Arti, si pjesë e kulturës e cila në një mënyrë krijon produkte, dëshmohet si aktivitet i madh njerëzor, fuqi kreative e cila transformon realitetin ekzistues në një mënyrë krejtësisht të ndryshme nga shkenca dhe teknologjia
Burhan AHMETI
Ndryshimet globale, shoqërore dhe teknologjike në shekullin XXI kërkojnë ndryshim të menjëhershëm dhe urgjent të gjendjes së tanishme në të gjitha sferat e jetës sociale, e posaçërisht sa i takon edukimit dhe arsimimit, ku paraqitet kërkesa e ndryshimit të paradigmës së mësimnxënies dhe kërkohet reagim i shpejtë edhe i institucioneve tona të cilat tradicionalisht janë rezistuese ndaj ndryshimeve dhe kërkojnë mënyra se si të ruajnë vazhdimësinë e përvojave të mëparshme.
Arti, aktivitet i madh njerëzor
Detyra themelore e shkollës bashkëkohore, veçanërisht sot kur kemi zhvillim të shpejtë në çdo pikëpamje në botë, është ndërtimi i personalitetit kreativ-krijues të nxënësit, i cili do të organizohet në të gjitha parimet shoqërore dhe shkencore, veçanërisht për përvetësimin e njohurive dhe zhvillimin e aftësive, të cilat bëhen kusht i detyrueshëm për ndjekjen e koncepteve të edukimit dhe është segment i domosdoshëm i veprimit.
Arti, si pjesë e kulturës e cila në një mënyrë krijon produkte, dëshmohet si aktivitet i madh njerëzor, fuqi kreative e cila transformon realitetin ekzistues në një mënyrë krejtësisht të ndryshme nga shkenca dhe teknologjia. Arti figurativ përmes veprimtarisë kreative-krijuese vjen si rezultat i lirisë së njeriut, në të cilën njeriu përmes punës së tij tejkalon kufijtë e vet dhe ridefinon rrethin e tij, dhe duke zbuluar dimensione të reja mëson mundësi të reja të ekzistencës së tij. Kështu që edukimi dhe arsimimi janë aktorë shumë të rëndësishëm dhe me ndihmën e artit vjen deri te zhvillimi i shumë fuqive dhe aftësive tjera krijuese të nxënësve. Që të mund t’i shndërrojmë shkollat në institucione krijuese-kreative dhe ambiente inovuese në përputhje me strukturat komunikatave të procesit pedagogjik, është e nevojshme dhe e arsyeshme të respektohet roli i kreativitetit në edukim dhe arsim, me anë të së cilit individi me përvojën dhe angazhimin e tij ofron bashkëveprim të ndryshëm me kushtet ku konstaton dhe krijon vlera të reja.
Në të folurit të përditshëm por edhe në literaturën shkencore kreativiteti më së shpeshti sqarohet përmes dy kuptimeve: kreativiteti si tipar apo grup tiparesh të personalitetit, dhe kreativiteti si krijimtari që nënkupton krijimin e ideve të reja origjinale në kontekst të veprave shkencore, teknike dhe artistike. Duke marrë parasysh se ekziston një numër i madh i definicioneve mbi kreativitetin, mund të thuaj se kreativiteti rrjedh nga qasjet e ndryshme ndaj kreativitetit.
Lubart (1994) potencon se ekzistojnë disa qasje ndaj kreativitetit: mistik (kjo qasje shpjegohet me qasjen hyjnore, gjegjësisht inspirimin që perëndia i jep individit); psikodinamike (kreativiteti shfaqet si rezultat i tensionit mes realitetit dhe instinkteve të pavetëdijshme); konjitive (kreativiteti i kushtëzon proceset e mbajtjes mend, të menduarit, autonomisë, motivimit të brendshëm), konfluente (komponentët e kreativitetit i kushtëzon inteligjenca, dija, stili i të menduarit, personaliteti, motivimi dhe rrethi). Kur flasim për kreativitet dhe para se të fillojmë ta analizojmë, duhet t’i parashtrojmë disa pyetje vetvetes: A janë fëmijët kreativë dhe të aftë për krijimtari në përgjithësi, dhe cilët janë kufijtë e kreativitetit të fëmijëve?
Nietzsche konstaton se “kreativiteti nuk është privilegj i individit, por llogaritet si e gjithë mundësia njerëzore që mund të shkatërrohet, nga një këndvështrim i përcaktuar si kreativiteti si një nevojë e domosdoshme në rritjen e fëmijëve”. Përmes dallimit, respektimit të kreativitetit dhe moskonfrontimit të kreativitetit, te fëmijët dhe të rriturit, krijojmë rrugë deri te edukimi kreativ. Në kushte dhe marrëdhënie ku nxitet kreativiteti dhe veprimtaria krijuese sjellin angazhim të nxënësit që arrin deri tek edukimi dhe arsimimi i njeriut që do të jetë i aftë të vë në funksion shumë fuqi të tij: ekspresionin, konstruksionin, imagjinatën, intelektin dhe prodhimtarinë.
Përmbajtjet figurative para nxënësve duhet të vendosen në atë mënyrë që të ngjallin interes tek ata, t’i futin në njësi mësimore ashtu që do të nxisin dhe plotësojnë kureshtjen e fëmijëve dhe do t’u japin arsye për të mësuar gjuhën figurative, dhe jo të ofrojnë zgjidhjen figurative ose thjesht t’u përcaktojnë motivin e punës së fëmijëve. Të mësuarit në bazë të hulumtimit personal dhe zbulimit jep motivim të brendshëm dhe fuqi intelektuale të të kuptuarit gjë që e bën perceptimin më efikas ndërsa shprehjen figurative më të pasur dhe më interesante. Prandaj, mësimi dhe vëzhgimi i kompozimeve figurative në elementët e dhënë vizualë, por edhe me motive të tjera, bëhet një akt zbulimi dhe kënaqësie përmes lojës, përmes kërkimit të pavarur, përmes eksplorimit të gëzuar të mjedisit nëpërmjet vëzhgimit të fokusuar të vëllimit, ngjyrës, sipërfaqes dhe vijave deri në përjetimin dhe shprehjen figurative.
Krijimi i pavarur
Për zhvillimin e kreativitetit figurative të nxënësve një rëndësi të veçantë ka komponenti emocionale-kreative dhe zhvillimi i imagjinatë por kjo sigurisht nuk përjashton pjesën racionale-intelektuale sepse pa racionalen nuk ka krijimtari. Zhvillimi i imagjinatës përmes aktiviteteve të organizuara figurative dukshëm kontribuojnë në zhvillimin e jetës mendore pasi që ndihmon në tejkalimin e skemave dhe shablloneve dhe shpirti bëhet i njohur dhe më fleksibël dhe në këtë mënyrë lindin dhe zbulohen ide të reja dhe aspekte të realiteti që deri atëherë nuk kanë qenë të dukshme. Krijimi i pavarur dhe i suksesshëm i ideve të reja me ndihmën e imagjinatës e rrit aftësinë e nxënësit sa i takon arsimit figurativ dhe njohurive pasi kjo imagjinatë krijuese aktive kërkon mënyra origjinale për zgjidhje të problemit figurativ, që rezulton me faktin se strategjia e zhvillimit të aftësive krijuese është gjithnjë e mirëseardhur në mësimdhënien e kulturës figurative.
Në korniza të respektit të ndërsjellë duhet të zhvillohet komunikimi i ndërsjellë mes nxënësve dhe mësimdhënësit dhe në këtë mënyrë të arrihet zhvillimi i kreativitetit dhe të merret informatë kthyese për punën e tyre dhe tonën, kështu e kuptojmë interesin e nxënësve, që është treguesi më i mirë që del nga aktivitetet e caktuara figurative të nxënësve, gjegjësisht nëse i plotëson kërkesat e tyre apo i kufizon në realizimin e krijimtarisë.
Në vet realizimin e kulturës figurative mësimdhënësi duhet të ketë aftësi të vërejë potencialin kreativ dhe reaksionet të nxënësve që të mund të identifikojë dispozitat e fshehura të nxënësit dhe të bëjë përshtatjen e programit, sipas mundësive, për çdo nxënës në klasë, duke potencuar anët pozitive të dallimeve individuale me theks për tolerancë sepse vetëm kështu është e mundur të vihet deri te të shprehurit origjinal, autentik dhe të sinqertë, që nxënësi e ka shprehur gjatë punës në veprën e tij. Në procesin e arsimit figurativ, ndërrimi i shpeshtë i teknikave, motiveve, materialeve dhe formateve të letrës me të cilat punojnë nxënësit, u jep motiv dhe shton interesin për ta kuptuar problemin dhe gjuhën figurative, rregullat dhe zbatimin e tyre. Poashtu puna me materiale dhe teknika të ndryshme figurative u mundëson atyre të gjejnë ato teknika të të shprehurit figurativ të cilat u përshtaten më së miri për të theksuar gjuhën figurative dhe komunikimin. Lojërat figurative të rikomponimit, ridefinimit, kombinimit dhe variacionet janë shumë të dëshirueshme në orët e kulturës figurative. Ridefinimi i formave, ngjyrave, përmasave, vëllimeve ose rikomponimi i veprave të arteve të bukura dhe krijimi i veprave të reja të artit ofrojnë mundësinë e ristruktruimit dinamik të përmbajtjeve figurative ekzistuese, gjë që është shumë e dobishme sepse nxënësve u jepet mundësia për të zhvilluar të menduarit, mendimet, kreativitetin dhe krijimtarinë. Kjo qasje ndaj problemeve figurative mundëson lidhjen e strukturës me elementë përbërës figurativë, ku nxënësit, në bazë të njohurive dhe përvojës së tyre, përmes punës së tyre aktive dalin me zbulime dhe rezultate të reja figurative në një mënyrë tjetër. Në këtë mënyrë të punës, nxënësit kanë kohë të mjaftueshme për të zhvilluar ide kreative dhe krijimtaria figurative e fëmijëve shfaqet spontanisht si rezultat i një aktiviteti divergjent.
Arti përjashton stereotipat, përshtatjen, është një aktivitet i trazuar që kërkon imagjinatë, frymëzim, urtësi nëpërmjet të cilave fitohet veprimtaria dhe shkathtësia krijuese, dhe kështu edukimi i nxënësve për përmbajtjet e arteve të bukura duhet të gjejë një rrugë që do t’i sjellë ata deri te krijimtaria figurative. Roli i mësimdhënësve në zhvillimin e kreativitetit të nxënësve është një punë shumë kërkuese e edukimit kreativ, dhe ngritja e cilësisë së procesit mësimor që nuk do të ishte i suksesshëm dhe i arritshëm pa një punë cilësore mësimore që në këtë mënyrë krijon një ekuilibër të lirisë dhe kontrollit që i drejton nxënësit në zhvillimin e të menduarit krijues dhe nxitjes së punës krijuese – kreative në një atmosferë lirie dhe pavarësie. Në realizimin e krijimtarisë, mësimdhënësi duhet të kujdeset që nxënësit të komunikojnë me njëri-tjetrin pa një rend hierarkik, t’ju qëndrojë nxënësve në dispozicion në çdo moment me sjellje konstruktive dhe krijimit të besimit, t’i dëgjojë dhe të shfaq interes në punën e nxënësve.
Durimi i mësimdhënësve
Mësuesi duhet të nxisë nxënësit të vëzhgojnë, të pyesin, të parashtrojnë pyetje provokuese që do të motivojnë imagjinatën, emocionet dhe interesin e secilit individ. Nëse mësimdhënësi vepron në këtë mënyrë mund të presim rezultatet e dëshiruara të realizimeve figurative dhe nuk shkatërrohet kreativiteti i tyre krijues përmes gjykimit të panevojshëm, mohimit, reagimeve negative, urdhërimit, pritjes së shprehjes figurative që është jo adekuate me moshën e nxënësit, gjegjësisht mundësive të tij, si dhe përqeshjes apo asaj që është e palejueshme, korrigjimit të veprave të nxënësve. Mësimdhënësit duhet të kenë durim edhe lidhur me pritjet e rezultateve figurative të nxënësve por edhe po të ketë nevojë në mënyrë kritike t’i qasen punës së tyre, kritika duhet të jetë e arsyeshme dhe e matur, me ton të butë ashtu që efekti i kritikës të t’i jep nxënësit liri dhe siguri në të menduarit dhe shprehurit figurativ. Sot kreativiteti afirmohet suksesshëm si punë term dhe pedagogjik, kreativiteti i fëmijëve përvetësohet në tërësi dhe inkuadrohet teorikisht dhe përmes punë në botën e edukimit. Puna cilësore profesionale përmes promovimit të kreativitetit në veprimtarinë figurative duhet të stimulojë dhe inkurajojë nxënësit që vet të mbindërtojnë veprat e tyre. Në brendinë e mësimdhënies figurative fëmijët kanë më së shumti krijime, vizatime, piktura, modelime autoriale dhe nga kjo paraqet rëndësinë e lëndës e cila përfshinë nxitjen dhe zhvillimin e kreativitetit përmes së cilit personi plotëson nevojat e veta për krijimtari dhe përsosmërinë e vetes si krijues.