LETËRSIA IME NISI NGA NJË MUNGESË

Shqiponja Axhami Trota, shkrimtare

Raportin e një shkrimtari me atdheun, mund ta përkufizoj një si nëmë, që të ndjek ngado. Një nëmë para së cilës ti duhet të jesh në rrallë të parë i vetëdijshëm dhe në radhë të dytë i devotshëm, që ta shndërrosh në bekim

Shkëlzen HALIMI

Shqiponja Axhami Trota u lindi në Shtiqën të Kukësit (1977). Ka mbaruar studimet në Universitetin e Tiranës, Dega gjuhë – letërsi. Aktualisht jeton në Mbretërinë e Bashkuar. Ka shkruar disa libra me poezi dhe prozë: “Psherëtima pranë shelgut lotues” (novelë, Prishtinë, 2008), “E imja kjo rrugë” (poezi, botimet Vllamasi, 2009), “Fantazma me fustan të kuq” (roman, botimet Vllamasi, 2012), “Vajza dhe lulekamomili” (përralla për fëmijë, botimet Vllamasi, 2013), “Udha e zogjve” (poezi, Klubi i Poezisë, 2015), “Zoti zbret mbi jaseminë” (poezi, Onufri, 2016), “Këngë për brezin tim” (poezi, Uegen, 2021). “Pengu i një varrmihësi”, (tregime, Uegen 2022)  dhe “Fundi i Uskanës” (roman, Buzuku, 2024). “Zoti zbret mbi Jasemine” është botuar edhe në gjuhën angleze nga Shtëpia botuese Europa Edicione dhe në gjuhën italiane nga Shtëpia botuese Besa Editrice.

HEJZA: Libri Juaj i fundit që kohë më parë u botua nga Shtëpia botuese “Buzuku” (Prishtinë), mban titullin “Fundi i Uskanës”. Pse pikërisht Uskana dhe çfarë Ju motivoi ta shkruani këtë roman?

SH. AXHAMI TROTA: E vërtetë, vetëm para pak javësh doli nga shtypi romani im, “Fundi  i Uskanës”. I jam mirënjohëse zotit Abdullah Zeneli, Shtëpisë botuese “Buzuku” dhe gjithë skuadrës së saj.

Uskana, ose Hyscana, ishte një qytet i lashtë, i cili shtrihej në territorin e fisit Ilir, Penestë. Ky qytet antik supozohet se ka qenë në afërsi të qytetit të sotëm të Kërçovës. Më tej, historia e këtyre vendeve, pushtimet romake, osmane, sllave, dyndjet, barbarizmat, deri në masakrat e vonshme mbi shqiptarë, më krijuan sfondin e duhur ku të vendosja ngjarjet e romanit dhe t’i jepja kahen e duhur idesë dhe qëllimit të tij. Nga ana tjetër, fryma që mbart romani, një gjendje mes piskamës, ofshamës, vajit, por dhe këngës, i përshtatej hijshëm emri Uskanë. Emri Uskanë tingëllon si një ofshamë drejt shpërbërjes në tingull.

Ndërsa motivi që më ka nxitur të shkruaj këtë roman, është e tëra ime në një fis, fshat dhe vend i destinuar të jetë várr i përjetshëm, nën një absurd enigmatik, zanafillash, religjionesh, pushtimesh, diktaturash, pseudo-demokracish etj… Pak njerëz mund të kenë një “fat” të tillë. Unë i përkas një brezi që na u desh të rritemi mes shumë mungesash, frikash dhe paradoksesh, që as sot nuk arrijmë t’i shpjegojmë dot. Për shembull, nëse nga radioja ime ngjyre kafe (emri i saj, 30 – vjetori i çlirimit), dëgjoja propaganda antifetare, “se si të zhdukim nga rrënjët mbetjet fetare”, nga cepi i dhomës më grishnin lutjet e gjyshes, një Zoti, që unë nuk duhej ta përmendja me zë të lartë. Nga ana tjetër, motra e madhe më urdhëronte ta shoqëroja që të lidhnim të ligjit e të mbjellave, Ditën e Verës. Ndërsa mbyllja ditën duke ndërtuar aeroplanë me gazetën, “Zëri i popullit”, dhe duke përsëritur refrenin e këngëve që këndonte nëna ime, mbi vek. Por, thellë-thellë brenda vetes rrekesha të gjeja një shpjegim; kujt i lutej gjyshja dhe pse i lidhte me penj mizat, motra…

Të shtrira nën një këndvështrim tredimensional, këto mungesa, frika, makthe, paradokse ritesh, besimesh, që shpesh herë ngatërrohen me njëra-tjetrën sa shpërfytyrojnë dhe të vërtetën, zanafillën, më shtynë që të shkruaj këtë roman.

HEJZA: Kur kuptuat se letërsia është ajo që të shtrëngon në shpirt. Si ishin fillimet e Juaja të para në botën magjike të fjalës artistike?

SH. AXHAMI TROTA: Letërsia, ose fjala në art, erdhi tek unë ditën kur nuk mundja të dëgjoja më këngët e nënës. Ajo iku herët nga kjo botë, kur unë isha rreth 12-vjeç. Dhe ato rima, ato këngë, unë nisa t’i shpik dhe t’i shkruaj në një fletore diktimi, me bindjen prej fëmije, që ajo i lexonte. Orvatja për të mbushur hapësirën e një mungese me një lëndë amorfe, fluide, që çon në shndërrimin e gjendjes, bën atë që një ekip më i zgjuar se unë e quajnë, arti i fjalës. E tillë nis letërsia ime, nga një mungesë, ashtu siç dhe ju e theksoni në pyetje “diçka që shtrëngon në shpirt.”

Më vonë mbaj mend që kam nisur të shkruaj proza të shkurtra, por dhe poezi, një prej të cilave ka qenë ajo me titull “Roja”. Një poezi me fjalë të thjeshta që fliste për një roje, që nuk na linte të merrnin fruta nga një fermë poshtë shtëpisë… Poezinë e kam të rishkruar, përpunuar, në librin me poezi, “Këngë për brezin tim”. Në këtë përmbledhje përfshihen të gjitha ngjarjet e fëmijërisë, ato që kanë lënë më shumë várr brenda meje.

HEJZA: Fati deshi që të jetoni larg Shqipërisë, por kjo nuk do të thotë se Ju i keni shkëputur lidhjet me Atdheun.  Si do ta përkufizonit raportin e shkrimtarit me Atdheun?

SH. AXHAMI TROTA: Shpresoj që të ketë qenë “fati”, ai që më grishi që të lë dheun e atit. Por, mendoj që fatin e bëjnë rrethanat. Në rrethana aspak të përshtatshme për një jetë të sigurt dhe më të mirë, duke m’u mbyllur shumë dyer, deri dhe dyer ministrash etj, jam detyruar që të marr rrugën e mërgimit. Dhe prej disa vitesh jetoj si rezidente ne Mbretërinë e Bashkuar. Por, lidhjet me atdheun nuk shkëputen asnjëherë. Këtu, përpara së të dëgjojmë BBC – në, ne dëgjojmë lajmet në shqip. Edhe ëndrrat i shohim në vendlindje. Ndaj janë të pashkëputshme lidhjet me vendin e lindjes. Ndërsa raportin e një shkrimtari me atdheun, mund ta përkufizoj një si nëmë, që të ndjek ngado. Një nëmë para së cilës ti duhet të jesh në rrallë të parë i vetëdijshëm dhe në radhë të dytë i devotshëm, që ta shndërrosh në bekim.

HEJZA: Larg atdheut, larg vlerave kulturore të kombit, me valixhet plot kujtime, ndrydhur në vetmi e përmallime, lemerisur nga pesha e papërballueshme e asimilimit – ky është motivi krijues, apo është ai fat që i ndjek të mërguarit për të bërë letërsi të mirëfilltë?

SH. AXHAMI TROTA: Është e vërtetë, larg atdheut pështjellohesh nga një tis i zymtë gjendje, disi i tjetërsuar, nën peshën e një amullie të patrajtë, vetmie, mungese, etj. Por, nuk mendoj që kjo peshë duhet të jetë motiv krijues. Një shkrimtar mund të ndihet i vetmuar edhe në atdheun e vet. Vetmia, malli, kujtimet i bëjnë rrethanat krijuese më vitale, por nuk duhet të ndikojnë në thelbin e të bërit një letërsi të mirëfilltë. Letërsinë unë e ndjej dhe shoh në një perceptim tredimensional dhe bërje. Për mua të qenët e përmallur, nuk më grish të shkruaj për mallin, por rrekem të gjej disa gjendje, që varen nga vetëdija dhe nënvetëdija dhe që çojnë drejt tij, mallit, në këtë rast. Për shembull, “Zonja Kler”, është tregimi im i fundit. Më kujtohet se në ditët kur e kam shkruar këtë tregim, kam qenë e ngarkuar emocionalisht, pozitivisht. Në fakt “Zonja Kler”, është një grua që vuan nga alzheimeri dhe përpiqet të shpjegojë paradoksin e jetës së saj, mes harresës dhe kujtesës. Jeta e saj është tmerrësisht e vrazhdë. Kështu që, të paktën për mua, një gjendje shpirtërore më sjell një gjendje krejt tjetër në të shkruar dhe as vetë nuk arrij ta kuptoj se përse. Por, gjithsesi mendoj se shkrimtari është i destinuar të qëndrojë pezull, mes të qenët një homosapiens në një gjendje të caktuar shpirtërore dhe një homosapiens i “çmendur”, që orvatet t’i afrohet një gjendjeje të mbinatyrshme, hyjnores, si derivat i gjendjes së krijimit.

Përsa i përket “fatit” që e ndjek një të mërguar për të bërë letërsi të mirëfilltë, po, e drejtë. Është krejt e natyrshme që një autor i mërguar të rreket të shkruaj një letërsi moderne, me parametra universalë të tematikës, subjektit etj. Por një shkrim, prozë apo poezi, letërsia në përgjithësi, sipas mendimit tim, nuk mund ta identifikojë kurrë një autor, nëse ai shpërfill vlerat më të jashtëzakonshme që burojnë nga folku, kultura, që mbart dhe trashëgon nga vendi i tij i lindjes. Do të mjaftonte një baladë, thelbi i saj, që një autor të shkruante një kryevepër me parametra universal. Përshtatja e lëndës së shkruar, e shijes së kultivuar estetike, pa iu shmangur qasjes fillestare, që zë fill tek gjeneza individuale, trashëgimia kulturore, është motivi që duhet të nxisë çdo shkrimtar, që jeton në një vend të huaj. Kjo do të tërhiqte vëmendjen e lexuesit të huaj.

HEJZA: Cili është raporti i atdheut me krijuesit shqiptarë të diasporës? Shtëpitë tona botuese që i kemi me bollëk, dinë gjë për këta shkrimtarë, apo nisin e i njohin sapo ndonjëri prej tyre të shpreh gatishmëri për vetëfinancim të veprave të veta? A mendoni se vetëfinancimi i botimeve është një “korrupsion kulturor”, i cili duhet të ndiqet, madje edhe me mbyllje të shtëpisë botuese nga organet përkatëse shtetërore?

SH. AXHAMI TROTA: Termi raport ka të bëj me përpjesëtimin e dy a më shumë anëve, dukurive, etj. Gjykuar në këtë sens unë “fatkeqësisht” bëj pjesë në anën e krijuesve të diasporës, por nuk mund t’i imponohem anës tjetër, atdheut tim, për sa kohë e kam braktisur atë. Gjithsesi, unë e kuptoj thelbin e pyetjes. Mbështetja, vlerësimi, promovimi i artistëve, shkrimtarëve të diasporës është një vlerë e shtuar dhe besoj e domosdoshme për çdo vend, E kundërta do ta linte në hije të mjerueshme, përjetësisht…Se sa është arritur dhe sa bëhet në këtë pikë, nuk di të përgjigjem saktë, ose më shkoqur preferoj të hesht. 

Përpara se t’i përgjigjem pjesës tjetër të pyetjes, dua të theksoj që shtëpitë botuese në Shqipëri dhe më gjerë janë “fatkeqe”. Problematika më e madhe e tyre besoj qëndron në faktin mjerues, që ato nuk mbështeten sa duhet nga institucionet shtetërore, ministritë etj. Këtu e kam fjalën për tri dekadat e fundit pas rënies së diktaturës.

Nëse do të kuptosh se sa i zhvilluar është një qytet, duhet të shohësh se sa biblioteka ka dhe sa cilësore i ka ato. Nëse një grup turistësh do të vizitonte çdo bashki të çdo qytetit në Shqipëri, do të mahnitej me luksin dhe bukuritë e zyrave dhe do të lemerisej me “katastrofën” e bibliotekave. Gjykuar në këto rrethana, një shtëpi botuese, me shumë pak lexues të interesuar për librin, është e destinuar të mbijetojë dhe si e tillë, pranon çdo lloj “paçavure” kontrate dhe botimi. Nëse shtëpitë botuese do të kishin një bashkëpunim të shëndetshëm me institucionet shtetërore, uljen e taksave, shpërndarjen e librit nëpër bibliotekat e shkollave ato të qytetit, situata do të ishte ndryshe. Kështu që unë këtë “korrupsion kulturor”, siç e quani ju, e shoh gjetkë, zanafilla e tij është aty ku qëndron thelbi i çdo kombi, shteti. Përpara së organet përkatëse shtetërore të mbyllin një shtëpi botuese, ato duhet të hapin një bibliotekë. Dhe, përmes një hierarkie bindëse institucionale, hartimit të planeve për mbështetjen financiare të shtëpive botuese, kontrollit të cilësisë dhe shpërndarjes së librit, sidomos të teksteve shkollore, do të arrihej ajo që ju denonconi, asgjësimi i “korrupsionit kulturor” dhe zëvendësimi i tij me zhvillimin kulturor.

HEJZA: A e ka thënë akoma fjalën e vet kritika letrare për krijimtarinë që po zhvillohet në diasporë. Apo, janë dy vlera që po ecin paralelisht dhe assesi të takohen diku sy më sy!

SH. AXHAMI TROTA: E thashë edhe në fillim të intervistës, unë i përkas një brezi të rritur mes frikash dhe mungesash. Kjo fjalë – “kritikë”, më kujton fletë – rrufetë kur mbanim më shumë se një lopë, duke mos e dorëzuar në kooperativë, ose kur thyenim rregullat e sistemit, etj. Më e keqja ishte se jo vetëm që të ngjitej emri, fotoja (në këto fletë-rrufe), por kush kalonte bënte shkarravina mbi to, ose shkruante fjalë të pista…Përballë fletë-rrufeve vendoseshin tabelat e nderit. Për dreq edhe këtu nëse të dilte fotoja, emri, ishe i destinuar të prisje reagimet dashakeqe, shkarravina, fjalë të pista etj. Kështu që mendoj se sado t’i bësh kritikën e mirë ose kritikën e keqe një vepre letrare, do të ketë zëra që i mëshojnë të kundërtës. Por, nuk qëndron këtu problemi. Problemi, sipas mendimit tim, qëndron në faktin që, kritika mund të bëhet vetëm për gjëra të kapshme konceptualisht, numerikisht, etj. Arti qëndron mbi këto parametra, ndaj sado të përpiqesh t’i bësh kritikën e duhur, do mbetesh disi larg thelbit. Gjithsesi, këtu ku jetoj unë ka shkolla të kritikës letrare, që nxjerrin individë që zhbirojnë në skajet më të epërme të një vepre letrare, duke e përgatitur lexuesin për atë që i ofron kjo vepër. Këto për kritikën në përgjithësi. Ndërsa përsa i përket pyetjes që ju bëni, kur kritika letrare shqiptare do të institucionalizohet përmes shkollave të parametrave evropiane, kur institucionet akademike do të bëjnë të duhurën dhe doktoraturat nuk do të jena ofshama plagjiature, atëherë mund të japim një përgjigje të saktë. Gjithsesi, meqë jemi në këtë pikë, dua të theksoj një fakt të çuditshëm që ndodh këtu në Britani. Një qendër e zhvillimit të letërsisë në West Midlands, Birmingham, ku unë jam pjesë e një grupi prej disa vitesh, “kritikat” për një vepër të shkruar fillojnë me analiza të thjeshta mes shkrimtarësh, në formën e një takimi çaji, “Literary Saloon”, etj. Janë analiza të thjeshta mes shkrimtarësh që përgëzojnë autorin dhe tërheqin lexuesit e ftuar. Nuk jam në dijeni nëse këto takime organizohen në Shqipëri. Unë në Shqipëri kam miq, autorë të njohur të prozës dhe poezisë, që kanë mbajtur dhe mbajnë poste të rëndësishme shtetërore, ministri, ambasada dhe mund të bëjnë diçka në lidhje me krijimin e një imazhi të besueshëm në promovimin e vlerave të mirëfillta letrare.. Sot fjala është e lirë, nuk jemi edhe aq të varfër sa para 30 vjetësh, atëherë pse e kërkojmë problemin gjetkë ,“nuk funksionoka kritika letrare”, kur nuk arrijmë të bëjmë vetë një gjë të tillë, mes miqve. Është e vërtetë, një autor është natyrë e ndjeshme dhe nuk mund të jetë kurrë një kritik i jashtëzakonshëm. Kritika kërkon njerëz të ftohtë, strikt, por një grup autorësh që mblidhen e flasin për një vepër, mund të ketë një efekt të madh tek një grup lexuesish, që i ndjek me adhurim. Ndaj, nëse kritika letrare nuk e paska thënë fjalën e saj për krijimtarinë në përgjithësi, por edhe për krijimtarinë që po zhvillohet në diasporë, pse të mos e bëjmë ne, autorët për njëri- tjetrin. I kam ndjekur me vëmendje dhe i përgëzoj disa shkrime eseistike të disa autorëve që shkruajnë për autorë të tjerë.

HEJZA: Në hapësirën shqiptare ambienti letrar fatkeqësisht që moti është kontaminuar me lloj – lloj mbeturinash, që dukshëm ia kanë zënë frymën letërsisë së mirëfilltë. Sot kemi më shumë botime se lexues, kemi diletantizëm, injorantë dhe çka jo tjetër? Vlerat e vërteta u përmbysën për shkak se demokracia vazhdon të trajtohet me mjete të anarkisë. Pse ndodhi kjo dhe si ta dekontaminojmë këtë ambient letrar?

SH. AXHAMI TROTA: Ne si popull kemi kaluar një diktaturë të ethshme 45 vjeçare. Më tej, 30 vite në një demokraci të çekuilibruar dhe të brishtë. Ne kemi qenë të babëzitur për çdo gjë, mish, qumësht, djathë, padyshim edhe për lirinë e fjalës. Siç e theksova, këto 30 vite “demokraci” nuk janë shumë që të ngopemi. Një diktaturë e ethshme 45- vjeçare lë pasojat e saja tek një popull, edhe atë për një kohë të gjatë. Mund të ndodhë që edhe pas 100 vjetësh të ndihen metastazat e saj. Ndaj, sipas mendimit tim, nuk duhet të çuditemi pse kemi shumë botues, shkrimtarë, gazetarë, etj. Mund të imagjinoni një fëmijë të keq-ushqyer prej muajsh. Edhe pse e ushqen, atë e ndjek instinkti i urisë, grindet, qan, frikësohet. Fatkeqësisht, kur ka uri edhe “diletantizmi dhe injoranca”, është frikësuese pasoja e shkatërrimit, ndaj duhet vëmendje…

Dekontaminimi, pastrimi i këtij ambienti letrar mendoj që është një proces jo i lehtë, që kërkon kohë. Koha është kritiku më i mirë që filtron vlerat nga antivlerat. Por, kjo nuk do të thotë që duhet të presim. Ndryshimi duhet të fillojë nga vetë ne, unë, ju, çdo autor dhe gazetar… Ndjej që rrethohemi nga një heshtje sfilitësh, që shpesh më ngjan me viktimizimin, por që shpresoj që nuk do jetë jetëgjatë… 

HEJZA: A i ndiqni aktivitetet letrare – artistike ne Shqipëri dhe me gjerë, botimet e antologjive të ndryshme dhe a ju vjen keq që nuk jeni pjesë e tyre?

SH. AXHAMI TROTA: Këtu është një dinamizëm i ethshëm, deri frikësues, i jetës në përgjithësi. Dhe kemi shumë pak kohë, që të ulemi dhe të shohim ato që na i ndjell zemra. Por, unë përpiqem që të ndjek, me aq sa mundem, aktivitetet e ndryshme letrare-artistike që organizohen atje. Edhe një aktivitet i një shkolle në Tiranë dhe gjetkë, për gjuhën, për letërsinë, festat etj, na bën të ndihemi mirë dhe ngazëllyeshëm. Duhet të jetosh larg vendit tënd, që ta kuptosh një ndjesi të tillë. Kam ndjekur dhe ndjek me një interes të veçantë edhe aktivitetet e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit. Unë i ndjej dhe shoh një mënyrë krejt të paanshme këto aktivitete dhe dua të theksoj që kjo Qendër duhet vlerësuar. Kam vënë re që ftohen, promovohen, investohen autorë të rinj. Është tejet e rëndësishme kjo. Edhe këtu ku jam unë, këshilli, që do të thotë bashkia, investon shumë më shumë për autorë të rinj, se sa për emra që njihen. Gjithashtu, zgjedhja e laureatëve, dy emra të admirueshëm të poezisë moderne shqipe dhe më gjerë, na entuziazmon dhe na jep shpresën se diçka po bëhet, për mirë. A ka mangësi, padyshim që po. Por, e rëndësishme është që po rreket të bëhet. Ne duhet t’i shikojmë risitë, aktivitetet si një vlerë e shtuar kombëtare dhe jo në mënyrë të njëanshme dhe me duf personal. Dufi personal, mania për të qenë të parët, është një “virozë”, që na ka ndjekur historikisht, fatkeqësisht.

Përsa i përket pjesës së dytë të pyetjes, Antologjitë bartin një peshë të rëndë, jashtëzakonisht të rëndë, sipas perceptimit tim. Ndaj të përfshihesh në to është një përgjegjësi e madhe. Unë jam ftuar jo pak herë të jem pjesë e antologjive dhe nuk kam pranuar. Nuk kam pranuar me bindjen që në një antologji duhet të përfshihen emra të padiskutueshëm, që kanë zënë rrënjë në historinë e zhvillimit letrar të vendit, prej dekadash. Padyshim që në një antologji mund të përfshihen edhe emra të rinj, por kur këta emra janë futur bindshëm në procesin e zhvillimit të poezisë, duke lënë gjurmë dhe duke iu përgjigjur funksionit estetik letrar. Unë jam ende herët. Por, kur hartohen Antologji në të cilën përfshihen emra që nuk kanë të bëjnë aspak, ose fare pak me poezinë e mirëfilltë, të krijohet një pështjellim, më shumë se neveritës, keqardhës. Imagjinoni për një çast një qytet të djegur, pas 50 vjetësh. Nëse dikush kalon pranë ndonjë biblioteke të tij, do të hezitonte të merrte cilindo libër të shpëtuar, përpara një antologjie… Atëherë lind pyetja, si do i justifikohemi përballë kohës, me antologji të tilla…Nuk po zgjatem më tej, por shpresoj që në të ardhmen të ngrihet një grup që njeh mirë zhvillimin historik-letrar të vendit, ka shije të kultivuar estetike, dhe të hartojnë Antologji të mirëfillta të poezisë shqipe, që koha të mos na lëshojë nëmë…

HEJZA: Atje ku Ju jetoni, a e keni gjetur veten si autore dhe a keni ndonjë bashkëpunim në aktivitetet vendase. Si e kanë vlerësuar artin Tuaj?

SH. AXHAMI TROTA: Në fakt është e çuditshme mes pështjellimit që sjell largimi nga vendi yt dhe jetesa në një vend të madh si Britania e Madhe, unë gjendem befasisht në një skenë. Ftohesha të recitoja disa poezi nga libri “Zoti zbret mbi jaseminë”, në një aktivitet që zhvillohej në Birmingham, në përkrahje të Ukrainës. E befasuar pyes organizatorët dhe më thonë që kanë ftuar të gjithë autorët e zonës. Si duket kishin kërkuar në Google, mbi shkrimtarët që jetojnë dhe punojnë në zonë. E cilësoj këtë fakt, sepse këtu institucionet shkojnë tek autorët, përpiqen t’i afirmojnë ata, dhe jo e anasjelltas. Pas festivalit me poezi, jam ftuar në të gjitha ngjarjet e zhvillimit të letërsisë, festivaleve, work shopeve, takimeve në zoom, etj. Këto ngjarje zhvillohen, sponsorizohen nga institucione që mbajnë përgjegjësi për zhvillimin e letërsisë, si Writing West Midlands etj. Thënë shkurt, më kanë mbështetur dhe vazhdojnë ta bëjnë. Libri im me tregime “Pengu i një varrmihësi”, është në proces redaktimi nga Roos Woolner, një shkrimtare dhe përkthyese vendase, më qëllimin e botimit. Jonathan Davidson, shef ekskluziv i kësaj Qendre dhe një ekip prej disa autorësh, e kanë lexuar librin dhe janë shprehur, meqë ju pyesni: si një prozë e pahasur më parë … Të tjerat le t’ia lëmë kohës…

HEJZA: Në Angli është edhe një komunitet relativisht në numër i artistëve shqiptarë. A ekziston ndonjë organizim apo bashkëpunim midis këtij komuniteti?

SH. AXHAMI TROTA: E vërtetë, këtu ka një numër relativisht të madh shqiptarësh, që kanë dhe japin kontributin e tyre në shumë fusha. Duhet theksuar kjo, kudo ku jetojnë shqiptarë ka individë të devotshëm që dinë t’i japin vendit ku jetojnë vlera të jashtëzakonshme në shumë fusha.

Organizimet dhe bashkëpunimet midis komunitetit janë të fokusuara më shumë në njohjen dhe promovimin e artistëve të rinj, këngëtarë, etj, që shpesh vijnë dhe organizojnë koncerte etj. Të larmishme janë edhe aktivitetet që organizon ambasada shqiptare, për festat e ndryshme, njohje, promovim etj, kryesisht në Londër.

HEJZA: Me siguri në laboratorin Tuaj krijues janë në proces edhe realizimi i projekteve të reja. Çfarë mund të presim pas librit “Fundi i Uskanës”?

SH. AXHAMI TROTA: Fundi i Uskanës”është një roman i shkruar relativisht para disa vitesh. Nuk e di mbase vetë kompleksiteti i tij ndolli një farë ngërçi dhe nuk u botua. Por, kjo shërbeu për mirë, sepse e kam rishikuar disa herë. Pas shkrimit të tij (mbetur në dorëshkrim), kam botuar dy libra të tjerë, vëllimin me tregime “Pengu i një varrmihësi” dhe atë me poezi, “Këngë për brezin tim”, nga shtëpia botuese, Uegen. Gjej rastin ta falënderoj publikisht një njeri fisnik dhe me vlera të jashtëzakonshme, që rrallë hasen në ditët e sotme, zotin Xhevair Lleshi, që rrallë hasen sot. Për t’i dhënë përgjigje pyetjes, kam në dorëshkrim një roman të përfunduar, një përmbledhje me tregime dhe një me poezi, por që më duhet t’u jap kohën e duhur te redaktimit, derisa të bindem për botim…

Leave a Reply

Your email address will not be published.