PANTEONI I RRALLUAR

Dashnor KOKONOZI

Ndihem me fat që disa libra i kam lexuar në kohën e duhur. Më saktë në moshën e duhur, se është shumë e rëndësishme mosha kur i lexon. Një libër ku për letërsinë shkruhej pa qene nevoja të citoje Marksin apo E. Hoxhën! Një prej tyre është “Panteoni i rralluar” i Rexhep Qoses.Ka qenë libri i parë i shkruar nga një studiues shqiptar që më ka vlejtur e shenjur për jetë, ku lexoja gjëra të cilave u besoja e më tërhiqnin.

Munda ta siguroj aty nga mesi i viteve ’80 dhe nuk e hiqja nga dora. Natyrisht, fshehurazi se një botim i Kosovës (pra, i pa kontrolluar nga aparati gjigant i censurës politike në Tiranë, do të qe i mjaftueshëm për gjërat më të këqija që mund t’i ndodhnin dikujt).Një libër i shkruar me mjaft thjeshtësi e thellësi!

Ka në të jo vetëm sprova të vogla për tipare e anë të ndryshme të letërsisë (nja shtatë, më duket), por edhe vështrime kritike mbi vepra dhe autorë të ndryshëm. Është edhe ajo eseja ku Kadarenë ai e cilëson si gjeneral në veprën e tij artistike por si kolonel në vështrimet kritike (në se e mbaj mend i referohet një shpërthimi thuajse pangjirik të Kadaresë për Migjenin). Duket aty ka hedhur rrënjë edhe dashuria e tyre e madhe për njëri-tjetrin.

Kam përshtypjen se prof. Qosja këtë libër e kishte shkruar me mjaft kënaqësi dhe lehtësi. Se kjo ndihej në çdo gjë që thotë. E kujtoj këtë sepse më pas kam lexuar të gjithë korpusin e veprave të tij, atyre të cilave ai u ka kushtuar jetën, e megjithatë, asgjë që ka dalë me tej nga dora e tij nuk më ka pëlqyer sa ky libër.

Leave a Reply

Your email address will not be published.