KOLABORACIONIZMI HORIZONTAL

Dashnor KOKONOZI

E kisha dëgjuar këtë shprehje shumë kohë më para se të shkoja në Francë, por pa i kapur mirë thelbin. Tek lexoja një libër për Rezistencën që më tërhiqte shumë, mësova për një numër grash e vajzash franceze (mendohet nga 20.000-40.000) të cilat janë martuar, kanë pasur lidhje apo që edhe thjesht “kanë shkuar në shtrat me armikun”.

Ky është kolaboracionizmi horizontal. U quajtën edhe “laviret e boshëve”.

Pjesa më e madhe e francezëve do ta marrin vesh një gjë të tillë pas Çlirimit, atëherë kur filloi procesi i qethjes së tyre në publik.

Në fillim ajo çka ndodhi u cilësua si trajtim i merituar, por këto tridhjetë vjet kam vënë re se si ka evoluar mendimi për një akt të tillë. Sot ky proces analizohet në mënyrë më kritike, gjithnjë e më tepër opinioni nuk pajtohet me ndëshkimin dhe poshtërimin barbar që iu bë atyre.

Kjo e gjitha qe thjesht për t’ju paraqitur atmosferën e romanit të shkëlqyer të Julie Héraclès “Ju nuk dini asgjë për mua” (𝑽𝒐𝒖𝒔𝒏𝒆𝒄𝒐𝒏𝒏𝒂𝒊𝒔𝒔𝒆𝒛𝒓𝒊𝒆𝒏𝒅𝒆𝒎𝒐𝒊). Është romani i saj i parë.

Julie thotë se ia ka frymëzuar vetëm një fotografi e Robert Kapës (ajo që është në kopertinën e librit). Është një fotografi mjaft e njohur, emblemë e atij procesi dhe njihet me emrin “E qethura e Chartres”. Në qendër është një grua që sapo e kanë qethur dhe qyteti e ndjek nga pas duke sharë e poshtruar, sa kohë që ajo mban në dorë një fëmijë, fryt i lidhjeve me “gjermanin e saj”.

Pas luftës ata u quajtën “fëmijët e boshëve”, por kjo është histori tjetër.Robert Kapa, që gjithnjë ndodhej në çastin e duhur në vendin e duhur e ka bërë këtë foto më 16 gusht 1944.

Pak vite më vonë, ai do të ndodhet në çastin e duhur në Indokinë, por në vendin e gabuar, mbi një minë… Por, edhe kjo është një tjetër histori.

Leave a Reply

Your email address will not be published.