(Rreth novelës “Kërriçi i pikëlluar” të shkrimtarit Abdyl Bunjaku)
Xhahid BUSHATI
Abdyl Bunjaku, shkrimtari nga fshati Novoselë i Vushtrrisë (Kosovë) u nda nga jeta 31 vjet më parë, në moshën 88-vjeçare. Në krijimtarinë e tij artistike shquhet për lëvrimin e novelës, pjesëve teatrore e skeçeve. Mbase është njëri nga shkrimtarët e pakët të letërsisëshqipe për fëmijë, që struktura e novelistikës së tij të jetë e zhvilluar në formën e një skene teatrore, ku personazhet dialogojnë, replikojnë, kundërshtojnë njëri-tjetrin, ndodhen para të papriturave, janë në rrezik e vështirësi… etj., etj. Një model të tillë përfaqësimi dhe realizimi e gjejmë te novela “Kërriçi i pikëlluar” (“Rilindja”, Prishtinë 1977; Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë 1983, redaktor: Kostandin Leli).
Është një novelë përrallë me zhvillim linear, ku gjatë udhëtimit të Kërriçit, herëpashere gjejmë përthyerje ngjarjesh e historish, të papritura, gjë që i japin novelës frymëmarrje, e bëjnë më interesante dhe kurioziteti i fëmijëve shtohet nga faqja në faqe, me pyetjet: “Ç’po ndodh me Kërriçin? A do të mbetet ai i pikëlluar? A do të kthehet, përsëri te Oborri i Madh? A do të gëzojë zemrën e babait të tij, Gomarit Zemërbutë? A do të gëzojë shokët që e presin me mall?” … etj.
Novela është ndarë në 14 kapituj. Historia fillon me një letër, e shkruar në mënyrë mitike e paksa legjendare nga Kërriçi, ku tregon arsyen përse po ikën… Ai mendon se i ati do ta lexojë letrën, por fatkeqësisht së bashku me sanën Delja Gjumashe ha dhe letrën. Me këtë enigmë nisin ngjarjet. Skena është Oborri i madh, ku kafshët e shpendët si Pula e Kuqe, Rosaku i Madh, Delja Gjumashe, Gjel Kamkaceli, etj. filozofojnë, hamendësojnë, thurin fjalë shpesh të paqena rreth ikjes së Kërriçit. Nga dialogu i tyre tensioni përrallohet merr përmasa jo të zakonta që shoqërohet me shumë pikëpyetje. Pra, letra është “e panjohura”, dhe me këtë të panjohur nis elementi i parë i ndërtimit kompozicional i veprës.
Gjatë udhëtimit të Kërriçit të Pikëlluar, kemi edhe një zgjerim të mëtejshëm të subjektit të novelës. Disa personazheve si: Shqiponja (i kërkohet të gjejë Kërriçin), një lopë me historinë e saj i bëhet model Kërriçit, ndërsa hutini e paralajmëron për rrezikun që i kanosej, kurse Drenusha është qortuese ndaj personazhit kryesor, dhelpra është mashtruese, Ujkonja plakëpërpak sa nuk e ha, lepuri e ndihmon,… Dhe ky udhëtim prej përralle fillon me Oborrin e Madh dhe përfundon me Oborrin e Madh. Dhe Kërriçi, nga i pikëlluar bëhet iqeshur, kur dëgjon zërin e babait, kur i thotë: “- Djali im, shpirti im… shëndoshë qenke! – dhe lotët i dolën nga gëzimi. I lëpinte fytyrën, veshët, trupin…”. Me kthimin e Kërriçit, përsëri, te Oborri i Madh, autori me shumë finesë e pa moralizim nënvizon mesazhin e madh: Vendlindja është e shtrenjtë! Ajo nuk duhet harruar dhe nuk duhet ikur e braktisur!”
Brenda hapësirës së kësaj novele të bukur e tërheqëse, krahas emërtimeve përrallore të kafshëve e shpendëve, gjetjeve të bukura e kuptimplote; shfaqet plot ngjyra bota e tyre, individualizohen estetikisht ato, përshkruhen mjedise me koloritin e tyre përkatës, etj. Gjuha e përdorur nga autori Bunjakuështë në përputhje me botën fëminore, është e gjallë dhe poetike. Autori e njeh shumë mirë gjininë e përrallës, veçanërisht përrallën popullore, çelësat e saj të shkrimtarisë. Kërshëria mbetet një nga dukuritë dalluese të novelës, gjë që e bën të lexohet edhe pas kaq vitesh me ëndje nga lexuesit e vegjël. Një vepër që nuk e humb aktualitetin.