NË KËRKIM TË PEER GYNTIT SHQIPTAR

Vangjel KOÇA

Njeriu që kërkojmë sot në këtë vend është Peer Gynt-i. Ky është heroizmi ibsenian, që përpiqet të gjejë e të zaptojë veten. Me të lindur, Perr Gynt-i e ndjeu veten jashtë qendrës, jashtë botës. E sheh veten si prodhim pa lëng, si një monedhë pa fytyrë. S’kupton dot hapët as se përse janë historia e bota. Po mundohet andej këndej. Sheh rrotull hi dhe pluhur. I bie erë kalbësi dhe varr. S’e ka gjetur dot akoma veten e tij. Prandaj, vazhdon të kërkojë, të pyesë, të gjurmojë. Peer Gynt-i është kalorësi i shekulli: njeriu që kërkon veten. Është kushëri i Don Kishotit dhe i Faustit. Drama e tij përdridhet përmes kohës në të cilën ai kërkon një gjë brenda në veten e tij. Dhe, duke pasur këtë qëllim, ecën e ecën dhe s’ka të sosur, si Ahasveri, për të zbuluar e zaptuar botën që i mungon dhe për të mbushur zbrazëtirën që ndjen brenda vetes së tij.

Edhe shqiptari e fitoi lirinë dhe independencën e tij. Shpëtoi nga skllavëria e të huajit. U bë shtet më vete. Nga kjo pikëpamje s’ka se ç’të kërkojë më. Vetëm një gjë s’ka bërë akoma gjer sot: të kërkojë, të zbulojë veten e ta zaptojë. Të bëjë atë gjë që psikologjia e quan introspektion. Shpirtin e tij s’e ka kapur drama heroike, që e mundoi për tërë jetën Peer Gynt-in. Sa pa bërë këtë gjë, shqiptari s’mundet të krijojë histori të re. Histori në kuptimin e gjerë e të thellë të fjalës. As ndonjë përpjekje, sado heroike e gjeniale qoftë, s mund të sjellë pemë, gjersa shqiptari nuk do të gjejë më parë veten e ta sundojë. (1934)

Leave a Reply

Your email address will not be published.