Asgjë nuk i ka shkaktuar njerëzimit më shumë vuajtje sesa hegjemonia e mendimit pa shpirt. Është e vërtetë se secili mendim konsumohet herët a vonë sepse realiteti zbulon përfundimisht falsitetin e tij, megjithatë, nëse mashtrimi themelor nuk njihet, një mendim i gabuar, thjesht, zëvendësohet nga një tjetër
Nga Metin IZETI
Kërcimi mbi arsyen dhe rrugëtimi në lagjen e shpirtit është një dimension që na çliron neve dhe botën nga vuajtjet që ia shkaktojmë vetes dhe të tjerëve kur, “vetja jonë e vogël”, e krijuar nga mendja dhe për të cilën ne sot mendojmë se është gjithçka që dimë, e drejton jetën tonë. Dashuria, gëzimi, shtrirja krijues artistik dhe paqja e brendshme e qëndrueshme nuk mund të vijnë në jetën tonë përveçse përmes këtij dimensioni të pakushtëzuar të ndërgjegjes. Nëse arrimë t’i përjetojmë, qoftë edhe herë pas here, mendimet që kalojnë nëpër kokën tonë thjesht si mendime, nëse arrimë të vëzhgojmë modelet e reagimit mendor-emocional si ngjarja të ndara nga ne dhe fragmentare, atëherë ai dimension tashmë është shfaqur tek ne – si një prani e absolutes ku çdo gjë është menduar dhe gjërat ndodhin, si një hapësirë e brendshme pa kohë, dhe pikërisht aty shpaloset përmbajtja e jetës.
Burgosja konceptuale e vetvetes
Rrymat e mendimit të zhveshur nga zemra e shpirti kanë një inerci të madhe, e cila, siç e shohim, na tërheqë lehtësisht në vetvete. Çdo mendim e mban peshën personale në një hapësirë shumë të ngushtë. Secili mendim dëshiron të tërheqë vëmendjen tonë të plotë. Prandaj detyra kryesore është që un-i jonë i plotë nuk duhet të mbetet nën ndikimin e mendimeve të hëpërhëshme dhe t’i merr shumë seriozisht ata. Pasi, mbetja nën peshën e mendimeve pa shpirt e burgos njeriun dhe shumë lehtë është që njerëzit të bëhen të burgosur në burgun e tyre konceptual. Mendja njerëzore, në dëshirën e saj për dije, kuptim dhe kontroll, ngatërron mendimet dhe pikëpamjet e saj me të vërtetën. Mendja thotë: kështu është dhe pikë. Ndërsa njeriu duhet të jetë më i madh se një opinion për të kuptuar faktin se sido që të interpretosh “jetën tënde” apo jetën dhe sjelljen e personave të tjerë, sido që të vlerësosh çdo situatë, nuk është gjë tjetër veçse një këndvështrim, një nga shumë këndvështrimet e mundshme. Realiteti është një tërësi e vetme në të cilën çdo gjë është e ndërthurur, në të cilën asgjë nuk ekziston për vete dhe në vetvete. Opinioni e ndan realitetin, e copëton atë në thërrime dhe copa konceptuale.
Arsyeja menduese është një mjet i dobishëm dhe i fuqishëm, por është gjithashtu shumë kufizues kur të merr përsipër plotësisht jetën, kur nuk arrin të kuptosh se është vetëm një aspekt i vogël i ndërgjegjes dhe qenies, që në realitet jemi. Urtësia nuk është produkt vetëm i mendimit. Kuptimi i thellë i urtësisë buron nga akti i thjeshtë për t’i dhënë dikujt ose diçkaje vëmendjen e vazhdueshme. Vëmendja, vetëdija është inteligjenca kryesore. Ajo shpërndan barrierat e krijuara nga të menduarit konceptual dhe me të vjen të kuptuarit se asgjë nuk ekziston vetvetiu dhe për vete.
Si të shuhet uria e mendjes
Vëmendja bashkon vëzhguesin dhe të vëzhguarin në një fushë të vetme pranie. Ajo është një vorbë ku shumëshmëria zihet dhe avullohet në njëshmëri. Sa herë që zhytemi në thellësitë e mendimit të detyruar, ne, i shmangemi asaj që jemi. Në këto raste nuk jemi të kënaqur prej asaj ku jemi. Ankthet dhe streset e materializmit të sforcuar dhe konsumerizmit marramendës burojnë nga besimi i gabuar se opinioni pastër racional mund të përmbledhë realitetin ose të vërtetën. Opinionet puro racionale janë burgje konceptuale kolektive. Dhe fenomeni i çuditshëm është se njerëzit i duan qelitë e tyre të burgut sepse u jep atyre një ndjenjë sigurie, kur thotë , “Unë e di”. Asgjë nuk i ka shkaktuar njerëzimit më shumë vuajtje sesa hegjemonia e mendimit pa shpirt. Është e vërtetë se secili mendim konsumohet herët a vonë sepse realiteti zbulon përfundimisht falsitetin e tij, megjithatë, nëse mashtrimi themelor nuk njihet, një mendim i gabuar, thjesht, zëvendësohet nga një tjetër.
Pikërisht për këtë them se mashtrimi kryesor është identifikimi me opinionin vetëm lëndor. Zgjimi shpirtëror është zgjimi nga gjumi i të menduarit. Sfera e pranisë shpirtërore është shumë më e madhe se ajo që mund të përfshihet nga mendimi. Kur nuk besoni në gjithçka që mendoni, do të dilni nga të menduarit dhe do të shihni qartë se mendimi nuk është ai që ju jeni vërtetë. Mendja ekziston në një gjendje “pamjaftueshmërie” dhe gjithmonë dëshiron diçka të arrijë, të rrugëtojë drejt qëllimit. Kur identifikohemi me mendjen, mërzitemi dhe shqetësohemi shumë shpejt. Mërzia do të thotë që mendja është e uritur për stimuj, ushqim për mendime dhe kjo uri nuk mund të ngopet përveç se me shpirtin. Kur ndihemi të mërzitur, përpiqemi të kënaqim urinë e mendjes duke lexuar revista, duke bërë telefonata, duke parë televizor, duke lundruar në internet, duke bërë pazar. Por ama, sërish mbetemi të uritur, duke pretenduar se kemi ndjenjë të mungesës dhe se mendja ka nevojë për më shumë se sa një nevojë fizike që e plotëson shpejt duke ngrënë më shumë ushqim ose duke përjetuar kënaqësi lëndore.
Ndërsa kur bëhemi të vetëdijshëm për këto ndjenja, papritmas, rreth mendimit, krijohet një hapësirë qetësie. Në fillim do të jetë një hapësirë e vogël, por ajo ndjenjë e hapësirës së brendshme do të rritet dhe ndjenja e mërzisë do të zhduket në forcën dhe kuptimin e realitetit. Kështu që edhe mërzia mund të na mësojë se kush jemi dhe kush nuk jemi. Atëherë do të zbulojmë se personi “i dëshpëruar” nuk jemi ne. Mërzia kushtëzohet thjesht nga lëvizjet e energjisë shpirtërore në ne. Njeriu në esencë nuk është një person i zemëruar, i trishtuar ose i frikësuar. Mërzia, zemërimi, trishtimi apo frika nuk janë esenciale, nuk janë personifikuese. Të gjitha këto janë gjendje të mendjes njerëzore. Ata vijnë dhe shkojnë. Asgjë që vjen dhe shkon nuk është ajo që jemi.
Njeriu i vërtetë
Të gjitha llojet e paragjykimeve dhe dilemave nënkuptojnë se jemi të identifikuar vetëm me arsyen që mendon. Kjo, do të thotë, se ne nuk shohim qeniet reale, por vetëm përfaqësimet e atyre qenieve në procesin e racionalizimit. Reduktimi i vitalitetit të një qenieje njerëzore në një shfaqje është një formë dhune në vetvete. Të menduarit që nuk bazohet në vetëdije shpirtërore bëhet i vetë-mjaftueshëm dhe jofunksional. Inteligjenca e ndarë nga urtësia është jashtëzakonisht e rrezikshme dhe shkatërruese. Kjo është gjendja aktuale e shumicës së njerëzimit. Inkurajimi i mendimit përmes shkencës dhe teknologjisë, ndonëse në thelb nuk është i mirë dhe as i keq, bëhet gjithashtu shkatërrues sepse shumë shpesh mendësitë nga të cilat ato lindin nuk janë të bazuara në vetëdijen e brendshme. Hapi i ardhshëm në evolucionin njerëzor është të kapërcejmë të menduarit dhe të kalojmë në lagjen e shpirtit. Kjo duhet bërë tani dhe paraqet detyrë urgjente. Kjo nuk do të thotë që njeriu duhet të ndalojë së menduari, por që nuk duhet të identifikohet më, plotësisht, me të, se mendimet nuk duhet të na zotërojnë. Duhet të ndjejmë energjinë e qenies tonë të brendshme. Vetëm atëherë zhurma mendore do hesht dhe do zhduket. Trupi bëhet kështu derë hyrëse në një ndjenjë më të thellë të gjallërisë që shtrihet nën emocionet dhe mendimet e lëkundura. Në këtë hapësirë mund të ndjejmë vitalitet me gjithë qenien tonë dhe jo vetëm me kokën. Në atë prani ku nuk ke nevojë vetëm të mendosh, por, edhe të ndjesh çdo qelizë është e gjallë. Mendja do të vazhdojë të funksionojë, edhe atë më mirë, pasi do të përdoret dhe shprehet përmes një inteligjence më të madhe se ego-ja lëndore. Në realitet ky është njeriu i vërtetë.
Në këtë përmasë perceptimi është kristal i qartë, i pa paragjykuar nga mendimet. Pra, ky stad ndryshon nga të menduarit pa prani të vetëdijes. Këtu, disa herë jemi rehat edhe me gjendjen e “mos dijes”. E kupton se duhet kaluar përtej mendjes “pa mend”, sepse mendja është gjithmonë duke u përpjekur të konkludojë dhe interpretojë. Mendja ka frikë të mos dijë. Pra, kur arrin të pajtohesh me kufirin e mendjes, tashmë ke shkuar përtej mendjes. Nga kjo gjendje pastaj lind dija më e thellë, e cila nuk është konceptuale.
Asnjë mendim nuk mund ta përmbledhë plotësisht të Vërtetën
Veprimi artistik, filozofia, feja, mësimdhënia, këshillimi, kërkojnë përpjekje të cilat arsyeja menduese nuk mund t’i përfshijë plotësisht. Një fuqi dhe inteligjencë më e madhe se ne, në thelb e merr përsipër këtë punë. Nuk ka më një proces vendimmarrës – veprimet reale ndërmerren në mënyrë spontane – dhe “ne” nuk jemi të vetmit që i bëjmë ato.
Zotërimi i jetës është saktësisht e kundërta e kontrollit të saj. Ne duhet të përshtatemi me jetën me një vetëdije më të lartë. E vërteta është shumë më gjithëpërfshirëse nga sa mund ta kuptojë mendja. Asnjë mendim nuk mund të përmbledhë të Vërtetën plotësisht. Për shembull, mund të thuhet: “Të gjitha gjërat janë në thelb një.” Është një udhërrëfim, dhe assesi një shpjegim. Të kuptosh ato fjalë do të thotë të ndjesh thellë brenda vetes të vërtetën për të cilën ka mall qenia e njeriut. Realiteti kërkon vazhdimisht jo vetëm ushqimin e mendjes, por edhe ushqim për identitetin e tij, për ndjenjën e vetvetes. Është mënyra në të cilën egoja vjen në ekzistencë dhe në të cilën ajo vazhdimisht rikrijon vetveten. Pikërisht, duhet kaluar pak mbi arsyen dhe vizituar lagjen e shpirtit…