JERONIM DE RADA: ESTETIKA SI TEORI E ARTIT ROMANTIK

Vepra e tij, e para në studimet estetike në përgjithësi, ka mbetur një ishull dhe trajtimet e sotme, vetëm sa përpiqen t’i njohin një vend historik

Zejnullah RRAHMANI

Poeti ynë i madh i romantizmit J. De Rada ishte figura më e kompletuar e Rilindjes Kombëtare, njëkohësisht edhe më kompleksja, ndoshta edhe në gjithë historinë e letërsisë shqipe. Kur e them këtë, kam parasysh veprën e tij letrare, unikate në letërsinë tonë të romantizmit, faktin që shumë vjet ishte mësuesi dhe themeluesi i studimeve të larta shqiptare, themelues dhe penda kryesore e revistës “Flamuri i arbërit”, ndër më të më shquarat në shqip në të gjitha kohët; ishte mbledhës folklori, gramatikan dhe autor i të parit traktat estetik “Parimet e estetikës”, megjithëse i shkruar në italisht. Vepra e tij e pasur, si dhe veprimtaria e tij, që shtrihet në pjesën më të madhe të shekullit XIX, kanë ushtruar ndikim të pakontestueshëm në zgjimin dhe formimin e vetëdijes nacionale shqiptare në tërësi. Shikuar nga realiteti arbëresh, do të shtonim edhe se duke punuar, duke shkruar verën e tij letrare e të dijes, duke zhvilluar e përhapur arsimin në arbërisht, J. De Rada e ka përjetësuar qenien arbëreshe dhe kontributin arbëresh në historinë e kulturës shqiptare. Dyqind vjet më vonë, personaliteti i tij vazhdon të rrezatojë në këtë kulturë. Veprimtaria e tij përbënë një fakt historie, që shtohet në peshë sa më shumë kohë që kalon, ndërsa letërsia e tij tregon cilësitë që e karakterizojnë një letërsi të madhe: qëndron përkundër kalimit të kohës si letërsi aktuale dhe lexohet duke i ofruar lexuesit të secilës kohë një fytyrë të re. Natyrisht që kjo mund të thuhet për “Këngët e Milosaos”, ndoshta edhe për “Këngët e Serafina Topisë” si vepra që ndërtohen mbi dy heronjtë romantik trimi dhe vasha, po të shpreheshim me fjalë arbëreshe, por edhe vepra mbi heroin romantik – historik “Skenderbeu i pafanë”, i pikturuar me mjete të romantizmit (këtu e kam parasysh fragmentarizmin, zhytjen në natyrën kontradiktore të heroit, përdorimin e alegorisë, ndërtimi i personazhit që ka një anë të panjohur, të errët të karakterit, dualitet në të cilin individi nuk mund të ketë kontrollin e plotë të veprimit, etj. Spektri i veprës së tij, duke lënë mënjanë shkrimet e ndryshme publicistike, do të përmbledhë krijimtarinë gojore të arbëreshëve në veprën “Rapsodi të një poeme shqiptare” (1866), poemat heroike – romantike, veprën dramatike (Sofonizma, 1891) dhe kurorën mendimtare të përmbledhur nën titullin “Parime të estetikës” (1861), e shkruar në gjuhën italiane, por tashmë e pakalueshme për ata që kërkojnë ta njohin veprën e tij. Titulli i kësaj vepre dhe çështjet e shumta të estetikës që trajtohen aty, i japin asaj karakterin e traktatit estetik dhe kjo u jep dorë studiuesve të kësaj fushe të vlerësojnë vlerën e koncepteve dhe të ideve estetike që autori ynë ka trajtuar aty, mirëpo hap padiskutueshëm edhe mundësinë për ta shikuar veprën në dritën e parimeve të romantizmit, sidomos atij evropian, pra si teori e artit të romantizmit. Është i njohur fakti që romantizmi në përgjithësi mbështetet mbi forcën ekonomike të klasës së re borxheve dhe në planin e ideve janë të zhytur në praktiken estetike që ka dalë nga filozofia idealiste. Argumentin e parë De Rada nuk e ka të theksuar, sigurisht edhe pse komuniteti i tij nuk paraqet një forcë të tillë kapitaliste, ndërsa të dytën e shpreh haptas. Kjo hapësirë estetike, mundësia që ta shohim veprën e tij në relacion me parimet e romantizmit, na shpie në përafrime me ato diskutime qysh se u shfaqën në letërsitë evropiane. Natyrisht që kjo kërkon një punë të gjatë e të vështirë krahasimtare, por le të na lejohet vetëm të përmendim disa argumente të kësaj natyre. De Rada e botoi këtë vepër më 1861, në kohën kur romantizmi kish dhënë arritjet më të larta në letërsinë e disa vendeve (Foskolo vdiq 13 vjet pas lindjes së De Radës, Leopardi kur i kishte De Rada 23 vjet) ose për shumë kohë bashkëjetonte me realizmin dhe kish përfunduar kaherë në letërsitë e zhvilluara evropiane (Angli, Gjermani, Francë, Itali), të përmendim që në Francë është përafërsisht koha e natyralizmit (Zola disa vite ma vonë fillon botimin e serisë së njohur Les Rougon-Macquart), por edhe disa nga veprat e Balzakut p.sh. Lëkura e shagrenit, ose Manastiri i Parmës i Stendalit, mund të konsiderohen fare të afërta me romantizmin. Këto rrethana kohore i përmendi vetëm për të thënë që De Rada kish mundur të bënte zgjedhjen dhe vepra e tij na e dëshmon këtë: në harmoni me natyrën dhe pikëpamjet romantike, që do t’i shtronte, kish zgjedhur romantizmin, e sigurt që këtë e kish bërë edhe për shkak të idesë kombëtare edhe për shkak të thirrjes së shpirtit romantik të tij.. Pjesa e katërt e veprës së De Radës ka një shtojcë në të cilën ka trajtuar afrinë e emrave të disa perëndive greke me fjalë të shqipes, të cilën ka synuar ta trajtojë në një kapitull të veçantë, duke dashur të dëshmojë kështu për lidhjet e hershme të kësaj gjuhe me kulturën e lashtë, ndoshta edhe paragreke (pellasgjike), diskutim të cilën do ta hap edhe kur flet për poezinë e lashtë popullore shqipe, në lidhje me të cilën ka hapur e diskutuar disa nga çështjet e rëndësishme siç është lashtësia e motiveve, karakteri metrik i vargjeve të poezisë epike me tetë masë (rrokje) dhe ai i lirikës njëmbëdhjetë masë; një tezë që ka zënë jo pak vend studimet e mëvonshme të kësaj krijimtarie e të metrikës së saj. Çdo popull ashtu siç e ka të folurit e vet, që i shfaq disa pjesë të gjithësisë, ashtu e ka edhe këngën kombëtare, e cila del nga vetë jeta, duke qetësuar në përsosmëri me ndjenja të dhembshme apo të gëzuara. Kënga kombëtare, duke ndjekur të folurit e çdo populli, vazhdon të jetojë me të në kohë.,- thotë ai. Teza e De Radës mbi lidhjen e fjalëve të shqipes me emrat e perëndive të lashta greke, studimet e tij të gramatikës si dhe studimet e folklorit, na shpien, pos të tjerash, në fushën me interes të bindjeve kombëtare të De Radës dhe të pikëpamjeve mbi artin nacional. Filli i kombëtares e përshkon veprën e De Radës në mënyrë të organizuar, të vetëdijshme, në këtë çështje pajtohen të gjithë studiuesit e veprës së tij. Parimi i letërsisë kombëtare është një lloj programi i tij jetësor. Parimet e estetikës e vendosin në themel të diskutimit gjithashtu botëkuptimin e krishterë të këtij autori mbi njeriun në përgjithësi, botëkuptim të cilin ai e ka shprehur edhe në Autobiografi, duke e vendosur atë si pjesë të botëkuptimit të familjes së tij dhe të atij vetë, madje duke treguar se ka kërkuar nga i ati që të niste jetën e misionarit të krishterë. Ky element autobiografik i tij si person dhe e vërtetë familjare prej disa brezash, në  fakt koincidon frymën e krishterë që e përshkon dhe që mund të konsiderohet si njëri ndër parimet e romantizmit evropian në përgjithësi, e sidomos në letërsinë frënge dhe letërsinë gjermane. Në të parën le ta përkujtojmë Shatobrianin me Gjeniu i krishterimit (Le genie du Christianisme) dhe Madam de Staël, që insistonte se origjina e poezisë romantike duhet të kërkohet në unisimin e poezisë kalorësiake me krishterimin; kurse në letërsinë gjermane një varg autorësh duke filluar nga vëllezërit Shlegel e deri tek Hegeli, i cili krishterimin e sheh si esencë të shpirtit dhe në këtë kuadër poezinë romantike si shprehje të një skepticizmi të vetëdijes së dëshpëruar nga tëhujsimi prej atij shpirtit. Romantizmi, sipas këtij koncepti, shfaqet si shkalla e parë e krijimit të artit idealist si konstituens i shpirtit. Në Gjermani romantizmi do të shkëpusë kontaktet me iluminizmin dhe racionalizmin dhe do të jetë pranë filozofisë idealiste të Kantit dhe subjektivizmit idealist të Fihtes (Johann Gotlieb Fichte). Në kuptim poetik këtë lloj poezie Shlegeli do ta quajë poezi transcendentale Aty kemi një lloj poezie, esenca e të cilës qëndron në relacion midis ideales dhe reales, të cilën prandaj, sipas analogjisë me zhargonin filozofik, do ta quajmë poezi transcendentale (Schriften, 98). Skajin e botëkuptimit të tillë do ta artikulojë Shlejmaher (Friedrich Daniel Ernst Schleiermacher 1768 – 1834) teolog, filozof, studiues biblik, i cili unitetin esencial që mundëson çfarëdo relacioni midis mendimit dhe qenies, siç është vullneti për të qenë, e sheh të pranishme në qenien religjioze. Në këtë kuptim aktualitetin historik botëror e përcakton, sipas tij, ligji absolut hyjnor sumum bonum, dhe fuqia e realizimit të këtij ideali qëndron në vetëdijen religjioze. Kjo është porta e hapur që e shpie letërsinë në teologjinë e drejtpërdrejtë, mirëpo të cilën letërsia gjermane, dhe letërsia romantike evropiane në përgjithësi, nuk e ka kaluar edhe kur ka artikuluar ide religjioze në nivele të ndryshme, siç ka bërë gjithë letërsia evropiane e romantizmit. Fatbardhësisht idetë e përafërta të shprehur në estetikën e De Radës, gjithashtu nuk e kanë nënshtruar në këtë shkallë artin poetik të tij në, sado që idetë e krishtera reflektojnë nëpër atë vepër. Afërsisht kështu do të artikulohet edhe poeti ynë në traktatin e tij Parime të estetikës duke diskutuar në shumë vende, qenien njerëzore dhe mënyrën e paraqitjes së tij në artin letrar: një individ kompleks për nga natyra e tij, ku bashkëjetojnë dhe koordinohen ana fizike, shpirtërore dhe racionale dhe duke vepruar si individ në kuadër të univerzalitetit njerëzor. Natyrisht që në teorinë e De Radës arti në përgjithësi, dhe poezia gjithashtu, i referohen shpirtit, i cili komunikon me botën reale përmes shqisave. Ndërkaq, bukuria e plotë e shpirtit realizohet tek personat ku dobësitë dhe cilësitë janë në harmoni dhe të patepruara brenda një jete superiore, thotë ai në fragmentin Bukuria e plotë e shpirtit. Madhështia e shpirtit të qëndrueshëm shfaqet në veprat e kohës, që ndikojnë në botën e jashtme duke qenë krijime artistike. Ato pasqyrojnë gjendjen e shpirtrave të mëdhenj (Kapitulli III i Librit II,) është fragmenti që na e kujton diskutimin me principin e gjeniut romantik, të diskutuar në të gjithë letërsinë evropiane prej atëherë e deri në ditët tona. Në këtë kuptim edukimi estetik është i domosdoshëm për ta kuptuar artin romantik dhe në kuptim zyrtar është shteti që duhet të përkujdeset për këtë. Në këtë përkujdesje ai ka veçuar funksionin e shkollës së krishterë si institucion kishtar dhe shtetëror pasi që ai këto të dyja i kërkon të njësuara. E treta çështje që shtrohet këtu është parimi i fragmentarizmit, si parim i poetikës së romantizmit. Kjo mënyrë e paraqitjes së artit kërkon qasjen e re të edhe të lexuesit ndaj veprës. Vepra me strukturë fragmentare i mundëson lexuesit të participojë aktivisht në estetikën e re, për shkak se kjo formë krijuese paraqet më së mirë natyrën fragmentare të ekzistencës.. Veprat si Lyceum dhe Fragmente të Shlegelit janë vepra që hapin rrugë në këtë lloj paraqitjeje. Në fakt, fragmentet e tilla përmbajnë aspektin e sistematikës dhe të josistematikës, sepse për mendimin romantik të kesh sistem në vepër dhe të mos kesh sistem është njësoj vdekjeprurës për mendjen. Lexuesit i mbetet të ndërtojë një sistem për veten e tij nga ai pa sistem: kjo është njëra nga paradigmat e romantizmit në përgjithësi. Krijimi i poezisë romantike që në vete përmban dualizmin kuptimor dhe fragmentaritetin e kontinuitetit të saj ka bërë që Shlegeli ta quaj këtë poezi transcendentale dhe për ta kuptuar atë lexuesi duhet të ketë një formim  intelektual me orientim estetik. Për këtë arsye kërkohet që në sistemin e edukimit të insistohet në formimin e njeriut i cili do të jetë në gjendje ta kuptojë artin e tillë, tekstin dhe kontekstin, gjë që presupozon një hermeneutikë letrare. De Rada, në fakt, në Parimet e estetikës, insiston pak a shumë pikërisht në kërkesat e këtilla, sidomos në pjesët që kanë të bëjnë me institucionin e shkollës, përfshi edhe atë të shkollës së krishterë. Jashtë koncepteve të këtilla do të ishte e pakuptueshme përse ka inkuadruar në një vepër të kësaj natyre disa pjesë që duken të largëta me estetikën në përgjithësi. Çështja e parimit të fragmentaritetit edhe ka qenë çështja e vështirë në interpretimet e veprës së tij poetike. Shumicën e herëve konstatimi se shumica e veprave të tij janë vepra me një strukturë të dallueshme fragmentare, është interpretuar si shenjë dobësie, apo mangësi artistike në ndërtim të veprimit themelor të veprës. Ani pse De Rada jo njëherë ka folur për këtë parim letrar: në Parathënie (1873) të veprës Skenderbeu i pafanë ka sqaruar se Brendia dhe trajta e veprës u krijuan më vonë, në kushte të shpirtit dhe të kohës. As nuk kanë si epopeja e vjetër, një fabul simbolike e cila përmban një mendim kryesor.. (….) por përmban fenomene dhe veprime, të cilat duke u lartësuar, kanë rrëmbyer, nga çdo anë, zemrën time, qëndrojnë si trupore të njëtrajtshme ndër galeri të njëpasnjëshme, të rreshtuara për të përfytyruar ndonjë pamje të botës. (…) Duket e pabesueshme se sa shumë nocione themelore të romantizmit janë përdorur dhe janë ngritur në parime në këtë paragraf prej disa rreshtash dhe që shpjegojnë për këdo në kontekst të romantizmit veprën e tillë letrare. Përsosmëria në kuadër të atij parimi do ta konsiderohej vlerë e jo metë. Por le të shpresojmë, siç ka shpresuar edhe ai vetë, në leximin e ri të veprës së tij, një kohë kur ai lexues do të ketë përgatitjen e duhur estetike bashkë me gjerësinë për ta zënë idealin e artit klasik (adhurues i padiskutueshëm i të cilit ka qenë De Rada) që mbështetet në parimin e qartësisë dhe maturisë, dritës dhe harmonisë si dhe artin romantik që del prej pendës së gjeniut të natyrshëm, ku pamja del me dy fytyra: me të ndritshmen dhe të errëtën njëkohësisht. Poezia e De Radës është një përzierje e poezisë klasike me poezinë romantike, prandaj lexohet edhe sot, përtej romantizmit dhe vazhdon ta shfaq anën e saj të ndritshme me imazhet e shkëlqyeshme të heronjve romantik, heronjve nacional dhe me anën e errtë të tyre, ku vetëm fantazia dhe kërkimi shpirtëror i lexuesit mund të depërtojë. Përfundim Pa dashur të ndalem në të gjitha çështjet e shqyrtuara në Parimet e estetikës e që mund të quhen edhe parime të artit romantik, e që në pjesë të caktuara dalin edhe si diskutime të rëndësishme filozofike e ndonjëherë edhe shoqërore, pa dashur të merrem me atë që lehtësisht mund të pajtohet me shkrimet e Aristotelit në poetikë, dhe pjesërisht me poetikën e klasicizmit, mund të konstatohet që vepra e De Radës sjell për herë të parë në literaturën shqipe një mori konceptesh estetike e teorike dhe hap një fushë studimesh që ka mundur të zhvillohej, por që për fat të keq, kanë mbetur të panjohur deri tash vonë, edhe për arsye gjuhësore. Vepra e tij, e para në studimet estetike në përgjithësi, ka mbetur një ishull dhe trajtimet e sotme, vetëm sa përpiqen t’i njohin një vend historik, në ndërkohë që interesimet estetike – letrare shqipe sot kanë synime të tjera dhe situohen kohësisht tek letërsia moderne shqipe.

Leave a Reply

Your email address will not be published.