PLAK ASHIK DHE TOPALL – FAN NOLI

Ashtu sikurse edhe Mjeda dhe Fishta, edhe Noli për shkak të misionit fetar, u kufizua në lirikën erotike, përkundër dy të parëve të cilët nuk shkruan fare

Majlinda RAMA

Noli nuk u martua asnjëherë, ndonëse në vitin 1908, përpara se të shugurohej prift nga Kryepeshkopi Ortodhoks rus i New Yorkut, Platoni, Noli kishte shprehur dëshirën për t’u martuar. Kjo duket qartë edhe në letërkëmbimet e tij me miqtë e Misirit, të cilëve u kërkonte “ndonjë vajzë të mirë”. Edhe studiuesi i tij, Nasho Jorgaqi, është shprehur se Noli kishte kishte pasur flirte apo histori dashurie me disa gra. “Një nga njerëzit që Nolin e ka njohur më mirë dhe më afër ka qenë At Artur Liolin. Në një nga udhëtimet e mia në Boston i pezmatuar më thotë se po ia merrnim Nolit të gjitha arkivin e tij, studimet dhe gjithçka dhe në SHBA nuk mbetej gjë. Më pas vijoi se si kishte ndër mend të bënte diçka që nuk e dinte kush. Më tha se do bënte një studim për gratë në jetën e Fan Nolit. Sipas Liolin, Fan Noli kishte patur histori dashurie dhe flirte me 7 gra në të gjithë jetën e tij. E para ishte një vajzë në fshatin e lindjes në Ibrik Tepe. Një ishte një greke kur ai u shkollua në Greqi. Madje i kërkoi të vëllait të martohej me të por kur i tha më tej se do shkonte në SHBA i vëllai e mori për aventurier dhe e kundërshtoi martesën. Një grua tjetër ishte sekretarja e tij Mary Jons. Një grua që bënte gjithçka për Nolin që nga punët e shtypshkrimeve e deri te kujdesja për shëndetin. Por sipas të dhënave ishte edhe e dashura e tij”, ka zbuluar studiuesi dhe bibliografi i Nolit, NashoJ orgaqi në një intervistë. Por sidoqoftë, ashtu sikurse edhe Mjeda dhe Fishta, edhe Noli për shkak të misionit fetar, u kufizua në lirikën erotike, përkundër dy të parëve të cilët nuk shkruajtën fare. Ai, Noli, do të spikaste me poezinë e tij satirike “Plak topall edhe ashik”, e cila ishte me tepër një reagim satirik ndaj ngacmimeve dashamirëse të miqve të tij.

Të mos harrojmë që Noli kishte përkthyer kryeveprën “Don Kishoti i Mançes” të Servantesit dhe mesa duket ishte nginjur me vargjet që kalorësi i arratisur, Don Kishot (alias Alonso Kishano), sugjestiononet për damën e tij të stisur Dylqinjën e Tobozës. Kalorësit e arratisur, galeotët, lanseloti, kalorësit e mbretit Artur, tryeza e rrumbullakët, etj., një figure poliedrike si Noli nuk kishte se si t’i shpëtonin pa një ngacmim edhe emocional. Nëse do të sjellim vargjet e poezisë “Plak topall dhe ashik”, do të shohim se loja satirike e autorit nis me një beftësi trullosëse, teksa pa bërë asnjë lloj prezantoje, ai e nis me vargun “Dale moj, se kam një fjalë”, postulatë hyrës i një ndjenje, që këtu te Noli, duket që në start që është një ndjenjë që nuk është marrë pas me të njëjtën gjatësi vale, pra nuk është e ndërsjelltë, prandaj edhe vargu hyrës duke përlutës. Pastaj edhe vargu tjetër e thekson këtë “Se më rrjedhin djersët valë”.

“Dale, moj, se kam një fjalë,
Se më rjedhin djersët valë;
Dale, moj, se s’jam më djalë
Dhe më s’ecënj dot”.

Noli tregon qartë se është gjendur përpara një bote krejt të re, të panjohur më parë, çka po i jep një sfilitje të madhe, jashtë fuqive e kapaciteteve dhe energjive fizike të tij. Këto vargje krijojnë një përballje ashiqare me njëra – tjetrën, duke vendosur në dy llogore skemën ndjenjë-mundësi reale. Në të vërtetë dashuria tek kjo moshë sublimohet, është më e madhe se ajo e një të dashuruari në kohë normale, ku rinia ia përflak faqëzat… kjo ndenjë vjen më e mundimshme e shoqëruar diakronikisht me ecurinë e ditëve të heroit lirik. Ai mundohet deri në dyluftim me veten, aq sa gjithçka i vihet përballë dilemës, duhet, s’duhet, mirë a keq. Dihet që Noli kishte ditur të gjente mundësi dhe rrugë për të analizuar e propaganduar çështje të mëdha kombëtare, kishte ditur të kuvendonte dhe të ishte i pari ndër burra, por dukej se kishte qenë kohë e largët kjo për të, tani po “rrezikonte” të prekte fusha të pashkelura, për të cilat miqtë, jo më kot, e vinin në sedër. Dhe ja, më në fund, ai vendos të sfidojë turpin dhe trupin, sfidon vetveten dhe, si Maratonomaku, del mbi të tëra ndjenjat që e mundojnë dhe e thotë atë çfarë i ka zënë frymën. Dhe duket sikur i ka çuar në djall të tëra, rregullat, moralin, konvencat e ngurta të shoqërisë. Turpin e ka mbytur dhe ja… Rrezikon!

“E arriva dhe ia thashë,
Asnjë gur pa tundur s’lashë,
Dhe mëgjunjazi i rashë…”

Ah, tani është pikërisht çasti kur botët nisin t’i rrëzohen mbi kokë, ngjyrat e ditës i fashiten. As ai vetë nuk di çfarë shpjegimi t’i japë tërë kësaj: Koha e qejflinjve? Bota e jaranëve? Moti i ashikëve? Epoka e dashurive të vona? Ç’dreqin qenka tërë kjo potere shkulmuese së brendshmi që ia “nxiu” faqen. Por, jeta ndjek rrugine vet dhe dashuria i jep asaj kuptim. Prandaj, ia vlen mundimi, lodhja, sfilitja, orët e pritjes, përuljet, krenaria nuk ka kuptim në kësi rastesh dhe autori lesohet i tëri në krahët e Dylqinjës së vet, asaj më të mirës, më të bukurës, më përrallores në sytë e tij. Dhe beteja nuk ndalet:

“Dale, moj, se më kapite,
Më këpute, më sfilite,
Prite, moj, ashikun, prite”

S’i gjendet shpjegimi, por as zgjidhja, e cila mbetet në derë të hapur dhe varet vetëm nga një pohim, vetëm një hapje goje e palës tjetër dhe enigma merrte zgjidhje. Por, në asnjë rast, nuk do të rrezikonte nëse do ta mendonte refuzimin. Tërë ai mund, kapërcim i vetvetes, dalje përtej të zakonshmes, fiket kur një fjalë, e cila nënkuptohet në poezi, dhe ajo është përgjigja “Jo”.

“Hapi gojën, dhe vajtova,
Qenkam plakur, e kuptova,
M’ardhi keq, po s’e mohova,
Syri m’u-përlot”.

Kaq mjafton që bota t’i rrëzohet mbi vete, trup e mendje të kenë tani edhe më turp prej turpit që i ndodhi. Kaq duhet që lufta shpirtërore të mbizotërojë në çdo membranë qelizore të heroit lirik.

Të koritej burri në këtë moshë, ishte njësoj si të vdiste! Më mirë të vdiste! Dhe shohim se si e shpalos këtë përjetim të zhgënjimit të tij.

“Dhe nga jeta u mërzita,
Dhe nga lumi u vërvita
Që të vdes, se u korita
Dy-tri herë sot”

Nëpërmjet përjetimit, para dhe pas mohimit të kësaj dashurie, Noli na paraqet një tablo tjetër, atë të dashurisë në moshë të tretë. Ajo, e cila, shpirtërisht përjetohet, por vjen një çast që kthehet në ‘mollë të ndaluar’. Dhe duket sikur qesëndisë veten. Plak i marrë, dashuri e marrë. Por ndonëse me nota të një satire, botës i shpaloset pyetja universale: a njeh dashuria moshë? Patjetër që jo. Vitet, jeta, të papriturat le të bërtasin, ato nuk mund t’ja marrin dot të drejtën për të vijuar. Dhe, natyrisht, cila forcë do t’ja ndalte uraganin e brendshëm. Një vajzë e re -shumë më e re se heroi lirik, e bukur – shumë më e bukur se heroi lirik, e brishtë – shumë më e brishtë heroi lirik. Jo dhe jo! Ja fati troket serish në derë dhe autori e kapërcen disfatën me një gjetje po aq të bukur: Një tjetër! Dhe ja, zemra sërish i fërgëllon për më të mirën e sokakut:

Po ti, Zot, më ngushëllove
Pas një tjatre më lëshove,
Dhe nga mbytja më shpëtove,
Lavdi paç, o Zot.

Dhe në fund, përsëritet rituali, të njëjtat fjalë, të njëjtat lutje, të njëjtat ndjenja. Jeta e tij vijon bashkë me dashurinë për vashën e ëndrrave, vijon deri në infinitiv e vet.
Dale, moj, se kam një fjalë,
Se më rrjedhin djersët valë;
Dale, moj, se jam i çalë
Dhe më s’ecënj dot.

PLAK TOPALL DHE ASHIK

Dale, moj, se kam një fjalë,
Se më rjedhin djersët valë;
Dale, moj, se s’jam më djalë
Dhe më s’ecënj dot.

Dale, moj, se më kapite,
Më këpute, më sfilite,
Prite, moj, ashikun, prite
Që të vjen me not.

E arriva dhe ia thashë,
Asnjë gur pa tundur s’lashë,
Dhe mëgjunjazi i rashë,
Ç’u mundova kot.

Hapi gojën, dhe vajtova,
Qenkam plakur, e kuptova,
M’ardhi keq, po s’e mohova,
Syri m’u-përlot.

Dhe nga jeta u mërzita,
Dhe nga lumi u vërvita
Që të vdes, se u korita
Dy-tri herë sot.

Po ti, Zot, më ngushëllove
Pas një tjatre më lëshove,
Dhe nga mbytja më shpëtove,
Lavdi paç, o Zot.

Dale, moj, se kam një fjalë,
Se më rrjedhin djersët valë;
Dale, moj, se jam i çalë
Dhe më s’ecënj dot.

Leave a Reply

Your email address will not be published.