BARDHOSH GAÇE, NJË UDHËTAR I PALODHUR

Një autor si Bardhosh Gaçe, që në librin e dytë të arkitekturojë individualitetin e tij artistik, nuk është e lehtë, është meritë. Ky tharm, në përmasat e tij, në dukshmërinë dhe padukshmërin e tij, është i kudoshfaqur

Xhahid BUSHATI

Studiuesit e Letërsisë Shqipe për fëmijë e të rinj, si: BedriDedja, Agim Deva, Astrit Bishqemi, XhevatSyla, PrendBuzhala, Anton NikëBerishaj, Faik Shkodra, Ramazan Çadri, poeti Lirim Deda, etj., e në mënyrë të veçantë shkrimtari dhe studiuesi Odhise K. Grillo, – dikush më thellë, dikush më në sipërfaqe, dikush në mënyrë informative, dikush në formë paraqitëse, dikush në kuadër të recensionit, dikush në formë eseje, dikush në vështrim analitik, dikush me përparësi didaktike e pedagogjike, dikush në formë reflektive, dikush me një paraqitje të lirë, etj., i janë qasur herë pas here, në kohë, krijimtarisë poetike të Bardhosh Gaçes, – që siç thotë studiuesi Astrit Bishqemi: “… kemi të bëjmë me një poet që punon shumë me vargjet, që t’i skalisë sa më me mjeshtëri ato.” Studiuesit a kritikët letrarë i janë në dy rrafshe: a) në rrugëtimin poetik të autorit dhe b) në formimin e mëtejshëm i personalitetit krijues i parë në kontributet studimore, folklorike e shkencore (monografike) dhe në marrëdhënie me kohën si shenjë e rëndësishme, kjo e fundit, ekzistence, lavdie dhe jetese historike, mosharrese dhe kujtese.

Bardhosh Gaçe i takon formatit të krijuesve, që iu kushtuan e iu përkushtuan (e që vazhdon) me devocion dhe talent Letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj. Ky përkushtim dhe lëndës letrare që na është ofruar gjer tani, na krijon bindjen e një individualiteti të spikatur në fushën e kësaj letërsie. Poeti Bardhosh Gaçe, që në vëllimin e parë poetik “Dëshira e Anilës”, nisi të endë, kërkesën ndaj vetes, fillimisht me vijëzime të lehta për një individualitet artistik. Pas 10 vitesh botimi nga libri i parë, Gaçe vjen me librin e dytë “Vogëlushët e Tërbaçit”. Vërtet kemi të bëjmë me një hark kohor prej një dekade, por në krijimtarinë e autorit ky është libri i dytë; por tani ndodhemi përpara një dukurie që ia vlen të theksohet. (Kjo dukuri nuk është aq e shpeshtë në Letërsinë shqipe për fëmijë e të rinj). Poeti, si nga ana e problematikës, personazhet që lëvizin e jetojnë në poezi, ngjarjet që fiksohen, atmosfera, mjetet e shprehjes, ligjërimi, koha dhe përtej koha, etj., sikur i ka vënë vetes detyrë të përcaktojë qenësishëm individualitetin e tij poetik. Ka disa pyetje që autori nëpërmjet vargjeve të tij u jep përgjigje, si këto: “Besoj më njihni se nga vij. E kuptoni trevën time, historinë dhe lavdinë e saj. Besoj e kam pasqyruar realisht atmosferën që ka jetuar realisht ajo. I kam gdhendur gjer në rrudhë (detajin më të vogël) personazhet që janë protagonist të poezive të mia. Dashuria ime është hapësira poetike që u kam krijuar në vjershat e mia për t’u dhënë pavdekësinë dhe monumentalitetin… etj., etj.” Pra, poeti Bardhosh Gaçe “… mbi të gjitha përcakton një poetikë, e cila zgjidh një marrëdhënie të qartë me historinë dhe me realitetin e tanishëm.”

Një autor si Bardhosh Gaçe, që në librin e dytë të arkitekturojë individualitetin e tij artistik, nuk është e lehtë, është meritë. Ky tharm, në përmasat e tij, në dukshmërinë dhe padukshmërin e tij, është i kudoshfaqur. Po t’i hedhim një sy letërsisë sonë shqipe për fëmijë, gjejmë pak autorë që në vëllimet e para kanë shënjuar apo formuar kodin e individualitetit poetik, përkatësinë e përveçësinë. Kështu ka ndodhur me shkrimtarin BedriDedja, që në krijimet e tij të para, dhe këtu flasim për prozën, kemi një rrugëtim drejt letërsisë fantastiko-shkencore që erdhi duke e përmbushur dhe realizuar fisnikërisht. Kemi krijimtarinë e parë të poetit Odhise K. Grillo që u përkujdes për kontrastin dhe kundrapunktin poetik brenda godinës së çdo strofe, ashtu pati edhe një përkujdesje për ta hijeshuar çdo “godinë” me detaje të freskëta poetike. Kemi krijimtarinë e parë të poetit XhevatBeqaraj me lirizmin fatlum, me ngjyrat e komunikimit dhe detajet fëminore. Kemi krijimtarinë e parë të poetit TasimGjokutaj përmes fabulës interesante, të papriturave dhe mjedisit përrallor. Kemi krijimtarinë e parë të poetes Adelina R. Mamaqi me kodin e saj prej nëne e shkrimtareje. Kemi krijimtarinë e parë të poetit (fabulistit) FeritLamaj me fabulat, ku motivet ishin sa të traditës aq dhe të bashkëkohësisë, me aq gjetje të befasishme, dhe me aq kërshëri dhe misteriozitet në dialogun e personazheve, etj. Nuk ishte e vështirë t’i njihje këta krijues, më pas në librat e dytë, të tretë, të… Po ashtu, edhe krijimtarinë poetike, libër pas libri të poetit Bardhosh Gaçe. Duke u ndalur në krijimtarinë e tij, e në një theks që vura në fillim të shkrimit tim për poetin dhe studiuesin Odhise K. Grillo, mendoj që ndoshta është studiuesi më i mirë i poezisë dhe thelbit të saj në bashkëmarrëdhënie me autorin Gaçe. Ja se çfarë thotë: “Karakteristikë e vjershave për fëmijë të poetit Bardhosh Gaçe është: mbështetja në poezinë popullore si dhe në poezinë e traditës. Prej këtyre dy burimeve ai ka marrë gjërat më të mira dhe është munduar t’i shkrijë në vjershat e veta. Ndikimi – në kuptimin më të mirë të fjalës – i poezisë së naimit, Asdrenit e veçanërisht i Çajupit, por edhe i poezisë që është krijuar deri më sot, ndihet në shumicën e vjershave të tij. Ndikimi – edhe këtu në kuptimin më të mirë të fjalës – i gurrës popullore është edhe më i madh. Poeti, në të dy burimet, ka marrë frymën atdhetare dhe e ka ngjizur në krijimet e veta, duke përçuar te lexuesit e vegjël ide, mendime, ndjenja, emocione dhe tema me vlera edukative e estetike. Nga burimi i dytë ka marrë frymën e poezisë popullore dhe me të ka mbrujtur poezitë. Me zotësi, poeti zbulon gjetje të reja, ndërton figura të reja dhe krijon vargje origjinale. Karakteristika tjetër në poezinë për fëmijë të Bardhosh Gaçes është dhe prurja në sofrën e përbashkët të poezisë për fëmijë të asaj që ka më të mirë treva e Vlorës. Bashkë me të ndihet fuqishëm edhe prurja e Tërbaçit, e këtij fshati me emër jo vetëm në Labëri, por edhe më gjerë.”

Libri “Vogëlushët e Tërbaçit” (vjersha), nuk ka më shumë se 60 faqe e, me një kopertinë që ka si subjekt motivin e poezisë me të njëjtin titull si të librit. Pra, që në komunikimin e parë, përftojmë ndjesinë e një treve që autori e do dhe e njeh shumë mirë. Poezitë që lëvrohen në këtë libër, nga mënyra se si shtjellohen, si ligjërohen, ngjajnë si një ekspozitë me shumë tablo me plot ngjyra të ndezura, ngjajnë si rrëfime, ku çdo rrëfim ka shumë dëshmi. Ngjajnë, gjithashtu, si sekuenca filmi me subjekt historik. Ngjajnë, gjithashtu, si dokumente që fiksojnë një kohë dhe nuk e zverdhin atë. Ngjajnë, gjithashtu, si një Muze, ku flet një histori ekzistente dhe reale, me zërin e saj të vërtetë me plot motive të lavdishme lufte. Poeti Bardhosh Gaçe, me librat e botuar gjer tani, mbetet një ëndërrimtar në “Kopshtin e ëndrrave” dhe një udhëtar i palodhur që kërkon e zbulon motive të reja, dhe që i ngjan atij “Lumi që nuk fle gjumë”. 

Leave a Reply

Your email address will not be published.