PËR POLICINË GJUHËSORE, GJUHËN DHE STILIN

Për të kuptuar rëndësinë dhe shtjellat e gjuhës, s’ka nevojë për spekulime të zjarrta teorike; mjafton ca kërshërì dhe një vullnet i mbarë.

Ledi Shamku SHKRELI

Nëse shtyni derën e ndërtesës së gjuhës së folur e të shkruar, keni hyrë në Mbretërinë e Lirisë. S’ka pse trembemi, pra, nga ata që prej së jashtmi kërkojnë t’i vënë zgjedhë mënyrës sonë të të shprehurit, nga ata që zhvoshkin nga milli e shpalosin lista e lista me fjalë e shprehì, të akuzuara sipas tyre për aksh faj e gabim: kjo ka prejardhje të huaj, kjo tjetra është ca si tepër popullore, bie erë dialektore apo stil bisedimor dhe më pas krasitja… . Të vetmit që mund t’i diktojnë rregulla së renditjes sonë të fjalëve janë ata me të cilët ne komunikojmë. Po ashtu, e vetmja rregull e vërtetë është ajo që mbikëqyr nëse një tekst, periudhë a fjali ia del mbanë të përçojë mirë e saktë mesazhin që rrekemi t’i japim tjetrit.Shtigjet nga kalon përdorimi i fjalëve nuk janë thjesht dilemat nëse janë fjalë të përdorura apo të rralla, a nëse janë fjalë të çlira apo të stilit formal. Si do ta gatuajmë ne fjalën varet po aq edhe nga dëgjuesit (lexuesit) që përfytyrojmë apo kemi përballë.

Sikurse pohon Vygotsky, gati gjithmonë ne fjalët i shtiem në punë në mungesë të dëgjuesve. Kjo s’do të thotë se nuk jemi fort në rregull; shumicën e herëve të folurit na shërben për të shoshitur e ripërtypur ndonjë gjasë a mbresë, ndaj dhe fjalët nevojiten enkas për të kujtuar e nxjerrë në pah veçantitë e asaj që po shqyrtojmë. Dihet, pra, se njerëzve u takon shpesh të flasin me veten, thënë ndryshe të flasin së brendmi.

Sidomos në gjuhën e folur (por edhe në kode të tjera semiologjike) ushtrohet më së miri ky përdorim “i brendshëm” apo, me një term disi më teknik, përdorimi “endofazik” (éndon “brenda” dhe phásis “shprehje” greq.). Është fjala për një përvojë që gjithkush e fiton përtej një farë moshe. Të vegjlit, para se të mbërrijnë te ligjërimi endofazik, njohin fillimisht atë ekzofazik (éxo “jashtë” greq.) dhe më pas e përdorin këtë të fundit për të folur me vetveten: ligjërimi egocentrik. Keni vënë re ndonjë fëmijë kur luan? Ai shpesh i flet apo i tregon vetes për atë çka po bën. Kësisoj, ligjërimi endofazik është një përsosje dhe vazhdimësi e kësaj praktike fëminore.

Në ligjërimin tonë të brendshëm nuk kemi kurrfarë kufijsh. Askush s’mund të na thotë “gabon”, “duhet të shprehesh ndryshe” apo “kujdes, po flet në dialekt!”. Jemi krejt të lirë në vetvete.

Kur përdorim fjalët, thamë se mund t’i përdorim edhe në mënyrë ekzofazike, për së jashtmi, e atëhere gjendemi përballë një labirinti zgjedhjesh e mundësish. Le të marrim njërën syresh, fjala vjen gjuhën e folur; me anë të saj kumtimi ynë mund t’i drejtohet një apo disa dëgjuesve. Madje ka mëse një shekull që gjuha e folur ka hyrë në erën e saj të re. Shpikja e telefonit, radios, televizionit, shpërndarja e disqeve të regjistruara, i kanë çelur morì mundësish komunikimit zanor në largësi sikurse shpikja e shkrimit u kishte bërë të mundur njerëzve të komunikonin me anë fjalësh si në hapësirë ashtu edhe në kohë.

Të flasësh me dikë që e ke aty pranë apo me një që ndodhet larg, t’i flasësh një rrethi të ngushtë miqsh apo një turme njerëzish, të flasësh para mikrofonit të radios apo para kamerave të televizionit, që, veç zërit, paraqesin edhe shembëlltyrën tënde gjatë kohës që flet, të flasësh apo të shkruash e, më tej akoma, t’u shkruash miqve apo të panjohurve: ja një labirint zgjedhjesh që ia beh para nesh sapo lemë pas ligjërimin e brendshëm e matemi të kuturisim në ligjërimin ekzofazik.

Një fjali krejt e qartë dhe e natyrshme për një situatë mund të shndërrohet në një thënie të vagullt e pa kuptim nëse ndërron mjedis. Ta zëmë, librave të mij në bibliotekë u vërshon uji e dëmtohen. Kur dua t’i qahem një të njohuri që e kam aty pranë, mjafton t’i them p.sh. “Uuu, shih ç’u bë!” dhe ai ka marrë vesh gjithçka. Kur ky person i njohur gjendet tjetërkund, po t’i them a t’i shkruaj vetëm “shih ç’u bë”, ai s’do të kuptojë kurrgjë; sidoqoftë mund të mjaftohesha p.sh. duke i thënë “Me librat e mij u bë nami”. Krejt ndryshe paraqitet gjendja semasiologjike nëse për dëmin që pësova duhet të njoftoj zyrtarisht dikë. Atëherë më duhet t’i them në ç’ditë ngjau, shkakun e dëmtimit, numrin e përgjithshëm të librave në bibliotekën time, cilët janë dëmtuar e cilët më shumë etj.

Ja, pra, sa shumë liri kemi të zgjedhim kur vendosim të përdorim fjalët. Madje detyrohemi me qenë të lirë! Ky është stili: është mënyra si organizojmë fjalët në fjali e fjalitë në përmbajtje, me qëllim që të shprehim një mendim a domethënie. Kur themi zgjedhje kemi thënë stil e anasjelltas. Porse zgjedhje nuk do të thotë tekë apo rrëmujë; përkundrazi me të nënkuptohet një përdorim bashkërendues i mjeteve fjalore në përputhje me situatën në të cilën ndodhemi.

Llojet e zgjedhjeve që përmendëm janë të pavarura nga njëra-tjetra, së paku në parim, por s’do mohuar se herë-herë ato priren edhe drejt shkrirjes në një të vetme. Në përgjithësi, ai që i drejtohet një publiku të gjerë e të panjohur, përpiqet të qëmtojë fjalë që atij i duken të mirënjohura, duke iu shmangur lokucioneve tipike krahinore apo dialektore. Po për të njëjtën arësye do të përdorë edhe ca regjistra gjuhe më formalë se po t’i drejtohej lirshëm një të njohuri. Edhe shkrimi do parë si shtysë për formalizëm, ndërsa dialekti na grish të jemi sa më pak formalë.

Si përfundim, ndonëse është e pacënueshme pavarësia e këtyre tri mundësive zgjedhjesh, gjithsecila do të kërkojë doemos ta ndihmojnë dy të tjerat. Lindin kështu “stilet kolektive”.

“Stili i folur” është tërësia e zgjedhjeve që mpleksen më shpejt e më kollaj, ndërkohë që ne flasim. Të folurit, pos tjerash, është edhe një proces improvizues, ndaj s’kemi fort kohë të pikasim fjalë e shprehje të rralla. Kështu priremi të rrëmbejmë me ngut fjalë nga fjalori ynë i zakontë, nga fjalori i habitatit tonë, pikërisht ato fjalë që dëgjojmë, mendojmë e themi më shpesh, që i kemi “gjysmë të gatshme”. Këtu ndizet llamba e alarmit: sa më të gjerë e të larmishme ta kemi gamën e fjalëve dhe shprehjeve që presin ashtu gati të rroken e përdoren vetiu në bisedë, aq më lirshëm, shkoqur, saktë e këndshëm do të flasim. T’i lemë, pra teorizimet shterpë e bokërrimat e ashtuquajtura “gramatikore” – emancipimi dhe hijeshimi i gjuhës kombëtare e ka zanafillën te gjuha e folur. Ai është një proces që te gjithkush nis me belbëzimet e para e mbaron me mbarimin e jetës së tij mbi tokë. Ndaj hartuesit e teksteve shkollore, shkrimtarët e poetët për fëmijë, edukatorët e mësuesit, përkthyesit e visareve botërore, redaktorët e botuesit, kallauzët e kësaj Anijeje Shqipfolëse nuk munden me qenë të pakujdesshëm e sidomos…, ca më tepër dashuri! Po le të mos shmangemi më tej nga tema jonë. Thamë, pra, që stili i folur është një stil aspak formal, i pasur me fjalë të sojit të përditshëm e që hasen shpesh. Këtë stil ka të ngjarë ta imitojmë edhe në të shkruar, po qe se përfshijmë ato elemente joformale që sapo cituam.

Ndryshe nga ai “i folur”, “stili i shkruar” cilësohet nga fjalë e struktura më të rralla e më specifike, gjithë në përputhje me temën që trajtohet. Fjalitë janë ca më formale e më të ftohta ndaj gjendjes që përshkruajnë. S’është çudi që edhe në të folur të na duhet kur e kur të përdorim regjistrat e gjuhës së shkruar; veç nëse kjo ndodh gjatë bisedave me shokë a të afërm, rrezikojmë të bëhemi qesharakë e, si thuhet këso rastesh, mund të na shpotitin “Mos ke ngrënë gjë gazetë?”.

Të njohësh mirë një gjuhë do të thotë të lundrosh lehtë e paq mes stileve kolektive që ajo ofron. Jo ta gjesh veten të zaptuar nga to, por të jesh i qetë se mund t’i përdorësh kurdo që ta lypë shtysa për t’u shprehur.

Leave a Reply

Your email address will not be published.