Një problem gjithsesi ekziston: problemi është se na kanë mësuar që të sillemi si polic me gjuhën. Ta gjykojmë komunikimin e jo ta lexojmë e t’i kuptojmë zgjedhjet
Ledi Shamku SHKRELI
Një faqe interesante online, të cilën unë e ndjek me kërshërinë e sociolinguistes pasi boton fakte gjuhësore reale dhe shumëngjyrëshe – pikërisht ato që i duhen punës sonë – ka nxjerrë këtë foto duke pyetur (me të drejtë) në është shkruar gabim. Si do i përgjigjej Sociolinguistika kësaj situate sociolinguistike? Po provoj t’i jap një përgjigje.
E para le ta ftillojmë si fjali: MOÇIT BORTHOK KTU është MO’ ÇIT BORTHOK KTU ~~ MOS QIT BËRLLOK KTU — MOS HIDH MBETURINA KËTU.
Si e ftilluam, vlen të sqarojmë domenin, pra vendin ku është shkruar dhe nga kush.
Fjalia porositëse është shkruar në avllinë e jashtme (murin rrethues) të një prone private, pra me siguri nga i zoti, i cili ka gjasë të jetë bezdisur nga shndërrimi i kufirit të pronës së tij në “pikë grumbullimi” mbeturinash (bërllog / borthok) nga banorët e mikrokomunitetit të atyshëm, thënë më saktë nga fqinjët e tij e të ngjashmit me të. Sqaruam pra se domeni (vendi) nuk është publik por privat e komunitar, madje mikrokomunitar. Dhe domeni përcakton edhe ”marrësit” pra kujt u drejtohet fjalia-porosi. U drejtohet fqinjëve, me të cilët ai paramendohet të ketë marrëdhënie miqësore a së paku informale, ndaj edhe kjo situatë (veç domenit jo publik) përcakton po ashtu llojin e ligjërimit.
Unë nuk kam si ta dij a din ta shkruajë shqipen standarde shkruesi i kësaj porosie, por dij dhe pohoj se po ta kishte shkruar, pra po te kishte shkruar “Mos hidhni mbeturina këtu”, shkruesi do të kishte gabuar. Mesazhi i tij në kod zyrtar (pra publik e formal), shkruar në një domen privat e mikrokomunitar, drejtuar fqinjëve me të cilët ka marrëdhënie informale e miqesore (pra presupozohet se me ta përdor komunikim informal e miqësor), do të qe zgjedhje gjuhësore e gabuar. Mesazhi i shkruar në kod formal pritet të shkruhet nga shteti si VËREJTJE BASHKIE e jo si LUTJE DASHAMIRË E NJËRIT NGA BANORËT. (Lutje të tilla gjejmë plot të shkruara me penel a spray: Mos parko!!! Leje venin lirë!!! etj etj).
Ndaj nëse ky shkrues lutjen e tij për komshinjtë do ta kish shkruar në kodin standard, kjo zgjedhje regjistri do të kish ngjallur menjëherë tëhuajzimin e tij prej mikrokomunitetit, e për rrjedhojë ky tëhuajzim do kish çuar në cënimin e mirëkuptimit e të bashkëpunimit. Po ta kishte shkruar në standard, ai do kish thyer edhe atë që Hymes quan “Replikë e Kompromisit”, e cila rri në bazë të kuptimit e mirëkuptimit komunitar përmes gjuhës. Pra di apo nuk di të shkruajë në standard, ai ka bërë mirë që nuk e ka shkruar në standard. Sociolinguistika i jep të drejtë.
Sqaruar kjo, një problem gjithsesi ekziston: problemi është se na kanë mësuar që të sillemi si polic me gjuhën. Ta gjykojmë komunikimin e jo ta lexojmë e t’i kuptojmë zgjedhjet. Ta paragjykojmë e madje ta tallim shkruesin, e jo ta studiojmë e ta kuptojmë zgjedhjen e tij.
Kjo pasi te ne edukimi demokratik me zgjedhjet gjuhësore ende nuk shtrohet si çështje. Kjo analizë imja do t’i kushtohet pikërisht edukimit demokratik, i cili edukon arsyen e jo dogmën. Demokracia para së gjithash është gjuhë, ushtrohet a vritet përmes gjuhës. Ndaj për dashni të demokracisë dhe pasionit për ta mbjellë atë, ju lus të më ndjeni nëse shkrova gjatë.
(Foto nga Gjuha Shqipe – diskutime)