JETA BRENDA NJË POEZIE

(Përsiatje rreth poezisë Çmendinë të Xhevdet Bajrajt)

Zyrafete SHALA

Duke lexuar mendimet e ndryshme mbi poezinë si krijim, të dhëna në përpjekje për ta përkufizuar atë, krijohet përshtypja se sa më tepër që synojmë t’i ofrohemi esencës, aq më shumë zgjerohen kufijtë e definicionit dhe poezia na shfaqet si ekuivalent i vetë jetës, apo si shëmbëllim estetik i saj. Është thënë se poezia është një krijesë që flet dhe gjuha e saj ka në vete mrekullinë, përmes së cilës i tejkalon kufijtë e kohërave e të brezave. Ne sot i ndjejmë drithërimat emocionale dhe hovet shpirtërore të poetëve që kanë jetuar shumë shekuj më parë, i njohim dhe komunikojmë me ta, sepse vargjet e tyre janë shtigje që çojnë në thellësitë e shpirtit të pasur krijues. Ata u rrëfyen përmes poezisë, e poezia u dha përjetësinë.  

Në një çast të jetës çdokush tundohet të rrëfej për veten, por një rrëfim të tillë nuk arrin ta bëj askush më mirë se poetët, që siç thotë S. J. Persi poezinë e kanë zgjedhur si mënyrë të jetës. Një rrëfim jetësor, i shkurtër por me një filozofi të thellë, është edhe poezia Çmendinëe poetit Xhevdet Bajraj. I pajisur me dhuntinë për të kërkuar të fshehtat në errësirën e shpirtit  njerëzor dhe duke kërkuar vendin e tij në kaosin e njerëzimit, Bajraj na rrëfen se çfarë do të thotë të jetohet në këtë botë ku shumëkush jeton si personazh në teatrin e kukullave, apo në një libër që nuk e hap askush. Edhe kjo poezi, si gjithë krijimtaria e Xhevdet Bajrajt, kërkon lexues aktiv, lexues që përpiqet të depërtojë në botën poetike të Bajrajt dhe të frymojë bashkë me të.  

Në gjithsejtë dymbëdhjetë vargje, poezia Çmendinë, shpalosë dramën e poetit të lindur në një popull të vogël, që përkundër origjinës së lashtë, në çdo epokë nuk i janë shqitur preokupimet për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe dinjitetit njerëzor, një popull me histori të trazuar, krenare e të dhimbshme, me të cilën i mëkoi krijuesit që dolën nga gjiri i tij. Poezia ngërthen në vete tri situata dramatike, të cilat shfaqen si vazhdimësi e njëra-tjetrës, por në të njëjtën kohë edhe dallojnë rrënjësisht mes vete.

Në situatën e parë e gjejmë subjektin lirik tek sa ka filluar të hapërojë në universin e poezisë, kur shtrëngatat emotive të moshës së re dhe përvojat individuale kanë tendenca të humbin peshën e tyre e të njëjtësohen me shtrëngatat kolektive, sepse është një kohë kur nëpër errësirën që mbretëron në sfond, enden hijet e shpirtrave të etur për grabitje lirish, për asgjësim gjuhësh e kulturash. Ndaj, stuhitë që godasin trungun dhe mëtojnë ta çrrënjosin atë, e trandin edhe krijuesin dhe vargjet e tij: /Përkundja ca shtrëngata në djepin e poezisë/ dhe një natë pa yje/ u përplasa këtu/. Situata e parë përmbyllet me zhvendosjen, pesha dhe përmasat e së cilës jepenpërmes metaforës së përplasjes. 

Ndryshimi rrënjësor që përcjellë kalimin nga njëra situatë në tjetrën, nuk është aspak i lehtë. Ai vë në sprovë egon, personalitetin, forcën jetësore, lë prapa errësirën bashkë me kufijtë kulturor kombëtar dhe e bën njeriun ta kërkojë copën e tij të qiellit, në atë qiell të botës së madhe ku ndjehet i vetmuar. E shohim kështu subjektin lirik në situatën e dytë, tani në një nënqiell tjetër, aty ku buka kërkohet në gjuhë tjetër, në një gjuhë që synon të zë vend edhe në ëndrrat dhe imagjinatën e poetit. Kalimi nga një botë e vogël, në një tjetër me kufij të gjerë nënkupton edhe ndryshimin e pikëshikimit ndaj jetës, ndaj njeriut dhe synimeve të tij. Për t’u përballur me një shkundje të tillë, nga ato që ofrojnë mundësinë e të ecurit nëpër shtigje të pashkelura drejt horizonteve të panjohura,për t’u përballur me dëshpërimin që sjell ajo, duhet vendosmëri, forcë për të njohur veten, rezistencë absolute e shpirtit, që të gjitha përmblidhen nëkëngën blues.

Duke u përpjekur të nisë hapat e rinj, poeti bën harmonizimin e dallgëve të shpirtit të tij me natyrën: /I mbështjellë me një këngë blues/ të mërmëritur nga era/. Ky varg me figuracion të pasur, në shikim të parë lë përshtypjen e vendnumërimit, por në fakt është një gjendje përshtatjeje, ku grumbullohet forca për më të tutje.   

Rrugëtimi drejt kërkimit të vetvetes në një botë të panjohur, shndërrohet në kërkim drejt qëllimit të jetës, mistereve të saj dhe ligjeve universale nga të cilat udhëhiqet ajo… Trofeu që arrihet me këtë kërkim na sjellë te epilogu i poezisë, gjegjësisht te epilogu i procesit të gjatë të të mësuarit nga jeta,që paraqet edhe situatën e tretë poetike. Subjekti lirik e gjen veten në korridoret e jetës-çmendinë, i ngarkuar me detyrën që t’u mësojë të rinjve artin e duelit me jetën: /që mësuesja jetë/ pa anestezi/ t’u operojë përgjithmonë buzëqeshjen/.Anestezia dhe operimi shfaqen në këtë rast si metonimi e vuajtjes dhe e dhimbjes, që duhet të maskohen me buzëqeshjen. 

Përgjatë vargjeve të poezisë, nga njëra situatë te tjetra lexuesi bashkëpërjeton fatin e subjektit lirik dhe transformimet e tij, sa e ndjen veten të ngulfatur brenda kufijve të ngushtë të atdheut të pushtuar, po aq vështirë e ka të gjendet në hapësirën e gjerë ku rrezikon të tjetërsohet. Mbajtja e ekuilibrit në këtë kaos nënkupton zotërimin e mjeshtërisë së alkimisë së jetës, ku vuajtja dhe dhimbja shndërrohen në qëndresë dhe për më tepër në buzëqeshje.

Poezia Çmendinë, ashtu si krijimtaria e Xhevdet Bajrajt në përgjithësi, e vë lexuesin përpara situatash dramatike jetësore, e përballë me çështje universale të jetës, ku zënë një vend me rëndësi edhe çështjet thelbësore të botës shqiptare. Stili lakonik i Bajrajt, të shprehurit në trajtë të përmbledhur nxitë stuhi asociacionesh te lexuesi, e shkëput atë nga realiteti trivial, për ta strehuar për pak çaste në një realitet të ri ku mbretëron meditimi për çështje substanciale të jetës, për botën, vetminë, dhimbjen dhe rrugëtimin e njeriut në jetë.

(Nëntor, 2016)

Leave a Reply

Your email address will not be published.