PIKTORI ETNOGRAFIK

(Fragment nga libri “Shqiptarët e Léon Gérôme”)

Luan RAMA

“… Në vitin 1861, në “Sallonin e Pikturës” të Nantes, e dy vite më pas në “Sallonin e Parisit”, Gérôme ekspozoi tablonë e madhe Robi, (Le Prisonnier), 45×78 cm, ku duket një barkë e gjatë që shket mbi Nil, e drejtuar nga shqiptarë që mbartin një rob turk. Kjo tablo, është cilësuar nga kritika e kohës, si kryevepra e periudhës egjiptiane të Gérôme dhe sot ajo gjendet në Muzeun e Arteve të Bukura të Nantes, në veri të Francës. Në fakt, ai u detyrua të bëjë një kopje të kësaj tabloje, pasi Muzeu i Nantes refuzonte ta dërgonte në ekspozitat parisiene. I frymëzuar nga kjo tablo, poeti i madh francez i asaj kohe, José Heredia, shkroi një poezi me të njëjtën titull, Robi, dedikuar mikut të tij Gérôme, ku shkruante:

“Thirrjet tutje myezinët kanë reshtur

Qielli i blertë në perëndim me një të purpurt stoliset

Krokodili zhytet dhe duke kërkuar baltën

Ndërsa lumi i madh e i gjerë zhurmat e tij përgjum.

Ulur këmbëkryq si ata që pinë duhan

Përkundur nga hashashi i habitshëm prijësi ëndërronte

Ndërkohë që dy negër barkën lëvizin me forcë

Lakuriq e të përkulur mbi rremat e saj.

Mbrapa i gëzuar dhe me talljen në buzë

Duke i rënë tamburasë me një ritëm të çartur,

Me sy të egër e të gjallë arnauti përkulet

Pasi i lidhur në barkë, me gjakun që i rrjedh

Një sheik plak me pamje të rëndë dhe të habitur

Sheh minaret me maja që dridhen mbi Nilin e kulluar.”

Shumë shkrimtarë e kritikë arti kanë shkruar rreth kësaj tabloje magjistrale të Gérôme, sa realiste e ekzotike dhe e punuar me një mjeshtëri të veçantë. Duke shkruar mbi sallonin e artit, Théophile Gautier do të shtonte: “Një barkë e shtyrë me mundin e dy rremtarëve, rrëshqet mbi ujin e qetë të Nilit; shtrirë në të kundërt, nderur mbi cepat e varkës, me këmbët dhe kokën e mbështetur si dhe duart e kapura në pranga druri, një rob dergjet i ngrirë si një mumje. Kjo varkë e ngarkuar përfaqëson gjithë Orientin hijerëndë e të pandryshuar, voluptoz e të rafinuar në mizorinë e vet. Më shumë sesa në varkën e sheikëve, është një gëzimi që shpërndahet në varkën e Koronit (atij që të përcjell në Styx, në lumin e Ferrit, sipas mitologjisë greke. Ju verboheni nga drita, habiteni nga perspektiva e këtij peizazhi dhe nga ngjyrat e ujërave të shkëlqyera; ju dëgjoni goditjen e lopatave në mes të heshtjes së plotë të natyrës. Ke një mbresë dhe je para një ashpërsie të paparë. Një kompozim i tillë është vështirë të arrihet…”

Pikërisht, kjo tablo kishte tërhequr dhe vëmendjen e piktorit të shquar Van Gogh, i cili i shkruante për të, në një letër të vëllait Vincent. Kur miku i Gérôme, Jules Clareti, pa tablonë Robi, ai i kishte thënë Gérome-it: “Një mëngjes, duke gjuajtur në brigjet e Nilit, buzë Tebës, kam ndeshur barkën që ti ke pikturuar. Arnautët, besnikët e khedivit, ishin të ngarkuar me detyrën, si milicë të atij vendi…”.

Ndërsa kritiku i artit Dominique Font-Réaulx, në botimin e librit kushtuar ekspozitës retrospektive të J. L. Gérôme, në Muzeun e Orsay-it, lidhur me këtë tablo ka shtuar: “Arnauti që këndon, është një referencë e llojit të pikturës së tij; ky personazh dhe kostumi i tij, që nga viti 1857, u bë një motiv familjar i pikturës së tij orientale…”

Louis-Auguste, konti De Forbin, që e kishte takuar Mehmet Ali Pashën në Aleksandri, në vitin 1818, shkruante për gardën e tij se “arnautët i ushtronin pushkët e tyre duke qëlluar rrëzë veshëve të njerëzve që i afroheshin pallatit. Dhe kjo bëhej aq afër sallonit ku më prezantuan me pashain, sa ne mezi dëgjonim njëri-tjetrin…”

Edhe pse Gérôme nuk e vizitoi asnjëherë Shqipërinë, arnautët nisin pushtojnë telajot e Gérôme, në funksionet e tyre më tipike, shpesh nëpër kafenetë apo në rrugët e qytetit dhe në mbajtjen e rregullit në një shtet gjigand, kufijtë e të cilit, nuk dihet ku shkojnë. Përsëri në Kajro… Gérôme, është në kërkim të personazheve të reja. “Gérôme, – shkruante Théophile Gautier, – bëri pelegrinazhin që ëndërronte Th. Chassériau. Ai përjetoi Kajron, këtë kryeqytet të Orientit, këtë qytet të kalifëve, ku arti sarazen vezullonte plot shkëlqim, atëherë kur Perëndimi ende ishte zhytur në barbarinë e tij të ashpër. Ai përshkoi ato rrugë të përdredhura, ku anash ishin shtëpitë me kate që vështronin mbi to dhe ballkonet me kashtë të thurur. Arnautin me hundën dhe vështrimin e shqiponjës, e ndoqi deri te fellahu që s’e prishte gjakun përballë Sfinksit egjiptian, dhe atë turmë që vërshonte nën kërbaç para kalit të beut, buzë deltës perëndimore e Nilit…”Piktura e kësaj periudhe e Gérôme, na shfaqet si një pikturë realiste dhe sigurisht me tone ekzotike, por në tërësi, personazhet e tij janë tepër realistë, duke krijuar kështu tipa interesantë me një dinamikë të jashtëzakonshme shprehëse. Padyshim që fustanella është një nga ornamentet më interesante të figurave të arnautëve, çka e gjejmë jo vetëm në pikturat e bashkëkohësve të Gérôme, apo dhe pas tij, por edhe në letërsinë e shkruar, siç e gjejmë më pas, edhe në kujtimet e shkrimtarit të madh Alexandre Dumas. Një ditë, kur Dumas përgatitej për të shkuar në një ballo me maska, që organizoheshin atëherë në sallonet parisiene, Amaury Duval, nxënësi i piktorit Ingres, të cilin e kishte njohur në ballot e Firmin-it, i kishte thënë, se mund të vishte një kostum arnauti. Kjo ide Dumas-ë i kishte pëlqyer. “Amaury Duval vinte nga Greqia, – shkruante Dumas në librin e tijKujtimet e mia,- ku kishte bërë pjesë në ekipin e artistëve që kishin dërguar në vendin e Perikliut, pas betejës së Navarinit dhe ku gjatë një balloje në Firmin, ai kishte ardhur i veshur si Palikar. Kjo veshje ishte mjaft në modë në atë kohë dhe të gjitha vajzat e pëlqenin këtë veshje. Ramë dakord se kostumi arnaut më shkonte për mrekulli. Amaury e vizatoi atë. Ajo që ishte interesante te ky kostum, ishte turbani, i cili pasi rrotullohej dy-tre herë rreth kokës, kalonte nën gushë dhe pastaj lidhej në pikën e fillimit. Por duhej qepur kostumi, i cili dhe duhej qëndisur. Për të, u punua gjatë 15 ditëve. Kur erdhi dita e ballos, paradite, kostumi ishte gati. Në mesnatë hyra në sallonin e zonjës Lafond”

I veshur me kostumin arnaut, sipër në velur të kuq dhe me fustanellën e bardhë si dëbora, me armët e argjendta që i shkëlqenin, ai dukej sikur vinte nga një botë ekzotike dhe e panjohur. “Me atë kostum imagjinoja se do të kisha një triumf të vërtetë … Ai s’kishte bërë as dhjetë hapa në atë sallon, kur zonjusha Malibran, i ishte afruar dhe i kishte thënë: “Zoti Dumas! Ju do të më mësoni sesi vihet ky turban. Këta djaj italianësh nuk dinë si të vishen. Do doja, së paku, të visheshin si ju! Nesër do të interpretoj Desdemonën”…Si dukej, asaj nuk i kishte pëlqyer se si ishte veshur partneri i saj, Otello.  Kostumit shqiptar, Dumas i referohet disa herë në librin e tij Impressions de voyage de Paris à Sebastopol (Përshtypje udhëtimi nga Parisi në Sebastopol). “Jakobi më kishte shitur dy kostume, – shkruante ai. – Mora atë më të bukurin, kostumin shqiptar, me një cohë vjollce, me qëndisma argjendi. Për një çast hezitova, midis turbanit me stof të hollë e të bardhë, që të mbështjell fytyrën, duke e kaluar nën mjekër dhe rasës së kuqe me një xhufkë mëndafshi që varej.

Padyshim që, armët ishin jo vetëm zbukurimi më me vlerë i arnautit, por edhe lavdia e tij. Madje, ai e personifikonte veten përmes armëve të tij, çka e ndeshim në shumë nga tablotë e piktorëve francezë, të shekullit XIX.

Karnaku, që në gjuhën arabe do të thoshte “fshat i fortifikuar”, ishte larg në Egjiptin e sipërm. Qyteza e Egjiptit, në veri të Tebës të vjetër, me në krye zotin Amon-Ré, gjatë dymijë vjetëve kishte strehuar faraonët e mëdhenj, që nga Sestre I e deri në epokën Ptolemike. Aty ishte dhe tempulli i madh i Amon-it. E pra, pikërisht atje, arnautët kishin kafenetë e tyre, ku kalonin ditët e gjata e të pafund, ku luanin damë për të vrarë mërzinë dhe ku meditonin për familjet e tyre që kishin lënë larg në More, në Epir apo në viset e sipërme shqiptare… Vallë a do të ktheheshin? Atje në Egjipt ata ishin si zotër të atij vendi dhe mbaheshin me përkujdesje nga dinastia e Mehmet Ali Pashës. Atje ata kishin gjithçka. Qejfet ishin të pareshtura dhe “almée”-të ishin në duart e tyre. Mund t’i kishin në krahët e tyre si t’i donin dhe kur të donin, greke, armene, kirkize, egjiptiane…”

Të gjitha këto tablo kanë një atmosferë të jashtëzakonshme, çka u ka dhënë shkas kritikëve ta konsiderojnë Jean-Léon Gérôme si një “piktor etnografik”, ku etnografia, lloji i figurës, kostumi, ornamentet, dekori, marrin një rëndësi të rendit të parë.

Maxime Du Camp shkruante se “kur ky artist synon të jetë i saktë, ai është më i saktë se askush tjetër, por për ta arritur këtë, duhet që ai ta ketë vështruar: ai ka imagjinatë të keqe, por një kujtesë shumë të mirë. Në kalim e sipër, ai ka pikasur e skicuar me një gëzim të madh tipat e Orientit. Arabi, shqiptari, turku, barabasi, siriani njihen menjëherë dhe në shprehitë e këtyre personazheve ai mbetet gjithnjë realist, i vërtetë. Në skenat historike si dhe në skenat orientale, zoti Gérôme kërkon para së gjithash të godasë publikun për nga vërtetësia.

Në librin Jean-Léon Gérôme, të botuar me rastin e ekspozitës retrospektive të këtij piktori, kritiku Dominique de Font-Réaulx, ndër të tjera shkruante: “Pa asnjë dyshim, ashtu si dhe bashkëkohësit e tij, Jean-Léon Gérôme ishte i ndjeshëm ndaj elegancës së kostumit të arnautëve, njëherësh luftarake dhe plot hire, në mënyrën e tyre të veshjes, me një xhaketë të hedhur supeve dhe një fustanellë të bardhë e të gjerë, një përzierje kjo e violencës dhe e sensualitetit. Dhe sigurisht, ai është interesuar rreth këtij populli europian, por mysliman, një popull fqinj me grekët, por që i shërbenin perandorisë osmane, një përzierje pra, e Lindjes dhe e Perëndimit. Ky dualitet i këtyre personazheve, i ofronte Gérôme-it mundësi skenografike e pikturale. Para së gjithash, arnauti ishte për të një figure imagjinare, para se ai të ishte një figure reale. Motivi i kostumit e ka ngacmuar atë që para se të ndërmerrte udhëtimin e tij në Egjipt, në vitet 1855-1856, në një kohë që fotografia ishte shpikur. Është e mundur që fotografitë e arnautëve të jenë bërë në Paris dhe të kenë shërbyer për tu frymëzuar në tablotë e tij orientale, tablo të cilat ai i paraqiti pas kthimit të tij nga Egjipti. Duket se kostumi i pikturuar nga Gérôme është ngacmuar nga fotografia e botuar në klishenë 64, të librit Illustation de l’Histoire des Otomans, të Antoine Laurent Castellan dhe Louis Mathieu Lagles (botuar si version i parë) që në vitin 1812 (Musée de l’Homme)…”

Tablotë e Gérôme filluan të vlerësoheshin në Sallonin e Pikturës që hapej çdo vit. Për sallonin e vitit 1859, Charles Baudelaire që kishte parë tablotë e Gérôme me arnautët e tij, shkruante se “Është e pamundur të mos njohësh te zoti Gérôme cilësitë e tij fisnike, ku vlerat e para janë kërkimi i së resë dhe shija për subjektet e mëdha…”. Një vit më vonë, për tablotë e Gérôme në sallonin e pikturës, Maxime Du Camp, që e njihte mirë temën orientale, shkruante se “Gérôme na jep provën e një force të respektueshme… ai na dëshmon se po krijon një krijimtari të veçantë me vlera të mëdha…”

Në vitin 1862, Jean-Léon Gérôme do ndërmarrë përsëri një udhëtim drejt Egjiptit dhe padyshim takimet e para do ishin me drogmanët, me këta shoqërues-përkthyes, që jo rrallë ishin shqiptarë. Gérôme nuk shkruan gjë për drogmanin e tij të këtij udhëtimi, por ai mund të ketë qenë edhe shqiptar, siç pohonin dhe udhëtarë të tjerë që udhëtonin në Egjipt. Ja çfarë shkruante Frédéric de Carcy, më 1873: “Sapo anijet hedhin spirancat, drogmanët, këta aventurierë me origjina të ndryshme, disa prej të cilëve nga vendet e Europës dhe shumica nga Malta, u paraqiten udhëtarëve duke u ofruar shërbimet e tyre. Një drogman me kostum shqiptar, i pajisur me rekomandime të ndryshme pak a shumë autentike, na propozoi të na shërbejë. Pranoj, meqë nuk i njoh gjuhët e këtij vendi dhe që nga ky çast, unë vihem në dorën e tyre… “

Pra, Gérôme niset sërish. Udhëtimi drejt këtyre vendeve ekzotike, ishte kthyer jo vetëm në një pasion të vazhdueshëm, por dhe në një frymëzim krijues për personazhe e imazhe që bënin përshtypje të veçantë në sallonet parisiene. Në ditarin e tij, për këtë udhëtim, ai shkruante: “Ndërmora një udhëtim tjetër në Orient, Palestinë, Egjipt e Siri. Ishte hera e parë që ndërmerrja një aventurë nëpër shkretëtirë: karvani ynë ishte i organizuar mirë edhe pse i pakët në numër, por ne ishim furnizuar me kujdes me të gjitha gjërat e nevojshme, për të ekzistuar; veçanërisht me ujin e Nilit, pasi për katër kuajt na duhej ta merrnim ujin me vete në kurriz të deveve, meqë kafshët pinin 24 litra ujë në ditë… S’kishte asgjë më të kënaqshme e poetike, sa ngritja e kampit gjatë rrugës, duke i shtuar kësaj dhe kureshtjen ndaj të bukurës dhe të panjohurës. Edhe pse të lodhur nga udha e gjatë, unë i vihesha punës me vrull, sapo arrinim në vendin ku duhej të ndalnim dhe të çlodheshim. Por mjerisht, gjithçka që përjetuam ka mbetur veç në kujtesë. E megjithatë, më mirë këto tri penelata me ngjyra në telajo, sesa kujtimet më të bukura…”

Përsëri në Kajro. Por kësaj radhe, Gérôme nuk e gjeti Soliman Pashën, «alias» koloneli Sève i ushtrisë së Bonapartit, i cili e kishte pritur dhe strehuar në një nga shtëpitë e tij në Kajro, gjatë udhëtimit të tij të parë, bashkë me Bartholdi-n dhe të tjerë. Në pushtet ishte Said Pasha, të cilin që në adoleshencë të tij, Mehmet Ali Pasha e kishte dërguar në një shkollë ushtarake në Paris dhe ai ishte një frankofon me kulturë europiane. Madje, ishte ai që i dha të drejtën e koncesionit inxhinierit francez Ferdinand Lesseps, që ai të fillonte punimet për hapjen e kanalit të Suezit. Tashmë, varri i kolonelit Sève gjendej në një turbe të bukur në Rhoda Isles, të Kajros. Nga ky personazh, Gérôme ruante kujtime simpatike, pasi te ai, të gjithë francezët që vinin për studime apo për të ndihmuar në ripërtëritjen e Egjiptit, gjenin një mbështetje të madhe. Sève i ishte shfaqur Mehmet Aliut, në vitin 1819, me një letër të kontit Ségur, meqë ai i kishte kërkuar oficerë të përgatitur, për të reformuar ushtrinë e re të Egjiptit. Atje dhe ishte konvertuar në mysliman, ku ishte martuar me një greke, që ia kishte rrëmbyer një tregtari, në Peloponez.

Leave a Reply

Your email address will not be published.