Në hapësirat shqiptare ka lloj-lloj shkrimtarë. Bie fjala, ka “shkrimtarë” që s’mërziten për asgjë dhe investojnë vetëm në imazhin e tyre. Ka “shkrimtarë” që mendojnë se bota sillet rreth tyre. Ka grupime “shkrimtarësh” që jo vetëm e pëlqejnë njëri tjetrin në rrethin që i takojnë, por edhe vetë-pëlqehen, duke mos lejuar askënd të futet brenda rrethit të tyre, duke organizuar “manifestime” e argëtime të ndryshme e duke zhvatur taksat e popullit. Ka “shkrimtarë” që e shesin dinjitetin e tyre për pak lekë, duke qëndruar më afër biznesmenëve dhe duke u thurur atyre elozhe të shumta. Ka “shkrimtarë” që shpërndajnë mjegull, nihilizëm, gënjeshtra. Ka “shkrimtarë” që presin vetëm momentet e duhura për ta nxjerrë në pah “patriotizmin”. Ka “shkrimtarë” që bëjnë biznes, duke i mashtruar sidomos disa entuziaste, të cilat me shumë lekë e blejnë botimin e “veprave” të tyre. Ka “shkrimtarë” që pa fije turpi huazojnë vargje nga autorë të huaj e i shesin me etiketë origjinali. Por, ka edhe “shkrimtarë” facebook-u, të cilëve u ka rënë seksi në “kokë” dhe, siç flitet gjithandej nëpër rrjetet sociale, tërë ditën e kalojnë duke u shpërndarë pëlqime ca femrave që shtiren si “shkrimtare”. Të gjitha këta, pa përjashtim, mendojnë vetëm për vete dhe assesi edhe për letërsinë shqiptare.
E po tash shtrohet pyetja: a ka shkrimtarë që mendojnë me logjikë të shëndoshë. Përveç disave që mund të numërohen me gishta të duarve dhe që akoma jetojnë me dinjitet dhe ecin vertikalisht, pjesa dërmuese, të dehur nga lakmia e llojllojshme (edhe lakmia e atyre që u ka rënë seksi në “kokë”) e kanë humbur rrugën në oborrin e tyre. Nëse nuk ndërmerret diçka konkrete dhe nëse nuk vetëdijesohen ata që duhet të vetëdijesohen, atëherë është e pritshme që letërsia (bashkëkohore) shqiptarë të pësojë gjendje kome…(HEJZA)