GËRSHETIMI I TRAGJIKOMIKES AKTUALE NË ROMANIN PËR FËMIJË

(Rreth romanit “O Lol” të Fran Ukcamës)

Lumnie Thaçi-HALILI

Që në titull, kur pagëzohet një libër me emërtim të veçantë, menjëherë zgjohet kureshtja nga dëgjimi a shikimi emërtues për secilën vepër letrare, sidomos për romanin si zhanër. Lidhur me këtë shkrim, do të përveçojmë këtu romanin për fëmijë e të rinj të Fran Ukcamës, me titull “O Lol”. Pa filluar leximi më intrigoi ky titull, ndërkohë fillova të pyesja veten, se ç’nënkuptojnë këto katër shkronja O Lol: e para m’u dëftua si mënyrë thirrmore e emrit të përveçëm (sa më kujtoi rasën e pestë thirrmore të dikurshme (sot të shkrirë)të shqipes së mëhershme, ku emri lakohej edhe në këtë rasë, shpjegohej kështu: sepse emënit që lakohet i bajmë nji të thirrun, në këtë rast do të ngjasonte si në titull O Lol; kurse tjetra m’u deshifrua si një shkurtesë përkëdhelie e ndonjë emri fëmije…Sidoqoftë, si njëra, po ashtu dhe tjetra ndërlidhen kontekstualisht edhe me brendinë.

Romani në fjalë, është botuar nga Shtëpia Botuese “URA”, në vitin e lënë pas (2023). Një roman, i cili jo vetëm që ia vlen të lexohet, por që duhet me patjetër të lexohet për shumë arsye. Fillimisht për tematikën interesante e të veçantë që mbarështron, i shkruar në mënyrën më mjeshtërore prozaike, si një roman modern e bashkëkohor. Vetë objekti i romanit është konceptuar në një kohë të qëlluar dhe në një mënyrë të saktë rreth një dukurie a fenomeni të quajtur bulizëm, që në Fjalorin e shqipes si sinonime të përafërta do t’u përgjigjeshin këto fjalë: përbuzje, përçmim, përqeshje, përbaltje, përgojim, përleshje, përlyerje, përthyerje, përhedhje etj., ngjarja e të cilit ndodh brenda intervalit kohor, ku ndërthuret realiteti i vonshëm i një dergje (sëmundje), pandemia mbarënjerëzore e planetit e quajtur me emrin Covid.

Vetëm duke lexuar përgjithësisht njëqind e tri (103) faqet e romanit, do të shohë lexuesi mënyrën e ligjërimit në mbarë romanin, e cila është specifike, lirisht mund të thuhet se është më e veçantë nga romanet tjera të letërsisë për fëmijë. Në nëntitullin e romanit, autori vendos dy vargje urtësie të rimuara sa në formën urdhërore po aq edhe lutëse:

Mos përbuz, o i bekuar,

Përbuzja ves i shëmtuar (f.3).

Struktura skeletore e romanit është ndërtuar përmes njëzet e katër (24) krerëve (kapitujve), duke i emëruar: kreu 1, kreu 2 e kështu radhazi, ku secili krye a kapitull emërtohet me nga një titull të veçantë, kështu që secili mund të qëndrojë edhe si një tregim më vete.

Subjekti i këtij romani është tërësisht real me ndërthurjen e fiksionit që e mban pezull kërshërinë e lexuesit, tashmë të bindur edhe nga vepra tjera parake, të nxjerra nga brumi krijues e i pasur artistikisht, gjithashtu mjaft prodhimtar i veprimtarisë letrare të Fran Ukcamës. Duke e parë nga përmbajtja, mund të thuhet që është roman tragjikomik, përmbajtësish qëndron në drejtpeshoren e të dyja elementeve. Elementi tragjik pasqyrohet vetëm përmes personazhit a figurës kyçe në roman-Lolit, këtu karakterizohet, përqeshet e përbuzet (bulizohet) trupi i tij, i deformuar nga obeziteti, në tejmasë shëndetësore, të tepruar, si një objekt tallës nga të tjerët: rrethi e shoqëria. Gati në dhimbje të emocionojnë ngjarjet prekëse që ofendojnë dhe e emërtojnë me lloj-lloj nofkash e shprehjesh Lolin, sikurse: Loli kampioni; rinoqeronti; hipopotami; elefanti (f.7); kacek; viç; shejtani; apo shprehja: u ngjit si viç bizoni; malukati Lol, ngjan si gorillë; o Loli o bidoni; bulldencë nipi (33). Kështu, duke ndjellë njëkohësisht tek lexuesi mëshirë e keqardhje për të-Lolin, ndërsa neveri e vrer për ofenduesit. Ani pse që nga antikiteti e deri në kohët e sotme koncepti dhe shkalla e tragjedisë ka ndryshuar, duke pësuar modifikime…sipas J.A.Guddon, prapëseprapë duke e lexuar këtë libër,lexuesi do të ndjejë dhimbje teksa sheh se si shkatërrohet prej bulizmit një fëmijë, i një familje të rëndomtë shqiptare. Fenomen mjaft i përhapur jo vetëm në shoqërinë shqiptare që jeton brenda këtij gadishulli të skajshëm në Ballkan, por thuaja, edhe fenomen i gjithkundshëm në botë, madje edhe tek shoqëritë më të zhvilluara në përmasa dozash të ndryshme. Ndërsa, nga ana tjetër libri përmban edhe elementin komik. Prandaj, në parime të përbashkëta filozofike, përnjëmend mund të quhet bindshëm: roman tragjikomik, tekqë harmonizohen natyrshëm situatat tragjike me ato komike, zhvillohen ngjarje qesharake e njëkohësisht edhe mallëngjyese.

I tërë romani përbëhet prej një materiali të pasur leksikor, ku jepen mjaft informacione rreth pandemisë në përgjithësi, e veçanërisht rreth përjetimit e trajtimit të saj në Shqipëri. Përciptazi jepet mesazhi artistik i autorit për lexuesit, pa një theksim imponues a detyrues. Të gjitha ngjarjet në këtë libër ndërthuren natyrshëm me kontekstin e situatave të ndryshme për secilin mjedis: qytet, fshat, mal; familje, shtëpi, shkollë, rrugë etj. Mjeshtërisht autori i ka detajuar me përpikëri veprimet e personazheve në shumë situata. Bën strukturimin dhe konstituimin e shumë tabllove poetike në ligjërimin tekstual:

Lepurush, lepurush,

pup e pup gëzof pambuk,

Mustaqegjatë, veshllapush,

lakra ha e brekët mbush…(f.45)

Lirisht mund të thuhet, se jepen përshkrime të ndryshme të konkretizuara që nga fillimi e deri në fund të librit, duke i dhënë lexuesit shpjegime të duhura, gjë që e bën të çmuar si prozë me cilësi të mirëfilltë artistike. Përgjatë leximit, të thuash të njëfrymshëm, asgjë nuk të bëhet monotone, sepse gjithçmos bën autori për të mospërsëritur asgjë të panevojshme. Paraprakisht cilësohet për stilin e dendur e të ngritur gjuhësor, që në esencë, përmes figurave të ndryshme stilistike, pasqyron kështu me hove të veçanta rrjedhshmërinë e kulluar të mendimit a gjykimit për problemin e parashtruar rreth bulizmit, përbuzjes, përçmimit, injorimit, përqeshjes, me një ngjyrim estetik. Thënë shkurt, çdo ndërtim këtu në këtë roman, ka një funksion shprehës a stilistik, gjithmonë me një qëllim a funksion të caktuar për ta demaskuar bulizmin nëpër shkolla, si dukuri negative mjaft e përhapur sot, sidomos tek fëmijët, si grupmosha më e ndjeshme e kritike që mund të lërë pasoja të pandreqshme në rritën e tyre drejt jetës në të ardhmen.

Përshkrimi i karaktereve me tipare të caktuara në roman bëhet përmes figurave të shumta, aty gumëzhin një galeri e tërë: Loli-kryepersonazhi, gjyshi, gjyshja, Viktori i ati i Lolit, Tori, Caku, Marku, Gazi, Dea, Flutura, Arieta, Fatmira etj. Njerëz jo vetëm, por edhe kafshë:kaziu e buzi-gomerë.

Vendin qendror në roman e zë figura e Lolit, ku vetëm një herë në libër thuhet emri e mbiemri i vërtetë i tij Aleksandër Kodra (f. 31). Në të gjitha ngjarjet ai është thjesht vetëm Lol, për gjithë të tjerët, përjashtim nga gjyshja që e thërret herë Aleksandër e më shpesh Sandër. I tërë strumbullari i këtij romani shtjellohet rreth këtij karakteri, një djali adoleshent që nga përbuzja që i bëjnë, shfaqet i mërzitur, është plot maraz, shpesh qan, ik nga orët mësimore, pavarësisht apelit inkurajues të mësuesve që jo rrallë ndërhyjnë me shprehje unifikuese, të tilla, si: “Ju duhet t’i rrini afër…, Loli nuk ka vëlla, po ju ka ju, a jemi ne si një familje, motra e vëllezër (f.9). Ju jeni si vëllezër e motar, përbuzja është vesi më i shëmtuar në një shoqëri të lirë (f.28)! Janë shëmbëlltyra tipike se si duhet të jenë mësuesit.

Si pasojë e përbuzjes (bulizmit), merr një vendim të prerë, lë shkollën, me një shënim në dërrasë: Lamtumirë, më nuk do të më shikoni në këtë shkollë (f.27)! Trishtimi arrin kulmin si shkak i përbuzjes, andaj s’kishte rrugë tjetër përpos arratisjes nga përçmimi a bulizmi, urrejtja, ngërdheshja e përhershme që i bëhej. Kështu u gjend i dyzuar, mes arratisjes apo fatalitetit-t’i jepte fund jetës. Fatmirësisht zgjodhi arratisjen. Pikërisht prej këtu fillon lufta këmbëngulëse e Lolit për t’u përballur me përbuzjen (bulizmin), kur i vë Jo-në e fortë përfundimit tragjik: “Jo, kurrë nuk do ta bëj, do të gjej zgjidhje. Ata do t’i sfidoj. O do t’i çmend, o s’ka. Kur të më shikojnë s’kanë për të më njohur (f.29).” Kështu, i shoqëruar nga gjyshi niset i maskuar me pezëm në zemër duke belbëzuar: “Ah të mallkuarit ma nxinë jetën (f.32).”

Raporti mes gjyshit e nipit-Lolit, duket shumë i sinqertë, nis që kur fillon udhëtimi për në fshat. Ai-gjyshi, për Lolin është heroi, motivuesi, përkrahësi, ideatori i transformimit të tij, aktori, ushtari, luftëtari, mbrojtësi. Që në fillim i jep zemër: “Ti je me mua, një ushtri të vijë e zmbraps. Rri këtu…(f.37). Përgjatë qëndrimit në mal, ai njëzëshëm pëshpëriste: “Eh i miri i gjyshit, llupësi i gjyshit, do ta ul unë atë kamerdare autokombajne, shpejt ke për të parë…(f.40). Rrjedhimisht edhe kështu ndodhi, me vrapime, gjimnastikë, punë fizike, ushqime të shëndetshme, pa konservime. Brenda natyrës malore merrnin ajrin e pastër, ujin e krojeve, diellin e ushqimin, Loli nis ndryshimin që nga mënyra e stilit të jetesës, andaj për të ky qëndrim do të përkthehet si fat në këto rrethana fatkeqësie. Përveç këtyre, natyra e bëri edhe më trim, i dha lirinë, duke i krijuar vetëbesim. Duke qëndruar më gjatë seç menduan, rrethanat e tilla i përafruan edhe më shumë këta dy breza: nip e gjysh. Gjyshi bartte ndodhitë e kohës së shkuar nga rinia e tij tek nipi, në formë rrëfenjash, në këtë ishte i pakundshoq. Filloi me historitë e luftës. Dialogët e tyre s’kanë të sosur: – Gjysh më premtove se do të më tregosh një rrëfenjë,- foli Loli.

-Po dale, dale se nuk po na ndjek jermani.

-Kush është jermani?

-Po gjermani o derëbardhë (f.42).

Leksemat e qëllimshme deformuese nga fjalorthi i gjyshit, si: jerman për gjerman, thatro për teatër, internet për internet, Hodivull për Hollivud, i japin dozë shpotitëse humorit në ligjërimin tekstual.

Ajo që e bën të veçantë këtë roman janë dialogët e shumtë, të cilët janë më se të gjalla e të afërta me përmbajtje trajtash e shprehjesh të theksuara dialektore të zonës, duke e përafruar kështu e bërë njësh karakterin e personazhit me vendin a mjedisin ku veprojnë. Po më të përkryera shfaqen bashkëbisedat në largësi- distancë, përmes thirrmash të ndryshme të gjyshit Demë e gjyshes Dedushe, në kreun e 11-të.

Nga sa u pa, ngjarjet përbuzëse në roman fillojnë në Fier, zbarkojnë më vonë rrugës malore, vendosen në fshat me transformimin e Lolit, ku i pret edhe gjyshja, dhe rikthehen përfundimisht triumfuese në Fier. Ai, tashmë është atlet, i transformuar fizikisht për mirë, fiton medaljen e Maratonës së qytetit. Mirëpo, përveç trofeut, ai rifitoi edhe shoqërinë e humbur. Sa me vlerë është thënia, se “Për të ndryshuar të tjerët, duhet së pari të ndryshojmë vetveten.” Çdo ndryshim në familje, shoqëri e komb nis nga vetvetja.

Të gjitha këto që u sipërthanë, e bëjnë romanin “o Lol” të F. Ukcamës të realizuar artistikisht bukur, jo vetëm si libër prozaik që të falë kënaqësinë e leximit me informim, argëtim, guxim e tjetërsim, duke ndryshuar formë e ide konceptuale, por edhe mund të bëhet skenar filmi i suksesshëm i fushës virtuale kinematografike. E deri te ky realizim, i cili do ta mrekullonte çdo artdashës, mbetemi me lutjen e shumëdëshiruar për vetëdijesim drejt avancimit: U bëftë!

Leave a Reply

Your email address will not be published.