DISTANCA MES LEXUESIT DHE LETRËSISË QË SHKRUHET SOT

Një pjesë autorësh kanë tendencën për të futur sa më shumë material bruto nga jeta e zakonshme brenda veprës,pa e stisur dhe përzgjedhur atë,sepse jo gjithçka që dëgjon nëpër tryeza bisedash ose vaki paraqet interes artistik

Agim BAJRAMI

A e ka kapërcyer letërsia shqiptare distancën lexues – autor. Kjo është një pyetje që bëhet shpesh herë në diskutimet tona letrare,por që shpreh në vetvete një shqetësim të drejtë. Me përjashtime të pakta, letërsia jonë në prozë (ndonëse pse më pak se poezia) ende vuan nga kjo e keqe e pashërueshme,që meriton ndalesa të gjata,edhe përkundër faktit që tek ne është shkruar dhe vazhdon të shkruhen shumë libra dhe petkun e shkrimtarit e kanë hedhur mbi trup shumë individë, edhe përkundër promovimeve të zhurmshme dhe pompoze, me pjesëmarrje kritikësh dhe studiuesish të njohur dhe me tituj. Duke anashkaluar krijimet e fillestarëve të moshuar, të cilët duan ta mbyllin jetën e tyre me nga një shportë librash dhe janë të vetëdijshëm për vlerat e tyre të kufizuara,fjala është për atë grup shkrimtarësh që me veprat e tyre të para zgjuan jo pak interesin e kritikës dhe lexuesit pretencioz, por që në vazhdimësi nuk arritën të përmbushin pritshmëritë e tyre. Ka disa shkaqe për këtë gjë,dhe një nga ata më evidentët është fakti që një pjesë e tyre, nuk mundën ta gjenin dot veten në një kohë dhe botëkuptim krejt të ndryshëm nga i pari, duke vijuar të shkruanin ende sipas skemave të njohura të soc -realizmit,me heronj të glorifikuar dhe pa asnjë cen në jetë,gjithnjë përballë kundërshtarëve antipatikë,ngarkuar me të gjitha të këqijat e mundshme. Shumica e këtyre krijimeve karakterizohen nga skematizmi dhe paaftësia tipizuese individuale. Mungesa e këtij orientimi në kohë dhe hapësirë bëri që ata të qëndronin larg problemeve dhe temave të nxehta të kohës,ose në rastin më të mirë, t’iu kalonin tangent këtyre problematikave. Qasja ndaj këtij realiteti nuk mund të realizohej me modele dhe mjete tëvjetruar,as me një kulturë shkrimore që lë për të dëshiruar. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për grupin e të ashtuquajturve shkrimtarë të tranzicionit,një grupim që erdhi gjithë bujë në skenën letrare, me teoritë e mohimit të gjithçkaje që ish arritur gjer atëherë dhe tentuan të operonin me elementë te huazuar të romanit hermetik ose të antiromanit të huaj. Mungesa e kohezionit dhe gjetjes së formave sa më tërheqëse letrare, janë disa nga faktorët e këtij dështimi të pritshëm. Një vepër që harron shqetësimet dhe gjuhën e lexuesit të saj, vdes përpara se të lindë. Krejt ndryshe prej tyre, u paraqitën me krijimet e tyre autorë të talentuar dhe me përvojë, si Fatos Kongoli, Zija Çela, Besnik Mustafaj, Agron Tufa,Ylljet Aliçkaj, Ridvan Dibra, Bashkim Hoxha dhe Visar Zhiti, që me krijimet dhe kohezionin e tyre social, arritën të evidentoheshin dhe krijonin profile të veçanta dhe individuale,duke krijuar në vazhdimësi vepra të gjalla metaforike dhe kaq të prekshme të jetës shqiptare. Si krijues me intuitë të fortë dhe ndjeshmëri sociale, ata prishën rregullat formale mbi te cilët ishin shkruar deri atëherë,duke promovuar kësisoj edhe koncepte dhe ideale të rinj estetikë. E them me plot gojën që veprat e tyre vizatuan me sukses rrethet vicioze në të cilat vërtitej njeriu shqiptar në rrethana dhe kontekste historike të ndryshme,nga diktatura dhe absurdi i stërzgjatur i tranzicionit shqiptar. Në veprat e tyre kryesisht me karakter psikologjik, këta autorëia kanë dalë më së miri të japin artistikisht zhgënjimet dhe dilemat e këtij njeriu përballë vështirësive dheluftën dhe përpjekjet e tij të pakompromis për të mbetur vetvetja. Romane të tillë si “Gjaku i dallëndyshes”, “Lavjerrësi i qytetit”, “Për dashurinëshkruhet pas vdekjes”, “Asnjëherë të martën”, “Duartrokitësit”, “Parullat”, “Daullja prej letre”, ”Fajtori”, “Gurit të varrit ia rrëfej” etj. sollën tablo interesante dhe modele të gjalla shkrimore. Jo më kot një nga romanet e Zija Çelës, prof Ali Aliu do ta karakterizonte si një“medaljon narrativ dhe refleksiv të përsosur”. Vepra të tilla ashtu siç i shtrojnë pyetjet rreth këtyre problematikave dinë po ashtu t’iu japin dhe përgjigje. Fakti që veprat e tyre janë shumë të kërkuara dhe kanë njohur disa ribotime është sinjifikativ. Nëse në grupin e këtyre shkrimtarëve vijat grafike që vizatojnë karakteret. arrijnë të shkrihen dhe të bëhen një me planet kohorë, te autorët që përmendëm më sipër, kjo gjë nuk ndodhi. Kohët e fundit kam pasur mundësi të lexoj disa nga librat e tyre dhe kam mbetur i zhgënjyer. Në shumicën e tyre, për fat të keq, mungon drama individuale dhe shoqërore ose edhe nëse ka,ajo është paraqitur zbehtë. Paaftësia për të prekur thellësinë dhe thelbësoren e fenomenit,mungesa e simbolikës, natyralizmi dhembylljet e sajuara, vazhdojnë të mbeten për ta thembra e Akilit. Parë në këtë këndvështrim vepra të tilla janë të pafuqishme që të përcjellin koncepte dhe mesazhebashkëkohësie tek lexuesit, nuk të tërheqin dhe emocionojnë,duke të detyruar t’i mbyllësh ato pa arritur të lexosh as 20 faqet e para.

Paqartësia gjatë shtjellimit dhe proliksiteti janë të lodhshme për çdo lexues pa e lënë atë të përjetojë ngjarjet dhe ta ndjej nën lëkurë personazhin. Në këto krijime raporti i individit me kohën lë për të dëshiruar. Shto këtu mungesën e narracionit të zhdërvjelltë dhe të materialit të zgjedhur jetësor. Një pjesë autorësh kanë tendencën për të futur sa më shumë material bruto nga jeta e zakonshme brenda veprës,pa e stisur dhe përzgjedhur atë,sepse jo gjithçka që dëgjon nëpër tryeza bisedash ose vaki paraqet interes artistik. Të tjerë e humbasin fillin rrëfimtar të krijimit duke u harruar mbas vogëlsirash banale dhe të panevojshme. Duke dashur te tipizojë një nga personazhet e tij pianist, në vend të merret me linjat dhe detajet karakterizuese,autori “në të kundërt nxin” plot tridhjetë faqe të romanit me historikun e veglës që i bie ai, thua se qëllimi parësor i tij nuk qenka pianisti, por pianoja. Të tjerë harrojnë se janë duke shkruar një vepër artistike dhe e mbushin atë vend e pa vendme materiale bruto të marrë nga kronikat e gazetave,gjoja për t’i mbetur besnik faktit historik. Te gjorët krijues,harrojnë se letërsia artistike ngrihet dhe shkruhet mbi rregulla dhe kritere specifike,se letërsia e vërtetë me publicistikën e rëndomtë gazetareske, ndahen nga njëra tjetra me vite drite.Është afërmendsh se autorë të tillë përveç pasionit, kanë defiçenca të theksuara profesionale. Mungesa e kritikës dhe redaktorëve përkatës e thellon edhe më shumë këtë defiçencë. Ndaj, nuk është çudi që librat e tyre të priten me këmbët e para nga lexuesit dhe librarët dhe jo më kot nëpër qarqet letrare të qarkullojë prej kohesh një anekdotë për dikë,që deshi t’i dhuronte dikujt një libër dhe ky i alarmuar t’i drejtohet me fjalët: -çfarë të kam bërë që më dënoni kaq rëndë. Për të qeshur dhe për të qarë,por kjo anekdotë i tregon të gjitha.

Leave a Reply

Your email address will not be published.