ILUZIONI OPTIK I VETES DHE PËRMES VETES

Poezia e Artanit, sendërton njeriun qytetar, përmes poezisë qytetare, në formën më të çmendur: nëpërmjet rebelimit të vetë njeriut-qytetar

Emrije KROSI

Tashmë, poezia është si të thuash edhe caku apo “streha” e shumë poetëve shqiptarë, të rinj apo të vjetër, por të paktën janë ata që meritojnë të quhen poet. Dikush që boton duke përsëritur veten, quhet poet. Dikush tjetër që “imiton” të tjerët, po prapë poet quhet. Po një dikush tjetër, që “mbledh” fjalë dhe vargje (përmes plagjiaturave “vjedhjeve”). Në këtë kakofoni dhe larushi botimesh e shpërfaqje “talentesh” secili i bën “nder” vetes, në “areolën” e poetit. Në fakt të bëhesh poet është kollaj, (duke mos përligjur asnjë rregull), por të mbetesh është fat.

Në kërkimet e mia në lëmin e poezisë shqipe postmoderne pas viteve’90-të, hasa në një emër me një poezi rebele dhe moderne, që vetëtimthi të rrëmben për ta lexuar dhe mbajtur shënime. Më në fund, ku bindesh se pas shumë procesesh leximi apo ashtu siç thotë (Harold Bloom-i), të lexojmë, çfarë dhe si të lexojmë, kuptojmë se jemi në tjetër përndritje, apo në një tjetër mirazh të pasqyrimit dhe përthyerjes së dritës, nën mrekullinë e “Fata Morganës”, libri i fundit i poetit shqiptaro-kanadez Artan Gjyzel Hasani. Por, çfarë është fjala apo termi fatamorganë (një lloj iluzioni optik që lidhet me brigjet e Barcelonës, Norvegjisë, apo kryesisht të ngushticës së Mesinës, një zonë në Italinë e Jugut. Por, emri i këtij efekti vjen nga legjenda e Mbretit Artur, karakteri klasik në letërsinë europiane. Mbreti Artur, kishte një gjysmë motër e cila ishte magjistare, me aftësi të ndryshonte pamjen e saj. Njerka njihej si Morgana la Fey, Margane, Morganna).

Një tekst poetik që sendërton perceptime poetike:

a) receptimi përmes shëmbëllimit të imazheve të vetvetes,

b) përzierjet e trajtave dhe masave universale të dritës/errësirës,

c) përmasa e iluzioneve optike, si një qenie tjetër në lëndën poetike,

d)shpërfaqja e dukurisë si poezisë qytetare dhe asaj ambientaliste,

e) rebelimi për unin dhe absurdin, si dukuri postmoderne,

f) receptimi i elementeve poetike si forma të përmbushjes estetiko-letrare.

Kjo dukuri detare, shëmbëllim, apo iluzion optik, përmes dritës dhe errësirës, përmes detit dhe tokës, përmes ujit dhe shkretëtirës, përmes natës dhe ditës, përmes formave njerëzore dhe shpërfytyrimit të masës dhe trajtës, apo deformimit të Unit, krijon “shtegun”, “urën”, “përmasën” ku shpirti deporton dhe kompozohet në tjetër përmasë, përmes vargjeve: anije kokëposhtë jemi/nisur për lundrim përmbys/por ne e quajmë fluturim/ngatërrojmë qiejt me detet/hutuar gravitetet/dhe ankohemi përse gjithnjë mbytemi…/sa herë nisemi për udhë/dikush mbetet qyqar/Fata Morgana shpresa jonë e vetme…në poezinë “Fata Morgana”. Ai imazh tërësisht shpirtëror dhe rebel, përmes përthyerjes në formë magjike apo të paradoksit dhe absurdit, “rrëzon” maskën absolute të Unit tënd, duke urryer atë që kemi breda nesh dhe dashuruar tjetrin, që fshihet brenda nesh. Por, poezia e Artanit, sendërton njeriun qytetar, përmes poezisë qytetare, në formën më të çmendur: nëpërmjet rebelimit të vetë njeriut-qytetar.

Së fundmi: një poezi që quhet POEZI. Mjafton të hapesh mendje dhe të lexosh diçka krejt ndryshe, diçka përtej një amalgame mes vetes dhe tjetrit, po tjetri i pasqyruar te ti dhe universi yt poetik përmes leximit, është një portokall që “qërohet” vetvetiu në dorë. Lexuesit i mungojnë poezi të tilla, me dimensione qytetarie, por edhe me mesazhe sociale.

Leave a Reply

Your email address will not be published.