PARADIGMË E NJERIUT QË NDJEN, SHEH E FLET ME ZEMËR

(Xhevdet Bajraj: “Burri që lozte me engjëj”, botoi Armagedoni, Prishtinë, 2021)

Zyrafete SHALA

“Burri që lozte me engjëjt”nga aspekti i kompozicionit paraqitet në trajtën e një poeme narrative me ngjyrime të fuqishme lirike, e pangjashme me asnjë krijim tjetër të letërsisë bashkëkohore shqipe, ashtu siç është edhe tërë vepra e Bajrajt, një ishull i veçuar në ujërat e turbullta të letërsisë sonë.Shikuar në përgjithësi, elementi narrativmund të merret si një tipar specifik i poezisë së Xhevdet Bajrajt, por jo edhe thelbësor. Lëvizja narrative, siç do ta quante Dylan Thomas këtë lloj rrëfimi,e bën poezinë të gjallë dhe të gatshme për të bartur në vete koloritin emocional dhe stilistik,i cili tërheq lexuesin drejt një bote ndryshe, mbase më superiore, duke i dhënë kështu mundësinë të reflektojë mbi dukuritë që e rrethojnë. Në anën tjetër, përmes portretizimit të personazhit dhe shpalosjes së jetës së tij, autori sjell edhe situata nga përditshmëria dhe e kaluara kosovare, duke i interpretuar ato nga një këndvështrim specifik që përkon me unin e protagonistit.

Te “Burri që lozte me engjëjt” zbulohet një universi ngjashëm me fëmijërinë e njerëzimit, ku protagonisti shfaqet si paradigmë e njeriut që ndjen, sheh e flet me zemër, që jeton në harmoni të plotë me natyrën dhe që përjeton dhimbjet, por edhe mrekullitë e saj. Sado që i privuar nga mundësia e të folurit dhe të dëgjuarit, sado që nga të tjerët konsiderohet me mangësi, burri që lozte me engjëjt shfaqet si një version më i avancuar i njeriut;ai nuk arrinte të fliste gjuhën e bashkëvendësve, por e kuptonte gjuhën universale të njerëzimit,për më tepër ai arrinte të kuptonte edhe gjuhën e krijesave të tjera, lisave, pemëve, luleve e kafshëve që ishin pjesë e botës së tij. Mbi këtë aftësi të të kuptuarit ndërtohen edhe marrëdhëniet e tij specifike me çdo qenie. Shurdhmemecit vërtet“zogu ia hëngri fjalët”, por ia dhuroi krahët që të fluturojë përtej peizazhit të populluar me njerëz që flasin; ai vërtet ishte një lumë që nuk e dëgjoi kurrë gurgullimën e vet, por në zemrën e tij kishte aq shumë dashuri, sikur aty të ishte ulur vetë Zoti. Ai nuk i dëgjonte uratat e as mallkimet e njerëzve, por i kuptonte ndjenjat që u dilnin nga zemrat, pavarësisht nga ngjyra që kishin ato. Poeti Bajraj krijon alteregon e tij përmeskëtij personazhi unik, brenda gjeografisë shpirtërore të cilit ruhen të gjitha virtytet që njeriu posedonte përparase të shpërfytyrohej në trajtën e tanishme.

Ashtu siç ndodh rëndom në modelet narrative tëpoezisë, edhe në këtë vepër, kemi të bëjmë me kombinimin dhe ndërveprimin e dy dimensioneve: radhitjen e sekuencave të rrëfimit dhe ligjërimin e ndërmjetësuesit apo narratorit, dimensione këto që qëndrojnë në varësi reciproke ndaj njëra-tjetrës.Mirëpo, këtu, sekuencat e rrëfimit nuk shfaqen thjesht si një riprodhim veprimesh, atopërbëhen nga perceptimet specifike, imagjinata dhe përjetimet, prandaj secila sekuencë narrative, njëkohësisht, është edhe një shtresë semantike në vete. Duke e vënë protagonistin nëpër situatate ndryshme jetësore, ekstreme apo të rëndomta,autori na ofron edhe një mënyrë të veçantë të përjetimit të tyre, një përjetim të heshtur por shumë të thellë; siç ështëpër shembull përballja me vdekjen e nënës: “Kur i vdiq nëna / ai e varrosi në zemër / dhe për herë të parë / e dëgjoi zërin e saj”apo me vdekjen e djalit: “Krismat e topave nuk i dëgjonte / dhe nuk e kuptonte pse i dridhej toka nën këmbë / Iu kujtua një verë / me thatësi të madhe / kur hapej varri për djalin e tij / ashtu iu pat dridhur toka nën këmbë”. Krahas dhimbjes dhe tronditjes ai ka një mënyrë specifike edhe për përjetimin e gëzimit dhe lumturisë: “Kënaqej kur natën / gruaja mbështeste kokën në gjoksin e tij / apo kur fëmija i ulej në prehër / dhe ky me gëzim / ia mësonte gjuhën e zemrës/. Po aq sa shpërthimet emocionale të personazhit, rrëfimin e pasurojnë edhe ndërmjetësimet e narratorit që na udhëheqin drejt të kuptuarit të botës pa fjalë: “Sa e vështirë duhet të jetë / për një shurdhmemec / ta fusë tërë botën / apo edhe fjalët të dua / në ajër / me një a dy lëvizje dore/”.

Liria njerëzore e protagonistit që endet nëpër fushëbetejën e jetës, padyshim se është një nga segmentet që autori trajton me kujdes brenda kësaj poeme. Përndryshe, liria njerëzore është një preokupim i kamotshëm i krijimtarisë së Xhevdet Bajrajt, krahas keqinterpretimit dhe tejkalimit të kufijve të saj. Mirëpo, kësaj radhe, te “Burri që lozte me engjëj” autori na ofron modelin e njeriut që jeton brenda një lirie të virgjër, i paprekur nga doktrinat, i paprekur nga historia, nga makutëria, nga tundimi për të uzurpuar, shtytja për urrejtje, nevoja për t’u fshehur pas maskave, ngarendja për të bërë emër, i çliruar nga të gjitha këto vese, personazhi i Xhevdet Bajrajt ngjan si njeri që vjen nga një epokë tjetër, që ndjek rrjedhën e kohës, viteve, stinëve pa kërkuar asgjë më shumë, pa trazuar askënd, por përkundrazi, duke ofruar sa më tepër që arrin brenda mundësive të tij. Është trajta e njeriut të padjallëzuar që, brenda realitetit në të cilin rropatemi për të mbijetuar, vjen dhe na përkujton diçka të largët, diçka që kemi humbur shumë shekuj më parë, esencën e njerëzores. Duke e ngatërruar mirëqenien me të jetuarit e kërmijve, për qejf të vet, mbase është i vështirë identifikimi i shumëkujt me protagonistin e Bajrajt, por pavarësisht nga ky fakt, me personazhine poemës “Burri që lozte me engjëj” autori e ka pasuruar letërsinë bashkëkohore shqipe dhe na ka ofruar një rrëfim të pasur emocional që është unik në llojin e tij.

Në shkrimet kritike të publikuara pas botimit të këtij libri dhe pas shpërblimit të tij, shpesh i është dhënë rëndësi lidhshmërisë që ka protagonisti i këtij libri me personazhin real nga i cili autori është frymëzuar për këtë krijim. Megjithatë, qasjet e kësaj natyre jo vetëm që e kufizojnë dhe e ngushtojnë vlerën estetike e letrare të këtij libri, por edhe e dezorientojnë lexuesin,duke i vendosur barriera drejt arritjes në esencën e poemës;më tepër se dedikim për një njeri të afërt, ky libër është një himn për njeriun, për jetën dhe për lirinë, është një universalizim i dhimbjeve të NJERIUT nga goditjet që i jep realiteti. Si i tillë, ai na ofron një version të përkryer të të jetuarit në një botë ideale, pa djallëzi, pa zë, pa fjalë që vrasin, por me lëvizje që sinkretizohen me zërin e natyrës, me zërin e dashurisë.

“Burri që lozte me engjëj” duhet të lexohet jo vetëm nga lexuesit elitarë, por nga të gjithë ata që dinë të lexojnë, sepse me gjuhën e tij të thjeshtë dhe me figuracionin mjeshtëror, por të natyrshëm, ai u ofrohet të gjitha moshave dhe të gjitha llojeve të lexuesve.

Leave a Reply

Your email address will not be published.