Hamdiu, në krijimtarinë e tij, i ka mëshuar dhe i ka besuar detajit poetik. Në poezi, në poema e në fabulat (në prozë) gjen shembuj dhe faqe të tëra, ku mbizotërojnë detajet poetike
Xhahid BUSHATI
Hamdi Meça është njëri nga shkrimtarët më interesantë të letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj. Po t’i hedhim një sy procesit historik e letrar të rrugëtimit të letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj, shkrimtari Meça, në vetvete, është një ‘Shkollë’, kjo e lidhur me profilin që ai na ka ofruar me krijimtarinë e tij në disa gjini të lëvruara e cilësore. Qëndron denjësisht pranë disa ‘Shkollave’ që krijuan disa shkrimtarë të shquar të kësaj letërsie, si: Odhise K. Grillo, Bedri Dedja, Xhevat Beqaraj, Adelina R. Mamaqi, Tasim Gjokutaj, Agim Deva, Rifat Kukaj, Rexhep Hoxha, Gani Xhafolli, Fejzi Bojku, Rrahman Dedaj, Anton Pashku, Ymer Elshani, Xhevat Syla, Xhevahir Spahiu, Moikom Zeqo, etj. Kur themi ‘Shkollë’, e shohim të plazmuar me gjinitë, që shkrimtari Meça ka lëvruar, si: poezinë, poemën, tregimin në vargje, tregimin, legjendën, fabulën, romanin, etj. Po mundohemi të zbulojmë disa nga këto dukuri gjatë studimit të kolanës letrare të shkrimtarit Hamdi Meça.
Hamdi Meça, ndoshta është nga shkrimtarët më të veçantë, ku Historia e Vendlindjes është e pranishme dhe pasqyrohet, si: shqotë, puhizë, amanet, ëndërr… e vazhdon si një diell, mik e bashkudhëtarë i shkrimtarit. Po ku konsiston veçantia? Epoka kruetane është si të thuash Epoka e Skënderbeut. Brenda profilit jeton historia me përmasat e saj, ku Liria dhe Ekzistenca, Dheu dhe Ëndrra mbeten shtyllat kryesore që kanë ngritur këtë ‘ngrehinë” përmes një rrëfimi filozofiko-poetik. Hamdiu, në krijimtarinë e tij, i ka mëshuar dhe i ka besuar detajit poetik. Në poezi, në poema e në fabulat (në prozë) gjen shembuj dhe faqe të tëra, ku mbizotërojnë detajet poetike. Abstragimi i detajit ruan gjithnjë konkretësinë reale. Ky raport i kujdesshëm nga ana e autorit, mbart imazhe dhe ngjyra të lloj-llojta me krahë ëndrrash dhe fushash të pafund imagjinate. Shkrimtari Meça, në krijimtarinë e tij letrare shfaqet me ‘një poezi’, ku epika ndërthuret me lirikën. Edhe atëherë ku lirika është mbizotëruese nuk e përjashton epikën, ajo është diku zgjuar në një kënd të shpirtit të shkrimtarit.
Po t’u referohesh tregimeve, me të gjithë komponentët që kërkon kjo gjini e kanë një adresë moshore (nuk ka hallakatje) dhe e përligjin bukur artistikisht atë (moshën). E, Hamdiu për vetë natyrën krijuese në raport me lexuesin, ka një harmoni dhe një sublimitet. Autori e njeh këtë psikologji. Kjo është arsyeja që, tregimet të rrëmbejnë që në leximin e parë. Diku subjekti më i plotë (në kuptimin pozitiv: me ndërtim kompozicional të kësaj gjinie), diku bulëzim subjekti, diku, edhe me një rrëfim paksa tradicional. Tregimet e shkrimtarit Meça i lidh POETIKA. Konceptualiteti i kësaj POETIKE, lëvizja dhe dinamika e saj zhvillimore, arritjet e saj, fushëpamja, etj., – flasin për një vështrim horizontal e vertikal të botës së fëmijëve, të njohjes në vazhdueshmëri të saj. Në dialogët e veprimet e personazheve, në gjestet e psikikën e tyre, po ashtu edhe në portretin detajues është e pamundur të mos vëresh: pafajsinë dhe kurreshtjen, imagjinatën përrallore, lojën dhe çiltërsinë e tyre, etj. Dhe të kuptohemi… ka një të vërtetë: Shkrimtari Hamdi Meça është mjeshtër në rrëfimin e tij edhe si tregimtar! Një rrëfim gjithë poezi brenda “trungut” subjektor, dhe hapësinor drejt livadheve të gjelbra ëndrrakërkuese. Poetikisht, Hamdiu në krijimet e tij “ulet njësh me personazhet dhe lexuesit”. Shumë nga tregimet e disa vëllimeve që në titull cilësohen me emër personazhi (kanë jetë dhe ngjarjen e tyre), edhe pse në dukjen e jashtme janë format i vogël; të shijojnë, të rrëmbejnë, të emocionojnë, të bëjnë për vete. Autori i ka besuar subjektit në ngjarjen e ndodhur, ngaqë e ka mirëmenduar. I ka besuar, gjithashtu, ruajtjes së frazës, e cila është plot ngjyrë, intensitet dhe mendim. Duke futur në “lojë” POETIKËN e tij përmes detajeve të gjetura të saj, ka përftuar disa shtigje frytdhënëse, ku duhet ta kërkojmë individualitetin e Hamdi Meçës, krahas vjershës edhe në gjininë e tregimit të shkurtër.I thamë këto fjalëpër këtë autor të talentuar, pasi nga vëzhgimet tona konstatojmë se autori iështë përkushtuar një letërsie tjetër, larg asaj për fëmijë e të rinj. Me këto botime që bën autori Meça, na bën të mendojmë se… sikur e ka mbyllur këtë proces letrar. Gjithsesi kurrë nuk është vonë të rikthehesh te letërsia shqipe për fëmijë e të rinj, aq më shumë kur je i talentuar.