GABO

Tema e vetmisë përshkon si një fill i kuq të gjithë veprën e Markezit. “Dashuri në kohë të kolerës”, ashtu si shumica e veprave, eksploron ekskluzivisht vetminë e personit dhe të krejt njerëzimit, gjë që shprehet nëpërmjet vetmisë së dashurisë dhe të të dashuruarit.

Grigor JOVANI

Ç’është ky njeri, plak rondokop, që shëtit i vetmuar në një bregdet të Karaibeve në Kolumbi, me një “sombrero vueltiao” mbi kokë, si vendas klasik? I thërrasin “Gabo”, një emër i zakonshëm për autoktonët e atij vendi. E pra, është Gabriel Garcia Markez, njëri nga shkrimtarët më të njohur të botës. Ngjan një copë e pandarë e atij bregu, i gjithë atij relievi, i atyre njerëzve që mbartin histori shekujsh mbi supe. Nuk është aspak e çuditshme që më të shumtat e historive të Markezit, të cilat mahnitën gjithë rruzullimin njerëzor, kanë lindur dhe janë pjesë organike e asaj bote të vogël atje, e atyre njerëzve lëkurënxirë, si ai. Por, ç’është më tej ky shkrimtar?

STILI

“Tek çdo libër mundohem të përshkoj një rrugë të veçantë… Nuk më bie në mendje për të ashtuquajturin “stil”. Asnjë shkrimtar nuk e përzgjedh atë apriori. Mund të zhbironi, duke u përpjekur të gjeni stilin më të mirë për çdo temë. Mirëpo, tema e përcakton stilin, sipas preferencës së çdo kohe. Nëse do të mundoheni të përdorni një stil të pa përshtatshëm, thjesht nuk do të funksionojë. Në vazhdim, kritikët shpikin teori rreth kësaj çështjeje dhe shikojnë gjëra që vetë shkrimtari nuk i ka parë. I referohem vetëm mënyrës sonë të jetesës, të jetës në Karaibe…”

Lamë të fliste vetë shkrimtari. Ç’mund të themi më tepër?! Vetë ai ka zakon të mos i thotë të gjitha. I pëlqen të lerë nënkuptime. Xhanëm, kjo ra në sy qysh në fillim tek ai: gjoja “harron” të shtojë tek shkrimet e veta hollësira të rëndësishme ngjarjesh po kaq me rëndësi, me qëllim që lexuesi të detyrohet të angazhohet edhe ai në punën e shkrimtarit, të vazhdojë më tej historinë që “la mangut” krijuesi i saj. (Këtu ngjan pak me Brehtin). Shembulli më i mirë për këtë “harresë të gjithhershme”është romani “Kolonelit nuk ka kush t’i shkruajë” (No One Writes to the Colonel), ku nuk pagëzohen me emra konkretë karakteret kryesore. Kjo praktikë, e huazuar nga veprat e shkrimtarëve antikë grekë, si tek “Antigona” dhe “Edipi mbret”, ku shumë elementë të rëndësishëm lihen jashtë skenës, i përshtatet shumë Markezit. Ato i dorëzohen fantazisë së lexuesit, le ta vazhdojë dhe ta perfeksionojë historinë ai, sipas realitetit që jeton. Në fund të fundit, nuk do t’i bëjë të gjitha shkrimtari, le të gjejë lexuesi emrat tek “Koloneli”… Le të përdorë për të përvojën që ka nga e përditshmja dhe njerëzit që e rrethojnë.

REALIZMI MAGJIK

Natyrisht, është një rrymë, një shkollë shkrimi, që mahniti dhe kaploi botën letrare. Përfaqësuesi kryesor, Gabriel Garcia Markezi.Realiteti është një nga temat më të qenësishme dhe të rëndësishme në të gjitha veprat e Markezit. Vetë ai thotë për veprat e tij të para (me përjashtim romanin “Stuhia e gjetheve”), siç janë “Kolonelit nuk ka kush t’i shkruajë”, “Në orën e keqe”, “Funerali i Nënëmadhes”, se “të gjitha pasqyrojnë realitetin e jetës në Kolumbi dhe kjo temë përcakton edhe logjikën. Nuk pendohem që i shkruajta, por i takojnë një lloj letërsie të paramenduar, e cila ofron një të përditshme tejet statike, që nuk vazhdon të zhvillohet analogjikisht me realitetin…”

E ndryshoi këtë. Tek veprat e mëvonshme eksperimentoi një realitet më pak tradicional. Pse? E sqaron vetë: “Me qëllim që gjërat më të frikshme, ato jo dhe kaq të zakonshme, të thuhen me “shprehjen e vdekur”. Këtu pikërisht fillon i ashtuquajturi “realizmi magjik” i tij. Kjo është lidhja kyç midis traditës dhe realitetit, risia që mahniti, në fund të fundit, planetin e letrave. Shembull konkret është një pasazh tek “Njëqind vjet vetmi”, ku një personazh ngritët fizikisht dhe shpirtërisht në qiell, teksa nder rrobat e tij për t’u tharë. Shkrimtari kubanes, Alejo Carpentier, e quan këtë stil shkrimi “mbretëri e mrekullueshme”. Pikërisht kjo “mbretëri letrare” është “realizmi magjik” i Markezit.

Kritiku i letërsisë, Michael Bell, propozon një kuptim të ndryshëm të stilit të Markezit, ngaqë termi “realizmi magjik” është paragjykuar si shumë ekzotik, të cilin qytetërimi i sotëm, sipas logjikës së tij të brendshme, e ka nënvlerësuar dhe lënë mënjanë. Ky paragjykim nuk mund të përfshijë edhe një shkrimtar si Garcia Markezi, që ndonëse çmon dhe përdor traditën si stil shkrimi, e ka modernizuar aq shumë, sa i përshtatet mrekullueshëm realitetit bashkëkohor. Por, a është e ndjeshme kjo për të gjithë lexuesit, në pjesë të ndryshme të planetit, mbrujtur me kultura dhe botëkuptime të ndryshme?Në lidhje me sa pyetëm më lart, gjatë një bisedë me mikun e tij Markez, gazetari dhe shkrimtari kolumbian Plinio Apuleyo Mendoza, jep këtë mendim: “Mënyra se si përballesh me realitetin tek librat e tu u quajt “realizëm magjik”. Kam përshtypjen se lexuesit e tu evropianë zakonisht e njohin magjinë e historive që shkruan, por nuk mund të shikojnë të plotë realitetin që fshihet pas saj. Nuk arrijnë ta perceptojnë të tërin. Kjo ndodh sepse metoda ortodologjike e mendimit që kanë, i pengon të kuptojnë që realiteti nuk mund të ngushtohet tek… çmimi i domates dhe vezëve…”“Realizëm magjik” vërtet, por kjo vlen kur ke parasysh realitetin që përjetoi veçanërisht Markezi, atë të botën e tij, e cila përbën thelbin e librave që shkroi.

VETMIA

Tema e vetmisë përshkon si një fill i kuq të gjithë veprën e Markezit. “Dashuri në kohë të kolerës”, ashtu si shumica e veprave, eksploron ekskluzivisht vetminë e personit dhe të krejt njerëzimit, gjë që shprehet nëpërmjet vetmisë së dashurisë dhe të të dashuruarit. Gazetari dhe kritiku kolumbian, Plinio Apuleyo Mendoza, pyet shkrimtarin: “Nëse vetmia është temë e të gjithë librave të tu, ku duhet të kërkojmë rrënjët e kësaj ndjeshmërie të hiperbolizuar? Mos vallë tek fëmijëria që ke kaluar?”

Përgjigjet Markezi: “Mendoj se ky është një problem që mund ta ketë gjithkush. Dhe çdokush ka mënyrën e tij për ta shprehur. Ndjenja përshkon veprën e kaq shumë shkrimtarëve, ndonëse disa prej tyre mund ta shprehin pa e kuptuar.” Gjatë fjalës së tij në Stokholm, duke marrë “Nobelin”, Markezi e lidh temën e vetmisë me përvojën e tij në Amerikën Latine: “Shpjegimi i realitetit tonë me motive që nuk janë tonat, i shërben qëllimit për të na bërë gjithnjë e më të panjohur, më të huaj, gjithnjë e më pak të lirë, gjithmonë të vetmuar.”

DHUNA

Është e pranishme në shumë vepra të Markezit, duke përfshirë “Kolonelit nuk ka kush t’i shkruajë”, “Në orën e keqe” dhe “Stuhia e gjetheve”. Kemi të bëjmë me një dhunë shtetërore, politike dhe shoqërore,të cilën vetë Markezi e përkufizon kështu: “Ishte një luftë e dhunshme midis konservatorëve dhe liberalëve, e cila zgjati gjer në dhjetëvjeçarin 1960 dhe shkaktoi vdekjen e qindra mijëra njerëzve në Kolumbi.”

Në këto libra, karakteret jetojnë brenda kushtesh jashtëzakonisht të vështira, siç janë ndalim-qarkullimet, censura e shtypit, bastisjet dhe krimet politike, në përgjithësi ajo që latinisht në këto vepra quhet “la violencia”.Romani “Në orën e keqe”, edhe pse nuk është një nga librat e famshme të shkrimtarit, shquhet megjithatë për përshkrimin e “la violencias” në të gjitha format e saj, si edhe për atë që kritika e ka karakterizuar “pasqyra e plasaritur e shpërbërjes shoqërore, që u shkaktua nga dhuna.” Mirëpo, ka rëndësi të nënvizohet fakti: edhe pse Markezi përshkroi natyrën e korrupsionit shoqëror në epokën e padrejtësisë dhe të dhunës, nuk ra në kurthin e përdorimit të veprës së tij për propagandë politike. Bëri, mbi të gjitha, art. E rëndësishme për të ishte (ndonëse shkrimtar kundërshtar i regjimeve të dhunës) të shkruante mirë. Romani ideal për të ishte ai që ndjeshmëronte lexuesin, nëpërmjet forcës së shkrimtarit për të depërtuar brenda realitetit dhe për të pasqyruar edhe anët e fshehura të tij.

MAKONDO

Një tjetër temë e rëndësishme dhe e kudondodhur tek librat e Markezit është ambienti i fshatit, që ai e pagëzon “Makondo”. E ka të gatshme: përdor vendlindjen e tij, Arakatakën e Kolumbisë, si një pikënisje gjeografike, historike dhe kulturore, për të krijuar atë vendbanim të imagjinuar letrar. Por përshkrimi i ambientit të fshatit nuk ngushtohet brenda caqeve të këtij ambienti. Markezi shpjegon: “Makondo nuk është vetëm një vend, por edhe një gjendje e caktuar e trurit, e cila ju lejon të shikoni atë çka doni dhe si dëshironi të jetë.”Edhe atëherë kur rrëfimet e tij nuk i referohen Makondos, prapë vazhdon të ekzistojë mungesa e papërcaktueshmërisë ekzakte të vendndodhjes. Kështu, ndërsa rrëfen për “një bregdet të Karaibeve dhe një provincë në brendësi të Andeve”, edhe këto të pa përcaktuara saktë gjeografikisht, është e dukshme tendenca e shkrimtarit të përdorë më mirë mitet tradicionale të provincës, se sa të arrijë të bëjë një analizë të caktuar politike. Kjo qytezë e fantazuar, Makondo, është bërë shumë e njohur në botën letrare, sikur ekziston në të vërtetë edhe sot, diku atje, në Karaibe. Sikurse thekson Ilan Stavans, akademik dhe shkrimtar amerikan: “Gjeografia e Makondos janë banorët e saj, mësuesit, politikanët, agjentët turistikë… Kjo e bën të vështirë të besosh se ky vendbanim është një qytezë artificiale, ndërtuar në mendjen e shkrimtarit.”

Për këtë të fundit, padyshim meritë ka talenti i jashtëzakonshëm i romancierit, që krijon detaje të qenësishme, për të ndërtuar një botë reale. Tek “Stuhia e gjetheve” sjell të gjallë fenomenin e epokës së “shpërthimit të bananeve” në Makodo, një periudhë progresi ekonomik, në sajë edhe të prezencës të shoqërive amerikane, por edhe të tërheqjes së tyre, që shkaktuan një rënie ekonomike në provincë. Gjithçka ngjan reale dhe natyrshme. Gjithashtu, tek “Njëqind vjet vetmi”, përshkruhet hollësisht historia e krijimit të Makondos, gjer në shkatërrimin e saj. Markezi i referohet Makondos edhe tek autobiografia e tij. Përshkruan një udhëtim që bëri me të ëmën në vendlindjen e tyre, Arakataka, kur ishte i ri. Treni ndaloi tek një stacion që nuk kishte qytet, pastaj u duk një fermë bananesh, e cila shkruante emrin e saj tek një tabelë: Makondo. Kjo ishte. Iu ngulit në tru. Kishte diçka poetike ai emërtim. Nuk mësoi kurrë se ç’nënkuptonte. Vonë, kur ishte rritur shumë tashmë dhe e kishte përdorur këtë emërtim gati në të gjithë veprën që kishte shkruar, lexoi në një antologji se ishte një bimë tropikale, që i ngjante Ceiba-së. Por kjo pak rëndësi kishte. Makondo kishte mbetur përgjithmonë në histori.

Leave a Reply

Your email address will not be published.