tepsi. Ata që e konceptuen realisht mbase qeshën me të parët, por nuk i quejtën as “sharlatanë” e as “politikanë të rrezikshëm”. Në kohën e monizmit shtetnor tek na ka pasë historianë me emna që e mblaçkitën dhe e stërmbllaçkitën idenë se “për çlirimin e atdheut” ranë 28 000 dëshmorë. Ma vonë doli se numri ishte shum ma i vogël. Cili prej firmatarëve të këtij peticioni e quejti ndonjenin prej këtyne historianëve zyrtarë “sharlatan” pse kishte manipulue numra e shifra simbas nji gënjeshtre shtetnore? Unë personalisht nuk e pashë me sy të mirë atë peticion. E para se ishte nji veprim publik shum hipokrit që nuk arriti me mshefë disa realitete që ulurijnë tek na.

Asht fakt se tek na sot niveli, vëllimi dhe spikama e shkollës gjuhësore shqiptare ka ra në nivele të ulëta dhe gjithë ajo mori studiuesish që paguhet majmë nga buxheti i shtetit i ka braktisë temat dhe pistat e mëdha të studimit. Pista të tilla si etimologjia, studimet ilire, sociolinguistika (e pame kjo në stadin e sotëm, që punon me metoda objektive dhe e “mat” gjuhën dhe prirjet e saj), dialektologjia, strukturalizmi letrar etj. janë drejtime UFO për institutet tona të studimit. Mesa di unë edhe shkenca e kritikës që mbulon të gjitha shkencat me vlagën e saj ripërtëritëse edhe ajo mungon plotësisht. Për rrjedhojë studiuesit e gjuhës e të letërsisë janë ndry në bunkere të thella dhe merren me studime rutinore, të pazotët me mundësitë e sotme që kanë, me i shty ato kufij që lanë mbrapa studiues të zellshëm e pjellorë si Çabej, Demiraj, Domi, Rrota etj. Në këtë heshtje dhe këtë mosprani të tejzgjatun, kuptohet që risitë e pritshme mund të jenë shum të shëndosha, por ato nuk mbijnë në nji terren shterpë dhe djerr. Megjithë respektin njerëzor që kam, personat që peticioni i etiketon si pseudo intelektualë dhe pseudoshkencëtarë, unë mundem me thanë se ata në këtë vakum real e shqetësues i janë përveshë punës për të veshë me rreptësi shkencore disa teza populiste dhe patriotizante fort mirë të njoftuna në etimologji si spjegime etimologjike vulgare.

Televizionet janë në kërkim të risive dhe për veshët e tyne inkompetentë këto teza patriotiko-populiste e ofrojnë dhe e kënaqin këtë kërkesë. Televizionet tona janë të mbushuna me tallava dhe me jone muzikore orientale ballkano-otomane, në nji kohë kur mjeshtri Palokë Kurti qysh në fundin e shekullit XIX e distiloi kangën qytetare shqiptare nga ndikimet orientale. Dhe askush nuk po i kritikon televizionet për këtë.

Gjuhën tonë nuk e kërcënojnë studimet populiste dhe hamendjet patriotike të absolutizmit gjuhësor shqiptar. Atë e kërcënon ritmi i ulët ose braktisja e pistave të mëdha të studimeve albanologjike, rekrutimi i njerëzve me horizonte të ulëta kulturore e gjuhësore, mungesa e poliglotëve dhe monokultura skorbutike e standardit.

Dhe për ta mbyllë, ka disa zane që kanë shkue kaq larg në përpjekjet për ta nxjerrë shqipen nanën e nanave të gjuhëve europiane e botnore sa përmendin emnin e ungjit tim, të shuemit Gjon Shllaku, se gjoja ai paska thanë se e kishte përkthye Homerin “ nga shqipja në shqip”. Si njeri i afërt me Gjon Shllakun dhe si nxanës i përvujtë i tij qysh në moshën 9 vjeçare dhe deri sa vdiq, e përgënjeshtroj me indinjatë këtë thanie të vume padrejtësisht në gojën e tij. Ai nuk e ka thanë kurr, nuk mund ta thoshte kurr, sepse në ato 7 vjet që i mori Iliada për t’u përkthye, ai humbi gjysmën e flokëve tek i shkulte në përqendrimet e tij të përditshme për ta kthye greqishten e lashtë homerike në shqipen e re të formatit të Eposit të Kreshnikëve. Po, ai ka thanë se si Iliada, si Odisea fillojnë me nga nji fjalë që ka të njajtin kuptim edhe në shqip me atë në greqisht. Këto fjalë janë “menin” tek Iliada për “mënia-a” dhe “aner-andros” te Odisea për “njeri-u, burrë-burri”. Dhe të gjitha këto konkordanca ai i lidhte kjartazi me faktin se shqipja dhe greqishtja ishin gjuhë që rridhnin prej trungut indoeuropian. Im ungj nuk ka nevojë për të tilla mburrje falso e të veshuna me teknikën e shpifjes. Atij i del e i mjafton ura harkmadhe që na lidh me Iliadën e Homerin, e të cilën ai e ndërtoi modestisht e madhërisht.

HEJZA: Jeni njohës i shkëlqyer i problemeve dhe fenomeneve kulturore ndër shqiptarët! Sa jemi të gatshëm që kulturën tonë ta paketojmë mirë dhe ta prezantojmë në botë si vlerë që e meriton gjithë respektin e njerëzimit. Sikur jemi më të gatshëm që ta pranojmë kulturën e tjetrit sesa që ta madhërojmë para tjetrit kulturën tonë! Ta zbërthejmë idenë: jemi më të gatshëm që të derdhim miliona lekë në përkthimin e letërsisë së huaj se sa ta stimulojmë përkthimin e letërsisë sonë për të huaj!

P. SHLLAKU: Ka shum probleme që nuk i di, sepse gama e problematikave ndër ne sa vjen e rritet, por unë do të them aq sa di. Na e kemi paketue kulturën tonë jashtë vendit dhe përpjekjet tona si shtet shqiptar kanë shkue bujarisht e pafundësisht në favor të Ismail Kadaresë. Pra, na dimë me punue edhe për ta promovue veten përjashta kufijve tanë shtetnorë. Duhet të pranojmë se shteti shqiptar asht i vorfën edhe në ide, edhe në kuletë. Në ide sepse asht shtet nepotik me lidhje transversale familjare, fisnore e krahinore. Shteti funksionon kur promovon kulturën, ekscelencat e prodhimit kulturor të vendit dhe jo kur promovon individë me lidhje e rekomandime konjunkturale e idiotelike. Sa për kuletën nuk kemi çka të themi, jemi shum të vorfën dhe edhe ma shum na vorfnon mungesa e parimeve në shpërndamjen e fondeve për projekte.

Por, të mos harrojmë se jemi nji kulturë edhe e re, edhe e vogël, edhe e shkallmueme prej devijimeve e bishtnimeve të orientimimeve tona. Periudha e realizmit socialist e devijoi edhe nji herë tjetër kahen e zhvillimit të kësaj letërsie. Ajo letërsi e viteve ’30 me Koliqin, Migjenin, Kutelin e Poradecin u vu për hap me letërsinë ma të spikatun europiane. Letërsia shqipe e asaj periudhe e kapërceu fazën e vonueme të Rilindjes dhe u lidh me kontinentin si bashkëkohësi dhe si përbashkësi ideore dhe estetike.

Dikasteret që merren me kulturën nuk po nxisin ende dramaturgjinë vendase dhe teatrot ndër rrethe po vegjetojnë dhe janë kthye në salla mbledhjesh për qoka e sebepe të hueja për teatrin si art e si institucion, kurse teatrot e paktë të kryeqytetit tonë vazhdojnë me vu në skenë pjesë pa ndonji lidhje me temat shqetësuese të shoqnisë tonë ose edhe me lidhje të imëta që shpesh nuk dallohen apo përceptohen prej nji publiku të parysun me punët e teatrit.

Gjithsesi dalloj nji hapje ma të madhe ndaj autorëve, nji ndjeshmëni të re ndaj temave dhe qasjeve estetike, ndaj gjuhës dhe shprehshmënisë në përgjithësi. Por, mos të harrojmë se nji kulturë e vogël si e jona asht e detyrueme me marrë, madje me marrë gjatë derisa të rritet e derisa të vehet për hap me letërsinë e mirë të botës, se Europa letrarisht ka hy në nji amulli që të tmerron. Lindja europiane asht ende shum ma ndryshe dhe vazhdon me prodhue shkrimtarë, artistë dhe vepra me spikamë dhe jehonë globale.

HEJZA: Kur kritika letrare gjermane e njohu Gjergj Fishtën, atë e vlerësuan duke e ngritur në panteonin e shkrimtarëve të mëdhenj e duke e quajtur “Homeri Shqiptar”! Pa dyshim, shqiptarët më shumë e kanë lexuar Homerin se sa Gjergj Fishtën e tyre! Është pasojë e inercionit të vazhdueshëm të linçimit enverist, apo, thjesht, gjuha e Fishtës është “arkaike” dhe, për rrjedhojë, e pakuptueshme për shqipen e standardizuar!

P. SHLLAKU: Shpejt e shpejt po them se gjuha e Fishtës asht gjuha e Rilindjes kombëtare, e krijimit të shtetit të parë shqiptar në kohën moderne, kurse standardi asht gjuha e realizmit socialist që mori përsipër me krijue letërsinë eprore dhe pararojë të njerëzimit. Ku asht realizmi socialist sot e ku asht Rilindja kombëtare? Rilindja kombëtare asht në themelet dhe në trupin e kulturës shqiptare, kurse realizmi socialist asht strukë i strehuem mbas do ndërtesash prej tulle të kalbun, ndër oborre ku shtatoret e asaj kohe rrinë në “pendesë” si burra të lajthitun historikisht.

Fishta asht nji model letrar klasik. Ai lavroi cep më cep shqipen e njoftun mirë prej tij dhe ndërtoi për veten e për kombin nji monument prej tunxhi që koha nuk ka çka i ban. A thue Fishta asht ma i vështirë gjuhësisht se Dante Aligeri? Kurrsesi. Por, Dante asht klasik dhe gur themeli, ai zhvillohet nëpër shkolla dhe punohet gjithkund me aparat spjegues filologjik. Askujt nuk i shkon ndër mend në Itali me e hjekë ose edhe me e lehtësue kurrikulën e Dantes. Danteja asht i paprekshëm dhe i panegociueshëm, edhe pse edhe në Itali asht shfaqë kriza e leximit, e librit të shtypun, kërcënue prej teknologjisë digjitale. Fishta e lavroi gjuhën me idenë se ajo ishte i vetmi element identitar themelor i kulturës sonë dalë prej nji periudhe rrënimtare të nji perandorie aziate që zgjati nji gjysmë mijëvjeçari. Kjo gjuhë ishte hekuri periodik në zemër të shtyllës prej betoni ku mbahet kombi shqiptar. Fishta asht gjuhë, mandej çkado tjetër. Largimi i Fishtës zbulonte synimin e largimit të gegnishtes. Dhe mbajtja e Fishtës si i vështirë asht mbajtja e gegnishtes si e papërshtatshme për nevojat e shoqnisë moderne shqiptare. Standardi u ndërtue me devizën se do të merrte elemente shprehëse me intensitet të naltë edhe nga gegnishtja. Por, po nuk mori nga Fishtja ku ka për t’i gjetë shprehshmënitë me intensitet të naltë nëse nuk i merr tek Fishta. Kjo qe e gjitha nji fushatë përjashtuese, e kamuflueme keq. Standardi si një tosknishte e zonës së Përmetit nuk përfshiu as tosknishten e gjanë, jo ma se gegnishten edhe ma të gjanë dhe edhe ma të hapun e ma të thellë në historinë e shkrimit shqip. Kam thanë në nji mbledhje: Fishtën e vrau më 1940 pneumonia, më 1945 ardhja e komunizmit projugosllav, erotizmi me Rusinë, e vranë më 1967 kur i përdhosën vorrin dhe ia hodhën eshtnat në Drin, e vrau standardi i 1972, e vrau Ismail Kadareja më 1976 dhe i dha goditjen përfundimtare po prap Kadareja më 1989.

Kurse mjeshtrat fabrikues të gjuhës së njësuar letrare kanë ulë në standard tosknishten me të gjitha anomalitë e saj fonetike, morfologjike dhe sintaksore. Çfarë episteme e hatashme!

HEJZA: Jeni ndër intelektualët e paktë që këmbëngulni në kultivimin e gegnishtes letrare! Pa dyshim, po shohim gjithnjë e më shumë botime që po publikohen në dialektin geg, porse sa këto botime ruajnë standardin e gegnishtes letrare?

P. SHLLAKU: Nuk besoj se jam ndër të paktit. Jam ndër jozyrtarët, por ani. Kemi na shkodranët nji proverb adekuat për këtë pyetje tuejën: Dalë-dalë, moj bythëvalë,/ se  tuevjen moti përkadalë… Po, konstatimi i juej asht i drejtë, gegnishtja po shkruhet në stil të gjanë. E randësishme asht që po shkruhet masivisht. Në këtë moment që po flasim kam evidencën e 236 gegnishtshkruesve që e përdorin këtë ekspresion mbas 1972. Ai ekspresion po përdoret në poezi, prozë, kritikë dhe në përkthime. Madje, asht i çuditshmëm edhe fenomeni që toskë organikë po stërviten – kryesisht në poezi – tue shkrue në gegnisht. Ata shprehen se gegnishtja asht e ambël dhe lirike, i shpreh ma mirë dhe ma shkurt ndjenjat.

HEJZA: Pse të mos ketë një Kongres për standardizimin e gegnishtes?

P. SHLLAKU: Nuk asht as në dorën time, as të dikujt tjetër për të mbajtë kongrese ma. Kongreset janë formate politike dhe shkencat tona tash e mbrapa duhet të rrinë larg politikës, sepse nuk kanë ndonji dobi prej saj. Për mendimin tim gegnishtja nuk ka nevojë për kongres. Asëll-asëll, ajo asht e normueme mjaftueshëm qysh në vitet 1920-30. Shikoni Eposin e kreshnikëve. Gegnishtja asht ma e lehtë si drejtshkrim, asht ma koncize dhe reduktive. Ajo nuk e ven për detyrë ruejtjen e strukturës morfologjike të fjalës. Ky parim e liron atë nga shkrimi e ruejtja e nji vandak -ë-ve ndër fjalët e prejardhuna. Megjithatë edhe parimi i ruejtjes së strukturës morfologjike nuk asht opcion i papranueshëm. Gegnishtja i ka modelet drejtshkrimore dhe ma i preferueshmi asht ai që e afron me tosknishten.

HEJZA: Ju thoni se Gjuha Shqipe pa gegnishte është si pa toskërishten! Po ashtu, e bëni fakt të pakontestueshëm konstatimin se “Gjuha s’rritet me krasitje, por me unifikim”! Mendoni se një gjuhë që flitet zyrtarisht prej një populli nuk mund të jetë “gjuhë e unifikuar” nëse brenda saj nuk janë të përfshira të gjitha dialektet, nëndialektet dhe të folmet e viseve ku jetojnë pjesëtarët e atij populli?

P. SHLLAKU: Në çastin historik kur u mbajt Kongresi shqipja kishte dy kryedialekte letrare ose koiné. Deri atëherë thania ime ishte në përputhje me realitetin. Për 18 vjet rresht kjo thanie imja nuk qe e vërtetë dhe unë nuk e thashë kurr gjatë intervalit prej 1972 deri 1990. Kur filluen kontestimet e debatet shkencore lidhë me gjuhën dhe filloi rikthimi i gegnishtes si gjuhë letrare për shkak të transcendencës së saj historike, u duk kjartë se gegnishtja do të zaptonte prap shtratin e saj historik dhe do të kthehej në hemisferën e saj. Dalja e Kosovës si shtet i pavarun dhe kalimi i elitave komuniste jugosllave e favorizoi edhe atje dialogun mbi gjuhën dhe shpërtheu përdorimin e saj si medium letrar, madje me shum shprehshmëni dhe sukses.

Sot kam të regjistruem rreth 236 individë që shkruejnë e përkthejnë në gegnisht mbas vitit 1972. A nuk ju duket se gegnishtja po kthehet me autorë e me faqe të ndrtishme. Kjo më autorizon me thanë edhe nji herë se shipja pa gegnishten asht si shqipja pa tosknishten. Ne na duhet nji gjuhë e madhe ku dy kryedialektet të shkrihen në perspektivën e historisë. Cila do të jetë gjuha e jonë e njisueme? Atë do ta vendosin folësit, gjuha, letërsia dhe, ma në fund, për nji seancë kodifikuese do të thirren gjuhëtarët. Se si do të jetë nuk e dimë. Por po qe, ajo do të jetë e madhe dhe gjithëpërfshimëse. Për ma gjatë pyetni marksizëm-leninizmin se ai, thonë, e ka dhuntinë e profetësisë.

HEJZA: A dihet se cili është fondi i fjalëve të gjuhës shqipe të ngelur jashtë standardit dhe cilat janë praktikat gjuhësore te popujt që kanë pasur probleme të ngjashme?

P. SHLLAKU: Fjalët gege, shprehjet, lokucionet, frazeologjia, format nuancuese sintaksore, shum veçanti morfologjike janë damkosë si dialektore për me iu lëshue rrugën standardit të 1972. Mandej ngrihen e thonë se gjendja e gjuhës në gerren asht kritike. Po ta merr mendja që asht edhe do të jetë kritike. Shqipja e madhe edhe e gjallë ka gjysmë shekulli që punon pa njenën rranjë të madhe e shekullore që vuni bazat e letrarizmit gjuhësor qysh në shekullin XVI.

Rilindja lançoi të dy kryedialektet dhe secili prej tyne krijoi letërsi kombëtare dhe traditë letrare. Kongresi 1972 vendosi të zgjidhte njenën traditë dhe ta nxirrte nga skena traditën tjetër bashkë me ekspresionin e saj gjuhësor. Kaq e thjesht asht, por edhe kaq tragjike.

HEJZA: Pse nuk e kemi një fjalor të gegnishtes letrare, të standardizuar?  

P. SHLLAKU: Gegnishta asht përjashtue me ceremoni nga gostia e gjuhës shqipe. Autorët e kësaj mastrape e kanë ditë se me gegnishten e pa nxjerrë jashtë loje, standardi toskë i Kostrallarit nuk do të bante hajër as edhe nji ditë. Dhe si shkencëtarë që e presin litarin se nuk kanë aftësi me e zgjidhë nyjen vepruen ashtu sikurse tashti e dimë mirëfilli të gjithë.

Nuk ka fjalor të gegnishtes, sepse ata nuk e duen gegnishten as me e përdorë atë si “vorrezë makinash” prej ku mund të merret nji detaj ose nji pjesë këmbimi. Asaj i kanë vu në shpinë etiketën “dialekt” dhe kjo gati-gati tingëllon për kodifikuesit e standartit si me qenë “rrezik vdekje”.

HEJZA: Në hapësirat shqiptare kemi të botuar shumë shkrimtarë të huaj. Libraritë dhe bibliotekat i kemi përplot me letërsi të huaj! Çfarë përkthimi është ai që bazohet në një fond prej 40-50 mijë fjalë. Nga ajo që lexojmë shpesh arrijmë në përfundimin se si përkthyesit, ashtu edhe botuesit, nuk ua dinë as kuptimin e fjalëve të përdorura nga fondi “i përgjithshëm” i gjuhës shqipe dhe, si rrjedhojë po lexojmë letërsi të huaj “të dobët” e me një shqipe të çalë!

P. SHLLAKU: Unë mendoj se përkthimet tek na kanë nji traditë drejtvizore dhe në këtë sektor punohet mirë. Kemi emna dhe kemi vepra të lidhuna me emna përkthyesish. Kuptohet se kemi edhe vepra të dobëta dhe se disa shtëpi botuese si ALBAS p.sh. po i korrigjojnë gabimet e së shkuemes dhe vepra me randësi epokale po ripërkthehen dhe po rifreskohen. Nuk e di në e dhatë për mirë apo për keq shifrën tronditëse të 40-50 mijë fjalëve që përkthyesit përdorkan në tekstet që përkthejnë. Kjo shifër më duket e ekzagjerueme dhe shum e naltë, gati krejt e pamundun. Unë mendoj se me 20 mijë fjali bahet nami sa i përket cilësisë. Jam dakord me ju që përkthimet duhet të kalojnë nëpër filtra redaktoriale shum të sakta e skrupuloze, kur asht fjala për përkthyes pa përvojë dhe ekzordientë.

HEJZA: Pse kaq shumë rëndësi unifikimit të gjuhës dhe jo edhe unifikimit të letërsisë, të artit, të kulturës. Nëpër libra leximi e në tekste shkollore për letërsi, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë e në vise të tjera etnike, përfshirja e shkrimtarëve respektivë është simbolik apo janë tërësisht të përjashtuar! Nuk ka shqiptar në Kosovë e në Maqedoni që nuk e ka njohur të ndjerën Liljana Cingin, ndërsa në Shqipëri as që ka dëgjuar dikush, për shembull, për Nadire Ramadanin, valltare popullore nga më të mirat që kanë pasur ndonjëherë këta treva; këtej nuk ka shqiptar që nuk e njeh Rexhep Çelikun, ndërsa andej as që kanë dëgjuar ndonjëherë për valltarin legjendar Zija Aliun! Si t’i standardizojmë vlerat kombëtare që do të na unifikonin edhe në segmentet e tjera të identitetit tonë kulturor!

P. SHLLAKU: Studiuesja Ledi Shamku-Shkreli ka thanë se gjuha standarde asht bastioni i fundit i pushtetit komunist ndër ne. Dhe ka pasë shum të drejtë sepse, ky pushtet që në fillimet e veta më 1945 ka pasë synue njilloj hegjemonizmi krahinor. Trajtimi i krahinave veriore dhe i banorëve të tyne ka qenë diskriminues në krahasim me viset e banorët e jugut. Të themi atë që asht: komunizmi ishte nismë e shefave ushtarakë të jugut dhe e turmave fshatare që socializmi mori përsipër t’i aftësojë në punët e drejtimit të shtetit e, sidomos, në drejtimin e organeve shtrënguese të shtetit diktatorial.

Kontigjenti i shkencëtarëve të shkollës gjuhësore marksiste-leniniste-staliniste të Tiranës asht tanësisht i angazhuem që ky primat të mos bjerret dhe “epërsia” kulturore e jugut të vuloset, të konsakrohet dhe të përjetësohet nëpërmjet triumfit final të formulës kostallariane të gjuhës zyrtare të shqiptarëve.

Këndej spjegohet edhe vemendja e madhe tek gjuha dhe indiferenca po aq e madhe sa i përket letërsisë. Mesa duket humbjen e letërsisë së realsocit ata mendojnë se duhet ta kompensojnë me mbajtjen e standardit. Pra, ata po i kërkojnë historisë të nusërojnë për së dyti, se dështimi që gremisi në honet e harresës e të hiçit me qindra mija faqe “letërsi” që do të ndryshonte botën dhe njerëzimin, nuk po ua mbush ende mendjen se jemi në demokraci dhe se hegjemonitë mbrendakombëtare afatin e fundit për t’u vu në jetë kishin mesjetën.

Asht e vërtetë se shteti amë asht Shqipnia dhe se gravitetet edhe mund të lindin, edhe mund të shfaqen aty në mos për ndonji shkak, të paktën për shkak të qenies së saj shtet i pavarun shumë para Kosovës e viseve të tjera ku jetojnë masivisht shqiptarë. Kjo ka ba që në jo pak raste të ndryshojë raporti amë e bijë me raportin “vëllau i madh e vëllau i vogël”. Nuk po due me e zgjatë se sendet janë të kjarta si drita e diellit. Barazinë askush të mos e ofrojë si mëshirë, por si e drejtë dhe si pasqyrim real të rezultateve. Mbaj mend para disa vjetësh se gazetari dhe publicisti Ben Blushi, drejtpërsëdrejti dhe pa asnji mëdyshje e pranoi publikisht se Kosova ishte shum ma para se Shqipnia me arte, muzikë dhe sporte. Ky pohim i saktë dhe i drejtë me pati entuziazmue për sinqeritetin, por edhe për guximin e tij.

HEJZA: Të flasim për letërsinë bashkëkohore shqiptare! Nëse dikur identitet i letërsisë sonë ishte bërë socralizmi, cili është sot identiteti i kësaj letërsie?

P. SHLLAKU: Letërsia e realsocit ishte nji faktor i madh traume për letërsinë, shkrimtarinë, modën letrare dhe formimin e shkrimtarëve. Kanë kalue 35 vjet që nga koha kur metoda shtetnore e krijimtarisë letrare ka pushue së qeni e detyrueshme. Por inercia e saj, fryma e saj dhe “zakoni” që ka krijue ajo me imponimin e gjatë shtetnor e ligjor ka krijue edhe subjekte shkrimtarësh të pandreqshëm. Nga ana tjetër, si përgjigje ndaj kësaj letërsie shum vetë kanë shkrue nji letërsi tjetër në përmbajtje, por nji letërsi kombative dhe imponuese me kahe të kundërt me të parën. Prirja e vërtetë dhe që duhet përshëndetë asht ajo letërsi që tek na po vendos përherë e ma shum njeriun në qendër të vemendjes e kujdesit të saj. Letërsia ideocentriste ka kohë që ia ka lëshue vendin asaj antropocentriste, por kjo e fundit, edhe pse e ka fushën e lirë dhe disi asht pa rival, po vonon objektivisht e subjektivisht me krijue muskujt e saj. Izolimi proverbial i shtetit krijoi deficite të thella në formimin letrar të kontigjenteve që merreshin me letërsi. Në kushtet e reja të hapjes dhe kontakteve pa limit, kuptohet se gjendja po ndryshon për të mirë dhe kjo e rrit cilësinë e produktit letrar. Por, në ato fillime, mbas viteve ’90, pati nji bum të madh orientimesh tek rrymat e drejtimet letrare të fillimshekullit tjetër, çka edhe solli nji ndryshim orientimi, por jo doemosdo edhe nji atashim të letërsisë sonë me letërsinë ma të mirë të gjuhëve dhe kombeve të mëdhej. Pra, vazhdoi në njifarë mënyre prirja anakronike e kësaj letërsie. Në stadin aktual po faktorizohen zane ma të vetdijshme estetikisht për stadin global të frymës letrare dhe jo vetëm. Mungesa e institucionit të kritikës i ban konstatimet tone hamendësore dhe intuitive. Jam i sigurt se nji statistikë kompetente kritike do ta vizatonte ma imët dhe ma saktë peizazhin dhe dinamikën e letërsisë tonë në këtë dhjetëvjeçar.

Deri tash ka formalizëm, demagogji e retorikë metonimike, d.m.th. tjetër thonë e tjetër bajnë. Ky institucion mungon, por edhe po të ishte, institucionet nuk punojnë automatikisht. Duhet edhe vullneti politik i institucionit. Unë e shof se nuk ka vullnet për të krijue institucione përbashkuese dhe hartuese politikash afatgjata me platforma kombtare unifikuese. Ideja e unifikimit ose e çdolloj bashkimi asht fobia e politikanëve shqiptarë. Ata dikujt ia kanë frikën. Dhe politikanët janë të vetmit trima të lejueshëm me e ushtrue këtë zanat, zanatin e trimnisë. Ato pak institucione që merren me këtë lloj pune kanë retorikë metonimike, tjera thonë e tjera bajnë. I kanë vu vetes nji limit dhe ma parë vrasin veten se e kapërcejnë këtë limit që nuk asht ligjor e asaj moral. Asht thjesht limit frikësor, nëse mund ta themi kështu.

HEJZA: Për nga sasia, për nga vëllimi i prodhimit letrar, nuk mund të themi se krijimtarinë letrare e kemi në krizë, por për nga kualiteti ndjehet një krizë e theksuar! Në mungesë të kritikës së mirëfilltë letrare, po shtohet gjithnjë e më shumë mungesa e interesit dhe dëshirës për t’iu qasur librit dhe për lexim të tij! Mashtrimi optik që po na vije nga tirazhet fiktive mediatike, si pjesë e reklamës nga “laboratori i fake news-it”, po e shton zhgënjimin e atyre pak lexuesve të rregullt të librit! Cili është sot raporti i lexuesit me librin! Vazhdimisht, pa pushim, ligjërohet e mësohet mbi rëndësinë e librit, ndërsa lexuesi, sidomos i riu, po ik gjithnjë e më shumë nga libri! Po ligjërojmë keq, mbase duhet edhe një strategji kombëtare për librin!

P. SHLLAKU: Po, libri po tregtohet dhe po furnizon tregun me emna e me tituj nga ma të larmishmit. Gjithsesi tregu shqiptar i librit asht treg liliput. Këtë e vërteton ma së miri tirazhi i librit artistik dhe autorial. Rrallë kapërcehet tirazhi 500 kopje. Madje, thonë se shtëpitë botuese shkojnë “tue pa e tue ba”, dmth ato botojnë fillimisht 100 kopje sa për panair e mandej ndjekin kërkesën e tregut dhe i shtypin pjesë-pjesë. Prodhojnë simbas kërkesës së tregut, ngaqë i tremben stokut.

Nëse kemi shtëpi botuese që botojnë mirë, me dizajn, me letër të mirë, me kopertinë të fortë e shirit mëndafshi të kuq për shenjën, por organizimi i shpërndamjes së librit në rang kombëtar asht krejt sakat. Kjo ka ba që të mos ketë lidhje organike promocionale e bashkëpunim mes botuesve dhe autorëve. Të krijohet përshtypja se botuesit ta lëshojnë në dorë librin dhe hajt! Vrafsh veten! Shteti duhet me vu dorë në sektorin e librit, sidomos në atë të krijimit të organizmave kombëtarë për shpërndamjen e tij në të gjithë qytetet e territorit të republikës.

HEJZA: Letërsia pa kritikë letrare si njeriu me tru e pa shpirt! Është për keqardhje fakti se mediat tona më shumë vëmendje i kushtojnë teknologjisë elektronike se sa librit! Sot, në një familje shqiptar brenda vitit shpenzohen nga 2-3 mijë euro për pajisje elektronike (celular, tabletë, laptopë), kurse nja 20-30 euro mund të harxhohen gjatë defilimit demagogjik nëpër stenda të panaireve vjetore të librit. Dikur bazat e kritikës letrare mësoheshin që në shkollimin fillore, ndërsa sot shkollimi fillor ka zbritur në nivel të shpjegimit naiv mbi aplikacionet e ndryshme të lojërave elektronike. Shtetet nordike po i kthehen librit, pasi kuptuan se elektronika, si mjet shkollimi, po e atrofizon trurin, po e shter nevojën e domosdoshme për lexim!

P. SHLLAKU: Le të themi dy fjalë për kritikën. Bota artistike shqiptare asht sot e pakritikë. Kritika asht domosdoshmëni mbasi kemi produkt letrar. Meqë produkti letrar asht dhe rritet nga viti në vit, atëherë kritika që nuk ekziston e ven në dyshim edhe produktin vetë. Këtë jo si ekzistencë, por si cilësi. Dhe na e dimë se arti pa cilësi asht inekzistent. Pra, simbas nji ekuacioni pa ndonji rreptësi saktësie, letërsia pa kritikë asht e pathemelueme, e paçertifikueme, atë e mbyt amatorizmi, nepotizmi dhe autoreferencialiteti. Kritika asht institucion që kujdeset për “shëndetin” dhe mirëmbajtjen e letërsisë. Ajo çertifikon vlerat dhe cakton hierarkitë krahasuese. Kritika prapëson diletantizmin dhe amatorizmin cinik, ndërton kritere dhe furnizon historinë e letërsisë me kritere, me norma, me parime dhe me seriozitet aksiologjik. Kritika krijon klimë të përhershme për bashkëjetesë me mendimin ndryshe, lufton populizmin dhe dekurajon plagjiaturën.

HEJZA: Në fillimet e veta njeriu për herë të parë leximin e bëri nëpër faqet e mureve të shpellave, pastaj në lëvore drush, pastaj në lëkurë, në letër dhe – erdhi libri! Sot, libri elektronik, a është “fundi” i procesit nëpër të cilin po kalon mjeti i leximit? Sot, bibliotekat gjigante, bibliotekat shtëpiake, bibliotekat e zyrave të punës – të gjitha po futen në një xhep xhakete; mijëra e miliona libra në një xhep xhakete!

P. SHLLAKU: Kështu kalon, vjen e ikë lavdia e botës, kanë pasë thanë latinët. Libri në vetvete, asht nji produkt goxha primitiv, por lexuesi terjaqi e don librin me fletët e lidhuna, me aromen e letrës, me fëshfërimën e fletëve që na detyron ta ngjyejmë lehtaz bulën e gishtit me pështymë kur kthejmë faqen etj. Por, kjo asht çështje zakoni. Mos harroni se e kemi harrue edhe radion, edhe biçikletën, edhe shtëpinë me oborr etj. Mendoj se libri i shtypun, libri i xhepit, por edhe libri i luksit për dhuratë do të vazhdojnë me ekzistue në treg si të tillë pa e cënue zgjedhjen tonë. Na kemi harrue me shkrue dhe jemi pa shkrim dore ma. Ka hy kompjuteri. Unë s’e njof ma shkrimin tim dhe nuk jam në gjendje me i shkrue dhjetë rreshta pa e humbë karakterin autografik. Pra, ndërrojnë kohët, ndërrojnë edhe mjetet. E shof si gja përrallore me pasë në xhep nji ipad që ka mbrenda tij 1000 libra në tekst integral. Mbetet me pa se cili do të jetë impakti i synit njerëzor që “korr” papushim germa mbi nji ekran të ndriçuem prej mbrendë. Syni si organ po, ky më preokupon seriozisht.

HEJZA: Ç’po shkruan aktualisht Primo Shllaku? Apo, si të gjithë krijuesit serioz – gjithnjë është në zhvillim të librit të vet të parë!

P. SHLLAKU: Gjatë kësaj kohe po përgatis nji libër tjetër me proza të shkurta dhe të mesme. Kuptohet se përgatitja për botim asht nji punë shkrimore, por jo frontale sikurse ajo kur shkruejmë pa e ditë ende se çka ka me dalë prej asaj pune. Po rregulloj, po shtoj, po ujdis e po lidh fragmente që mue më duket se nuk e kanë koherencën e duhun. Pra, jam në dorën e fundit për këtë vëllim me proza. Sapo ta nxjerr nga duert dhe ta jap për botim kam projekte të tjera të mbetuna përgjysmë, por edhe asish që duhen fillue prej së pari.

Leave a Reply

Your email address will not be published.