Fabulat lexohen shpejt dhe kanë një gjuhë sa fëmijërore aq edhe moralizuese dhe përmes satirës, humorit dhe sarkazmit, ligjëron për të keqen dhe ligësinë njerëzore, por edhe na mëson, sesi të jemi dhe të mbetemi njerëz
Emrije KROSI
Ndoshta gjinia, që shkruhet më pak dhe lexohet më shumë është fabula. Fabula është gjinia letrare e njohur që në lashtësinë greke, të përfaqësuar nga Ezopi, dhe pastaj nga La Fonten. Edhe në Shqipëri ka shkrues të fabulave ose fabulorë, por duhet kuptuar ndryshimi (mes fabulës së një tregimi/ rrëfimi romanor) dhe fabulës gjini e shkruar në prozë dhe poezi.
Çfarë janë në vetvete fabulat. Sipas RAE (Akademia Mbretërore Spanjolle), fabulat janë histori të shkurtra imagjinare, në prozë ose vargje, me qëllim didaktik ose kritik të shfaqur shpesh në një moral përfundimtar, dhe në të cilën njerëzit, kafshët dhe qeniet e tjera të gjalla ose të pajetë mund të ndërhyjnë. Fabulat janë gjithmonë të lidhura me tregime për fëmijë. Por, ato “argëtojnë” edhe lexuesin e rritur. Mjeshtri i fabulave në Shqipëri është Ferit Lamaj, por është edhe fabulisti Salvator Gjeçi me librin “Parada e flluskave”, i cili na sjell elemente të rëndësishme si:
-elementet e vetëmburrjes dhe vetëbesimit të tepruar (“Babë e bir”, “Rrapi dhe bijtë”);
-elementet e përuljes dhe skllavërimit të njeriut për ca ndere dhe favore të pamerituara (“Lehësit”, “Qentë nën komandë”, “Politikë biberoni”);
-elementet e abuzimit me respektin, mirësinë dhe mirënjohjen (“Dallëndyshja e harabeli”, “Corka”);
-elementet e veseve dhe të pabesive (“Vesi i vjetër”);
-elemente të moralit të (ar)miqësisë dhe politikave çnjerëzore (“Qeni dhe kocka”, “Oborrtarët”, “Zani i gomarit”, “Vëllezërit”, “Loja e shahut” etj.)
Në fabula gjithmonë ekziston: kritika dhe morali për sjellje të caktuara, ku personazhet kafshë “na japin mësime”, përmes simbolikave të butësisë dhe urtësisë, përmes mishërimit të zellit dhe durimit, kundër nënshtrimit dhe përuljes, si dhe kundër dhunës dhe dinakërisë etj.; kur mbërriti tek ara rrjedha më në fund/shfaqja e çudive përmendej gjithkund:/ në pikun e thatësirës flitej më me bujë/për bëmat e flluskave se për vijën me ujë poezia “Parada e flluskave”, që mban edhe titullin e libri.
Libri ka 71 fabula me një gjuhë të thjeshtë. Vargu është ndërtuar me rimën klasike [ab/ab], me strofa katërshe. Përmes tematikave të shumta, autori demaskon veset, pabesitë, imoralitetin, abuzimin, skllavërimin, mendjemadhësinë, dhunën, dinakërinë, por edhe “nxjerr” në pah, butësinë, urtësinë, durimin, njëkohësisht shumë “mësime” dhe “këshilla” për modelet e politikës njerëzore, që herë-herë e refuzojnë mjedisin e tyre kafshëror, duke qenë mirëkuptues mes tyre dhe më solidarë. Në fund ka edhe një (përrallëz me vargje), që lexohet me një frymë.
Fabulat përveçse lexohen shumë shpejt dhe kanë një gjuhë sa fëmijërore aq edhe moralizuese, përmes satirës, humorit dhe sarkazmit, ligjëron për të keqen dhe ligësinë njerëzore, por edhe na mëson, sesi të jemi dhe të mbetemi njerëz, kur udhëhiqemi nga ndërgjegjja dhe ndjenjat, kurse kafshët udhëhiqen nga instinkti. Por, instinktet janë “veset” më kafshërore që i zotëron njeriu si: pangopësia, cinizmi, imoraliteti dhe pabesia.