Janë disa “artistë”, të cilët, në emër të artit shqiptar, gjejnë forma të ndryshme dhe abuzojnë, duke i hapur shteg vlerave të dyshimta
Neviana SHEHI/ Itali
Artistët e diasporës shqiptare gjithnjë e më shumë marrin një rol të rëndësishëm në ruajtjen dhe promovimin e kulturës sonë në mbarë botën. Tashmë është i njohur kontributi i tyre në letërsi, arte vizual, muzikë, teatër, film etj., kontribut ky që jep shtysë në mbajtjen gjallë të identitetit kulturor dhe trashëgimisë së shqiptarëve, si dhe duke ndikuar në skenën artistike ndërkombëtare.
Natyrisht, përmes veprimtarisë së tyre, disa nga artistët e diasporës krijojnë ura ndërmjet kulturës shqiptare dhe asaj ndërkombëtare. Kjo krijon një ndërveprim të dyanshëm, me ç’rast publiku i huaj mëson për Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi, ndërsa artistët tanë përvetësojnë ndikime të reja nga kultura dhe estetika të huaja. Është një numër i konsiderueshëm i artistëve shqiptarë të diasporës, të cilët kanë arritur sukses të madh në nivel ndërkombëtar dhe kjo, kuptohet, si komb na nderon shumë.
Fatkeqësisht, krahas artistëve të ndërgjegjshëm dhe me taban kombëtar, kemi edhe anën tjetër të medaljes. Janë disa “artistë”, të cilët, në emër të artit shqiptar, gjejnë forma të ndryshme dhe abuzojnë, duke i hapur shteg vlerave të dyshimta, të cilat në masë të madhe jo vetëm që krijojnë huti, por edhe cenojnë atë që është prodhim i vërtetë i shpirtit të artistit shqiptar.
Duke mos pasur pikë ndërgjegje, ne sot jemi dëshmitarë të shumimit si kërpudha të lloj – lloj “artistëve”, të cilët, për interesa të ndryshme (kryesisht materiale), katapultohen nga disa individë, që në fakt errësojnë vlerat e vërteta në njërën anë dhe në anën tjetër i ushqejnë me iluzione “artistët” anonimë se do të mund të shpërthejnë deri në marrjen e Çmimit Nobel apo të ndonjë çmimi tjetër ndërkombëtar.
Kjo, mbase është edhe pasojë e mungesës së një mekanizmi kontrollues, jo në kuptimin e dorës së fortë, por në kuptimin e ndarjes së të mirës nga e keqja, gjë që do të ndikonte në ndërgjegjësimin e të gjithë atyre që ia mësyjnë që përmes rrugës së shkurtë të arrijnë në lartësitë e konsiderueshme. Abuzuesit shesin flatra të padukshme dhe me to nuk lëvizet as nga pika zero, përkundrazi edhe nëse lëvizet, shkon në humnerë.
Pra, duhet të ekzistojë një forcë centripetale, koordinuese, që do t’i mbajë artistët të bashkuar rreth idesë se kultura shqiptare është një dhe e pandashme dhe se ka një rend, ka njerëz kompetentë, me përgatitje superiore dhe që janë në rrjedha të zhvillimit të artit. Në këtë rrafsh amatorizmi do të ishte vetëm në shërbim të injorancës dhe lënies së shijes së keqe.
Prandaj, të qenët i ndërgjegjshëm dhe i moralshëm na largon nga forca centrifugale që do të na përplaste sa më larg boshtit tonë, rreth të cilit ndërtohet identiteti ynë kombëtar dhe anës shpirtërore të vërtetë që është prodhuese e vlerave të qëndrueshme, të cilat mund t’ia prezantojmë botës gjithandej ku jetojmë e veprojmë…