Çdo krijues, sado që synon të ruajë origjinalitetin në vepër, me dëshirën apo pa dëshirën e vet,vepra e tij do të shëmbëllejë herë pas here me elementet e veprave (kryeveprave) të lexuara
Sadik KRASNIQI
Erudicioni i Naim Frashërit bëri që, edhe vepra e tij, të ketë elemente të shumta nga veprat e lexuara prej tij, qofshin ato mitologjike, historike, popullore apo të traditës letrare.Çdo krijues, sado që synon të ruajë origjinalitetin në vepër, me dëshirën apo pa dëshirën e vet,vepra e tij do të shëmbëllejë herë pas here me elementet e veprave (kryeveprave) të lexuara, sepse edhe në art, si në çdo veprimtari tjetër, s’mund të ketë risi totale.
Edhe “Historia e Skënderbeut”, që sjell një risi dhe origjinalitet në letërsinë e RilindjesKombëtare, sado që mban ngjyrë dhe qenie naimiane, nuk shpëtoi “e virgjër” nga ndikimi i veprave, që pati rast të shfletonte ky autor. Nëse një vepër përmban elemente të huaja (si intertekstualitete), nuk do të thotë se ndërtohet prej tyre apo mos të ketë qenësinë e vet.
Këtë ligjësi në art e vërteton edhe “Historia e Skënderbeut”, e cila edhe pse ka shëmbëllesa nga më të ndryshmet, megjithatë përjetohet përherë si vepër origjinale naimiane, me ngjyrat lirike, emocionale, heroike, përshkruese, figurative, stilistike dhe gjuhësore, që i takojnë vetëm asaj. Me gjithë origjinalitetin e autorit të saj, kjo poemë është një mishërim figurash, ngjarjesh, përshkrimesh e personazhesh të veprave të ndryshme.
Nëse i qasemi këtij interesimi, për hetimin e elementeve të huaja në këtë poemë të Naimit, mes të tjerash hasim këto elemente:
– atë të letërsisë popullore, në të cilën ngërthehet edhe mitologjia;
– homerik,
– të Barletit,
– iluminist,
– e Dante Aligerit,
– si dhe elemente nga shumë histori të shfrytëzuara.
Meqë “Historia e Skënderbeut” përkon me elemente të shumta të veprave të ndryshme, me veprën e përkryer sistematikisht të Dante Aligerit, “Komedia hyjnore”, përkon vetëm me një këngë, e cila në njëfarë mënyre është oazë imagjinare e poemës heroike.Kënga XII e “Historisë së Skënderbeut”, që përkon me “Komedinë hyjnore” të Dantes, është ndër këngët më të bukura të poemës së rilindësit tonë kombëtar, e cila thyen monotoninëe njëtrajtshme të rrjedhës së poemës. Naim Frashëri në këngën XII, pra kah gjysma e poemës, i vetëdijshëm që me gjatësinë e narrativës do ta rëndonte lexuesin, i largohet kësaj rrjedhe të njëtrajtshme me një sekuencë që nuk ishte hasur si e tillë deri atëherë në letërsinë shqipe: me elementin fantastik të shkuarjes së Skënderbeut në botën e fantazuar. Ky element fantastik puqet me sistemin e imagjinuar simetrik të Dante Aligerit në “Komedinë hyjnore”.
Kënga XII është një fantazmagori e tërë, sikurse te Danteja, ku heroi është i shastisur prej syve të Beatriçes; ashtu edhe Skënderbeu, i mahnitur pas bukurisë të së shoqes, kapërcen në botën e përtejme, sheh parajsë dhe skëterrë. Ndërsa Dante Aligerin për në parajsë e shoqëronte Virgjili, si sinonim i diturisë; Skënderbeun në “detin e diturisë” e shoqëron Engjëlli, që personifikon pastërtinë (shpirtërore), dashurinë dhe bukurinë.
Si te Danteja, ashtu edhe te Naimi heroin nëpër labirintet fantastike e të imagjinuara e shtyn dashuria ndaj bukurisë së të dashurave të tyre. Kënga XII te “Historia e Skënderbeut” është një “komedi hyjnore” në miniaturë, sepse edhe në këtë këngë kemi ndarjen e botës hyjnore në tre rrathë, që përkojnë me rrathët koncentrikë e simetrikë të Dantes: ferri, purgatori dhe parajsa. Vetëm në dallim nga heroi i Dantes, heroi naimian depërton nga parajsa për në ferr.
Botën hyjnore Naimi e ndan sipas kriterit etik. Kryeheroi kalon në ekstazë, shëtit i shoqëruar nga Engjëlli në një sinor të përsosur në aspektin e bukurisë.
Duke qëndruar pranë mbretëreshës, kalon në krahët e ekstazës shpirtërore.
Dhe vështron Pëllumbeshën
Q ́ish por si mollë e artë
Ra në det të bukurisë
Mendjen vala ia mori
Ra në detin e perëndisë
(Kënga e XII )
Ndërsa te Dante:
Dhe Beatriçja më vështroi
me ata sy hyjnorë krejt flakë dashnie,
si e mundun forca ime u zmbrap mejhera
e me sy ulë e humba për një fije
K. H. kanga IV f. 451)
Ndërsa te Dante Aligeri rrathët koncentrikë stolisen me figura historike e mitologjike, te Naim Frashëri te këta rrathë gjejmë kategoritë etike: të mirën ose të keqën. Ai te “drita e perëndisë” has në të vërtetat: mirësinë, dashurinë, urtësinë, miqësinë, vëllazërinë, shpëtimin, gëzimin, diturinë, njerëzinë dhe trimërinë. Këto kategori etike poeti i vendos në një “shesh të lulëzuar”. Skënderbeu, ngjashëm me heroin e Dantes, kur s’ka diçka të qartë në atë botë ekstazë, e pyet Engjëllin, i cili i qartëson çdo gjë, porsi Virgjili poetit të madh italian. Si Dante që shëtit me Virgjilin, edhe heroi i poemës shqipe vepron njësoj
Engjëlli i urtësis
pastaj për dore e mori
………………………………
jashtë rrënetit e nxori
dhe hapi me vrap një lesë
ca më tej ishe një lum
i thellë dhe i turbulluar
dhe zëmadh e valëshumë
i gjerë i tmerruar.
(K. XII)
Përtej këtij lumi gjendet një purgator naimian, të cilën poeti e cilëson si vend që s’ishte as i lige as i mirë, as parajsë e as skëterrë. Pas këtij purgatori Skënderbeu kalon në skëterrë, ku:
Atje tej ishte skëterra
një shkëmb e një shkretëtirë
njerëzit bërë derra
futur në errësirë
(K. XII)
Në këtë vend gjejmë karakteret e njerëzve amoralë, si: lakminë, babëzinë, kallëzimin, zinë, vrasjen, nakarin etj. Ashtu si Aligeri, që flet simbolikisht dhe me alegori për gjendjenekzistuese në Italinë e asaj kohe, edhe Naimi alegorikisht, përmes kësaj kënge pasqyron gjendjen e Shqipërisë së kohës së tij. Edhe në këtë këngë, si te “Komedia hyjnore”, shprehet një imagjinatë e thellë dhe e gjerë, me të cilën Naim Frashëri freskon poemën dhe njëherazi ngre nuancat artistike në poetikën e saj.