IDENTITETI KULTUROR NË KRIZË

Një nga sfidat më të mëdha që gjithnjë e më shumë po e prekin kulturën shqiptare është shtimi i dukurive që përfaqësojnë antivlera. Siç duket, një lloj stimulimi apo provokimi i qëllimshëm i këtyre antivlerave është në zhvillim, duke krijuar një ambient të pafavorshëm për vlerat e mirëfillta kulturore

Nga Avni HALIMI

Në kohën kur media, televizioni dhe interneti janë bërë kanalet kryesore të informimit dhe ndikimit, fare lehtë po vërehet se si antivlerat kulturore po marrin jetë të pavarur. Shundi dhe kiçi, apo, siç është bërë mode t’i quajmë “tallava”, po stimulohen e po promovohen dhe po  shndërrohen në elemente dominues në shumë forma të artit dhe kulturës popullore shqiptare. Më e keqja, këto dukuri shpesh po serviren si diçka që po e ha pazari dhe që po e kërkon populli! Në këtë pike shtrohen disa pyetje thelbësore është: Cili është qëllimi i atyre që promovojnë këto antivlera? E bëjnë nga injoranca apo me strategji të përgatitura nga qarqe të ndryshme antishqiptare? A është kjo një mënyrë për të çmontuar dhe keqformuar identitetin tonë kulturor mbi atë kod që na ka ruajtur, që na ka dalluar dhe që na ka shquar si popull i fisëm?

Heshtja armiqësore para degradimit kulturor

Nëse edhe më tej vendosim të heshtim para kësaj situate, nëse kjo situatë vazhdon pa u adresuar, pasojat do të jenë të rënda. Aktualisht kjo dukuri është në shtim e sipër dhe, shumë shpejt do të vie faza e shtresimit mbi një trashëgimi me vlera të padiskutueshme kulturore që do të ngelë pa nam e nishan! Të mos harrojmë: kulturat që kanë kaluar përmes momenteve të krizës kanë parë se, kur antivlerat bëhen dominante ato krijojnë një shoqëri pa identitet të fortë. Shqiptarët janë një popull që ka kaluar përmes shumë periudhash të vështira, dhe për më tepër, ka shpëtuar nga shumë periudha pushtimesh dhe dominimesh kulturore dhe, nëse heshtim para këtyre anomalive kulturore, do të rrezikojmë të humbasim pjesë të rëndësishme të identitetit tonë, të trashëguar përmes shekujve. Shpërndarja masive e këtyre dukurive do të krijojë një popull që nuk është në dijeni të pasurisë kulturore që i përket, dhe më keq akoma, do të rrisë ngatërresat mes brezave, duke nxitur humbjen e lidhjeve të thella me traditat dhe vlerat themelore. Mjafton një orë letrare, një manifstim letrar, një film limonadë, një ekspozitë të përkrahur nga do qarqe të dyshimta e që vdesin pas “kulturave eksperimentale” te popujt me identitet kulturor të plagosur, mjafton një dasëm që të bindesh se po rrokullisemi tatëpjetë kodrës së antivlerave. Janë të paktë nga gjeneratat e reja që dinë për figurat dhe vlerat kulturore që deri në përjetësi e bëjnë krenar popullin tonë. Madje tashmë as syri e as veshi nuk ua pranon atë vlerë që dinjitetshëm mund të konkurrojë me çdo vlerë botërore.

Kulturologët dhe intelektualët shqiptarë, që janë më të ftuarit për të udhëhequr një analizë të thellë dhe të sinqertë për këto fenomene, po heshtin. Për fat të keq, kjo heshtje po shoqërohet edhe me një mungesë të kritikës të cilën e kërkon një shoqëri që përpiqet të mbajë integritetin kulturor. Kritika e mirëfilltë, ajo që thekson dhe promovon vlerat e artit dhe kulturës të ruajtura për breza, po vdes dhe, assesi të kuptpojmë se pa këtë kritikë, ne jemi të ekspozuar ndaj një gjuhe dhe një estetike që janë larg vlerave të cilat shqiptarët i kanë mbrojtur për shekuj me radhë.

Të gjendur para një situate të tillë tashmë emergjente, nuk është turp që të kthejmë kokën kah përvojat dhe praktikat e popujve të civilizuar dhe të shohim se si ata i kanë tejkaluar dukuritë e tilla të shëmtuara duke investuar në edukimin dhe formimin e një elite intelektuale dhe kulturore, të cilën e kanë angazhuar dhe përkrahur në ruajtjen dhe zhvillimin e vlerave autentike. Nuk është e turpshme t’i kopjojmë në krijimin e strukturave për reflektim të vazhdueshëm mbi trashëgiminë kulturore dhe ruajtjen e identitetit kombëtar përmes institucioneve të shenjta kulturore si muze, shoqata, qendra kërkimore, festival, manifestime etj. Kultura shqiptare e ka shumë të vështirë të mbijetojë dhe të zhvillohet nëse sa më parë nuk del nga ky cikël negativ i promovimit të antivlerave dhe të kthejmë vëmendjen te vlerat e vërteta që përbëjnë esencën e identitetit tonë. A është intelektualitet publikimi dhe shpërndarja e informatës se akcili avdall këtë vit do të publikojë njëzet vepra shkencore-letrare dhe me këtë të mburret pseudo-elita shqiptare? Pa një përpjekje të bashkërenduar nga intelektualët, artistët dhe të gjithë ata që kujdesen për kulturën, nuk ka asnjë mundësi të mbrohet dhe zhvillohet ajo që kemi trashëguar. Heshtja është një armik i fuqishëm. Rreziku është real, dhe asnjëherë nuk ka qenë më e nevojshme se tani një angazhim i përbashkët për ta shpëtuar kulturën dhe identitetin tonë kulturor nga këto rreziqe që po i kanosen.

Kultura është shpirti i një populli

Disa ditë më parë, në disa institucione kulturore të Maqedonisë së Veriut, u bënë dhjetëra punësime artistësh, dhe, ky detyrim shtetëror u “shit” si “angazhim i fuqishëm në promovimin e kulturës shqiptare dhe ndalimin e abuzimit të deritanishëm me artistët që është bërë nga BDI vite me radhë…” Ky qëndrim partiak i rishtakëve qeveritarë meriton një kritikë thelbësore sa për t’ua bërë me dije se punësimi i artistëve nuk duhet të ngatërrohet me promovimin e kulturës, për shkak se ai mbetet një detyrë administrative që shteti e ka ndaj institucioneve kulturore. Nëse qeveria mendon se me punësimin e disa aktorëve, këngëtarëve, ose valltarëve, ka përmbushur obligimin e saj ndaj kulturës shqiptare në RMV, ky është një mendim i gabuar që pasqyron jo vetëm një amatorizëm por edhe një përpjekje për ikje nga obligimet kombëtare për sa i përket identitetit kultruro dhe zhvillimit të kulturës institucionale. Pa dyshim, pa artistë nuk ka institucione kulturore dhe, për pasojë, nuk ka kulturë institucionale. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se punësimi i disa individëve në pozita artistike është e mjaftueshme për të krijuar një zhvillim të qëndrueshëm kulturor. Nëse kjo është e kuptuar si një “përmbushje detyrimi”, atëherë kemi të bëjmë me një nonsens për ata që e kuptojnë thelbin e kulturës dhe proceset që lidhen me të. Vlerat kulturore kërkojnë një angazhim të qëndrueshëm, një strategji të qartë dhe një investim në infrastrukturën dhe programet që mundësojnë zhvillimin e një kulture të pasur dhe të diversifikuar. Deri më sot, asnjë subjekt politik shqiptar në RMV nuk na e ka publikuar qoftë në disa faqe programin partiak për kulturë institucionale e aq më pak strategjinë nacionale për kulturë kombëtare.

Të akuzosh BDI-në apo PDSH-në se na paskan manipuluar me kulturën nacionale, kjo nuk është korrekte! Edhe këto parti kulturës kombëtare i janë qasur pa kurrfarë dokumenti programor, megjithatë, ia kanë dalë që shqiptarëve të vendit t’u lënë diçka që mund të llogaritet si themele të kulturës institucionale për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Nëse shohim pas, do të vërejmë se këto parti, pavarësisht kufizimeve të tyre ideologjike, kanë pasur një rol të rëndësishëm në themelimin e institucioneve kulturore, si Ansambli i Këngëve dhe Valleve, Teatri Profesional Shqiptar i Gostivarit, Teatri shqiptar i Tetovës, Galeria e arteve në Tetovë, Qendra për Konservim në Gostivar, Instituti për trashëgimi kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve të RMV-së, Njësia teatrale shqiptare pranë Shtëpisë së Kulturës në Kumanovë. Themeli i këtyre institucioneve përbën një hap të rëndësishëm për zhvillimin e kulturës, dhe vetëm themelimi i institucioneve nacionale mund të konsiderohet një angazhim konkret për kulturën kombëtare. Gjithsesi, themelimi i institucioneve kulturore nuk është i mjaftueshëm për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm kulturor. Ky angazhim duhet të vazhdojë me një mbështetje të përhershme dhe me planifikimin e burimeve të nevojshme për funksionimin e tyre. Ky është detyrim i shtetit, i dikastereve që merren me administratën në përgjithësi. Shteti, natyrisht,  duhet të ketë një strategji të qartë për ngritjen e institucioneve dhe për mbushjen e vendeve të punës brenda tyre, si dhe për sigurinë e mbështetjes për artistët dhe kulturën në tërësi. Kjo përfshin mbështetje financiare si dhe mundësi për zhvillim profesional për artistët dhe individët që punojnë në këtë sektor.

Një subjekt politik serioz duhet të kuptojë se, thjesht, punësimi i artistëve nuk është një zgjidhje për sfidat që ndodhin në sektorin kulturor. Nëse një parti politike mendon se kjo është mënyra për të realizuar detyrimet e saj ndaj kulturës kombëtare, atëherë jemi dëshmitarë të një shmangieje nga angazhimi real. Kultura nuk është një çështje e thjeshtë menaxhimi, por një proces i ndërlikuar që kërkon vëmendje të vazhdueshme dhe investime të thella për të siguruar që ajo të ruhet dhe zhvillohet për brezat që vijnë. Pra, fokusimi tek aktorët, këngëtarët dhe valltarët sugjeron se thjesht punësimi i këtyre individëve nuk është mjaftueshëm për të krijuar ose mbajtur një kulturë të gjallë dhe të qëndrueshme. Pa një strategji të mirëfilltë kombëtare për zhvillimin dhe promovimin e kulturës institucionale, ky lloj punësimi, siç u tha, mund të shihet si një “përmbushje e detyrës” nga qeveria, e cila nuk reflekton një angazhim të thellë dhe të qëndrueshëm ndaj kulturës shqiptare dhe zhvillimit të saj. Kultura, sipas këtij mendimi provincial na qenka thjesht një çështje menaxhimi të burimeve njerëzore, dhe jo një pjesë e një strategjie të gjithanshme që përfshin financim, edukim, ruajtje dhe zhvillim të arteve, traditave kombëtare dhe zhvillimin e infrastrukturës kulturore?! Kultura është shpirti i një populli.

Pronarët maqedonas të “përkthyesve” shqiptar

Një ndër risitë më të rëndësishme që është miratuar në Republikën e Maqedonisë së Veriut (RMV) në vitet e fundit është i ashtuquajturi Ligji për Gjuhët, i cili e detyron përdorimin e gjuhëve (sidomos të shqipes) në të gjitha nivelet dhe institucionet shtetërore e publike, për aq kohë sa popullsia jo-maqedonase e flet atë në përqindje jo më të vogël se 20%. Ky ndryshim i rëndësishëm ligjor është hap i duhur për integrimin e shqiptarëve dhe njohjen e të drejtave të tyre gjuhësore.

Megjithatë, pas miratimit të këtij ligji, një tjetër realitet i hidhur ka filluar të shfaqet, ku në vend të një zbatimi korrekt dhe të denjë të përkthimeve, po ndodh një situatë eksploatimi të përkthyesve shqiptarë, dhe kjo duhet të ngrejë shqetësime të mëdha. Në një kohë kur kërkesa për përkthyes shqipëror nga maqedonishtja është rritur ndjeshëm, ashtu sikundër edhe numri i “agjencive përkthimore” të egra, ka rënë ndjeshëm cilësia e përkthimeve dhe respekti ndaj gjuhës shqipe. Pikërisht këtu, na del një dukuri e papranueshme: përkthyesit shqiptarë, të cilët janë “të detyruar” (më tepër nga injoranca) të pranojnë kontrata me çmime që shpesh nuk e mbulojnë asnjë shpenzim bazik, shfrytëzohen nga agjencitë që janë të drejtuara nga individë të cilët nuk kanë asnjë interes të sigurojnë kushte të mira pune, përveç përfitimit personal. Ata paguhen 2-3 euro për faqe, ndërkohë që buxhetet për përkthimet janë të siguruara dhe mund të lejojnë një pagesë shumë më të lartë për shërbimet e ofruara.

Në këtë situatë, pa asnjë dyshim, ekziston një parregullsi e theksuar që krijon mundësi për shfrytëzim dhe jo për zhvillim të mundësive të barabarta për shqiptarët në tregun e punës. Përkthyesit shqiptarë nuk janë të punësuar në pozita të qëndrueshme dhe profesionale në shumë nga institucionet shtetërore, kulturore, dhe mediatike. Nga ana tjetër, sa më shumë që po shtohet kërkesa për përkthyes, aq më shumë po shtohen mundësitë për shfrytëzim të këtij grupi! Ky shfrytëzim është i thelluar dhe i përhapur në mënyrë të tillë që po krijon një logjikë të gabuar, që po përhapet si një epidemi: “më mirë të angazhojmë përkthyes me çmime simbolike se sa të angazhojmë profesionistë shqiptarë që mund “ta kontaminojnë” kolektivin etnik maqedonas”. Ky është një qëndrim jo vetëm i papranueshëm, por dhe shumë i dëmshëm për bashkëjetesën dhe integrimin ndërkombëtar të RMV-së, sepse nënvlerëson dhe injoron vlerën që ka fuqia punëtore e shqiptarëve dhe ndihmon për të ruajtur një ndarje të thellë në shoqëri.

Një tjetër aspekt shqetësues është mungesa e mundësive për punësim të përkthyesve shqiptarë në sektorët shtetërorë dhe privat, pavarësisht se Ligji për Gjuhët e detyron përdorimin e gjuhës shqipe. Në asnjë redaksi maqedonase, në asnjë institucion maqedonas të kulturës, nuk ka përkthyes shqiptarë të punësuar me kontrata të qëndrueshme, të cilët të kenë mundësi për zhvillim profesional dhe të jenë të mbrojtur nga një kontratë pune e denjë. Ndaj dhe faqet zyrtare të tyre janë vetëm në gjuhën maqedonase ose, aty-këtu me ndonjë shqipe të çoroditur që ua ofron google translate! Përkthimi është një profesion i rëndësishëm, që kërkon aftësi dhe njohuri të thella të gjuhës dhe kulturës përkatëse. Çdo gjë që është botuar në formën e përkthimeve të mangëta dhe të pasakta e dëmton imazhin e kulturës dhe përfaqësimin e shqiptarëve në shoqërinë maqedonase. Në vend që të krijohen mundësi që shqiptarët të punësohen dhe të zhvillohen si profesionistë të vërtetë në këtë fushë, ata shfrytëzohen si resurse të lira pune, duke u nxitur kështu një situatë të padrejtë dhe të ndërlikuar.

Zbatimi i Ligjit për Gjuhët duhet të jetë më shumë se sa një detyrim teknik. Duhet të sigurohet që shqiptarët të kenë mundësi të barabarta për punësim dhe zhvillim, si dhe t’u sigurohen kushte të mira pune. Pa dyshim, duhet një rishikim i politikave të punësimit dhe mbrojtjes sociale për përkthyesit shqiptarë, që ata të kenë mundësi të angazhohen në pozita të qëndrueshme dhe me kushte të mira. Po ashtu, duhet të formohen mekanizma të qartë dhe të rreptë kontrolli që të sigurojnë që ligji të zbatohet siç duhet dhe të ndalojë shfrytëzimin dhe padrejtësinë ndaj këtij grupi të rëndësishëm. Ky qëndrim institucional do t’i harr edhe “ata përkthyes” të cilët po na shkaktojnë “ndotjen gjuhësore” dhe këtë profesion do ta ngriste në nivelin e profesionalizmit që është gjithë respekt për gjuhën shqipe.

Leave a Reply

Your email address will not be published.