NEVOJË PËR TEKSTE TË REJA SHKOLLORE!

Tekstet nuk ofrojnë dije që t’i aftësojnë nxënësit të analizojnë e gjykojnë në bazë të mendimit kritik, por ua kufizojnë aftësinë për të analizuar dhe për t’u shprehur

Dr. Antela VOULIS

Pas një hulumtimi të bërë mbi tekstet e gjuhës shqipe na ka rezultuar se këto tekste kanë problematika serioze metodologjike dhe shkencore, që ua bëjnë të pamundur nxënësve marrjen e njohurive të duhura gjuhësore, apo më keq akoma, po ua bëjnë mësimin e gjuhës shqipe një mision të pamundur, një luftë të përditshme. Dhe cila lëndë mund të mësohet me dëshirë kur tekstet janë kaq të papërshtatshëm e, si rrjedhim, tejet të padëshirueshëm për nxënësit?

Pikësëpari kemi konstatuar se në pjesët letrare të publikuara në faqet e këtyre teksteve, nuk janë përfaqësueset më të mira të letërsisë shqiptare dhe botërore. Në to përfaqësohet shumë dobët letërsia shqipe. Mungojnë emra të njohur autorësh të letërsisë shqipe. Mungon Eposi i Kreshnikëve, kjo pasuri e madhe kombëtare. Nëpër faqet e këtyre teksteve ka shumë legjenda e mite filipineze, kineze dhe indiane. Diku nxënësit mësojnë për zanat, por, fatkeqësisht, ata mësojnë për to në një legjendë indiane. Në këto tekste nuk ka tregime, ka shumë përralla, pak vjersha, më së shumti të autorëve të panjohur, ose të personave që nuk janë fare shkrimtarë, por me siguri të njohur dhe miq të autorëve të teksteve, ose pjesë letrare me shumicë të vetë autorëve të teksteve, të cilët nuk janë shkrimtarë. Edhe autorët e huaj të përzgjedhur nuk janë përfaqësuesit e letërsisë botërore, por janë emra krejtësisht të panjohur.

Pjesët letrare të përzgjedhura nuk janë të përshtatshme për moshën e nxënësve. Pjesët letrare të autorëve të huaj janë të përkthyera shumë dobët dhe në to mungon emri i përkthyesit. Si pjesët e autorëve të huaj, si ato të autorëve shqiptarë janë me tematika shumë të varfra për kontekstin e sotëm të formimit të nxënësve. Këto pjesë letrare të përzgjedhura për t’u publikuar në librat e gjuhës nuk nxisin të lexuarin, nuk kanë kuptim, nuk kanë mesazhe dhe kanë moral të dobët. Në këto tekste nuk trajtohet asnjë figurë letrare.

Nuk ka analiza letrare, stilistike dhe artistike dhe as analiza të tekstit dhe zhvillimit të mendimit kritik. Nuk ofrojnë dije që t’i aftësojnë nxënësit të analizojë e gjykojë në bazë të mendimit kritik, por ua kufizojnë nxënësve aftësinë për të analizuar dhe për t’u shprehur. Analizat janë të llojit: A të pëlqeu kjo poezi? Shkruaji vargjet që të pëlqejnë. Thuaj pse? Ose: Numëroni strofat dhe vargjet e çdo strofe. Ka kërkesa të çuditshme për nxënësit, të tilla si: Shkruaj një poezi. Kërkesë që dëshmon se autorët e teksteve nuk e dinë se poezinë nuk mund ta shkruajë kushdo, aq më pak nxënësit e shkollës fillore.

Tekstet nuk ofrojnë dije që t’i aftësojnë nxënësit të analizojnë e gjykojnë në bazë të mendimit kritik, por ua kufizojnë aftësinë për të analizuar dhe për t’u shprehur. Ato nuk përfaqësojnë faza dhe periudha të zhvillimit të letërsisë së vjetër dhe bashkëkohore. Ato nuk ndikojnë në thellimin e mendimit dhe nuk nxitin fantazinë. Njohuritë mbi gjuhën janë të renditura në një mënyrë të paqartë, të pasaktë, të rrëmujshme, të cunguar. Përgjithësisht mungojnë konceptet, në vend të koncepteve gjuhësore përdoren ngjyrat (fjalët me ngjyrë të gjelbër janë mbiemra, fjalët me ngjyrë të kuqe janë folje), sikur të ishte lënda e artit pamor dhe jo gjuha shqipe. Edhe kur aty-këtu jepet ndonjë koncept gjuhësor, ai është gjysmak, jo i formuluar siç duhet, shpesh i njëjtë sime konceptin e dhënë në tekstin e klasës paraardhëse apo pasardhëse. Nga viti në vit nuk shtohet asgjë më shumë mbi njohuritë e mëparshme. Shpesh përsëriten të njëjtat njohuri nga viti në vit, aq sa është vështirë të bësh dallimin midis tekstit Gjuha Shqipe 2 me tekstin Gjuha Shqipe 3, 4 ose 5. Këto tekste japin pothuajse të njëjtin nivel dijesh,gjithmonë të cunguar, të njëjtat përralla e legjenda (indiane, filipineze, kineze), të njëjtat analiza letrare me numërim vargjesh e strofash poezish.

Herë-herë jepet pak informacion për shkrimtarë shqiptarë a të huaj e herë të tjera aspak informacion, por ndodh që ndonjë shkrimtari t’i jepet hapësirë edhe një apo dy faqe libri. Në to mungojnë informacione për tradita e festa shqiptare tradicionale, dhe u kushtohen deri në disa faqe libri festive të huaja, si Hallouini. Emrat e fëmijëve të përdorur nëpër fjali e ushtrime janë emra jopërfaqësues të identitetit kombëtar, si Klesti, kur do duhej të kishim emra që përfaqësojnë identitetin kombëtar, si Genti, Enkeli, Teuta etj.

Në këto tekste shihet një përpjekje për të dhënë informacione të panevojshme për zoologjinë apo shkenca të tjera, për vende të largëta të botës, krejt pa lidhje me gjuhën e letërsinë, pa lidhje me programin mësimor. Vihet re përdorimi i fjalëve të çuditshme të vetë autorëve të teksteve, si “kostumier” (kur në shqipe themi kostumograf), ujkosh (kur në shqipe themi këlysh ujku) etj., Fjalët e reja nuk shpjegohen siç duhet, ato shpjegohen pjesërisht ose në vend të shpjegimit të fjalëve në libër jepet fotografia e objektit dhe u lihet nxënësve që ta marrin me mend dhe ta shpjegojnë me fjalë se çfarë është objekti i dhënë në figurë. Gabimet drejtshkrimore janë gjithashtu të panumërta, aq sa është e vështirë të besosh se përveç katër autorëve me këta tekste kanë punuar edhe disa redaktorë e korrektorë. Në programin mësimor të gjuhës shqipe pretendohet që me anë të këtyre teksteve nxënësit do zhvillojnë të lexuarin, të folurin dhe të shkruarin, si dhe do rrisin njohuritë gramatikore e gjuhësore, por realisht nuk ka sesi të ndodhë një mrekulli e tillë, sepse këto tekste janë një kakofoni marramendëse, që i çorientojnë dhe i lodhin fëmijët dhe si rezultat e bëjnë mësimin e gjuhës aspak të dashur e tërheqës për ta, për të mos thënë të urryer.

Vargu i problemeve të teksteve të gjuhës shqipe në Shqipëri është edhe më i gjatë sa e përshkruam më lart dhe për këto problem do nevojiteshin studime e libra studimorë, që duan vite pune. Megjithatë, shkurt ose gjatë, e vërteta e hidhur është se tekstet shkollore ekzistuese nuk i formojnë gjuhësisht dhe letrarisht nxënësit. Përkundrazi, këta libra i kanë larguar ata prej vitesh nga gjuha shqipe. E kundërta ndodh me mësimin prej tyre të gjuhëve të huaja. Nxënësit katranjosë në gjuhën shqipe dalin shkëlqyer në anglisht a në gjuhë të tjera. Si ka mundësi një gjë e tillë? Përgjigjja e shpejtë është se, në ditët e sotme fëmijët janë të orientuar drejt gjuhëve të huaja për shkak të nxitjes së prindërve me qëllim emigracionin ose me qëllim punësimin e tyre në të ardhmen në kompani ku nevojitet gjuha e huaj,prandaj dhe nevoja e mësimit të gjuhëve të huaja i bën ata ta lënë pasdore shqipen. Sigurisht që është edhe kjo. Megjithatë,jo plotësisht. Kushdo që i ka parë tekstet e gjuhëve të huaja që mësohen në shkolla ose në qendra kursesh me siguri që ka vërejtur se, në ndryshim nga tekstet e gjuhës shqipe, ato janë të përgatitur disi apo shumë ndryshe, janë organizuar bukur mirë, me standarde të tjera gjuhësore, shkencore e didaktike. Kaq thjesht!

Shqipja jonë është shumë e bukur dhe e dashurueshme siç është, por fatkeqësisht deri tani është keqtrajtuar dhe keqprezantuar në tekstet shkollore nga hartuesit e tyre, shumica çirakë të paditur dhe të paaftë. Prandaj shqipja ka nevojë urgjente për tekste të reja, që t’ia nxjerrin asaj vlerat dhe bukurinë e mohuar në tekstet shkollore të deritanishme, të hartuara keq dhe shëmtuar. Tekstet e reja për gjuhën shqipe duhet t’i bëjnë vetëm institucionet e duhura shtetërore (si dikur), me gjuhëtarë të mirëfilltë, me metodologjistët dhe specialistët e duhur, por kurrsesi jo më pseudogjuhëtarët pazarxhinj të shqipes, jo më shtëpitë botuese, të cilëve nuk u interesojnë vlerat dhe bukuria e shqipes, por vetëm fitimet me tekstet shkollore!

Leave a Reply

Your email address will not be published.