NXJERRJA NË PAH E INDIVIDUALITETEVE TË KEQKUPTUARA APO TË MOSKUPTUARA

Nehas Sopaj, Individualitete letrare 1 – 30, letërsia bashkëkohore shqipe, botoi: Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore, Shkup, 2023

Agron TUFA

Nehas Sopaj, poet, prozator, studiues, kritik letrar e profesor i letërsisë shqipe, prej dekadash, një ndër emrat më eminentë të kulturës letrare gjithëshqiptare, vjen para lexuesit të specializuar me veprën studimore kritiko-teorike INDIVIDUALITETE LETRARE 1-30, duke parashtruar një ansambël formacionesh stilistike të letërsisë shqipe bashkëkohore. Me termin “bashkëkohore” na bëhet me dije se është fjala për letërsinë shqipe të zhvilluar pas LDB në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Horë të Arbëreshëve në Itali dhe në diasporë. Kjo “bashkëkohësi” diferencohet praktikisht nga varrezat e përkufizimeve mbi konceptin e “bashkëkohores” në kufij kronologjikë dhe nga termat sinonimikë të përafërt me të, siç është termi “letërsia e sotme”, “letërsia në rrjedhë”, etj. Jo, është fjala për letërsinë e gjuhës shqipe, pavarësish vendit ku zhvillohet dhe pavarësisht traditës ose mungesës vendore të një tradite të mëhershme. Tekefundit, një pikë referimi për këtë letërsi bashkëkohore të pasluftës së dytë botërore, autori e heton dhe e dëshmon bindshëm tek letërsia dhe procesi letrar që po hidhte shtat në vitet ’20-’30 të shek. XX në shtetin amë.

Rrathët regjionalë në këtë koncept të “bashkëkohores” janë të ndryshëm. Ato, së paku, janë të diktuara nga rrethanat politiko-ideologjike specifike ku, sipas “rrathëve”, liria artistike është relativisht e kushtëzuar në “mengenenë” e ideologjisë ose nacionalizmit/patriotizmit ose të dyjave bashkë. Studimi i Nehas Sopajt është me peshë të rëndësishme dhe duket se kemi të bëjmë me një ndërmarrje të madhe, siç është pastrimi i amullisë së mbledhur nga epoka komuniste e pasluftës së dytë, deri vonë – një spastrim nga amullia terminologjike dhe instrumentari që kritika letrare ka operuar me të; nga amullia teoriko-konceptuale mbi repertorin letrar, që janë kryesisht klishé e shabllone standarde të përsëritura në gjykimin e krijimtarisë letrare dhe, së mbrami, nga amullia e formacioneve stilistikore, të “bdarrun” e të eklipsuar nga thekset dhe mëshimi i tematikës utilitare si drejtqëndrim polit-korrekt ndaj dogmës së “realizmit socialist”. Kam përshtypjen se ky studim i vëllimshëm, por me peshë të madhe në kthjellimin e peizazhit letrar mbi gjysëmshekullor, në letrat tona është një projekt në vazhdimësi, pasi studiuesi profesionist, Nehas Sopaj, ka përfshirë kronologjikisht në tejqyrën e tij ata personalitete letrare që e nisin krijimtarinë e tyre në vitet ’30 të shekullit të kaluar, por shtatin e kanë pas vitit 1944.

Bërthamën e këtij vëllimi e përbëjnë individualitetet letrare të gjeneratave ’50, ’60 dhe ’70. Kjo të jep, më së paku, idenë e një trajektoreje që nuk do të këputet këtu, por do të vazhdojë të ndriçohet në vijim me individualitete të tjera të gjeneratave të viteve ’80 dhe të ato të pas nëntëdhjetës. Por, edhe në mos pastë vijimësi ky projekt, dora në zemër, konstatojmë se më kaq sa na është paraqitur, pamja e peizazhit tonë letrar kombëtar përgjatë një epoke jashtëzakonisht të vështirë e ekzistenciale për etnopsikikën tonë është tashmë e kthjelluar dhe se shenjat e rëndësishme stacionare të rrugëtimit të letërsisë shqipe janë të qarta, me fenerë të ndezur nga njëri stacion në tjetrin. Gjithashtu është me rëndësi të pallogaritshme ky studim në kushtet tona kur ende kultura jonë letrare kombëtare nuk e ka një Histori të Letërsisë Kombëtare, gjithëpërfshirëse, një tekst fondamental, ku krijimtaria letrare e shkruar në shqip të hetohej e perceptohej si një krijesë organike. Ndoshta për mungesën e këtij teksti ka pasur arsye të ndryshme dhe se shkencat tona letrare të trekëndëshit Tiranë-Prishtinë-Shkup ende nuk janë gati. Sidoqoftë, vëllimi studimor “Individualitete letrare 1-30” i studiuesit-shkrimtar, Nehas Sopaj, është një gur i rëndësishëm themeli në godinën e shumëpritur të Historisë Gjithëpërfshirëse të Letërsisë Shqipe. Nehas Sopaj në këtë “Ungjill” të tij të Letërsisë shqipe bashkëkohore bën përzgjedhjen e vet për të shënjuar rreptësishtë ata individualitete letrare, gjurmët e të cilëve duhen lexuar me qetësi, thellësi e përqendrim, madje herë pas here, pavarësisht kohës, vendit dhe kushteve ku dhe kur kanë shkruar. Përzgjedhja e rreptë e tij në kriteret e mbështetura teorikisht përcaktojnë rëndësinë dhe risinë/novatorizmin e qasjes, duke lënë manash metodën e tejqyrës realiste, socrealiste ose post-socrealiste mbi repertorin e përfunduar letrar, çka vazhdimisht ka çuar në përvijimin e një peizazhi letrar monopolist e monoton.

Njohës i mirë i teorive klasike, moderne e postmoderne të narracionit dhe narratologjisë, Nehas Sopaj na intrigon me qasjen e tij, gjithherë të ndryshme, sipas natyrës së individualitetit letrar që merr në shqyrtim, duke përcaktuar kësodore edhe masën dhe natyrën e qasjes. Falë elementit të shkrimtarisë së tij, si një virtyt shtesë përmbi atë të studiuesit, na është përftuar një “objektivitet” më i madh i paraqitjes së specifikës dhe sfondit adekuat për secilin shkrimtar/poet/dramaturg. Shqisa e krijuesit e orienton mrekullisht studiuesin Sopaj drejt sizmikës së sistemit figurativ dhe estetikës dhe filozofisë së veprës për çdocilin krijues, duke kapur saktë frakturën e imagjinatës si një bagazh që pasurohet, që degëzohet fraktal, procesualisht, nga vepra në vepër.

Nehas Sopaj pra, përdor instrumentarin e përshtatshëm sipas natyrës dhe estetikës së veprës, në bazë të formacionit stilistik që është projektuar. Por, kjo është një aparaturë elastike, asnjëherë e njëjtë: formacioni realist i shkrimtarit gjykohet me nocionet e shkencës letrare të atij rrethi përvoje që i përket krijuesi, ndërkaq që estetikat moderniste/avangardiste/postmoderniste ndihmojnë për të përshkuar tyrrjelën, strukturën semantike të një profili krijues, i cili nuk ka gjë të përbashkët me pëlhurën realiste të veprës. Në studimet tona letrare ndjehet ende amullia në përcaktimin e tipareve shënjuese në estetikën e traditave/paradigmave ose shkollave letrare, duke e kundruar repertorin letrar të teksteve autoriale si një shabllon i pandryshueshëm. Kjo ka shpënë në një pikëvështrim rutinor, uniform, të mërzitshëm e sidomos në shmangie të dukurisë letrare që përfaqëson autori, poet apo romancier qoftë ai. Por, në raste jo të rralla, siç na dëshmon në këtë vëllim studimor Sopaj, kritika jonë as nuk ka arritur të dallojë “malet” me këto lente miopie. Këtë mungesë të theksuar pikëshikimi apo më saktë verbërie, e dallon, e shquan, e elaboron me pasion të veçantë Nehas Sopaj, duke ndrequr kështu një padrejtësi të trashëguar në një varg keqkuptimesh apo moskuptimesh. Vlera e kësaj vepre, sipas meje, ka të bëjë edhe me nxjerrjen në pah të individualiteteve të keqkuptuara apo të moskuptuara, kryesisht për mungesë të zotërimit të instrumentarit shkencor, që në studimet letrare përcakton definitivisht gjithçka thelbësore për opusin krijues të individualitetit letrar.

Për herë të parë lexuesit të specializuar i ofrohet në këtë vëllim studimor krijimtaria e paradigmës postmoderniste të autorëve shqiptarë, autorë që ecin në kreshtat e valëve më bashkëkohore të letërsisë botërore, konkretisht ata shkrimtarë e poetë që vijnë pas modernizmit/postmodernizmit të gjedhes letrare të Anton Pashkut. Zbulimet janë dy maja autentike të letërsisë tonë, thuajse të panjohura, të margjinalizuara e të lënë në shmangie nga pafuqia e përballjes së kritikës me to. Ato janë Teki Dërvishi dhe Beqir Musliu dhe rrethi i shkrimtarëve të përafërt me këto prosedé. Pjesët që studiuesi u kushton opusit letrar të këtyre dy individualiteteve janë, në fakt, dy minilibra, dy minimonografi, në të cilat Sopaj shtron problemin e vështirësisë së receptimit të veprës, injorimin e këtyre dy krijuesve për shkak se kritika nuk ka arritur të në japë një çelës se si të hyjmë në kuptimin e këtyre dy krijuesve të pazakontë. Dhe këtë e shpjegon, sipas mendimit tim, mjaft argumentueshëm, me shkakun se ata i përkasin një përvoje të re postborhesiane (edhe pse janë të ndryshëm në thelb), që gjithçka, mitin, rebusin kulturor, rrjetin e asociacioneve, përthyerjen e ideve me konglomeratin e temave, vetëm sa e përçikin duke e dërguar prore drejt një aludimi shtegtues, si në hiperlink, çka është një tipar i dalluar i një fytyre të postmodernizmit. Është filozofia, estetika letrare postmoderniste e veprës së këtyre individualiteteve, që ndryshon radikalisht nga përvojat letrare të mëparshme në letësinë tonë, ndonëse erërat e postmodernizmit e kanë rrahur letërsinë shqipe me elementë të veçantë, gjë të cilën Sopaj na e tregon qartazi kur merret me krijimtarinë e Martin Camajt (njëri ndër autorët më të elaboruar në këtë vëllim), por edhe të A. Pashkut.

Duket se kritika jonë studimore ka qenë e papërgatitur për të shërbyer dukuri më të ndërlikuara se shkolla formaliste ruse, strukturalizmi e rrallë deri tek dekonstruktivizmi, si pararendës i filozofisë postmoderniste. Por të mos harrojmë se objekt i lojës postmoderniste është Teksti me shkronjë të madhe. Jo më kot njëra nga nofkat që i mvishnin Jacques Derrida-së ka qenë “zotëri Teksti”. E një ndër dallimet kryesore të postmodernizmit letrar nga modernizmi i lartë ka qenë heqja dorë nga çdo lloj e vërtete e njënjëshme dhe pluraliteti i teksteve, çfarë del demonstrativisht në versionet e shumta të krijimtarisë së T. Dërvishit, B. Musliut, Y. Shkrelit, M. Ramadanit etj. Më saktë: “në Postmodernizëm mbizotëron eklektizmi gjithëpërfshirës dhe ironia për gjithçka, njëri prej principeve kryesore të tij u bë “ndërmjetësia kulturore” ose, nëse shprehemi më shkurt,citati. “Ne jetojmë në një epokë, kur të gjitha fjalët tashmë janë thënë “, – thotë kulturologu rus Sergej Averincjev; prandaj çdocila fjalë, madje çdocila shkronjë në kulturën postmoderniste – është veçse citat. Një princip tjetër fondamental i Postmodernizmit – është heqja dorë/refuzimi nga e vërteta. Drejtime të ndryshme filozofike e kanë kuptuar sipas tyre të vërtetën, por Postmodernizmi refuzon ta zgjidhë dhe ta njohë këtë problem. Postmodernizmi ka qenë drejtimi i parë (dhe i fundit) në shek.. XX, i cili hapur ka deklaruar se teksti nuk e pasqyron realitetin, porse krijon një realitet të ri, më saktë madje, një shumësi realitetesh, shpesh aspak të ndërvarur prej njëri-tjetrit. Në vend të parodisë së modernizmit klasik, në Postmodernizëm hyri Pastish-i (potpuria, eklektika, përzierja e rrëmujshme heterogjene e elementëve të ndryshëm). Vendin e intertekstit në modernizmin klasik e zuri hiperteksti i Postmodernizmit, një aparat shumë më elastik, me të cilin mund të manipulosh (në kuptimin e lojës artistike) si të duash.

Duke marrë në analizë opusin letrar të Teki Dërvishit si një postmodernist në pararojë dhe opusin letrar të Beqir Musliut si një automatizëm syreal me funksionalizimin e mitit/legjendave sipas një intence të pazakontë letrare, Sopaj na shpërfaq se këta dy autorë (dhe të tjerë të ngjashëm me ta) e shkapërcyen dukshëm horizontin e pritjes, me të cilin qe edukuar kritika tradicionale e rrjedhimisht dhe lexuesi, çka çoi në një braktisje e tëhuajësim të receptimit të këtyre autorëve. Merita e padiskutueshme e Nehas Sopajt është se na rikthen edhe njëherë në krijimtarinë e këtyre individualiteteve ekstraordinare të letërsisë tonë postmoderne për të kuptuar, rivlerësuar dhe nisur një komunikim letrar cilësor, pa pengesat dhe paragjykimet për “vështirësi kuptimore”. Studiuesit dhe, fill pas tyre, lexuesit e specializuar me përvojën shtesë të njohjes dhe leximeve dhe, kryesisht, falë rrugës së pastruar të receptimit nga këto inkursione teorike e analitike të Sopajt, do ta kenë më të lehtë receptimin e veprës së këtyre shkrimtarëve deri tash të mbështjellë me shtresa vetmitare heshtjeje. Në fakt, lexuesi universitar, i mësuar me leximin dhe receptimin e veprave letrare të estetikës postmoderniste, duhet t’i ketë parasysh pothuajse të njëjtat parime të lojës dhe kriptogramës në procedeun stilistik postmodernist. Sepse “në radhën e aspekteve më të rëndësishme të sjelljes së artistëve-postmodernistë duhet të përmendim “kodimin e dyfishtë” (d.m.th., loja autoriale me disa kuptime të ndryshme, prej të cilëve shikuesi/lexuesi më pak i përgatitur lexon/recepton veçse shtresën e “sipërme”, atë më të dukshmen e më të mundshmen); kapërcimi i kufijve të shumëllojshëm dhe i kushtëzimeve, si zhanrorë, aq dhe botëkuptimorë (tekefundit, fjala është për kapërcimin e qorrsokakut të dualitetit “e rregullt – e parregullt” / “e mirë – e keqe”, çka do të thotë – dhe gjakim për të dalë jashtë sinorëve të logjikës binare si të tillë); ironizimi (si njëra prej mundësive për t’u distancuar); citimi i drejtë dhe maskuar; një vëmendje të ngritur ndaj mësimit të kontekstit”.

Vëllimi studimor i Nehas Sopajt INDIVIDUALITETE LETRARE1-30 përkthjellon repertorin e teksteve, duke na dhënë shumë çelësa të çmuar të receptimit letrar dhe estetik të autorëve/veprave më rëndësi vendimtare mbi fizionominë bashkëkohore të letërsisë shqipe. Dhe, për kaq, duhet t’i jemi mirënjohës Nehas Sopajt, autorit tonë, studiues e shkrimtar.

Leave a Reply

Your email address will not be published.