E DASHUR, E KËRKUAR, E PËLQYESHME, E ÇMUAR…

VISBY 196807 Författaren Astrid Lindgren, t.v. instruerar skådespelaren Inger Nilsson i rollen som Pippi vid filminspelningen av Pippi Långstrump utanför huset Villa Villekulla utanför Visby på Gotland. Foto: Weine Lexius / XP / SCANPIX / Kod: 32 ** AFTONBLADET OUT **

Shfaqja e një Pipi si personazh ndryshe përmes aventurës krijoi një figurë dhe univers të ri të panjohur të botës fëminore që nuk ishte dukur më parë

Xhahid BUSHATI

Shkrimtarja e shquar suedeze Astrid Lindgren na dhuroi një personazh si Pipi Çorapegjata, që u bë i dashur dhe “pronë” e shumë fëmijëve të rruzullit tokësor. 

A ishte shkrimtarja që i dha famën Pipit, a ishte Pipi që i dha famën shkrimtares? Një pyetjeje të tillë, asnjëherë nuk mund t’i jepet një përgjigje e saktë. Por disa të vërteta që i marrim vesh gjatë optikës së leximeve, është e udhës t’i pohojmë, si: talenti dhe magjia Lindgren, përkushtimi dhe njohja në thellësi e botës së fëmijëve, dashuria deri në dhembje për shpirtin e tyre, shpirt të cilin e mbron, e shpirtëzon, e respekton, i jep hapësirë, fluturim ëndrre, kulturologji dhe liri (në kuptimin e meritueshëm të këtyre fjalëve), etj.

Astrid Lindgren dhe Pipi Çorapegjata u bënë të lexueshëm e të admirueshëm për fëmijët. Përjetësisht zunë vend në bibliotekat e tyre, si gurë të çmueshëm. Për t’u mos u plakur!

Shfaqja e një Pipi si personazh ndryshe përmes aventurës krijoi një figurë dhe univers të ri të panjohur të botës fëminore që nuk ishte dukur më parë dhe të çuditshëm, debatues dhe mosbesues, skeptikë, etj., në përballje me studimet që ende jetonin të formatuara e të ngurta nga disa studiues të kësaj letërsie. Autorja krijoi një personazh, veç të tjerave, u bë edhe model imitimi në jetën e përditshme nga bashkëmoshatarë të Pipit, por që kapërceu edhe shekullin e saj.

Në këtë libër ne njihemi me një vajzë të çuditshme, gati me pamje kllouni, qukse, me bishtaleca si shtupa, me gojë të madhe që vazhdimisht zgërdhihet vesh më vesh, me këpucë të mëdha dhe me çorape të gjata, njërin të zi e tjetrin bojë kafe. Po kaq të çuditshme janë edhe sjelljet e saj. Ajo vazhdimisht fantazon për njerëz e popuj të jashtëzakonshëm. Sipas rrëfimeve të saj njerëzit në Egjipt ecin mbrapsht,, në Indokinë vetëm me duar, kurse në Kongon Belge nuk gjen një banor të vetëm të thotë të vërtetën. Kjo vajzë është vetëm nëntë vjeç, por ka një forcë të jashtëzakonshme, ndeshet me policët, mund vjedhësit, del më e fortë dhe më e shkathët se mjeshtrit e sprovuar të cirkut. Edhe emri i kësaj vogëlusheje është po kaq i pazakontë e  qesharak, e quajnë Pipi Çorapegjata (në gjuhën suedeze emri Pipi ka kuptimin e marrëzisë apo të çmendurisë).

Pasi mëson për suksesin e kësaj shkrimtareje, menjëherë të lind pyetja: Çfarë ka ditur Astrid Lindgreni të zbulojë në botën e fëmijëve, ç’gjë të veçantë fshehin rrëfimet e saj? Te Pipi çdo fëmijë gjen diçka nga vetja, nga dëshirat dhe ëndrrat që i gjallojnë thellë. Pipi nuk është ana e dukshme e fëmijëve, por fantazia e tyre. A nuk janë fëmijët që mendojnë se pas çdo kaçube apo gardhi fshihet diçka që vërtet mund t’ia vlejë? Kështu Pipi bëhet zhbiruese, eksploratore që ndërmerr ekspedita të mëdha në një hapësirë tepër të vogël. Çdo fëmijë dëshiron të jetë i guximshëm, sypatrembur, i jashtëzakonshëm, dhe Çorapegjata është e tillë, ajo vë në lojë policët e ndeshet me ta, kap hajdutët e rrezikshëm, i tall, i flak majë dollapit dhe, si shpërblim për argëtimin që i dhuruan, u fal nga një monedhë ari. Çdo fëmijë i ka zili mjeshtrit e cirkut, po quksja e vogël ua kalon atyre pa ndonjë mundim të madh. Në vend që të jetojë një spektatore e urtë, ajo korr duartrokitjet e publikut. Atë askush nuk e detyron të shkojë në shtrat kur vjen ora e gjumit, punë kjo e prindërve, që çdo fëmijë ia sjell në majë të hundës. Ajo është vetë kuzhiniere, gatuan ç’të dojë, si t’i mbushet mendja dhe ha pa orar. Në faqet e këtij libri ne shohim një botë ku të rriturit ose nuk ndërhyjnë ose nuk duken fare, një botë ku shumë mirë mund të jetohet pa tutelën e tyre.

Veç Pipit në hapësirat e librit njihemi edhe me dy fëmijë të tjerë, me Tomin e Anikën. Atyre u pëlqen aventura, por janë më se të zakonshëm, u binden prindërve dhe rregullave që ka vënë shoqëria. Kështu lexuesi kurrsesi nuk e identifikon veten me çamarroken Pipi, me gjithë gëzimin që u sjell ky personazh.

Në vetvete fëmijët kurrsesi nuk mund të jenë Pipi, Pipi është ajo që ata dëshirojnë të jenë. Pamjen e saj të jashtme asnjë fëmijë nuk do ta pëlqente për veten e vet. Të vegjlit i mrekullon forca e shoqes së tyre, sepse ky është një mjet që të siguron pavarësinë, por është i pamundur, se një fëmijë nuk mund të jetë kurrë më i fortë se një i rritur. Po kështu Pipi Çorapegjata ka një valixhe të madhe plot me monedha ari, ajo blen gjithçka dhe sa të dojë, gjë që ngelet në kufirin e ëndrrës.

Pipi të zbavit me pikëpyetjet që u vë rregullave të të rriturve, të cilat sikur janë krijuar enkas për të kufizuar lirinë e fëmijëve. Ajo bën ato që do t’i pëlqenin çdo fëmije, kacavaret nëpër pemë, lëpin kremin e pastave, ha shumë ëmbëlsira dhe trillon me një fantazi që është për t’u pasur zili. Tomi dhe Anika krijojnë një raport të drejtë me figurën e saj. Ata nuk kanë se si të jenë si ajo, por, brenda së zakonshmes së tyre i pëlqejnë e i duartrokasin aventurat. Pipi është dëshira e çdo fëmije, por kurrsesi realiteti. Ajo i bën fërtele moralizimet, nuk do t’ia dijë për to. Kurse dy fëmijët e tjerë as që guxojnë ta çojnë nëpër mend këtë gjë.

Në fund të librit të tretë Pipi vendos të mos rritet, dhe kjo është bindëse se ajo është krijuar si një ëndërr nga fantazia e një fëmije dhe dëshiron të ngelet gjithmonë e tillë, një çupëlinë çamarroke dhe e jashtëzakonshme.

Ku është merita e autores që ia arrin një gjëje të tillë?

Merita e saj më e madhe është se ajo botën në krijimtarinë e saj e sheh dhe e percepton nga brendësia, nga brendësia e botës së fëmijës. Ajo në krijimtarinë e saj nuk e sheh as nuk e percepton fëmijën me sytë e botës e të parë nga jashtë, por nga brendësiae botës së fëmijës. Duke hyrë në këtë botë Lindgren diti t’i hetojë të gjitha të metat, devijimet, prapësitë, shablonizimet bajate dhe mangësitë e jetës përgjithësisht. Shkruan për fëmijën në familje, në shkollë, në shoqëri. Në krijimtarinë e saj fëmijën dhe as botën përgjithësisht nuk i sheh me sytë e një të rrituri, por me sytë e botës së brendshme të fëmijës. Fëmijën e sheh me sytë e fëmijës.  Ëndrrën e fëmijës e sheh me sytë e ëndrrës së fëmijës. Dëshirën e fëmijës e sheh me sytë e dëshirës së fëmijës. Fantazinë e fëmijës e sheh me sytë e fantazisë së fëmijës. Imagjinatën e fëmijës e sheh me sytë e imagjinatës së fëmijës.

Pikërisht një qëndrim i tillë, një qasje e tillë në krijimtarinë e saj, Astrid Lindgrenin e bënë aq të dashur për lexuesin, aq të kërkuar për fëmijën, aq të dashur, aq të pëlqyeshme dhe aq të çmuar në fushën e letërsisë për fëmijë përgjithësisht.

Leave a Reply

Your email address will not be published.