KLASËS POLITIKE SHQIPTARE I MUNGON ASHTI PATRIOTIK

Me shembjen e diktaturës dhe krijimin e dy shteteve shqiptare të pavarur, dëshirat dhe shpresat e për të bërë diçka më tepër në këtë drejtim, kanë qenë shumë më të mëdha

Agim BAJRAMI

Krijimi i një strategjie të përbashkët për unifikimin e kombit tonë të ndarë në pesë pjesë, ka qenë dhe mbetet një emergjencë e përhershme kombëtare. Që nga viti i largët 1908, kur Kongresi i Manastirit vendosi për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe, ka kaluar një shekull. Mbi tetëdhjetë vjet kanë kaluar edhe kur ministri i Arsimit i shtetit shqiptar nën okupim, ErnestKoliqi, dërgoi me qindra mësues nga Shqipëria në trojet e çliruara nga okupimi serb në Kosovë dhe Maqedoni, për t’iu mësuar gjuhën tonë të ndritur vocërrakëve të etur për dije dhe dritë. Që nga ato kohë duket se dëshira dhe përpjekjet për ta çuar edhe më tej këtë strategji kanë rënë në gjumë letargjik. Rezultatet e pakta të përftuara gjatë kësaj periudhe, më japin të drejtë për të dalë në këtë konkluzion. Patjetër që për këtë kanë ndikuar rrethanat e pafavorshme historike. Luftërat e shpeshta, kufijtë dhe politikat e rrepta shoviniste të fqinjëve tanë si dhe sistemi i egër diktatorial dhe antikombëtar që u vendos në vendin mëmë etj.

Me shembjen e diktaturës dhe krijimin e dy shteteve shqiptare të pavarur, dëshirat dhe shpresat e për të bërë diçka më tepër në këtë drejtim, kanë qenë shumë më të mëdha. Nuk mund të mohohet që në këtë drejtim ka pasur nisma dhe projekte të panumërta nga qeveritë e çdo spektri, të djathta dhe të majta, por që për fat të keq kanë ngelur në vend numëro edhe sot e kësaj dite. Mungesa e vullnetit politik dhe burokracitë bënë që të zgjatej me dekada projekti i hartimit të abetares së përbashkët shqiptare. Mungesa e po këtij vullneti ka bërë që të mos kemi ende një tekst të njësuar historie, i një libri të përbashkët historie. Kombet e tjerë kanë shekuj që e kanë përfunduar këtë projekt me kaq rëndësi. Të njëjtin fat kanë pasur edhe realizimet e projekteve, të përfolur, për ndërtimin e hekurudhës Durrës – Prizren apo ai i ndërtimit të portit të Shëngjinit (enkas për Kosovën ), që nëse do të bëheshin realitet, do t’i afronte shqiptarët më shumë me njëri tjetrin.

Por, le të ndalemi tek ideja e integrimit kulturor të trojeve, ku diellit i thonë diell dhe bukës i thonë bukë. Fatkeqësisht, përveç nismave private të individëve idealistë, unioneve dhe shoqatave jo qeveritare, në të dy anët e kufijve që po përpiqen të bëjnë diçka në këtë drejtim (Festat e përbashkëta të plisit ose takimi i grupeve folklorikë të Bjeshkëve të Namuna), edhe pse me mundësi shumë të kufizuara monetare dhe infrastrukturore. Nëse njihesh me buxhetet e caktuara për këtë fushë nga ministritë përkatëse, konstaton se ato janë kaq të vogla dhe të parëndësishme, sa nuk ja vlen as t’i zësh në gojë. Vetiu lind pyetja: nga se shkaktohet ky ngërç i frikshëm që na ka kapur për fyti dhe po na mundon prej kaq kohësh dhe kush janë faktorët që i shkaktojnë ato? Duke qenë të udhëhequr nga njerëz aventurierë, me të shkuar të dyshimtë dhe pa identitet kombëtar, që atdheun e duan vetëm me fjalë dhe kujtohen të tregohen patriotë vetëm kur shkojnë për të ndjekur në stadium ndonjë ndeshje ndërkombëtare futbolli, përgjigjet dihen ose merren me mend lehtë.

Klasës sonë politike i mungon shtylla kurrizore ose i ashtuquajturi ashti patriotik. Të mësuar për 60 vjet me të ashtuquajturin internacionalizëm proletar, ku vëllait prej Kosove i thuhej shok, kurse shokut të idealit i thuhej vëlla, as që duhet të na shkojë në mend se mund të presësh diçka sado të vogël prej tyre. Pushtetarë të tillë, gjëra të kësaj natyre i konsiderojnë kohë të humbur ose apendikse. Në këtë kontekst, jam shumë i bindur që një pjesë shumë e mirë e stafeve që drejtojnë politikat kulturore në të dy shtetet tona, dinë shumë pak nga historia jonë e përbashkët dhe shumë pak fjalë nga himni ynë kombëtar i përbashkët.

Arsyeja tjetër është se investimet në këtë fushë, nuk tenderohen dhe për pasojë nuk janë aq efiçentë për xhepat e tyre. Duke ndjerë neveri të kujtoj gjumin periodik të Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë, ku drejtojnë prej dekadash militantë profanë dhe aspak atdhetarë, mendja më shkon tek Kosova. Është për të ardhur keq që, edhe pse kanë kaluar mbi dy dekada nga krijimi i këtij shteti, ende nuk ekzistojnë projekte afatgjata ose afatmesme në këtë fushë. Jam shumë i sigurt se asnjë ministri kulture i porsa ngritur në këtë detyrë, as në mend s’i ka shkuar organizimi i një kuvendi mbarëkombëtar për çështjet e kulturës dhe arteve mbarëkombëtare. Ashtu siç nuk është kujtuar asnjë prej drejtorëve përkatës pranë kësaj ministrie të ngrejë një grup pune për krijimin dhe hartimin e një antologjie letrare mbarëkombëtare, ku Naimi, Fishta, Shkreli, Kadareja, Mekuli dhe Podrimja, të zinin ballin e nderit për t’u lexuar dhe mësuar në çdo shkollë të mesme ose të lartë. Në Festivalin e fëmijëve në Shkodër, vit pas viti, me zor të rrok syri ndonjë artist të vogël prej Kosove ose prej Maqedonisë së Veriut, edhe pse talentet e vegjël të këtyre vendeve janë kaq të shumtë dhe kaq të etur për të konkurruar në këtë skenë. Nuk po flas këtu për festivalet e munguara apo të cunguara të trupave teatrore shqiptare, ku Prishtina, Tirana dhe Shkupi të ishin nikoqirët e përvitshëm me rotacion të këtij eventi. Ndërsa përsa i përket aktiviteteve folklorike, organizimi i tyre ka mbetur ende tek modeli i politizuar i Festivalit të Gjirokastrës, që dikur i kushtohej diktatorit famëkeq shqiptar, Enver Hoxha.

Një vend i ndarë me trarë doganash dhe mure është i prirë të hajë vetveten, duke u tkurrur dalëngadalë. Strategjia e bashkimit kombëtar është në vetvete dialektikë zhvillimi dhe progresi. Ata që nuk e kuptojnë këtë, janë naivë dhe meritojnë mëshirë. Ata që e kuptojnë dhe i vënë gurë nën rrota asaj, janë antishqiptarë dhe meritojnë urrejtje…

Leave a Reply

Your email address will not be published.