FËMIJËRIA NË FSHAT

Artur Spanjolli

Fëmijëria në fshat ka qenë për mua si një ëndërr shumë e bukur. Një ëndërr nga e cila nuk kujtoj gati asgjë, por kujtoj gjithçka. Një ëndërr e cila sa më shumë kalon koha, aq më shumë ndizet dhe gjallohet brenda meje. Të kenë qenë vallë vitet më të bukura të jetës time? Fakti që janë kthyer brenda meje në një gjendje shpirtërore ato vite, për krijimtarinë time letrare, janë për mua si një tunel a pus i çmuar shtresuar në ndërgjegjen time ku unë gjithmonë gërmoj, duke qenë i bindur se do të gjej gjithmonë diçka të çmuar, ar të pastër krijues, lëndën e së cilës mund ta manipuloj për të krijuar vepra letrare. Të jenë vallë emocionet e para, determinuese për jetën e një shkrimtari? Të punoj me kujtesën në formë letrare, për mua është njëlloj si ti kthehem një fëmijërie të humbur, por aq mirë të skalitur në kujtesë sa fjalët, skenat, dialogët, gjithmonë filtrohen me një dashuri të pashoqë. Të jetë nostalgjia, të jetë fryma njerëzore që kam përthithur atje, të jetë kujdesi dhe dashuria jo vetëm e gjyshërve, por e tërë familjes së madhe, nuk e di, por e vërteta është që shkrimet filtrohen me esencën e vetë jetës. Nga aty, ose falë saj kanë dalë libra si Kronika, Teqja, Prelud vjeshte, Mjergullat e kujtesës dhe Lule drite në ag, këto dy të fundit akoma të pabotuar. Nëse fëmijëria pra qenka kaq determinuese, atëherë do të jemi, ç kemi qenë të vegjël. Truri, është ndoshta si një palimsest, ku veç gjërat që shkruhen në fillim, i vejnë vulën karakterit tonë të ardhshëm?  Nuk jam as sociolog, as neuro psikatër për fëmijë, as psikolog t’i jap një shpjegim shkencor fenomenit, por ajo botë aq e largët, por edhe aq e afërt me aromat e saj, me zhurmat, me tingujt e kafshëve; rrëmuja e asaj shtëpie të madhe plot njerëz, teze dhe daja, muzgu fëmijëror, dielli përvëlues me pluhurin djegës të rrugëve, kënga e gjinkallave, vapa e tmerrshme, shija e manave dhe fiqve tê pjekur, gëzimi të shtunave kur prindërit vinin nga qyteti bashkë  me motrat, përrallat e gjyshes, historitë që gjyshi i rrëfente miqve mbrëmjeve pranë oxhakut, aroma e bukës, zhurma e shiut, vjeshta plot trishtim braktisës, përshndritja blu-viola e krahëve të pëllumbave, muzika e tetorit me aromën e hurmave, bredhjet tek liqeni, etj, gjithçka ka qenë determinuese dhe e përjetshme brenda trurit tim të njomë dhe akoma të paformuar fëmijëror.

Leave a Reply

Your email address will not be published.