FATI I INDIVIDIT NGA FERRI NË FERR

(Nehas Sopaj: “Vallja e vdekjes së verdhë”, trilogji, Kumanovë, 2020)

Shkëlzen HALIMI

Nehas Sopaj, një individualitet i veçantë në letërsinë shqiptare, e cila letërsi, për shkak të mentalitetit provincial, fatkeqësisht akoma nuk po trajtohet ashtu siç e meriton dhe ashtu siç objektivisht duhet të jetë, kohë më parë na erdhi edhe me një vepër që po kështu është e veçantë dhe si e tillë edhe do të duhet të trajtohet. Në fakt, çdo vepër e shkrimtarit Nehas Sopaj është një provokim jo vetëm për lexuesin, por edhe për kritikën, e cila akoma nuk e ka thënë fjalën e duhur për krijimtarinë e Sopajt, i cili në letrat shqipe është prezent më shumë se katër dekada. Krijimtaria e Sopajt është komplekse, është jashtë shablloneve, me të cilat kemi bashkëjetuar e ndoshta akoma bashkëjetojmë. Por, ai ka krijuar standardin e tij dhe prandaj themi se është i veçantë në letrat tona. Mbase, këtë ai e dëshmoi edhe në qasjen e tij studimore të veprave të dy kolosëve të letërsisë shqiptare, Beqir Musliut dhe Teki Dërvishit, dy vepra këto që plotësuan një boshllëk të madh të studimit të letërsisë shqiptare.

Vepra më e re e autorit tonë, “Vallja e vdekjes së verdhë”, është padyshim një nga veprat me të realizuara të tij që, gjithsesi, duhet të zgjojë kureshtjen e lexuesve tanë, sepse është e shkruar me një gjuhë të pasur dhe me një game të madhe të figurave stilistike. “Vallja e vdekjes së verdhë”, një titull shumë simbolik, një titull që vetvetiu flet shumë, brenda vetes ngërthen tre romane: “Bukla”, “Kronika e zezë nga koha e kuqe” dhe “Rruga e gaforres”, romane të cilat kanë një ind që i lidh dhe i bën si një tërësi. Pra, bëhet fjalë për një trilogji, me një përmbajtje, do të thoshim, jo vetëm magjike, por edhe lirike, pse jodhe tragjike.Çdo lexues që do të ketë sado pak kulturë leximi, do ta ndjejë magjinë e rrëfimit, e cila ka një rrjedhë herë – herë edhe të pazakontë në kuptimin e mirë të fjalës, gjë që vetvetiu imponon edhe pyetje: nga e merr autori fuqinë e shprehjes aq bukur të gjërave që ta ndriçojnë shpirtin? Është kredoja e Nehasit se më mirë se me shkrim nuk mund të shprehet bota e brendshme e individit, aq më tepër e një bote që është përplot me drithërima shpirtërore.

Padyshim se boshti i kësaj trilogjia është fati i narratorit, i cili narracionin e tij e shtrin në një hark të gjatë kohor, duke filluar nga fëmijëria, bota e secilës fëmijëri është një kujtim i pashlyeshëm dhe që nuk na ndahet deri në frymën e fundit. Në zanafillë të kësaj bote është edhe e vërteta, kurse kjo botë e shkrimtarit tonë ka një përmbajtje shumë të pasur me rrëfime herë herë fantastike, por që në fakt janë reale, siç vijëzohen në romanin “Bukla”, ku vjen në shprehje fuqia magjike e rrëfimit, ku del në pah bota shpirtërore e autorit, por edhe ndjenjat dhe emocionet e tij për realitetin, që natyrisht dallon nga realiteti i përditshëm.

Romani “Bukla” është një nga realizimet më brilante të Nehas Sopajt. Një vepër që mund të lexohet edhe si tregim, edhe si roman, edhe si poezi, edhe si monodramë, por edhe si dramë. Mund ta lexoni një herë, dy herë, tri herë dhe më shumë herë. Por, sa herë që ta lexoni do të ndjeni se po lexoni gjëra të reja që ju lënë një shije të këndshme shpirtërore, pavarësisht nëse bëhet fjalë edhe për ndonjë çast të dhimbshëm, kur ngrihet dilema mes shpirtërores dhe materiales, e cila në rastin konkret, fatmirësisht nuk bëhet dilemë hamletiane, por një e vërtetë e përhershmee shkrimtarit, se pasuria më e madhe e secilit duhet të jetë pasuria shpirtërore.

Fati i individit në këtë libër do të shohim se kalon nga ferri në ferr. “Kronika e zezë nga koha e kuqe”, është një ngjarje e rrëfyer tri herë. Në fakt, fati individual lirshëm mund të identifikohet edhe me fatin kolektiv, siç është ajo nga koha e kuqe, pra komuniste, kur kapitulli i historisë shqiptare pas ngjarjeve të vitit 1981 (demonstratat e studentëve në Prishtinë), u bë thjeshtë një kronikë e zezë. Është kjo një metaforë brilante e autorit, i cili këtë kronikë të zezë do ta përjetojë edhe në lëkurën e vet, duke qenë me vite e vite në shënjestër të syrit të kohës së kuqe.

Nuk është vështirë të kuptohet se çfarë përjetoi narratori në atë golgotë të kuqe, e cila në një mënyrë do të bëhet lajt-motiv kolektiv, por para se gjithash një kujdes permanent ndaj atij që e dinte dhe i shërbente të vërtetës, përmes shkrimit si një ilaç shpirtëror që bënte zgjimin nga kllapia e kohës së kuqe.

Dhe ferri shpirtëror do të vazhdojë te“Rruga e gaforres”, në të cilën do të paraqitet dëshmia e kohës së kuqe, ankthi i narratorit dhe, natyrisht, ngritjet dhe rëniet shpirtërore, duke u përmbyllur me një poezi të mrekullueshëm, “Afro gjysmë shekulli”, një poezi që tregon se pavarësisht se rruga e gaforres bëhet mbrapsht, koha lëviz përpara, duke lënë shumë vragë, nga të cilët duhet të nxjerrim ndonjë dobi, për të mos thënë ndonjë mësim.

“Vallja e vdekjes së verdhë” është një vepër që gjithsesi do t’i rezistojë kohës, pavarësisht se librit shqip ia kemi imponuar krizën e leximit. Është një vepër që do të duhet jo vetëm të lexohet dhe rilexohet. Është një vepër, të cilës studimi kritik nuk guxon t’i ikë, sepse anashkalimi i kësaj vepre, kritikën dhe studimin e letërsisë thjeshtë e bën më të mëngët, edhe atë për shkak të veçantisë së shkrimtarit Nehas Sopaj, por edhe veçantisë së veprës së tij, që, në aspektin e cilësisë, dukshëm dallon nga veprat në sasi të madhe, shumica e të cilave, fatkeqësisht, shërbejnë vetëm për konstatimin e inflacionit në veprimtarinë e pakontrolluar botuese.

Ndërkaq, ky libër lexuesin e vet do të gjejë edhe ndër brezat që vijnë, sepse përmbajtja e saj është e gjithë-kohëshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published.