NUSJA QË U KTHYE NË MURGESHË

Shkrimtari ka një mjet, që t`i sjellë në kohë gjërat, sado larg qofshin dhe ky është arti. Nëse s`do ishte arti, Homeri do ishte po aq i harruar sa mumiet e piramidave

Fatbardh AMURSI

Romani “Martesa e palumtur e Stanishit” i Dashnor Kokonozit, të vinte tek unë duhej të kapërcente oqeanin, ndërsa e nusja e Stanishit që të shkonte në shtëpinë e burrit duhej të kapërcente Adriatikun. Përsa i përket ngjarjeve dhe personazheve na duhet të kthehemi pesë shekuj pas. Mos do ishte më mirë të thosha, se shkrimtari ka një mjet, që t`i sjellë në kohë gjërat, sado larg qofshin dhe ky është arti. Nëse s`do ishte arti, Homeri do ishte po aq i harruar sa mumiet e piramidave. (Kur i shkruan një kolegu, përherë ndruhesh mos po lë vend për keqkuptim, jo për huqet, por për mendimin, që ata mund të kenë për veten dhe ti s`u afrohesh pretendimeve të tyre. Edhe pse bëjnë thirrje të shkruajnë për njeri-tjetrin, preferohet një i palës së tretë.)

Romani është i mbushur me të papritura, që i sjellë sa koha, por dhe interesat. Nis si gëzim dhe kthehet në vuajtje, ku nusja përfundon në një murgeshë. Dikush detyrohet të luaj rolin e dhëndërit, duke e kthyer një marrëdhënie serioze në aventurë. Them serioze, se viheshin në rrezik dhe marrëdhëniet midis principatave. Kur lexojmë përngjajmë ca me kërkuesit e arit, është fjala për detajet, sikurse ky: “Shpesh marinarët e dikurshëm do të zëvendësoheshin me kriminelë që vuanin dënimin duke u dhënë rremave.” Shenjat e para të tronditjeve shoqërore shfaqen tek kush merr protagonizëm. Marinarët ndërrojnë vend me kriminelët, sikurse dhëndëri do të ndërronte vend me dasmorin. Jetohet në një realitet të dubluar, sikurse pritet të ndodh me Shkodrën, që Balshajt ia shitën Venedikut dhe turqit vijnë për ta pushtuar. (Kish nga mësonte dhe mbreti Zog.) Askush nuk e di se ç`e nesërme e pret. “Kishte venecianë që besonin se bija e vetme e sior Orseolos, për arsye shtetërore do të martohej me një kreshnik, një farë gjysmë përbindëshi, këmbët e të cilit dilnin tutje dritares së stallës ku flinte, në një kullë majë malit.” Ky pasazh më kujtoi “Manastirin e Parmës” të Stendalit, ku priftërinjtë i mallkonin ushtarët e Napoleonit si të ishin përbindësha. Kur damat panë ca djem të rinj, të veshur keq, të ndrojtur, ranë në dashuri me ta. “Valeria kishte ëndje të mbështeste kokën te supi i tij e të qante pa zë. Veçse druhej. Nuk e dinte ende nëse në anët e tij, një grua mund të mbështeste kokën te burri i saj në sy të të gjithëve.” Edhe ky detaj tregon diferencën në mentalitet. “Në fillim kishte qenë dashuria e Stanishit, që kish nisur nga një portret i saj i pikturuar. Kjo qe e vërtetë. Ajo e saja kishte nisur si një kureshtje ditën kur dëgjoi se përtej detit, një djalë fisnik marrosej për të. E bija e prodhuesit të anijeve, e cila shkonte shtëpi më shtëpi në ndihmë të vejushave që i kishin humbur burrat në betejë me turqit”, pranon të shkoj nuse në Shkodër. Jemi ende në kohën e princave, pa mbërritur pashallarët. E ëma e Valeries si një grua e denjë e kohës së saj, i kishte dalë para gjithçkaje duke u kujdesur që vajza të ruante deri në fund virgjërinë. Për më shumë siguri, kishte dhënë porosi që kafshët shtëpiake që kishin në pallatin e tyre, të ishin të së njëjtës gjini, meshkuj ose femra. Valeria nuk duhej të mësonte para martese pse Noe kishte marrë në varkë specia të të dy gjinive. Dita e dasmës qe shpallur, por Stanishi ishte ende në shtrat. Qyteti kërcënohej nga epidemia e kolerës. Vargani i shëruesve që zbrisnin nga mali me trastën plot barna, gjethe, gjemba mrekullibërës, thonj arinjsh të bjeshkëve dhe sy hardhucash të verdha, arrijnë ta shpëtojnë nga vdekja. U vendos që në vend të Stanishit, në Venedik të shkonte Gjura Banovina, vëllami i Stanishit. Djemtë ishin rritur në miqësinë e lidhur që në fëmijërinë e tyre. Nëse njëri rënkonte tjetri po dalldisej. “Kur mbeti krejt lakuriq, Gjura e mbërtheu nga mesi dhe e uli ngadalë mbi shtroja. Mori kandilin dhe nisi t’ia kalojë ngadalë mbi trup, si t’i zbulonte e numëronte nishanet që kishte. I pa me radhë gjinjtë, gushën pastaj e zgjati krahun mbi kërthizë dhe deri poshtë. Aty kandili qëndroi diçka më shumë.” Sa cinike do dukej shprehja: Stanishi po i mban kandilin shokut?! Kur Valerën do ta çonin në dhomën e Stanishit, ajo përjeton një çast tmerri. Kur u thotë kalorësve pse e kishin sjellë aty, Stanishi drejton dorën te një pikturë që ndriçohej turbull nga kandili i sapondezur. Valeria njohu portretin e saj. Atë që ishte në zanafillë të gjithë asaj historie. Valeria s`ishte më një grua që kalonte nëpër oborret e kalasë pa kthyer njeri kokën ta shohë. Kishte që e vështronin shtrembër, se mendonin që ajo sillte fatkeqësi. Gratë e reja ndërronin rrugë tek e shihnin. Kishin dëgjuar se ajo ngjitej natën mureve të kështjellës për të takuar të dashurin e munguar, deri sa përfundoi në një murgeshë, kur të tjera do të binin në robina të turqve. Është nga rastet e rralla, për aq sa kam lexuar, që disa rreshta të kenë aq shumë vlerë, duke ia shtuar romanit dimensionet, sikurse këto: “Nga ana e tyre, venecianët vazhdonin ta dëgjonin gjithnjë, deri në fund, historinë e martesës së lumtur të Valerias me një princ të bukur të një vendi të largët, përtej detit.” Duke i ardhur fundit të shkrimit, mu kujtua një autore, e cila shkruante për librin e një shkrimtari, se e kishte gdhirë për gjithë natën duke lexuar, ndërsa i shoqi flinte. Martesa e ktheu nusen në murgeshë, se dasma ishte para së gjithash një pazar interesash, ndërsa gruaja që i fali një natë librit është e përjashtuar nga leverditë klienteliste.

Leave a Reply

Your email address will not be published.