AUTORËT SERB PËR SHQIPTARËT E NISHIT DHE TOPLICËS

Libri “Çfarë shkruanin autorët serbë përpara 100 vitesh për shqiptarët e Nishit dhe Toplicës” është përmbledhje me tregime e fragmente të udhëpërshkruesve. Në të është përfshirë edhe një vështrim sesi janë parë shqiptarët, prej një oficeri serb në vitet e pas Kongresit të Berlinit, pra në kohën e turbulencave të mëdha sidomos të periudhës së vendosjes së kufijve të ri në Ballkanin e atëhershëm.

Në tregimet e paraqitura të autorëve serbë si: Manojllo Gj. Prizrenac “Përtej kufirit”, Nikolla Gjoriq “Nishliu” – “Bulla”, është trajtuar fenomeni i turqizimit, gjë që autorët Prizrenac dhe Gjoriq në krijimet e tyre janë përpjekur që protagonistet kryesore, Fatimen nga Rahovica e Preshevës dhe Zylejkën e lindur në Beograd, por të dëbuar në qytetin e Leskocit, t’i kthejnë në rrënjët e dikurshme, pra të gjysheve të tyre që ishin serbe të islamizuara. Pra, sipas tyre procesit të kthimit në origjinën e mëparshme duhej t’i nënshtroheshin turqit, poturët apo të turqizuarit, por edhe shqiptarët ose arnautët – të njohur nga një pjesë e autorëve serbë të fundshekullit të XIX – të, si arnautashë të cilët pas Kongresit të Berlinit vazhduan të jetonin në vatrat e tyre që tani iu dhanë Principatës së Serbisë.

Tregimi i radhës që po ashtu është në frymën e dy të lartpërmendurve, është edhe ai i autorit Ilija V. Vukçeviq “Kufitarët” ku autori nëpërmes peizazheve të afruara, sikur e bën të ditur se tani pas vendosjes së kufijve të ri, gjithçka duhet të rreshtohet në anën e fitimtarëve. Madje edhe femrat “armike” duhet t’i braktisin bashkëshortët e mëparshëm për të rënë në përqafim të “heronjëve” të rinj.

Të gjitha tregimet e lartpërmendura sikurse e kanë të njëjtin vizion dhe qëllim, pra që shqiptarët mysliman t’i paraqesin si oriental që për nga përkatësia e tyre kombëtare dhe fetare, paraqesin përjashtim në Europën e fundit të shekullit të XIX dhe se ata do të jenë rrezik për Ballkanin e së nesërmes, pra në Ballkanin e uesternizuar. Natyrisht se një imazh i tillë i shqiptarëve dhe stereotipat përcjellëse për ata, kanë ndikuar në rritjen e urrejtjes dhe mosdurimit, gjë që efektet e kësaj qasje janë dëshmuar sidomos në luftërat e viteve 1877 – 1912. Bile dëshmitë më të mira për këtë të sjella në këtë libër, janë ato të Mita Rakiqit, ku ai e ka paraqitur gjendjen në fshatrat shqiptare të djegura e të shkatërruara nga ana e ushtrisë serbe në vitet 1877 – 1878.

Krijimi më i plotë letrar në këtë libër mbetet poezia e Vojisllav Iliqit “Shqiptarja” dhe vështrimi i Aleksa B. Bogosavljeviqit “Për shqiptarët” edhe pse ky i fundit herë pas here e merr guximin dhe i shpalos edhe anët e errëta të planeve që duhet zbatuar në raportet fqinjësore serb – shqiptar. Megjithatë, përmbledhje apo manifestim të antishqiptarizmit jo vetëm në kohën e shkrimit të tregimit, por mund të themi edhe në tërë periudhën 1878 – 1999, paraqet tregimi i Velko Petroviqit, “Sefer Lushi”. Në këtë tregim mund të gjenden gjurmë të qasjes, raportit, trajtimit por edhe të politikës së zbatuar ndaj shqiptarëve të projektuar në shekullit e fundit nga qarqet zyrtare dhe intelektuale të Serbisë së viteve 1878 – 1999. Libri “Çfarë shkruanin autorët serbë përpara 100 vitesh për shqiptarët e Nishit dhe Toplicës” do të mbetet një leksion i mirë, sesi nuk guxon të vendosen marrëdhëniet jo të shëndosha fqinjësore dhe çdo qasje e paraqitje e imazheve të kombit fqinj në rastin konkret të shqiptarëve, ashtu siç kanë vepruar pjesa dërmuese e autorëve serbë do ta mbyllë perspektivën e arritjes së një fqinjësie të mirë dhe një të ardhme më të ndritshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published.