Për kritikën letrare

RITUAL QOKASH QESHARAK

Nevoja e lexuesit për një kritikë të mirëfilltë letrare është e drejtpërdrejtë. Një figurë shkencore si ajo e kritikut letrar është mbi të gjitha një figurë në shërbim të lexuesit e të artit, si dy kahe që rikrijojnë njëri tjetrin në dinamika të paparashikuara

Gentiana MINGA

Mundet edhe që në Shqipëri të bëhet kritikë, mundet edhe që institucionalisht letërsia bashkëkohore të promovohet. Ndoshta strukturat përkatëse janë nëpër zyrat e tyre këto figura të rëndësishme angazhohen me zell në veprimtari shkencore, edhe për t’u përligjur edhe për pasion e kështu me radhë. Por, kjo nuk e zgjidh problemin sesa e sesi nga kjo veprimtari mbërrin te lexuesi, sesi e sesa nga kjo veprimtari ky lexues përfton për t’u pasuruar, për të mvetësuar të bukurën e për të kulluar shijet e tij, ashtu që, e thënë thjeshtë, të kënaqet e të përmbushet më një vepër që vërtet të kënaq e të bën për vete shpirtërisht. Nuk e di nëse kjo veprimtari mbërrin te lexuesi e nëse mbërrin e pastër, profesionale, rigoroze, tërheqëse, në raport të drejtë me veprën që analizon, e qëruar nga kompromiset, provincializmi, nga konflikte interesash, nga anësi politike e klanore. Kësisoj nuk jam e bindur që kjo veprimtari të arrijë të shkëputet pa lëbyrje nga rrethi vicioz ku autorët (ndoshta?) promovojnë njëri tjetrin në një ritual qokash qesharak e shpesh mashkullor. Këto janë pa diskutim probleme edhe të shoqërive më të përparuara në botë, por në një vend të vogël si i yni ende në proces zhvillimi, raporti mes lexuesit, autorëve e kritikëve vepron në një hapësirë kaq të ngushtë e të ngarkuar sa ndikon drejtpërsëdrejti në modifikimin e nivelit kulturor të shoqërisë. E pasuron ose e varfëron në pak vite.

Nga njëra anë druhem edhe se figura e kritikut letrar, me të drejtë e domosdoshme, qaset si një figurë e kuptuar shtrembër. Sidomos kur kërkohet me shumë afsh nga një pjesë e autorëve, apo nga një pjesë e shtëpive botuese, apo nga disa revista kulturore që botojnë në faqet e tyre shumëllojshmëri krijimesh, në të cilat përzihen autorë të mirë, të njohur e të panjohur, me autorë mediokër, të njohur e të panjohur. Dyshimi vjen kur nuk është e qartë nëse nevoja e autorëve dhe e shtëpive botuese për një kritikë letrare të mirëfilltë ngatërrohet, me apo pa dashje, me nevojën për recensues optimist që të mund të lehtësojnë reklamimin e një autori, të një vepre, të një reviste. E gjithë kjo ndryshon nëse fokusi ynë i kthehet lexuesit. Nevoja e lexuesit për një kritikë të mirëfilltë letrare është e drejtpërdrejtë. Një figurë shkencore si ajo e kritikut letrar është mbi të gjitha një figurë në shërbim të lexuesit e të artit, si dy kahe që rikrijojnë njëri tjetrin në dinamika të paparashikuara. Unë jam e sigurt që mediokritetin e një autori, pa përfshirë këtu pjesën e majme të lexuesve të pa mbrojtur prej mungesës së një udhërrëfyesi letrar, ende e përcakton fare lehtë një fetë e hollë prej tyre që vjen e hollohet edhe më. Një fetë pra lexuesish e uritur për letërsi të të gjitha kohërave. Këta lexues vijnë nga statuse të ndryshme e në lëvizje, mund të jenë mësues, pse jo edhe kamerierë, piktorë, përkthyes, pse jo punëtorë krahu të apasionuar pas së bukurës, studiues autodidakt që dashurojnë letërsinë me të cilën ushqehen të panginjur. Këtyre nuk u intereson gjëkundi përfitimi ekonomik, as fama e suksesi, as larjet e “borxheve”. Këta vërejnë menjëherë sesi diçka nuk shkon, sesi u ofrohet vazhdimisht mall i përzier, njësoj si në një shportë me arra, në të cilën një tregtar i pandershëm ka shtënë arra të kategorive të ndryshme kundrejt një çmimi unik. Një lexuesi të tillë i fiket dëshira për të blerë “mall” tek tregtari dinak, e ndërsa orvatet në kërkim të mallit cilësor, gjendet në mes të një tregu të pafund që e çorodit dhe e lodh. Sa më shumë të lodhet, zhgënjehet masa e lexuesve të tillë, aq më i kollajshëm është zëvendësimi i tyre me lexuesit e tjerë, të pambrojturit, që përcaktojnë ama mbarëvajtjen apo dështimin e një malli. Nëse shumica bëhet akoma edhe më shumicë e në këtë tregun e madh vijon të zgjedhë librin e keq, shtëpitë botuese do të bëjnë të pamundurën për të ofruar një libër pak a shumë të tillë, që shet. Natyrisht pa hequr dorë edhe nga ofrimi i veprave cilësore. Njëlloj si tregtari i arrave të kategorive të ndryshme, të shtëna në të njëjtën shportë. Ky është dëmi katastrofik që i sjell kulturës, artit, autorëve të mirë, mungesa e kritikës aktive e të mirëfilltë letrare. Mbiprodhimi i veprave të ashtuquajtura letrare, pa asnjë lloj kontrolli paraprak, nga ana tjetër, e vë kritikun, atë që ka mbetur denjësisht profesional e i pakorruptueshëm, e si i tillë i vetmuar, edhe përpara një problemi të madh banal e sasior. Po aq sa ka nevojë hapësira jonë kulturore për gjak të ri, po aq duhet të kanalizohen e të stilizohen botimet duke ulur ritmin frenetik që nuk sjell domosdoshmërish cilësi. Në pamundësi për të ndjekur këtë ritëm, shpesh kritiku, në rendjen e tij të komplikuar për të arritur tek lexuesi porsi Maratonomaku dy hapa para librit, dështon. Kategoritë të cilëve nuk u ofrohet mundësia të kryejnë shërbimin e tyre rehat e me mjeshtëri, larg zhurmave të mbrapshta të botës, kanë shumë gjasa të humbasin, ose të vetshiten. Kjo natyrisht nuk zhduk dëshirën e autorit për të shkruar, e më pas për t’u botuar nga një shtëpi botuese serioze, por e bën të bulëzojë me vështirësi, në ndonjë skutë të parehatshme, pa e vënë re njeri. Ashtu që mendimi se ndoshta po humb takimin e tij me lexuesin, ja fashit pak shpresën, e po ashtu pasionin.

Leave a Reply

Your email address will not be published.