Në vitet ’80 të shekullit të kaluar, ne që pëlqenim “Deep Purple” e njihnim njëri-tjetrin. Nuk ishim shumë. Në vitet ’85 kishte marrë hov të madh Majkëll Xhekson, Madona por dhe Duran Duran
Leonard VEIZI
Kanë kaluar 17 vjet nga ajo natë. Ndërsa unë mes relikeve të shenjta ruaj ende biletën e tyre të koncertit. Në kohën time më të mirë, as në ëndërr nuk më kishte vegëtirë se një ditë do mund të zbrisnin shkallët e avionit në aeroportin e Rinasit, po ashtu siç ndodhte rëndom në aeroportin e Los Anxhelosit apo të Munihut. Por në kohën time jo aq të mirë më, ata mbërritën vërtet në Shqipëri. Legjenda e tyre vërtitej prej kohësh në etër. Nuk ishte thjesht muzikë. Ishte një frymë. Diçka që solli një revolucion në të gjithë atë që më pas do të quheshin “metalet e rënda”. Muzika “hard” sapo kishte nisur. Pesë djem ambiciozë nga Londra, formuan një bandë muzikore. Dhe u konsideruan pionierët e Metalit… Ishte viti 1967. …Që “Deep Purple” apo Di Parpëll do të vinte për një koncert në Tiranë këtë e kishte thënë ish-Ministri i Kulturës së kohës Edi Rama: “Deep Purple” do të jetë në Tiranë deri në fund të vitit 2000. Unë vë bast, për ardhjen e tyre në Shqipëri. Jemi duke vepruar në rrugë e sipër”, ishte shprehur Edi Rama, në një emision televiziv. Por “Parpllat” – siç thërriteshin në zhargon, – nuk u panë gjëkundi. Në fakt, “Deep Purple” erdhën vërtet, por shumë kohë më vonë, në vitin 2007 dhe Edi Rama asokohe kishte lënë portofolin e Ministrit të Kulturës sepse ishte zgjedhur Kryetar i Bashkisë së Tiranës.
Pikërisht ato ditë, kur lajmet për mbërritjen e grupit legjendar të hard rrokut i ndiqja pa ndonjë kërshëri të madhe, shoku im i klasës së Politeknikumit, Luani, më njoftoi me telefon se po më bënte një surprizë… Si ishte shtyrë e çjerrë nëpër sportele, mes të tjerësh më kishte prerë edhe për mua një biletë e cila më lejonte të kaloja pragun e Pallatit të Kongreseve. Sepse të famshmit “Deep Purple” do të performonin pikërisht aty ku dikur bënte kongreset Partia e Punës. Dhe kjo ishte dhuratë prej tij. Ç’është e vërteta unë isha një tifoz standard i këtij kompleksi muzikor. Nuk mund të them se bëja si i çmendur pas tyre, por natyrisht isha kujdesur për të ndjekur të gjithë veprimtarinë të regjistruar në kaseta magnetofoni. Dhe për këtë isha munduar me një seriozitet të paparë. Sepse duhet t’i bije Tiranës cep e më cep për të siguruar një kasetë me këngët e tyre. Dhe akoma më shumë për të gjetur një të dytë. Dhe kaq duhej për të më etiketuar si “tifoz absolut”, se tifozët e muzikës janë po aq të fortë sa dhe ata të sportit. Dhe unë, – si për çudinë time, – isha tifoz dhe me kombëtaren angleze. Pra, në njëfarë mënyre isha një filo anglo-sakson. Bëhu tifoz me Çelsin, – më thoshte shoku tjetër Nori, me të cilin ndanim të njëjtat qëllime, – se ata janë të çmendur. Por unë mjaftohesha me ekipin bazë të Bobi Robson. Meqenëse ofertës bujare ia ktheva me indiferentizëm: “Pse ngenë e Parpllave kemi tani…?”, Luani i shokuar nga përgjigja ime ma ktheu me një kundërsulm: “Katër vjet na ke bo lavazh për Papllat sa që u bëra dhe unë tifos i tyre. E tani më bën numra. Shoku… ke një biletë në dispozicion. Po nuk erdhe po ia fal kujt të më dalë përpara”.
Je në vete ore, biletën time do falësh ti. Dhe kujt, mua, që vija vërdallë nëpër Tiranë me një bluzë ku një piktor amator, – ose më mirë të them dezinjator, – pas kërkesës time të sforcuar më stampoi mbi një bluzë të bardhë “Deep Purple”. Ktheva kokën pas. Vitet kishin kaluar dhe ritmi i jetës kishte ndryshuar. Kisha ca kohë që veç familjes, i isha kushtuar profesionit dhe i bija Tiranës cep e më cep, por këtë herë për të kapur lajmin. Dhe kjo nuk më linte fort kohë të plotësoja boshllëqet e adoleshencës me trillet e moshës së mesme. Dhe vetja m’u duk edhe më trap përballë Luanit, i cili për shansin tim ishte në anën tjetër të linjës e nuk e shihte fytyrën time. Por dhe që biletën time të koncertit ta merrte ndonjë kastravec që nuk ia kishte haberin nga e kishin shtëpinë Parpllat, edhe kjo nuk bëhej. Nga inati vajta.
Vigjilja e një spektakli
Nëpër shkallët e jashtme të Pallatit të Kongreseve, – të cilin Arditi i të “Dielës…” e ka pagëzuar si Pallatin e Koncerteve, por që si për inat të tij nuk e ka marrë qytetarinë – u takova me miqtë e mij të Politeknikumit të cilët po më prisnin të armatosur me uiski. Më dukej sikur po shkonim në luftë. Një shishe e mbante Kola dhe një tjetër Nori. Ca si shumë, shpreha habinë unë. Ata tundën kokat. Hajd, se mbaron shpejt, – më thanë. Tek hyrja u ndesha me fytyra të harruara prej kohësh, të cilët gjithashtu mezi prisnin të shihnin Deep Purple. Ca vazhdonin të mbanin pantallona kauboj, ose i kishin veshur për snobizëm. Nja dy të tjerë kishin rritur basetat aq sa m’u dukën si personazhet e vitit 1800 të filmit “Dombi dhe i biri” bazuar mbi romanin e Çars Dikensit. Heu, ia bëra me vete. Kot thoshin se kishim hyrë në mijëvjeçarin e ri të “hajtekut”. Vetja m’u duk si në kohën e manifakturave.
Hymë në platenë e Pallatit të Kongreseve. Në sfond Eugent Bushpepa dhe banda e tij e metalit nisi të këndojë si parahyrje e grupit britanik. Ne dhe shumë të tjerë nisëm të lagnim gurmazin. Epo, duhet të nxeheshim dhe ca më shumë. E kalonim shishen dorë më dorë. Maksi me bujari më dha të pija dhe pjesën e tij. Nuk i bëra naze. Se atmosfera kishte filluar të bëhej me xixa. Ndoshta kërkonim të dukeshim sikur po përjetonim “Udstokun ‘69”. Jepi rini, jepi. Po pra: “seks, drogë, rok end roll”. Nuk e di pse e bënim në atë kohë, por sot them: e sigurt nga budallallëku. E megjithatë isha 39 vjeç i vjetër, siç thuhet në gjuhën angleze. Pas 30 minutash alkooli mbaroi, ndaj çuam një detashmen të shkathët e të shpejtë të na blinte uiski me gota plastike në hollin e Pallatit të Kongreseve. Uiski i thënçin, Me shije më keq se konjaku i Rrogozhinës prodhuar nëpër bodrume, dhe me çmim më të shtrenjtë.
Nga “Mark 2” tek “Mark 8”
Deep Purple u shfaq në skenë me formacionin “Mark VIII”. Ithtarët e vërtetë të tyre do të kishin dashur të shihnin formacionin bazë atë të “Mark II” i cili ka qenë dhe më i suksesshmi: Në kitarë Riçi Blakmur, vokalist Ian Gilan, tastierë Xhon Lord, kitarë bas Roxher Glover dhe bateri Ian Peis. Por ndërkohë grupi kishte pasur disa ndërrime instrumentistësh dhe në Tiranë kishin mbërritur: Ian Gilan, Stiv Mors, Don Eiri, Roxher Glover, Ian Peis.
Kamerat nuk lejoheshin. Truprojat shqyenin sytë mos ua hidhte ndonjë trafikant. Ndaj nga ky koncert i hatashëm janë vetëm disa sekuenca të shkurtra me celularë që regjistronin me megapiksel të ulët. Por gjithsesi koncerti ishte një magji e vërtet. Nuk doje shumë për të kuptuar se të pestët e Deep Purple ishin djem të lindur në skenë. Marrëdhënia e tyre me spektatorin ishte diçka e panjohur për ne deri në atë kohë. Ian Gilan ishte aty, vetëm disa metra larg. I magjishëm, i adhuruar. Nuk ishte më 25 vjeçar ai atëherë kur interpretonte “Speed King” apo “Into the Fire”, por një 62 vjeçar ende në formë për të mbajtur një koncert me repertorin bazë, i cili nuk e kishte në playlist të lavdishmen “Child in Time”
Në retrospektivë
M’u kujtua Tucja, një shok gjithashtu i shkollës së mesme, – që nuk dija në çfarë shteti kishte përfunduar si emigrant, – që në vitin 1987 shprehej gjithë patos: Po erdhën Parpllat në Shqipëri unë do shes shtëpinë e do blej një biletë. Pse shtëpinë? Por nuk ia bëra këtë pyetje. Thjesht iu bashkova me trimëri: Edhe unë. Ekstazë adoleshentësh. Me siguri do kishim pirë ndonjë teke kaçurrel më shumë nga sa mbanim. Sepse asokohe shtëpitë nuk shiteshin në Shqipëri. Ne të gjithë ishim qiraxhinjtë e shtetit. Pastaj dhe nëse shiteshin, si do të mundja unë të shisja shtëpinë e babait. Se për vete jo që s’kisha vënë ndonjë tullë, por i kisha ngrënë ca tulla. Hajde trap hajde, i thashë vetes. Çfarë nuk thotë njeriu kur është tapë. Por Tucja ma përsëriti idenë e tij të çmendur dhe kur ishte esëll. Asnjëherë s’e mora mundimin ta pyesja se ku do ta nxirrte shtëpinë për shitje, në bursën e Nju Jorkut apo atë të Tokios. E lash Tucen në çmendurinë e tij të dyfishtë, të shitjes së shtëpisë, dhe të shijimit të një koncert të Deep Purple në Shqipërinë Komuniste, që asokohe të internonte edhe pse mbaje radion Iliria tek “Pozdravi”. Dhe pse gjithë këto deklarata naive? Sepse na ishte thënë nga një tjetër tifoz i grupit se kishat të dhëna të sakta që Deep Purple në kulmin e suksesit të tyre e kishin biletën 2000 dollarë. Sa ore sa…? Po 2000 dollarë bënte një MZ gjermanolindore te dyqani i valutës, aty te 9-katëshet. Domethënë 2000 dollarë të viteve ’80 me siguri përkthehen në 10 mijë dollarë në ditët e sotme. Ndoshta dhe më shumë. Se inflacioni bën të vetën. Të shpresoja se shtëpia e Tuces, dy dhoma e një kuzhinë tek parafabrikatet andej nga Porcelani të vlente më shumë se kaq. Eh, ta dinte Tucja se Parpllat do vinin në Shqipëri dhe çmimin e biletës do ta kishin vetëm 40 mijë lekë të vjetra që me kursin e kohës do të thoshte 25 euro.
Retrospektiva vazhdon
Në vitet ’80 të shekullit të kaluar, ne që pëlqenim “Deep Purple” e njihnim njëri-tjetrin. Nuk ishim shumë. Në vitet ’85 kishte marrë hov të madh Majkëll Xhekson, Madona por dhe Duran Duran. Ndërkohë po bënte përpara dhe Modern Talking. Dhe shumë të rinj ishin të fokusuar më së shumti në muzikën e ditës, duke iu shmangur britmat çjerrëse të tenorëve metal. Me mua mund të rriheshe nëse përmendjen emra të tillë grupesh muzikore. Dhe Adi, që rrinte një bankë para meje në mësim, sikur ma bënte për inat, që afeksonohej pas çdo grupi elementar i cili shpërthente papritmas në Hit Paradën italiane, e më thoshte në orën e matematikës se një grup me emrin “Baltimora” kish nxjerrë një këngë të re të papame të titulluar “Tarzan Boy” edhe një tjetër “Bananarama”… O tempora, o mores… Kulmi. Në fakt këtë e them tani, sepse aso kohe i thosha shkurt e saktë: o trap me nyje. Jo mo, po s’bëhet ky popull. Dhe për djall, Adit nuk i bënin përshtypje as kërcënimet e mija për ndonjë “grusht turinjve” nëse do ta tepronte zullumin. Por te e fundit unë vetëm kërcënoja, se Titit, – një tjetër shok klase, – po t’i shaje Rollingstonsat dhe Mik Xhekerin, nuk ta bënte të gjatë fare por të godiste drejt e në hundë.
Në pavetëdijen time, dhe aspak i trysnuar nga të tjerë, isha kultivuar fort me rrymat e rënda por dhe muzikën xhaz e bluz, ca Xhim Morison dhe ca Xhenis Xhoplin. Por tek Deep Purple kisha ngecur keq: si dhelpra në bigë. Shija absolute për të qenë idhtar i njërit prej dy vokalistëve të tij, ishte e madhe. Sepse si Ian Gilan po aq dhe Deivit Koverdell ishin të jashtëzakonshëm si interpret. Dhe nuk kisha ndonjë simpati as për Rod Evans si solist i parë i tyre, e aq më tepër për amerikanin Xhoi Li Tërner, që nxori vetëm një album me grupin britanik “Slaves and Masters”.
Diapazoni vokal
Në platenë me poltrona portokalli të Pallatit të Koncerteve tifozët kërkonin të këndohej “Smoke On The Water”. Sa herë kujtoheshin Deep Purple gjithmonë e para kujtohej dhe kjo këngë legjendë, që për mua çuditërish vazhdon të mbetet një këngë klasike por e zakonshme e repertorit të tyre. Dhe pakkush kujtohet se ky grup muzikor ka dhe një simfoni 12.5 minuta si “Aprile”, në bashkëpunim me një orkestër filarmonike edhe pse kënga këndohet nga një solist me vokal modest si Rod Evans. Për të mos shkuar tek “Child in time” – 10.18 minuta, – që nxjerr në pah një vokal të jashtëzakonshëm si Ian Gilan, për të cilin nga ata që e njohin më thellë muzikën thuhet se arrinte një gamë vokale deri në 4 oktava, nga E3 poshtë në A5 sipër. Dhe thuhej gjithashtu se në kulmin e tij, Gilan zotëronte një gamë shumë të gjerë, e cila u përfol të ishte 3-3.5 oktava por që thashetheme të tjera të pavërtetuara trumpetonin se ai arrinte 4.5 deri në 5 oktavë me forcë e saktësi të jashtëzakonshme në regjistrin e sipërm, ku falsetot ishin jashtëzakonisht të fuqishme dhe inovative.
Fama e një grupi muzikor
“Deep Purple”, së bashku me “Led Zeppelin” dhe “Black Sabbath”, janë referuar si “trinia jo e shenjtë” e hard rock-ut dhe metalit të rëndë britanik. Purple u renditën në Librin e Rekordeve Botërore Guinness të vitit 1975 si “grupi më i zhurmshëm i globit” për një koncert të vitit 1972 në Teatrin “Rainbow” të Londrës. Dhe si një grup me famë kanë shitur mbi 100 milionë albume në mbarë botën. Por Deep Purple ka kaluar në një histori të jashtëzakonshme, krijimtarie, koncertesh e keqkuptimesh mes anëtarësh. Tek formacioni “Mark III” i Deep Purple, solisti Deivid Koverdell dhe Glen Hjus zëvendësuan respektivisht Gilan dhe Glover, ndërsa tek “Mark IV” u paraqiti në audicion Tomi Bolin, një kitarist unik që zëvendësoi të pakrahasueshmin Blakmur. Grupi u nda në korrik 1976 dhe Bolin vdiq pesë muaj më vonë nga një mbidozë droge.
Në 2002, Xhon Lord me probleme shëndetësore u largua nga grupi dhe u zëvendësua nga Don Eirei, i cili u interpretoi në tastierë për njëzet vitet e ardhshme, derisa kitaristi Stiv Morse njoftoi largimin e tij nga grupi në 2022 duke u zëvendësuar nga Sajmon Mekbrajt. Dhe kështu së fundmi kemi formacionin “Mark IX”. Deep Purple u renditën në vendin e 22-të në programin Artistët më të mëdhenj të Hard Rock-ut të VH1, dhe një sondazh në stacionin radiofonik “Planet Rock” i renditi ata në vendin e 5-të në mesin e “grupeve më me ndikim ndonjëherë”. Grupi mori çmimin “Legend” në “World Music Avvards 2008”. Deep Purple u futën në “Rock and Roll Hall of Fame” në vitin 2016.
Epoka Koverdell
Koverdell erdhi në Shqipëri në 3 korrik të vitit 2008. Një vit pas Ian Gilanit me “Deep Purple”. Koncerti i grupit të themeluar prej tij “Whitesnake” u ndoq nga të paktën 4000 spektatorë. Koverdell ishte 6 vjet më i ri se Gilan. Ai ishte 57 vjeç kur erdhi në Tiranë. E megjithatë vetëm një si ai mund të ngrinte lart stativin e mikrofonit si pjesë e spektaklit. Po ashtu siç performonte në skenën me ngjyra ylberi të Kalifornisë në vitit 1974 kur këndoi të jashtëzakonshmen “Mistreated”.
Deivit Koverdell ishte zëri brilant që zëvendësoi Gilan në një grup të kompaktësuar. Dhe kjo nuk ishte fort e lehtë. Në kohën e tij më të mirë ai kishte një gamë vokale prej 4 oktavash që shtrihej nga B1 – A5 dhe cilësohej si bariton. Pas largimit të Ian Gilan nga “Deep Purple”, për shkak të mosmarrëveshjeve me liderin e grupit, kitaristin Riçi Blakmur, u mbajtën audicione për zëvendësimin e vokalit kryesor. Ata vendosën për Deivid Koverdell, që aso kohe ishte një këngëtar i panjohur nga Saltburn në Anglinë verilindore, kryesisht sepse Blakmur i pëlqente zëri i tij mashkullor, me nuancë blu. Dhe më përpara tij në grup ishte pranuar dhe Glen Hjus si basist dhe zë i dytë si tenor. Hjus dhe Koverdell sollën harmoni vokale dhe elemente të fank dhe bluz. Dhe nxorën dy albume krejt të veçanta si “Burn” dhe “Stormbringer” Kjo padyshim mund të cilësohet dhe si “epoka Koverdell”
Ian Peis in Tirana
Pjesëtarët e Deep Purple nuk iu ndanë Tiranës, edhe pse e kishin zbuluar vonë. Kështu kohë më pas u organizua një koncert rok me Ian Peis bateristin legjendar të Deep Purple, me “Ian Paice & Matt Filippini Band” në Akademinë e Arteve, Tiranë. Projekti “drum clinic” vuri në qendër të vëmendjes Ian Peis, ku bateristë dhe publiku i ftuar i drejtuan pyetje rreth teknikës të baterisë dhe historisë Deep Purple.
Epilog i panevojshëm
Deep Purple vazhdojnë të këndojnë ende. Shumë pjesëtarë të këtij grupi legjendar janë larguar dhe dy prej tyre Tom Bolin dhe Xhon Lord kanë vdekur. Por Ian Gilan është po aty, megjithëse po i afrohet 80-tave, dhe është po aq vital sa dhe ai që ka kënduar me një teknikë të përsosur dhe fort të ndjerë të mrekullueshmen “Jesus Christ Superstar”.