KUR ANTIVLERAT NGRIHEN NË PIEDESTAL!

Është dëshpërues fakti që ngritje në piedestal e antivlerave pasohet me duartrokitje dhe ovacione populiste,dhe ende nuk po gjen kurajën t’i kundërvihet askush. Të gjithë kanë zgjedhur heshtjen dhe konformizmin, duke u bërë kësisoj pjesë e së keqes

Agim BAJRAMI

Dikush më dërgonte këto ditë një ftesë miqësore, për të marrë pjesë në promovimin e dy librave të tij të fundit me poezi. Më kujtohet se edhe vitin e shkuar, po ky autor kishte promovuar të njëjtin numër librash të të njëjtit zhanër. Në pamje të parë ky është tregues i punës së palodhur të një autori, që nuk lodhet së shkruari dhe promovuari frytet e punës së tij krijuese. Gjer këtu unë mendoj se nuk ka asgjë të keqe. Nuk ka asgjë të keqe edhe fakti, që fushës së vështirë të letrave i janë afruar dhjetëra e qindra moshatarë dhe jo moshatarë të mi. Fundja, secili ka qejfet e veta dhe në një shoqëri të hapur demokratike,dhe askujt nuk ke të drejtë t’i mbyllësh dyert e pasionit dhe ta privosh atë. E keqja qëndron në faktin se edhe pse niveli artistik i dy librave të fundit të individit në fjalë kishte mbetur në vend numëro, zhurma dhe jehona e këtij promovimi ishte shumëfish më e madhe se vitin që shkoi. Të pranishmit sikur ishin vënë në një garë të pashpallur me njëri tjetrin, kush e kush t’i hapte grykën thesit të elozheve dhe hosanave të panumërta, thua se jemi përballë një krijuesi model. Ndonëse shumica e oratorëveishin të ndërgjegjshëm për vargun e tij modest dhe pa kreativitet individual,u arrit gjer aty sa poezia e këtij autori të konsiderohej si një shkollë e vërtetë poetike dhe akoma më shumë, si një metaforë të së nesërmes. Edhe pse jam tashmë me të tillë klimë dhe me të tilla fluturime pindarike, ky vërshim hipokrizie dhe servilizmi më bën për të vjellë. Dhe jo më kot. Jam tepër i sigurt që pas kësaj maskarade letrare, autori në fjalë dhe qindra autorë të tjerë me të tillë begraund, vitin e ardhshëm do të guxojë te promovojë jo më dy, por tre,katër libra të tjerë të të njëjtit nivel,në mos edhe më të dobët. Ndonëse nuk na vjen mirë situata e rëndë që po kalon letërsia jonë, sot më japin të drejtë. Pa llogaritur rrethet e tjerë, vetëm në muzeun historik kombëtar dhe lokale të ndryshëm në Tiranë, kemi të paktën nga dy tre promovime të tilla në javë. Është një zulmë shkrimore që nuk njeh të ndalur. Fakti që sot kemi shumë promovime dhe gjithnjë e më pak vepra me vlera artistike, i atribuohet më së shumti edhe kësaj atmosfere të helmuar.Është dëshpërues fakti që kjo ngritje në piedestal e antivlerave pasohet me duartrokitje dhe ovacione populiste,dhe ende nuk po gjen kurajën t’i kundërvihet askush. Të gjithë kanë zgjedhur heshtjen dhe konformizmin, duke u bërë kësisoj pjesë e së keqes. Ideja pesimiste, se e keqja tashmëështë trashur dhe ka marrë përmasat e njëdinozauri, duket se ua ka errësuar vështrimin dhe logjikën atyre që duhej të merreshin me to. Sot askush nuk çuditet më kur sheh emrat dhe portretet e këtyre lloj monstrave krijues, duke u kapërdisur në çdo portal dhe faqet e para të gazetave dhe revistave letrare, me ngjyra të ndezura dhe format të madh,ndërsa emrat e krijuesve me vlerë duhet llupë që t’i dallosh. Janë po ata pseudo krijues, që vazhdojnë të popullojnë edhe ekranet e TV-ve lokale dhe kombëtare,duke numëruar numrin e veprave dhe duke dhënë recetat dhe përvojat e tyre krijuese,se si mund të bëhesh poet i suksesshëm,gjithmonë përballë gazetarëve të paafta dhe injorante, duke mbjellë kësisoj një tymnajë të jashtëzakonshme në arealin tonë letrar. Papërgjegjshmërisë së tyre aq iu bën fakti që libra të tillë nuk arrijnë të mbërrijnë asnjëherë në duart dhe vëmendjen e lexuesve. Për ta e rëndësishme është vetëm zhurma. Nëse do t’iu hidhnim një sy librave të tyre do të konstatonimse më shumë se krijime të mirëfillta, vargje e tyre ngjasojnë as më pak e as më shumë me belbëzimet e një fillestari.Është e qartë se pjesa me e madhe e autoreve të tillë vijnë në këtë fushe krejt rastësisht, sa për të plotësuar një peng të vjetër apo trill personal.Është një gjeografi e tërë moshash dhe profesionesh, me një begraund kulturor që e fyen botën letrare. Në kohëra absurde dhe katrahure edhe letërsia dhe artet nuk mund të jenë jashtë këtij kuadri. Nëse dikur botimi i një libri i nënshtrohej syve të mprehtë të korrektorit dhe redaktorit letrar, sot prania e tyre konsiderohet e panevojshme. Më ka qëlluar shpesh të dëgjoj nga individë të kësaj fushe mendimin se zeja e të bërit libra, qenka gjëja më e thjeshtë në këtë botë, çka nuk është aspak e vërtetë dhe lë mbrapa pasoja të rënda. Shkruaj këto radhë të detyruara dhe më vjen në mend thënia proverbiale e Kutelit: “poetet kanë fuqinë ta ngrenë dhimbjen në art,aty ku ne të gjithë gjejmë dhimbjet tona”. Është një thënie e sintetizuar që e ngre në piedestal fuqinë e poezisë dhe poetit,si misionarë të së bukurës,çka nënkupton edhe shenjtërinë e kësaj fushe që po keqtrajtohet nga rastësorët. Kush ka lexuar poezitë me të mira të poetëve tanë të njohur bashkëkohorë Ali Podrimja, Petrit Ruka, Ilirian Zhupa, Skënder Rusi, Vllasova Musta, Vaid Hyzoti, Basri Çapriqi etj, do të bindet më së miri për këtë pohim. Të gjithë këta emra që përmenda janë autoritete të njohur, që janë bërë të tillë vetëm nëpërmjet punës së gjatë dhe me shumë privime individuale. Kjo më jep të drejtë të konstatoj se të botosh nga dy libra me poezi në vit,sado i talentuar të jesh,do të thotë që t’i hysh në hak cilësisë dhe vetë poezisë si materie. “Nëse lexoj një libër, që më ngrin zemrën dhe asnjë zjarr mos ta shkrijë,atëherë ajo është poezi”, do të thoshte poetja me famë botërore, Emili Dikinsoni dhe kishte kaq të drejtë. Atëherë kujt duhet t’ia drejtojmë gishtin e fajit,kulturës së dobët letrare apo shtëpive botuese. Edhe pse shumë njerëz i amplifikojnë emrat e tyre,mendoj se pjesa e fajit është kompleks. E vetmja zgjidhje për momentin do të ishte importimi i përvojave pozitive nga shtëpitë e mëdha botuese, si “Onufri ” GVG, Buzuku e ndonjë tjetër,të cilat kanë kohë që nuk joshen nga paratë dhe ju kanë vënë traun e postbllokut prurjeve të tilla kaq të dëmshme për letërsinë tonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.