HERMETIZMI INSTIKTIV

Ndoshta i vetmi vend ku mund të gjendet Artur Rimbaud, është vetëm në poezitë e tij, por ai as aty nuk arriti ta gjente vetveten

(Hamdi) Erjon MUÇA

StephanMalarme ishte dhe mbetet babai natyral i hermetizmit, i drejtpërdrejtë, pa dritëhije, pa mëdyshje, ndërsa Rimbaud, ndonëse hermetist, është një paradoks më vete. Mund të konsiderohet si sofisti i fundi i njerëzimit, por edhe në këtë konsideratë nuk i largohet paradoksit. Në shumë aspekte i ngjet dervishëve të sektit të humbur, Kalenderi; poetë, filozofë, nomadë, lëmoshëkërkues dhe që shumë herë janë akuzuar për pederasti. Për shumë aspekte, ndonëse nuk kemi fakte nëse Rimbaud kishte njohuri mbi zakonte e këtyre dervishëve, i ngjet pikërisht këtyre; Dëshira e madhe që kishte për t’u endur, për të gjetur një vend ku të ndihej mirë, endjet me poetin tjetër Verlain, deri në çastin kur ky i fundit e plagos me pistoletë dhe burgoset.

Një shpjegim të mrekullueshëm të këtij personazhi, kësaj dukurie njerëzore, na e jep një studim i profesor AlessandroQuattrone, një nga përkthyesit dhe, në mos, njohësi më i mirë i Rimbaud-it në Itali. Quattrone mundohet të na e paraqesë Rimbaud-in nën këndvështrimin njerëzor, të djaloshit të brishtë psikologjikisht, të poetit që me ardhjen e tij ndryshoi rrënjësisht kontekstin poezi, dhe të krijesës që kapitulloi nën trysninë e dy forcave në përplasje, krejtësisht të kundërta por intensivisht të barasvlershme; bymimi i ndjesive krijuese dhe trysnia e efimeritetit real njerëzor. Ndërsa unë do të mundohem tìa zhbiroj nga një tjetër këndvështrim; intensiteti sofistik brenda një poezie të vetëm.

Rimbaud, edhe si poet është paradoks. Ai kalon nga një naivitet, gjenial, hermetik, tek ky hermetizëm i lindur, aspak i kërkuar me forcë, si ai i Malarme-së. Poezinë Lot ai e nis kështu:

Larg nga zogjtë, nga kopetë dhe fshataret,

pija i përkulur nuk e si se në cilën shqopishte

rrethuar nga të buta pyllishte lajthish,

nën mjegullën e një të vakëte dhe të gjelbër pasdite.

Ka këtë mendim, që përbën një strofë të plotë ndaj dhe unë nuk e ndava. Poeti, tashmë, edhe fizikisht, por edhe shpirtërisht, madje edhe psikikisht, ndihet, është larg njerëzimit dhe gjithçkaje e përfaqëson. Ashtu siç do të bënte Zarathustra shumë vite më pas, poeti ka kërkuar largimin nga qytetërimi, me shpresë për të gjetur vetveten; ose Kimerën; hipotezën absurde, ëndrrën e kotë, utopinë me emrin qenësi. I lodhur, i etur, rrethuar vetëm nga kompozime kimike të heshtura, që ashtu si njerëzit lindin dhe vdesin, duke dhënë frytet e veta në këtë segment kohor relativ, të palëvizshëm, me pamundësinë e endjeve në kërkim të ideales, ndoshta pa kokëçarjen e ankthit që shoqëron kërkimet. Pra një lloj kthimi në primitivitet për të gjetur qetësinë, vetveten e humbur ndër hallkat e evoluimit:

Çfarë mund të pija në atë rioshe Oise,

vidhe të heshtur, qiell i mugët, barë pa lule.

Strofën e dytë e nis me këto dy vargje që përbëjnë një mendim disi më të sofistikuar dhe paradoksal. Duket sikur këtu mbështet tek maksima e famshme e Heraklitit: Nuk lagesh kurrë dy herë në të njëjtin lum. Duket sikur poeti ka përftuar bindjen, që përsa të mundohet të primitivizohet për të gjetur atë diturinë apoteozike të shumë ëndërruar, nuk do të arrijë kurrë ta përftojë; koha është një paradoks universal, plaket duke mbetur gjithnjë e re, e rrjedhshme. Gjithçka e rrethon poetin është një heshtje, që lëviz palëvizshmërish. Gjithësia shfaq gjithçka, por pa treguar asgjë:

Çfarë rridhte nga faqorja e kolkozit? Ndonjë

liker prej ari pa shije që të sjell edhe djersitje.

Kur thash që kjo strofë është më komplekse se sa strofa e parë, nuk kisha parasysh vetëm vargjet e para, por të gjithë strofën. Nga ajo vetëdija e përftuar prej poetit, që askund jashtë tij nuk mund të përftojë atë dijen universale, që sipas një pjese të mirë të filozofëve, kemi humbur me evoluimin, poeti ka bindjen që edhe në brendësinë e vet, ajo dije nuk mund të gjendet. Këtë e bën me sofizëm. Faqorja e kolokozit; kolkozi është një bimë që rritet për më tepër në vende të lagështa, të ngrohta dhe me hije; është një nga ato lloje lulesh që nuk lulëzon, por ç’lulëzon. Pak a shumë si krijesa njerëzore, që nuk maturon, por plaket. Dhe çfarë mund të përfitosh në zhbirimin e kësaj brendësie që vetëm sa degradon kimikisht, përpos të ndonjë mendim, teorie, apo edhe metafore xixëlluese, që vetëm sa të shton angështimin e mosgjetjes së një përgjigje; përvijimin e një rrethi, ku pyetjeve, nuk mund t’u përgjigjesh përveç se me pyetje?!

Kështu, unë paskam qenë e shëmtuara tabelë hoteli.

Strofa e tretë e paraqet egërsisht të vërtetën e një kapitullimi të parashkruar. Krijesa njerëzor, kupton, herët a vonë, që nuk është as më shumë e as më pas se të gjitha krijesat e këtij ambienti që e rrethon. Si për inat të të gjithë atyre që duan të na bindin se ne jemi projekti, apo edhe pikënisja e diçkaje më të madhe, poeti, filozofi, na thotë se nuk jemi as hoteli që mendohet se duhet të bujë dijen, fatin, apo pikënisje dhe mbërritjen, jo ne nuk jemi tjetër veçse tabela treguese e bujtinës. Jemi jashtë, kemi qenë jashtë dhe do të mbetemi jashtë. Tjetër gjë është bujtësja e të vërtetës universale dhe nuk ka të bëjë me ne:

Më pas qielli ndryshoi deri në mbrëmje nga një e dhunshme

stuhi. E u dukën katunde të zinj, liqene,

shtylla, kolona nën natën blu, stacione.

Strofën e mbyll me këtë mendim të gjatë që duket sikur i rikthehet paqësisë së strofës së parë. Gjithçka që lëviz, njëtrajtëshit, gjithnjë ndryshe, në këtë botë të ndërtuar nga njerëzit, sipas shëmbëlltyrës së tyre.:

Tretej mbi të virgjëra ranishte uji i pyjeve,

prej erës binin akuj mbi këneta…

Pas asaj paqëtie të gjetur në përfundim të strofës së tretë, poeti kërkon të thotë akoma diçka, diçka e rëndësishme i kaluar pa thënë, një e vërtetë, por që nuk përbën një përgjigje, por një pyetje perpetum, në reshtin e atyre pyetjeve që ne tashmë kemi vendosur t’i përdorim si përgjigje. Ajo dija e kondensuar universale, uji i pyjeve, humbet nëpër ranishte të virgjëra, krijesa gjithnjë të etura, të reja, paprekura, të pazota për të mbajtur diturinë njerëzit. Nga dukuritë, edhe natyrore mund të quhet, e lëvizshmërisë, binin akuj, dituri të ngrira të destinuara, ashtu akulli që bëhet ujë, të ndërhyjnë, mbi ujin e kënetës, të përzihen me të, pra diturisë së përftuar dhe të kondensuar në pikën, ndoshta të duhura, për të na dhënë përgjigje, duke e holluar sërish, duke i shtuar pyetje të reja, atyre pyetjeve që sapo kishin nisur të merrnin formën e përgjigjes përfundimtare:

Dhe të thuash që unë, njëlloj si një peshkues ari

ose grackash, nuk u shqetësova të pija!

Poeti nuk mund ta mbyllte poezinë, pa na shprehur pezmin, keqardhjen, që e ka kapluar pasi ka zbuluar kapitullim e parashkruar. Ndonëse nga toni i vargjeve të fundit, duket sikur ka kohë që e ka ndjerë këtë lloj përfundimi, ndihet habia e një krijese optimiste. Sikur do të thotë: megjithëse i vërejta të gjitha këto anakronizma që tregonin qartë se ky është një shteg i mbyllur, unë sërish, me kokëshkretësi desha ta ndërmarr.

Ja pra ky ishte paradoksi Rimbaud. Një krijesë pesimiste në optimizëm dhe optimist përkundër gjithë pesimizmit që e rrethonte. Heremtik, instinktivisht dhe naivisht. Tepër i ri si për të kalëruar fitoret po ashtu edhe për të përballuar humbjet. Kërkoi Artur Rimbaud-in kudo, por nuk e gjeti askund. As brenda vetes dhe as jashtë sajë. Ndoshta i vetmi vend ku mund të gjendet Artur Rimbaud, është vetëm në poezitë e tij, por ai as aty nuk arriti ta gjente vetveten. Ndoshta edhe aty pa një refleks të asaj që mendon se nuk i përkiste atij, por një pyetje, të maskuar si përgjigje.

LOT

Larg nga zogjtë, nga kopetë dhe fshataret,

pija i përkulur nuk e si se në cilën shqopishte

rrethuar nga të buta pyllishte lajthish,

nën mjegullën e një të vakëte dhe të gjelbër pasdite.

çfarë mund të pija në atë rioshe Oise,

vidhe të heshtur, qiell i mugët, barë pa lule.

çfarë ridhte nga faqorja e kolkozit? Ndonjë

liker prej ari pa shije që të sjell edhe djersitje.

Kështu, unë paskam qenë e shëmtuara tabelë hoteli.

Më pas qielli ndryshoi deri në mbrëmje nga një e dhunshme

stuhi. E u dukën katunde të zinj, liqene,

shtylla, kolona nën natën blu, stacione.

Tretej mbi të virgjëra ranishte uji i pyjeve,

prej erës binin akuj mbi këneta…

dhe të thuash që unë, njëlloj si një peshkues ari

ose guaskash, nuk u shqetësova të pija!

(Maj 1872)

Leave a Reply

Your email address will not be published.