DISKURSI SIMBOLIK NË TRAJTA REALE DHE SUREALE

(Xhevdet Bajraj “Copa ime e Qiellit”, poezi, botoi “Koha”, Prishtinë, 2015)

Kemajl ALIU

Poet me bursën e Parlamentit Ndërkombëtar të Shkrimtarëve dhe i deportuar nën tytat e automatikut me dhunë nga atdheu, të cilin e deshi aq shumë, në një situatë lirie, do të provojë rikthimin në Kosovë me qëllim të të jetuarit, por fati i emigrantit, si një mallkim shekujsh, do të mbetet i pashmangshëm për te deri në frymën e mbramë të tij.

Midis mërgimit në MexikoCity, si fat i pashmangshëm i të jetuarit latent, si dhe krijimit poetik si dashuri permanente, sado që në shikim të parë duket se ka një koekzistencë nocionesh, konceptualisht të dyja këto konvertohen në njësi divergjente; Vendimi i të frymuarit në MexikoCity, për poetin do të ketë qenë i përmasave dramatike. Fatit të shurdhër poeti, në pamundësi tjetër, do t’ia nënshtrojë jetën e tij fizike, ndërsa vetëm  nëpërmjet flatrave të poezisë së tij do të arrijë, të krijojë një azil tjetër, atë të poezisë, i cili qëndron përtej çdo gjeografie tokësore të rrokshme. Azili poetik qëndron më lart se çdo lloj azili tjetër i dytë, mbase poeti atë e ka pushtuar vetëm përmes shtigjeve të shpirtit të tij. Prandaj adresa e të jetuarit të tij, falë kësaj poezie, është lehtë e identifikueshme dhe plotësisht e besueshme, është Copa e Qiellit, ku poeti jeton… e që në fakt është, Kosova, Rahoveci, ku ai do të endet nëpër Stinën e Luleve të vdekura, Hapësirës së Parajsës së Humbur, duke e kërkuar Njeriun e lirë pas të cilit është dhënë me tërë qenien e tij, prandaj; “Nëse lumenjtë rrjedhin pa emra njerëzish / i lini të qetë/ harresa ka arsyen e vet/…  Gjegjësisht; ” Nëse në këngën time/ hasni një njeri /… / në ditë me diell / e lini të qetë/ ai u lind i lirë/. Shi për këtë “Në këngën time” fq.9.

Kjo poezi do të mund të merret si prolog i tërë këtij vëllimi poetik, është si një testament poetik, që shpërfaqë gjithë besimin deri në përmasat hyjnore, në kërkimin, apo krijimin e “Njeriut të lire”, i cili mbase mund të shfaqet vetëm në kozmosin e poezisë.

Libri poetik, “Copa ime e Qiellit” ka gjithsej 200 faqe, është i shkruar në gjuhën shqipe dhe Spanjisht, dhe është i përmbledhur në pesë cikle: 1.”E bukur dhe e marrë”, 2. “Mollë e bardhë”, 3. “Në vitrinën e mortit” , 4. “Sheshi i lirisë”, dhe  5. “(ThE) ROCK AND ROLL WALTZ-        

Poeti Xh. Bajraj, i cili përherë të parë në letrat shqipe  u paraqit me përmbledhjen poetike  “Nënë prej Guri” (Botim i “Rilindjes 1988) , për 30 vite rresht në të vërtetë arriti të krijoj suksesshëm poezinë e tij e cila shquhet për nga guximi krijues, vargu i lirë, deklitishizmi, figuracioni i dendur, simbolizmi i theksuar perceptimi i ri, shumësia tematike, çka e tërë kjo ka rezultuar me kultivimin e mjeteve të reja shprehëse gjuhësore e stilistike, që e bëjnë poetin individualitet të veçantë krijues në  poezinë shqipe.

Ajo çka vlen të theksohet është se poezia e tij, shquhet edhe për tematikën mjaft aktuale të cilën e dominojnë motivet e vetmisë, pëshpërimat e trishta të natës,  qetësia e viseve të vetmuara, dimri që përshkohet nga një pikëllim i pashpjegueshëm, ku;“Era e zezë i ndjekë yjet”, (shi për këtë poezinë “Pasdite e shëmtuar”, fq.26). Është në natyrën e saj që lirika e simbolizmit të ketë për trajtim  njeriun e pazakonshëm dhe të veçuar i cili në botën e sendeve dhe hapësirën e dhënë lëvizë kryesisht vetë duke dialoguar mbase me të vetmen mikeshë të vetmisë njerëzore – poezinë.

Zhgënjimi i poetit me njeriun është  i thellë tmerrësisht, prandaj nga kjo përmbytje zhytëse ai sikur mundohet të dal mbi sipërfaqe. Të dal mbi sipërfaqe me çka tjetër përveç se me vargun e tij të rebeluar, sarkastik dhe plot dramacitet. Kanë ndodhur gjëra vërtetë tragjike…/kur erdhi herën e dytë/…/njerëzit ia prenë krahët/ që atëherë engjëlli s’guxon të flejë/ ka frikë mos e ëndërron njeriun/. Shi për këtë; “Ëndrrat e engjëllit” fq. 34.

Me këtë raport perceptues artistik poeti arrin në përmasat e një meditimi abstrakt i cili reflektohet i konkretizuar krahasimisht midis dy subjekteve; engjëllit dhe njeriut. Për dallim nga engjëlli i cili ngelë përgjithnjë i pagjumë, njeriu vazhdon të ëndërrojë…  por kjo nuk do ta lumturojë aspak atë sepse pikërisht ndoshta dashuria për njeriun e lirë, e bënë që ai ëndrrën ta përjetoj si zhgjëndërr, me një fjalë realitetit të dhimbjes ai nuk mund t’i shmanget për asnjë çast sepse në zanafillën e tij të dashurisë e ka dhimbjen për tjetrin… për Njeriun që e ëndërron…për njeriun e lirë. /mbrëmë kur hijet ktheheshin në shtëpitë e tyre / …/ flutura e vdekjes më puthi në ballë /…/ti u zgjove më ngrohe me trup më puthe / …/ ëndrra ime zhgjëndërr e kujt ishte/. Shi për këtë “Ëndërr zhgjëndërr” fq. 39.

Është krejt e dukshme, se poeti me një mjeshtëri të rrallë ka arritur ta transmetoj lëvizjen e subjektit nëpër situata pasigurie, ankthi dhe lemerie të cilën gjendje e unifikon në ligjërimin e trajtës së dramacitetit, gjendje kjo ku edhe pse dyzohen të kundërtat; ëndrra dhe zhgjëndrra, dashuria dhe dhimbja, si dhe vetvetja dhe tjetri, në fund patjetër do të ndodhë kulmi i dramës: ëndrra dhe zhgjëndrra, edhe njëra edhe tjetra, janë plotësisht reale. Janë realitet nga i cili buron vetëm Dhimbja. Është kjo mjeshtri e rrallë e kombinimit të reales dhe sureales, që dëshmon fuqishëm origjinalietin krijues dhe të rrallë artistik të poetit Xh. Bajra.

Ai gjithashtu, ka arritur suksesshëm që me motivimin tematik të mallit të bëjë strukturim të fuqishëm kuptimor i cili me trajtësimin e tij në simbol, arrin përmasa të gjëra kuptimore edhe pse me një gjuhë shprehëse emocionale krejt të natyrshme, për të mos thënë fare të ftohtë. Madje ajo çka duhet të theksohet,është se në këtë situatë artistike poeti ka arritur të racionalizoj bindshëm përparësinë e poezisë simbolike, karshi asaj tradicionale, sepse në një motiv aq konkret dhe të trajtuar aq gjatë, vërtetë shprehja artistike arrin të bëhet kulmore, falë kryesisht  natyrës simbolike të poezisë. /diku në dhe të huaj / fusha e kujtimeve çel lule me fytyra njerëzish/ Shi për këtë; “Maja e vetmisë” fq. 46.

Me këtë rast mund të konstatojmë pa hezitim se poeti ka arritur të transmetoj bindshëm faktin, se poezia e tij si poezi simbolike në radhë të parë karakterizohet me fuqizimin e poeticitetit të brendshëm duke sakrifikuar, gjegjësisht aneksuar poeticitetin formal në masë evidente, sepse esencialisht dhe kuptimisht do ta varfëronte dukshëm poezinë e tij, në raporte intervepruese të konsistencës formale karshi asaj përmbajtjesore.

Prandaj, kujtoj, se pikërisht  natyrës krijuese të këtyre vargjeve iu shkon bindshëm parafrazimi i V. Hygoit, i cili për poezinë simbolike në një rast shkruante se, është; “Ligjërata në ligjëratë”.

Të natyrës së ngjashme gjithashtu vazhdojnë të jenë më tej, poezitë “Grim i vdekjes” fq, 48. Apo “Kohë e ndalur” fq.49, etj.

Ndërkaq cikli poezive “ Në Vitrinë morti” i dedikohet, tmerrit të luftës së fundit, tragjedisë sonë, ku poezitë shquhen për nga mëvetësia motivore, të cilat edhe pse të ndërlidhura aq natyrshëm mes vete, secila ka në vete dramacitetin e saj, por që mendoj se unifikimi i tyre, si një model në tërësinë e njësive është rezultat i spontanitetit ligjërimor poetik të poetit Xh. Bajraj, që është karakteristikë esenciale e gjuhës së tij krijuese.

Konsideroj se edhe pse pretendimi i poetit ka qenë kryesisht të poetizoj brenda strukturës së poezisë, ky cikël për nga tërësia rrokë përmasat e dramës si gjini letrare, çka e bënë edhe më të veçantë poezinë e tij, duke e shquar edhe më,  individualitetin e tij origjinal artistik. / kjo poezi s’është e imja/ këto vargje i kanë shkruar ushtarët e armikut / e imja është veç dhimbja/ Shi përkëtë “Odë ushtarëve të armikut” fq.65. Apo poezia “Ftohtë”, fq. 83, ku poeti thotë; “/bën kaq ftohtë /brenda  zemrës së njeriut /.

Ndërsa në poezinë “Dikur dhe tani” , fq. 171, kuptojmë se gjithë jeta e poetit Xh. Bajraj, qe vetëm një bredhje, Kosovë, mërgim, prapë kthim në Kosovë dhe përsëri, mërgimi në MexicoCity, që dëshmojnë se lumturia për te ndoshta ishte vetëm ai kërkimi i njeriut të tij të ëndërruar, që në fakt unë nuk arrita ta gjej dot, as në leximin këmbëngulës që i bëra librit të tij. “/Derisa shkruaja poezi për ditët që kurrë nuk erdhën /. Apo më tej ku thotë ; “ në një gjuhë tjetër shkruaj vargje për ditët që kurrë nuk do të kthehen/ në një gjuhë tjetër e kërkoj bukën në shitore/…/ tani/ dhemb jeta /. Shi për këtë, po aty , fq. 171.

Marrë në përgjithësi mund të thuhet lirisht se poezia e poetit Xh.Bajraj, në tërësinë e saj shpërfaqet si poezi e sensiblitetit specifik, e cila brenda për brenda me variatetet e saj  arrin të funksionojë në një harmoni të natyralizuar simbolike dhe gjuhësore ku realja dhe surealja marrin trajta të veçanta kuptimore estetike

Siç e filluam këtë shkrim, me poezinë për kërkimin e njeriut të lirë, duke bredhur librit “Copa ime e qiellit”, mund të përfundojmë se poeti kurrë nuk e përjetoi lirinë, në kuptimin e lirisë së ëndërruar dhe të kërkuar. U dha me tërë qenien pas saj, brodhi shumë në kërkimin e saj, sikur pas ndonjë “Utopie”. Ishte dhe mbeti poet i Parajsës së Humbur, të cilën nuk arriti ta gjejë kurrë, mbase Trëndafili gjithmonë do të ngelë me gjemba dhe njeriu nuk do të gëzohet dot. Çastet e tmerrit nuk  ndodhin vetëm në ëndërr… Pasi që në fakt ajo është zhgjëndërr…

Nisur nga ky parafrazim i poetit, ndoshta njeriu i këngës së tij, nuk ishte ëndërr… nuk ishte as personifikim… por ishte vet ai…, që as ai e as ne nuk arritëm ta shihnim të lirë… kushedi…, apo një pretendim tjetër me synim për të qenë më i saktë. Liria, ëndrra për Lirinë, njeriu që do të Lindet i Lirë, është dhe mbetet një kërkim për racën e poetëve në vazhdimësi…

Përndryshe ky shkrim do të mund të përmbyllej fare natyrshëm me poezinë  “Kati i shtatë” të librit poetik “Copa ime e qiellit” si një lloj epilogu, për njeriun e këngës, apo për vet fatin e poetit, ku ai thotë: “/ Në katin e gjashtë shoh /një zog brenda kafazit/ që kishte vdekur buzë këngës së vet/.

Leave a Reply

Your email address will not be published.