BORA E ORHAN PAMUKUT

Është shumë e rëndësishme sesi autori gërsheton kompleksitetitn ndërmjet politikës, kulturës, fesë dhe lirisë individuale, gjë që tek lexuesi shfaqet një kuriozitet se deri ku arrijnë përputhjet apo goditjet mes njëra-tjetrës

Fitim NUHIU

I publikuar në vitin 2002, romani BORA i Orhan Pamukut është një vepër letrare tepër interesante, ku në qendër të saj ka historinë e personazhit Ka, një poeti turk që jeton në Gjermani dhe që kthehet në Turqi, konkretisht në një qytet në cep të Turqisë – Kars, qytet i izoluar nga “bora”. Ky personazh shkon në rolin e gazetarit hulumtues, për të hetuar disa vetëvrasje të mistershme të vajzave myslimane që i ndalohet të mbajnë shamitë e tyre. Gjithashtu në mes të romanit shtrihet edhe një histori dashurie në mes personazheve: Ka-s dhe Ipek-ut. Roli i Ka-së është kyç. Njerëzit e Karsit atë e shohin me dyshim, si properëndimor, ateist dhe mërgimtar. Autoritetin e Ka-së e shfrytëzojnë njerëz të ndryshëm ideologjikisht (edhe pse vetë Ka nuk dëshironte). Është shumë e rëndësishme sesi autori gërsheton kompleksitetitn ndërmjet politikës, kulturës, fesë dhe lirisë individuale, gjë që tek lexuesi shfaqet një kuriozitet se deri ku arrijnë përputhjet apo goditjet mes njëra-tjetrës.

Vetë titulli është metaforë e bukur, bora e bardhë që mbulon gjithçka, madje edhe paturpësitë, mirëpo edhe ndihmon autorin që të ndalojë të prekë secilën ngjarje me nge, sepse ka borë gjithandej dhe lëvizja është e kufizuar, shumë e kufizuar dhe duhet të përshkruajë në detaje se s’bën.

Kars është një qytet i largët kufitar, në kufirin lindor të Turqisë me Armeninë. Historia e turbulluar e Turqisë e gjen Karsin nën sundimin osman, por gjithashtu të pushtuar për disa dekada nga Rusia perandorake dhe madje edhe nga britanikët. E tërë ngjarja që zhvillohet në këtë roman 476 faqesh, nuk zgjat më shumë se 3-4 ditë, mirëpo përshkruhen të gjitha hollësitë në detaje. Gjatë përshkrimit të ngjarjeve autori jep paksa dritë për të ardhmen që ngacmon lexuesin, ndikon që të mbajë kureshtjen deri sa të arrin te ajo e “ardhme”.

Orhan Pamuku përmes këtij romani përshkruan shumë realitete që gëlojnë tek populli turk: krizën e fjalës së lirë dhe ideve, “lirinë” e teatrit ku thotë mes rreshtash se arti është në rrezik, prezanton botën e dijes islame dhe na njofton me dijetarë islam, krahason Frankfurtin me Stambollin dhe Stambollin me Karsin, gjë që tregon se sa mbrapa botës perëndimore është Turqia, tregon jetën moderne që është e ndërtuar mbi vrasje e padrejtësi (fq. 223), përshkruan masakrat armene, përshkruan inspirimin për të shkruar poezi në mënyrë shumë të detajuar, gazetarin e njohur (Ka) e çmon tejmase, sepse ka njëfarë peshe, gjersa gazetarët lokal i përçmon, duke rënë viktima dhe servil të grupeve të ndryshme, bën përshkrim të sistemeve të ndryshme në përgjithësi, përshkruan jetën bashkëshortore në detaje, si edhe përshkruan duke i detajizuar mediat e shkruara dhe ato vizive sesi i kanë politikat e tyre redaktuese, tregon nivelin e emigrantëve turq ne Evropë, sidomos në Gjermani, që ishin pastrues rrugësh, përdor emrat e shkrimtarëve, si Shekspirin, Pushkinin, S. Ruzhdin, etj, për të ndërlidhur ngjarjet e tij. Jetën ideale e sheh në Perëndim, e jo në Turqi, e përdor shpesh stilin e ndërhyrjes autoriale, gjë që del nga fiksioni në realitet, bën aso përshkrimi sa që kur përshkruan ndarjen e dy dashnorëve, të bën ta ndjesh në lëkurën tënde, madje edhe të qash (fq. 409), ndriçon shumë koncepte, në kuptimin filozofik të tyre, shfaq një moment ku ulë autoritetin e Ka-së (evropianit) përballë Shehut (provincialit), thotë që Revolucioni ngjau që t’iu jepen të drejtat gruas (fq. 443), përshkruan gjithashtu se islami është futur në kokë te intelektualët (laikët, ateistët turq) vetëm përmes filmit “Thirrja-Mesazhi”, që e kanë bërë të huajt (perëndimorët). Thotë: “Bora më kujton Zotin”, mirëpo më vonë edhe thotë se bora shkrihet, gjë që minimizon shenjtërinë e Zotit, kurse sistemi islam i qeverisjes paraqitet si sistem diktatorial (fq. 36).

Leave a Reply

Your email address will not be published.