KOSOVA PA GAZETË DITORE

Dikush mund të thotë se sot s’ka lexues, unë s’besoj në një gjë të tillë, ka ende lexues, madje edhe besnik. Nuk e di nëse gazetat na tradhtuan, nëse ne i tradhtuam ato apo ndodhi diçka tjetër?!

Sabit B. BAJRAKTARI, Itali

Para pak kohësh, për njëzetë e nëntë ditë rresht isha në Kosovë, më saktësisht në Bllacë. Pa i përmendur të gjitha ato gjëra që më bënin të ndihesha mirë besa i lumtur, kishte diçka që i mungonte asaj lumturie për të qenë e kompletuar. Babai im (tani i ndjerë) më pati pyetur nëse dalin gazetat shqip atje në Itali? Të them të drejtën aty ku jetojë ka vite që nuk gjejmë asgjë në shqip. Më herët po, mund t’i gjeje disa gazeta ditore dhe disa revista. Ndërsa sot ose nuk më gjejnë ato mua, ose nuk i gjejë unë ato, mbase edhe këtu kan reshtur së dali…

S’dua të ndalem te efektet dhe defektet se përse s’ka më gazeta në Kosovë, se a kanë llogari të shtypin çdo ditë një gazetë apo jo, se a mbështeten nga shteti apo jo, se a ka lexues apo nuk ka, ose nëse është krejt diçka tjetër. Deri para pak vitesh kur dilnin pothuajse të gjitha gazetat si Epoka e Re, Zëri, Koha Ditore, Lajmi, Bota Sot, Express, e ndonjë tjetër, atëbotë të gjitha këto gazeta që i përmenda, çdo ditë i sillte në shtëpi vëllau im i madh. Nuk ka ndodhur kurrë që të dalë gazeta në Prishtinë e t’mos mbërrinte në vatrën tonë. Unë së paku s’e mbajë mend të ketë ndodhur një gjë e tillë. Gjatë shfletimit secili e gjente veten në faqet e saj, dikujt i interesonte sporti, dikujt ngjarjet politike, dikujt hapësira e kulturës, dikujt fjalëkryqi, dikujt horoskopi, mos të harrojmë kishte nga ata që i shfletonin disa gazeta të cilat mbanin fotografi të femrave, këngëtare, artiste, herë-herë të (zh)veshura…

Shpresoja që të ndodhë diçka që askush prej nesh nuk e pret më. Të dalë një, së paku një gazetë ditore. Për inat të botës, për inat të atyre që vite më parë u munduan ta ndalonin shtypin shqip dhe, pse jo edhe për nevojë të lexuesit. Dikush mund të thotë se sot s’ka lexues, unë s’besoj në një gjë të tillë, ka ende lexues, madje edhe besnik. Nuk e di nëse gazetat na tradhtuan, nëse ne i tradhtuam ato apo ndodhi diçka tjetër?! Më kujtohet si sot kur njerëzit e kulturës dhe patriotët e dijes dhe së ardhmes, përfundonin në burgje, maltretoheshin, besa edhe vriteshin vetëm e vetëm se shkruanin dhe vazhdonin ta mbanin gjallë kulturën shqipe, përmes gazetave, revistave…

RILINDJA një kohë (flas për provincën nga vijë unë, atë botë në Prishtinë s’e di se ç’ndodhte) vinte fshehurazi, fshehurazi e merrnin lexuesit dhe po fshehurazi e lexonin dhe i ruanin numrat e saj, si të ishin margaritarë. Me kalimin e viteve dhe me shprehinë e të lexuarit që qe krijuar në mua dhe herë-herë vetëm të shfletuarit të ndonjë gazete më mbeti e ngulitur në kokë kjo sëmundje. Për katër vite sa kam qenë student në kryeqytet, nuk më ka ndodhë t’mos i marrë së paku tre gazeta ditore çdo ditë, i përcillja edhe të gjitha revistat javore, që botoheshin në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni, e që i gjeja te kiosku afër Radio Televizionit të Prishtinës. Mos të harrojmë, isha student jo pasanik, më një fjalë ende nuk e kisha një rrogë timen.

Me nostalgji e kujtojë kohën kur ulesha për të ngrënë darkën apo drekën në banesën ku isha si qiramarrës, nga të tre cimerët që banonin, shpesh më bëhej se isha i vetmi që haja më pakë. Fajin atë botë e kishin gazetat. Thënë të vërtetën gazetat nuk ishin krijuar vetëm për t’i lexuar, ato shërbenin ditëve në vijim edhe për t’i shtruar mbi tavolinë! Ndërkohë nga vezët e fërguara, që ishte specialiteti më i shpeshtë në tavolinë për kuzhinierët profesionist dhe përtac si ne… Kishte raste kur haja aq pak sa mund të them se s’haja fare. Fajin s’e kishin dy cimerët e mi, fajin e kishin gazetat. Në vend që të ushqehesha siç e bënin cimerët e mi F.D., dhe V.K., unë e shtyja pjatën sa majtas sa djathtas, duke u munduar të lexoja shkrimin që fshihej nën pjatën time. Edhe përkundër atyre njëzetë e nëntë ditëve që s’më ra në dorë asnjë gazetë ditore, me një gjë në fund u mburra, kur i thashë mirupafshim Kosovës, krenohesha se ishim vendi i parë këtu në Europë, për në Botë s’e di, që nuk kishim gazetë ditore, gazetë të vërtetë, si njëherë e një kohë kur zgjoheshe në mëngjes teksa shkoje në punë, në ligjërata apo thjesht për ta pirë një kafe e merrje në kioskun më të afërt gazetën që të pëlqente dhe uleshe, e prekje letrën, e ndjeje aromën e asaj letre që sapo kishte dalë nga shtypi, dhe si me magji futeshe në botën e leximit, teksa kamarieri të sillte kafenë e ngrohtë dhe të shijshme siç dinë t’i bëjnë atje në Kosovë, e askund më mirë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.