GRUAJA QË JETON MIDIS JETËS DHE VDEKJES

(Përkitazi me në romanin “Gruaja haluçinante” të shkrimtares Mimoza Ahmeti)

Alma ZENELLARI

“Gruaja haluçinante” më ka dhënë kënaqësinë e madhe të të lexuarit. E kam shijuar çdo fjalë, çdo paragraf. Aq sa u jam rikthyer sërish, për t’i mbartur thellë në vetëdijen time. Kam ndjerë një tërheqje të tillë që gishtat e mi e kishin të vështirë të mbyllnin kapakët e librit. Përkundrazi, ashtu si sytë ata nxitonin të kthenin me ngutje faqen pasardhëse. Ishte një shtytje e këndshme brenda rrjedhës logjike të fjalëve. Fjalë të ujdisura me kujdes, të kursyera, të paqtë, të çliruara nga teprimet, nga lidhëza parazite që nuk bëjnëtjetër veçse e rëndojnë shkrimin dhe e ngadalësojnë ritmin e të lexuarit. E kam dashur gjithherë poezinë e Mimoza Ahmetit, stilin e veçantë të të shkruarit të papengesë, të çlirët dhe imponues, sepse për mua, të frymosh përmes fjalëve, të luash me fjalën pa e dëmtuar kuptimin e mirëfilltë të saj, kjo s’është veçse inteligjencë.

Në përgjithësi libri është ngritur mbi fjali të rregullta, gati me një prerje të rregullt bisturie. Aspak të gjata për të lodhur lexuesin, edhe pse dihet se autorja nuk është nisur ta ketë qëllim në vetvete këtë fakt, përderisa çdo fjali ka një rrjedhshmëri burimore për t’u lëvduar. E megjithatë edhe kur ka raste fjalish të gjata, asnjëherë pjesa e dytë e fjalisë nuk merr përsipër të shpjegojë pjesën e parë të asaj fjalie, siç ndodh shpesh me autorët e letërsisë moderne, apo përfaqësues të të ashtuquajturit “përroi psikik”. Përkundrazi, fjalitë rrjedhin këndshëm me një ritëm të admirueshëm. Dhe kjo e zbukuron rrëfimin.

Fjalët janë si burimi, thotë autorja, por etja e lind burimin dhe prej aty rritet ajo energji e madhe jetësore që na ngazëllen. Mjafton të ndjekësh ritmin dallgëzues dhe ndjen përthithjen, plotëninë. Dhe fjalët në librin e Mimozës janë si kjo rrjedhë.Aq satë krijohet përshtypja se autorja nuk vuan shumë për të na çuditur me ngjarjet që kaplojnë jetën e kësaj gruaje apo gjendjet shpirtërore e shpërfytyrimin psikik të saj. Kjo gjuhë e artë metaforike që gjallon brenda këtij libri,është mënyra më e veçantë që dallon këtë shkrimtare, e cila duket se shkruan për një kast të caktuar, të veçantë lexuesish të përzgjedhur.

“Gruaja haluçinante” nuk ka një emër të veçantë, ajo është thjesht gruaja që jeton midis dy gjendjeve të jetës dhe vdekjes që i shkaktojnë ankth, frikë, paqëndrueshmëri. Dhe si e tillë, ajo rreket të nxitojë të dalë nga këto gjendje. Kapet pas dëshirës për të zbuluar arsyet e ideve tronditëse të saj. “Gruaja haluçinante” na tërheq me një delikatesë të bukur, naive, pavarësisht gjendjes së saj ankthioze. Por,në mënyrë të habitshme nuk e lodh lexuesin.

Dhe kjo është padyshim merita e jashtëzakonshme e autores që edhe nëse personazhi i saj vuan nga depresioni, përsëri ajo nuk e zhyt lexuesin në atmosferën mbytëse gri, përkundrazi protagonistja vuajtjen e saj të brendshme të ashtuquajturin shformim psikik që përjeton, përpiqet ta zbusë ndjeshëm me forcën e vullnetit të saj. Duke dashur t’i bashkëngjisë jetës, nuanca drite, pikërisht atë rrezatim që i kish munguar. Duke dashur të largojë atë realitet rutinor të ashpër që mbyt shpesh jetët tona,kërkon të dalë nga ajo gjendje e kithët që zapton gjithëherë qenien njerëzore, siçështë përshtatshmëria e detyruar apo me fjalë të tjera rënia në rutinën vrastare të pandryshueshmërisë. Pikërisht kjo u mungon njerëzve normal, thotë protagonistja me gjuhën dhe mendjen e autores. Njerëzit nuk arrijnë të bëjnë “ndryshimin”, duke e lënë jetën ashtu më kot të rrjedhë apo të pasqyrohet e ngathët e palëvizshme në një pasqyrë pasive. Njerëzit, thotë autorja, nuk e shohin njeri tjetrin në sy, e shmangin këtë fakt. Përse? Kjo, sepse ata kanë frikënga pasqyrimi i vetvetes në sytë e tjetrit,prandaj dhe e keqja mbetet aty. Ata nuk e dinë(ndoshta dhe e dinë) se jeta e tyre buron pikërisht nga ky lloj reflektimi.

Autorja e njeh mjaft mirë gjendjen psikologjike të personazhit, “simptomat” e saj. Ajo e vendos këtë grua brenda këtij rrëfimi delikat për ta njohur, për t’i dhënë asaj sharmin e të qenit një grua e veshur me zgjuarsi, kuptueshmëri dhe guxim (pavarësisht halucinacioneve të saj), duke trazuar ndjeshëm emocionet, ndjeshmëritë tona, duke na bërë alert në kërkim të disa përgjigjeve të ftohta,përballëasaj shumësie pyetjesh që e kanë lodhur tashmë njeriun. Ç’ka përtej trupit, përtej shqisave? Sa mund të zgjasë dhe sa mund të ndikojë dhimbja në nocionin kohë? Përse njerëzit e kanë luksin për të jetuar, shijuar gjithçka nga perceptime që përthyhen brenda vetëdijes? A është luks edhe vdekja?Apo është pragu i panjohur i kalimit të jetës në një tjetër dimension hapësinor të pakonceptueshëm nga njerëzorët?

Ndonjëherë të krijohet ideja se kjo grua e paemër është vet autorja që ka prirjen për të na zhytur nëpër rreshta për ta zhbiriluar atë vet nëse do mundeshim, botën e saj mes vetmisë dhe ankthit. Dhe halucinacionet nuk janë veçse një kurth i saj për të na afruar dhe larguar kur ajo e sheh të domosdoshme.Ajo është gruaja që duket sikur jeton jashtë disa dimensioneve kohore, jashtë disa sistemeve kohore dhe qëpërpiqet t’i shpërfill. Shpesh herë pëson një ndarje të trupit nga shpirti, një shpirt i spostuar nga trupi. Dhe si e tillë gjendet në këtë dyluftim të qenies nga mosqenia, duke u rrokullisur aty ku vdes çdo çast e nuk ka duk as vdekja.

Vetmia që konsumon shpirtin njerëzor është temë e prekshme e lëvruar nga shumë autorë, sepse vetmia e ndjek njeriun hap pas hapi, i cili pavarësisht gjithçkaje e gjen veten sërish në një pikënisje të re. Koha përsëritet.“Grua haluçinante” dhe vetmia e saj, kjo dhimbje rrëqethëse e patrajtë, por që ngulet thellë në mish dhe tru.

“Gruaja haluçinante”është një rrëfim që të bën për vete, të josh dhe të shtyn nënjë pritjeje të re librash të poetes Mimoza Ahmeti,duke ruajtur të njëjtën lartësi.Një libër që edhe pasi e ke lexuar, ke dëshirë t’u rikthehesh paragrafëve që të kanë pëlqyer, fjalëve që të kanë rrëqethur, befasuar.

“ Fjala, kjoshpikje e madhe e njeriut”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.